back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

8 dhjetori i ngrirë – nga Albert Avduli

Gazeta

Albert Avduli
Albert Avduli

8 dhjetori i ngrirë

nga Albert Avduli

Unë s’kam më emocione nga ajo datë, por kurrë nuk vjen si datë e heshtur kalendarike
Është një arsye kjo që mjaftohem me shënime të shkurtra.
Atëherë ishim djem dhe vajza të reja me plot ëndërra dhe energji.
Tashmë, mbas 30 vitesh, jeta jonë është futur në ciklin e saj të natyrshëm, ku studentët e sotëm na drejtohen me; xhaxhi ose zotni/zonjë…
Më vjen për të qeshur sa herë duhet të hedh disa rreshta për atë datë të thekur.
Kujtoj veteranët e “pavdekshëm” të Luftës së Dytë Botërore, sidomos këtë veteranin që është bërë viral me vrasjen e 300 gjermanëve, 28 legalistëve dhe 31 ballistëve.
.
Lëvizja e Studentëve 1990
Lëvizja e Studentëve 1990
Prej vitit 1944, kanë kaluar gati 80 vite, por radhët e veteranëve vazhdojnë e shtohen çuditërisht.
Unë jam një veteran, aq veteran sa më ka kapluar skleroza, por kujtoj, se mund të kem plagosur disa anëtarë të Komitetit Qendror dhe ndoshta nja dy nga anëtarët e byrosë së kuqe.(Vetironi ky pasazh)
Ne… u ndodhëm në vendin e duhur, në çastin e vlimit.
Kaq është merita…
Në atë strukturë studentore kishte antikomunistë të qartë, (po, antikomunistë ishin studentët që ishin pranuar në universitete dy-tre vitet e fundit), indiferentë, të paqartë, të lumtur, komunistë, të përdorur, të frikur, të habitur, trima, entuziastë, skeptikë.
Sigurisht që kishte protoganistë dhe intelektualë që shihnin përtej kontureve të zymta të republikës mjerane.
Ndër emrat që të çonin peshë me guximin dhe oratorinë e tyre ishin Azem Hajdari, Sali Berisha, Gramoz Pashko, Aleksandër Meksi, Neritan Ceka, Arben Imami etj. Spikasnin gjithashtu Arben Broci, Arben Lika, Ndue Lugja, Ajet Ramcaj, Bislim Ahmetaj dhe Osman Stafa me trimërinë e tyre, Blendi Gonxhe me batutat ironike, Moza Ferra me kurajon e saj, e qindra të tjerë.
.
"Lëvizja e Studentëve" vite me vone
“Lëvizja e Studentëve” vite me vone
Me shumë bindje e them se afro 80 % e studentëve dhe trupës pedagogjike, pavarësisht origjinës, bindjeve, formimit, indoktrinimit, shkëndijës brenda vetes apo kufizimeve të tjera, ndryshimin e donin.
Kjo ishte arsyeja që ajo lëvizje mori përmasa vullkanike.
U zgjata pak në këto radhë sepse ky miti “student dhjetori” është bërë titull…
Ishin 20 mijë studentë në atë kohë, pjesëmarrës ishin shumë, protagonistë ishin disa qindra studentë, pedagogë, antikomunistë nga tradita, ish të burgosur politikë, intelektualë e artistë të tjerë, punëtorë, të rinj të shkollave të mesme, të papunë, kooperativistë.
Gati njëmijë firmosën për krijimin e partisë demokratike, paçka se lista e depozituar në ministrinë e drejtësisë ka 1/3 e emrave firmëtarë.
720 e ca studentë e pedagogë u futën në grevë urie.
Në kohë, këta studentë zgjodhën rrugë e ideologji të ndryshme. Disa u larguan jashtë vendit, një pjesë ju përkushtua profesionit, biznesit apo botës akademike, disa u përfshinë në parti të ndryshme, të tjerë u shkëputën nga politika, por nukla/bërthama e asaj lëvizje mbeti në formacionet e djathta politike.
Pavarësisht ku u përfshinë dhe ku ndodhen, vërej se me shumicën prej tyre ne kemi mbetur miq.
31 vite janë një histori me arritje, zhgënjime, vrap, pengesa, aksidente, vdekje, krenari, arrati, rikthim e ringritje.
Ehhh, pjesa më idealiste, këto dekada ka ecur nëpër mjegull dhe ende nëpër mjegull mediton.
8 dhjetori i ngrirë…
U larguan etërit (jo të gjithë), qeverisin bijtë dhe nipërit e tyre, në mos qeverisin me akte ligjore, kanë në dorë pushtetin ekonomik.
Por…
8 dhjetori është një ditë pushimi me aureolë të panjollosur!
.
Marre nga Muri i Fb i Albert Avdulit, 7 dhjetor 2021
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.