back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

9 Qershor 1973 – Turpi ma i madh i Botës Hapet: Muzeu Ateist i Shkodrës – nga Fritz Radovani

Gazeta

Muzeu Ateist, i vetmi në llojin e tij në botë, shembull i utopisë komuniste
Muzeu Ateist, i vetmi në llojin e tij në botë, shembull i utopisë komuniste

9 Qershor 1973 – Turpi ma i madh i Botës

Hapet Muzeu Ateist i Shkodres

nga Fritz Radovani

Nji gjysë shekullit që dhunohet Populli ma i vogël i Europës!
Plot 50 vjet janë ba nga dita e hapjes së Muzeut Ateist në Shkoder, ishte “I vetmi në Botë” dhe, as sot nuk kemi një studim të plotë, që përveç ideatorëve të Byrosë Politike të PPSh, Populli Shqiptar nuk di as qëllimin dhe as funksionin që ka krye ai muze antinjerzor dhe antikombtar, i hapun në qendrën historike të Shqipnisë së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Ai Muze Ateist u ndërtue mbi gropat pa shenja dhe emna të të vramëve dhe të mbytunve nga sigurimi i shtetit barbar komunist, që ashtu si hapi atë “Muze i Vetmi në Botë, ashtu edhe ka krye Gjenocidin komunist të vetmin në Botë!” Sot, flasin Arkivat!
Ky Gjenocid antinjerzor asht krye me mjetet ma të dhunshme dhe të mnershme kundër Popullit dhe Klerit Katolik Shqiptar, që në këtë 50 vjetor duhet të na rikujtojnë Martirët e Mëdhaj që dhane jetën e vet, për një Ideal Fetar dhe Atdhetar të pavdekshem dhe të Përjetshëm:

Imzot Ernesto Çoba (1913 – 8 Janar 1980); Ipeshkvi i Dioçezit Shkoder.
Don Marin Shkurti (1933 – 1 Prill 1969);
Don Shtjefen Kurti (1898 – 20 Shtator 1971);
Don Anton Doçi (1915 – 1973);
Don Mikel Beltoja (1935 -10 Shkurt 1974);
Don Prekë Nikçi (1921 – 15 Mars 1974);
Don Mark Hasi (1920 – 11 Shtator 1981);
Don Zef Bici (1919 – 10 Maji 1968);
Don Mark Dushi (1920 – 10 Maji 1968);
Don Lazër Jubani (1925 – 29 Korrik 1982);
Don Lec Sahatçija (1906 – 4 Prill 1986);
Don Nikoll Gjini (1911 – 1987);
Imz. Lazër Sheldija (1928 – 10 Shtator 1988);
Don Pjeter Gruda (1922 – 13 Janar 1989).
E sa e sa të pranguem persa vite në burg dhe tortura.

(1944 – 1989) Gjenocidi ka vra dhe zhdukë 67 Klerikë Katolik në Shqipni.
Mbas 1967, të burgosun dhe të dënuem me shumë vite punë të randë, janë 23 Klerikë të besimit Katolik. Përjashtimi i Besimeve tjera nga ky “revolucion” barbar kishte qëllim kryesor metodën e vjetër anadollake “Përçaj e sundo”! Pasojat vazhdojnë edhe sot ndër të gjitha Trojet Shqiptare, tue fillue me Shtëpijat Muze të vjetra deri te ato të Atdhetarëve At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Osman Kazazi, Kulla e të Madhit, Prekë Cali.

Muzeu Ateist, i vetmi në llojin e tij në botë, shembull i utopisë komuniste
Muzeu Ateist, i vetmi në llojin e tij në botë, shembull i utopisë komuniste

