back to top
4.5 C
Tirana
E martë, 5 Nëntor, 2024

80 vjet nga Epopeja e Madhe (1944-2024) dokumenta të vetë çlirimtarëve – sjellë nga Kastriot Dervishi

Gazeta

Beu i Luftes çlirimtare - Miladin Popoviçi
Beu i Luftes çlirimtare – Miladin Popoviçi

80 vjet nga Epopeja e Madhe (1944-2024)
dokumenta të vetë çlirimtarëve – sjellë nga Kastriot Dervishi

Dy divizionet ua kishin frikën 200 gjermanëve, prisnin kur ata të iknin vetë
Në letrën që Josif Pashko i dërgonte komandantit të Divizionit të 1-rë Mehmet Shehut, më 19.09.1944, thuhet se në qytetin e Elbasanit ishin rreth 200 gjermanë dhe forca SS kosovare. Flitej se Elbasani dhe Tirana do të bëheshin qendra të tërheqjes gjermane në drejtim të Shkodrës. Në Elbasan hyhej kollaj. Kishin kapur një rob gjerman, i cili dinte shqip dhe u kish thënë:
“Gjermanët janë të fortë, ndërsa partizanët nuk janë të fortë. Kuadrot partizane janë të mirë, por jo partizanët, sidomos tërë punën e bëjnë komisarët politikë. Këtu rrotull janë 2 divizione partizane, por nuk ua mban ta sulmojnë Elbasanin që ka vetëm dy kompani gjermanësh. Po të dojë gjermani të fillojë një operacion, ikin me të katra partizanët… Partizanët nuk kanë praktikë, nuk janë të mirë në luftë, se po të luftonin do t’u binin qyteteve”.
Muri i Fb i Kastriot Dervishit, 6 gusht 2024

“Çlirimi” i fermës së Xhafzotajt
Forcat e Batalionit të 3-të të Brigadës së 4-t sulmuan fermën shtetërore të Xhafzotajt. Pas një lufte heroike me rojet e saj, me bashkëpunim nga brenda, arritën ta “çlirojnë” atë. Kjo ngjarje jepet në letrën e datës 08.10.1944, të komandës së batalionit, në të cilën midis të tjerash thuhej:
“Në mbrëmje të datës 7.10.1944 tri kompani të këtij batalioni, pasi thyen dhe shpartalluan rojet zogiste që ndodheshin në fermën e shtetit, në afërsitë e Shijakut dhe pasi u siguruan krahët nga ana e Shijakut dhe ajo e Kavajës, morën nga kjo fermë: afër 50 kuaj e mëzër, 301 kokë dhen e dhi, lopë e qe, një telefon, dy makina shkrimi. Bereqeti nuk pati mundësi të merrej, pasi s’pati kohë se po gdhihej”.
Muri i Fb i Kastriot Dervishit, 3 gusht 2024

"... të vrarë plot, 35 kuaj të kapur... Josif..."
“… të vrarë plot, 35 kuaj të kapur… Josif…”

Kulla e kapidanit shkrumb e hi
“Duke u gdhirë 28 gushti, forca të Brigadës së 4-t sulmuese mësynë fuqitë mercenare të tradhtarit Gjon Marka Gjoni, që ishin rreshtuar përgjat kufijve të Mirditës dhe i shpartalluan duke i ndjekur këmba-këmbas deri në Mal të Shenjtë dhe në Orosh. Në Orosh, forcat tona dogjën sarajet e kapidanit të Mirditës, të këtij tradhtari që s’ka lënë gjë pa bërë për hedhur popullin e varfër mirditas në prehër të okupatorit nazist.
Popull i Lurës, Dardhës dhe Reçit!
Dje, kapidani i Mirditës mori dënimin e parë nga ushtria nacionalçlirimtare. Shtëpia e tij ishte bërë një strofë kriminelësh, ku gjenin strehë të gjithë tradhtarët dhe dallaverexhijtë e dënuar nga populli, si Halil Alia e të tjerë. Ajo u bë shkrumb e hi!”
(Pjesë e thirrjes së datës 28 gusht 1944, e Brigadës së 5-të drejtuar popullit të Lurës e Reçit me rastin e goditjes së bajraktarit)
Muri i Fb i Kastriot Dervishit, 2 gusht 2024

