back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

70 vjet nga ekzekutimi i Alush Sejkos e Dr. Riza Resulit nga Leka Ndoja

Gazeta

 

Alush Sejko (1920-1948)
Alush Sejko (1920-1948)

70 vjet nga ekzekutimi i Alush Sejkos e Dr. Riza Resulit

nga Leka Ndoja

Alush Xhemal Sejko u lind në Filat të Greqisë (Çamëri) më 1920, banues në Kavajë. Gjatë pushtimit italian u burgos në Bari; mbas pushtimit anglo-amerikan në prill 1944, kreu një kurs për radio-telegrafist pranë Misionit Amerikan në Taranto. Në Itali u njoh me Fultzin, Spiro Rucin dhe Lari Postin, argument i cili do t’i kushtonte dënimin me vdekje më 7 janar 1948.
Alushi hyri në radhët e UNÇ në 14 prill 1944, në Brigadat Jugosllave. Në Shqipëri shërbeu në Brigadën V, dhe mbas luftës u dekorua me Medaljet e Çlirimit dhe të Kujtimit.
Në vitin 1947, kishte fituar gradën e nëntogerit dhe shërbente si përgjegjës i Klubit Edukativ të repartit 300 të Divizionit të Delvinës. Arrestohet nga Seksioni i Sigurimit të Regjimentit të Gjirokastrës, më 10 qershor 1947.
Në dt. 27 nëntor 1946 trupi gjykues i Gjykatës Ushtarake të Gjirokastrës e përbërë nga Llazi Polena, kryetar, Shaban Idrizi dhe Avdul Habili, dha vendimin kundër “Komitetit Klandestin në Ushtri”, sipas akuzës së përpiluar nga Prokurori i çështjes Vangjel Kocani. Gjyqi i zhvilluar në Gjirokastër dënoi me vdekje: Alush Xhemal Sejkon, Dr. Riza Izet Resulin, Myrto Shefqet Hysin, Dhimitër Nikoll Nikon, dhe Syti Zule Koritën.
Mbas kërkesës së Prokurorit të Gjykatës së Lartë Ushtarake, Haznedari u kërkua rishqyrtim i akt-vendimit të Gjirokastrës, për heqjen e dënimit me vdekje për Dhimitër Nikoll Nikon dhe Syti Zule Koritën.
Me dt. 7 janar 1948 Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake me kryetar Niko Çetën e antarë Veledin Zenelin e Nexhat Hysenin morën në rishqyrtim akt-gjykimin e Gjykatës Ushtarake të Gjirokastrës ku u konfirmua dënimi me vdekje i Alush Xhemal Sejkos, Riza Izet Resulit dhe Myrto Shefqet Hysit.
Nga ky rigjykim u hoq dënimi me vdekje për Dhimitër Nikon dhe Syti Koritën duke ua kthyer në 20 vjet burg; gjithashtu Ymer Rushit Suma, Faslli Shefit Llapa, Jani Nikoll Dori, Halit Laçi, Ismail Alush Rexhepi dhe Sadik Çela u dënuan nga 15 deri 3 vjet burg.
Në vitin 1961, çështja e Alush Sejkos si “agjent amerikan” dhe e “Komitetit Ushtarak Klandestin”, u bashkëlidh në analizat e Sigurimit për ndërtimin e fazave të legjendës së “Grupit Çam” në ushtri. Sigurimi nisur thjesht nga teoria e gjakut por edhe e “dyshimit” sipas Hazbiut. Për më tepër në Kartelën Personale të Temes në Ministrinë e Mbrojtjes ishte shënuar ekzekutimi i kushëririt të tij të parë.
Kështu rileximi i Sigurimit të procesit të vitit 1947, solli arrestimin dhe tragjedinë e djemve të xhaxhait të Alushit: Kundër-Admiralit Teme Sejko, Taho Sejko dhe familjeve të tyre.
Në procesin ndaj Kadri Hazbiut më 1983 është akuzuar ky i fundit për arrestimin e 100 ushtarakëve të Divizionin e Delvinës, si fakt i reprezaljes të Seksionit të Sigurimit në Ushtri ndaj “Komitetit të Delvinës” të cilit nuk iu vërtetua asnjë krim përveç pohimeve nën torturë të Dr. Resulit për dhënie raportesh mjekësore. Ndërsa njohja e Alushit me Harry Fultzin në Bari më 1944, inicioi legjendën përndjekëse ndaj Sejkove në shekullin XX.
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.