“Dogjëm foletë e reaksionarëve”
“Mbrëmjen, duke u gdhirë 27.04.1944, Brigada e 4-rt kalon xhadenë në Qafën e Thanës, për të kaluar drejt objektivave… Më ora 4.00 të datës 27.04.1944, pararoja e Batalionit të 1-rë, i cili ishte përpara goditet 3-4 km. larg katundit reaksionar Qarrishtë prej tradhtarëve Emin Biçaku dhe bashibozukëve të tij. Menjëherë, pararoja zë pozita dhe fillon goditjen, ndërsa batalioni përgatit sulmin.
Kompania e 1-rë, nga krahu i majtë, menjëherë vërsulet mbi armikun, pozita e të cilit ka qenë jashtëzakonisht të favorshme dhe gjithë vështirësitë e tokës, shkon gjithmonë përpara…
Dy skuadra të kompanisë së 3-të, hidhen në sulm me qëllim që t’u merrnin krahët disa bashibozukëve që kishin zënë vend në një pozitë afër rrugës. Aty u zhvillua një përpjekje e shkurtër dhe e fundit me larot e Emin Biçakut, të cilët më vonë u tërhoqën …Në mes të natës, forcat e qendrës hynë në të dy lagjet e katundit, më vonë 2 batalionet e tjera. Të nesërmen, një skuadër e kompanisë, me urdhrin e shtabit të Brigadës së 4-t dogji foletë e reaksionarëve, përgjegjës për tradhtinë e dyfishtë, sidomos për goditjen tradhtare që i bëri Brigadës së 1-rë gjatë dimrit…
Vetëm duke u gdhirë 2 korriku 1944, forcat e Brigadës së 4-rt sulmonin armikun në Varret e të Vramve…
(Pjesë nga letra e datës 3.7.1944 e komandës së Batalionit të 1-rë të Brigadës së 4-rt për luftimet me popullsinë vendase në Qarrishtë e Zerqan)
Muri i Fb i Kastriot Dervishit, 1 gusht 2024

Kur partizanët shkuan në Lis dhe sollën “lirinë”
“Kemi marrë vesh se në një nga katundet e këtushme partizanët e Batalionit 1-të nuk kanë mbajtur qëndrimin e duhur në lidhje me sekuestrimet. Porositeni edhe një herë në mënyrë kategorike që të merrni të gjitha masat për qëndrimin e drejtë në popull. Për çdo shmangie, do të jetë përgjegjës shtabi i batalionit. Në Lis nuk do të merret asnjë masë (djegie, etj), pa lajmëruar shtabin e brigadës”.
(Pjesë nga letra e datës 10 korrik 1944, urdhër e komandantit dhe komisarit të Brigadës së 4-rt). 29 korrik

“Dogji një katund reaksionar”
“Më 27.06.1944, kaluam Shkumbinin për në Shqipërinë e mesme. Batalioni tonë përbëhej prej 173 partizanësh. Kaluam në drejtim të katundit Hotolisht. Në të majtë të këtij katundi u godit nga Batalioni i 3-të i Brigadës së 1-rë, ku dogji dhe një katund reaksionar, lagje e Librazhdit dhe më vonë ky u tërhoq”.
(Pjesë nga letra e datës 29 korrik 1944, e komisarit të Batalionit të 1-të të Brigadës së 4-rt, Rita Marko)
Muri i Fb i Kastriot Dervishit, 29 korrik 2024

Nga veprimet “çlirimtare” të Brigadës së 4-rt në fshatrat e Dibrës
“Mbrëmë dërguam një kompani në katundin e Ali Maliqit, të cilit, në bazë të urdhrit, iu dogj shtëpia. Mallin e kish hequr të tërë, bëj hesap, edhe kanatat e dyerve dhe të penxhereve. U gjet vetëm bereqet (misër), një pjesë e të cilit iu dha popullit që kish dalë”.
(Letra e datës 5 gusht 1944 e Pano Xhamballos për veprimet e Batalionit të 3-të në Kërçisht të Dibrës, kundër pasurisë së Ali Maliq Agollit)
Muri i Fb i Kastriot Dervishit, 26 korrik 2024

“Na dërgoni listën e shtëpive që do djegim në Deshat të Dibrës”
“Me kompaninë e dytë jemi mbi kodrat e katundit Deshat. Në këtë katund kemi për të djegur. Na dërgoni listën (e personave) që duhet (t’u) djegim (shtëpitë), në rast se ka në këtë katund. Në rast se nuk ka, vëre në dijeni shtabin e brigadës, duke treguar pozitat tona, që të dinë pse neve kemi kaluar prej objektivit që kishim caktuar. Kërko emrat e shtëpive që duhet të digjen në këtë katund. Në rast se s’i përmban lista, po e përmend dy herë, kërko dhe mendimin që t’i djegim sot ose mund t’i djegim nesër, mbasi kemi kaluar nga rajoni”.
(Pjesë nga letra e datës 28.7.1944 e komandantit të Batalionit të 1-të të Brigadës së 4-rt, për djegien e shtëpive në Deshat)
Muri i Fb i Kastriot Dervishit, 25 korrik 2024

Stani reaksionar
Shtabi i Brigadës së 4-rt, me letrën e datës 31 korrik 1944, pas njoftimit se Batalioni i 3-të hyri në Obok të Dibrës, porosiste: “Interesohuni dhe sekuestroni stanin e Ali Maliqit në mal”.
Muri i Fb i Kastriot Dervishit, 23 korrik 2024

"...e kemi bërë më keq se në Starovë..."
“…e kemi bërë më keq se në Starovë…”

“Janë larguar gratë nga fshati, nuk lamë plevicë pa djegur”
A mund të sillet kështu me popullsinë civile një ushtri që pretendon se po sjell lirinë?! Vëreni këto rreshta:
“Sipas urdhrit që kishim nga ju, vepruam. Këtu në katundin Sulaj nuk gjetëm asnjë person, edhe gratë kanë ikur, bile të gjitha plaçkat i kishin hequr nga shtëpia. Në këtë katund nuk kemi lënë asnjë plevicë, i dogjëm të gjitha. Gjithashtu dhe shokët në anën e Fushë Aliasë, i dogjën të gjitha. Me një fjalë e kemi bërë më keq se në Starovë. Me Batalionin e 3-të jemi në lidhje. Tashi forcat i kemi në pushim dhe presim urdhër”.
(Letra e datës 27 korrik 1944, nënshkruar nga komisari Rita Marko i Batalionit të 2-të të Brigadës së 4-rt, për veprimet në Sulaj e Fushë Alije të Dibrës)
Muri i Fb i Kastriot Dervishit, 22 korrik 2024

"Dogjëm gjithë shtëpitë..."
“Dogjëm gjithë shtëpitë…”

“Dogjëm gjithë shtëpitë, barërat, të lashtat dhe gjetëm pula me bollëk”
Cila ushtri pushtuese ka bërë krime të këtij lloji në një fshat të boshatisur nga tmerri. Jo për gjë, por për pula i kanë nxjerrë namin ballistëve. Vëreni këto rreshta të atyre që “çliruan” vendin nga shqiptarët dhe sollën “lirinë”:
“Në katundin Fushë Alije dogjëm gjithë shtëpitë, barërat dhe të lashtat që janë korrur. Nëpër shtëpitë nuk gjetëm gjë veç pula me bollëk”.
(Pjesë nga letra e datës 27 korrik 1944, e komandantit të Batalionit të 2-të të Brigadës së 4-rt, për veprimet në Fushë Alije)
Muri i Fb i Kastriot Dervishit, 22 korrik

Batalioni komunist “Perlat Rexhepi” vrau dhe dogji Atë Lekë Lulin
Më 16 korrik 1944, Atë Leka udhëtoi nga Kastrati i Malësisë së Madhe në Tropojë për të marrë pjesë në një mbledhje të forcave politike. Komunistët e justifikuan vrasjen sikur ndodhi nga shkaku se kleriku ishte “ndërlidhës midis gjermanëve dhe britanikëve”. Partizani vrasës kryesor, e ka përshkruar në këtë mënyrë krimin makabër:
“Vrasja u krye në pyllin e errët të Valbonës. Patër Lekë Luli ish dërguar nga armiku i popullit Abaz Kupi që të lidhte veprimet e Gani Kryeziut me reaksionin e Dukagjinit dhe me partitë e tjera reaksionare të Lumës e të Mirditës për të ndaluar forcat e ushtrisë NÇL për çlirimin e krahinave të veriut. Kufoma e tradhtarit të popullit Patër Lekë Luli u vu në zjarr të madh ku iu dogjën edhe eshtrat. Më vonë, shkuan 100 reaksionarë të shtyrë nga kleri reaksionar i Shkodrës për t’i gjetur shenjat, por pluhuri i tij ishte zhdukur”.
Muri i Fb i Kastriot Dervishit, 20 korrik 2024

"...duke u hakmarrë edhe për shokët e rënë..."
“…duke u hakmarrë edhe për shokët e rënë…”

“Çlirimi” nga shqiptarët
Më 28.07.1944, katër batalionet e Brigadës së 4-rt partizane dhe Batalioni “Antonio Gramshi”, morën përsipër të “çlironin” nga shqiptarët (të cilësuar “reaksionarë”) fshatrat Fushë Alije, Blliçë, Sulaj, Kandër, Kastriot. Pasi të hynin në këto fshatra morën porosi paraprake se do të digjnin shtëpitë dhe do t’u sekuestronin pasurinë veçanërisht “këtyre reaksionarëve”: Në Kandër: Selim Kaloshi, Shaban Kaloshi, Haziz Kaloshi. Në Kishavec: Shaqir Alia.
Muri i Fb i Kastriot Dervishit, 19 korrik 2024

“Çlirimi” i fshatrave të Dibrës nga shqiptarët.
Katër batalione të Brigadës së 4-t dhe Batalioni “Antonio Gramshi”, ishin të ngarkuar të “çlironin” fshatrat “reaksionare” të Dibrës. Batalioni i 1-rë mbështeste veprimet e batalioneve të tjera një mitralozë të rëndë. Batalioni i 2-të dhe “Antonio Gramshi”, do sulmonin dhe “çlironin” Fushë Aliajn dhe Sulajn. Batalioni i 3-të do “çlironte” Blliçen. Batalioni i 4-rt në Renz do “spastronte vendin”. Jepeshin udhëzime se do u digjeshin shtëpitë dhe do u sekuestrohej pasuria e atyre do bënin qëndresë nga shtëpitë e tyre, të cilët në rast se kapeshin do gjykoheshin do të ekzekutoheshin. Veprimet do fillonin më 28 korrik 1944, duke u shënuar si hakmarrje për partizanët e vrarë të Brigadës së 1-rë, të vrarë në ato zona.
(Nga letra e datës 27 korrik 1944 e panit të veprimit të brigadës).
Muri i Fb i Kastriot Dervishit, 18 korrik 2024

Nga lufta për “çlirimin” e Matit nga shqiptarët
“Armiku u largua nga katundi Patin duke zënë pozita në Kurdari. Forcat tona hynë në Patin duke djegur shtëpinë e tradhtarit Isuf Çela. Armiku pati 3 të plagosur. Nga ne asnjë dëm”
(Nga letra e komandës së Batalionit të 1-rë të Brigadës së 4-t, 13.07.1944).

"...ajo s'ishte firmë... ajo ishte vetëtimë... " do këndonte Poeti...
“…ajo s’ishte firmë… ajo ishte vetëtimë… ” do këndonte Poeti…

Nikitoviçi
Më 09.07.1944, Batalioni i 1-rë i Brigadës së 4-t luftonte kundër popullsisë vendase në pellgun Kurdari-Lis të Matit. Gjatë luftimeve u vra sovjetiku Koçirian Nikitoviç, ish komisar kompanie në Ushtrinë e Kuqe, efektiv i Batalionit të 1-rë. Nikitoviçi pra do i sillte “llirinë” popullsisë vendase.
Muri i Fb i Kastriot Dervishit, 16 korrik 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.