Muzeu Ateist nuk duhet shkatrrue asnjëherë! Aty duhet punue për me u ba një nga ma të mëdhajat Biblioteka të Shqipnisë, ku duhen ruejtë me kujdesin ma të madh të gjithë botimet e librave dhe revistave të “Realizmit Socialist” nga viti 1944 e deri tek botimi i Librit të fundit të kësaj epoke shkatrrimtare të Shqipnisë Europjane!
Aty duhen protokollue diskutimet e të gjithë “revolucionarëve të 1967” të cilët, nga viti 1944, nuk kanë pushue tue akuzue dhe shpifë per qytetarët, e madje, tue kërkue edhe pushkatimin e sa e sa vetëve të pafajshëm, që sigurimi kërkonte me i zhdukë edhe si fise.
Askush nuk asht burgosë e interrnue pa “deklarata fallco” nga dashakqijtë e paturp agjenta të sigurimit shtetit kriminal.
Askush nuk asht largue ose pushue nga puna pa shpifjen e një agjenti apo spijuni barbar komunist!
Askujt nuk i asht kontrollue shtëpia dhe shtetzue pa aprovimin e kryesisë së lagjeve mbushë me agjenta sigurimi.
Askush nuk ka shkue agjent jashta shtetit pa u garantue kthimi i tij nga një komunist vllavrasës.
Askush nuk e tregon një vend pushkatimi pa aprovimin e degës së mbrendshme edhe pse i dijnë edhe sot.
Askush nuk tregon vrasësit ndër piramida dhe kush urdhnoi tek vendi ekzekutimit.
Askush nuk boton listat e diskutantëve shpifës në 1967 në Institutin Pedagogjik Shkoder.
Askush nuk tregon kush ua përgatiti diskutimet këtyne injorantave kundër klerikëve ndër gjyqe dhe mbledhje në Institutin Pedagogjik…
Askush nuk tregon ideatorët e burgosjeve dhe interrnimeve apo nisjes së tyne ndër male…
Askush nuk tregon kush vjedhi dhe po i përdorë punimet shkencore të të vramëve të ruejtun ndër arkivat e Shtetit për marrje titujsh…
Hapni Dosjet, mos kini frikë nga të vramit dhe të zhdukunit!
“Të gjallët vazhdojnë me hangër bar, por parimet nuk i shkelin…”
Kjo asht porosia e PPSH!

Muzeu Ateist në Shkodër
Muzeu Ateist në Shkodër

***
Revolucioni kultural dhe ideologjik i 1967 mbasi shkatërroi besimet, gjuhën Shqipe ai dekompozoi njeriun! Shikoni antarët e qeverisë së sotme “të rilindur, bijtë trashigimtarë besnikë të tyre”! Po ua kalojnë baballarëve!
Mbas mbylljes përfundimtare të objekteve të Kultit, drejtuesi anadollak i “Revolucionit Kulturor të vitit 1967” skilja Ramiz Alia, krijoi në Shkoder një Komision me një nga besnikët e tij të njohun Jup Kastratin “Kryetar i Komisionit Përzgjedhjes leteraturës fetare kishtare”, – i cili i ka shërbye deri në vdekje. Mbasi grumbulluen dhe seleksionuen të gjitha veprat letrare nga bibliotekat e institucioneve dhe ata personale, dorëshkrimet dhe punimet me vlerë vazhdojnë me u botue edhe sot nga hajdutët “Dr. Prof.!!” Tepricat e materialeve u ekspozuen në “Muzeun Ateist”, të cilin unë nuk e kam pa asnjëherë dhe, as nuk kam punue kurrë aty, as kur përgatitej hapja e tij, ndonse agjentët e sigurimit dhe bijtë e tyne (që ua kalojnë për poshtërsi e shpifje edhe baballarëve e nanave të veta), deri pak vite përpara vazhdonin me më akuzue se kam punue si piktor aty. Nga piktorët e angazhuem me punue aty unë kam njoh disa, po as nuk dyshoj se shpifjet kanë dalë ose dalin prej pasuesve tyne, mbasi ata më kanë shprehë keqardhje për foton e vllaut të arrestuem dhe të dënuem 10 vjet, që asht vendosë dikund me grupin e klerikëve. Vërtetë që në vitin 1996, unë mora Dokumentin e Pastërtisë së Figurës sime, po ai Dokument duhet të fillojnë nga viti 1953, kur ishe trembdhjetë vjeç, dhe nuk kam pranue asnjëherë me i shërbye asnjë organi të sigurimit të shtetit, edhe pse kërkoi me më aktivizue sekretari i rinisë së shkollës Pedagogjike Jani Çomo me Emil Mborjen. Dy figura të njohuna terroriste që besoj e kanë lanë “dikund” këte dokument.

Karikaturizmi i prifterinjeve katolike
Karikaturizmi i prifterinjeve katolike

Shteti Shqiptar asht i vetmi ndër shtetet komuniste që vazhdon me nderue dhe me dekorue shpifsa e terroristë, që ndër dosjet e tyne vlon gjaku i të Pafajshëmve, që me mënyra të ndryshme vazhdojnë me vuejtë, nuk i kanë kthye pronat, nuk i japin punë fëmijve tyne, se nuk i Garanton njeri!
Edhe kjo rrugë pa asnjë “Dritë në horizont”… Asht Ri-ngjallje ose “Rilindje” në vazhdimsi! E vetmja e drejtë e tyne asht “Braktisja e Atdheut”.
Vrasësve tradhtarë të Popullit Shqiptar mos ju shlyftë kurrë Gjaku nga dyert e tyne! Kjo asht porosia e të gjithë Atyne që vdiqën me zemer t’plasun. E mos harroni se kushedi sa vite do të ikin pa u dijtë saktë shifra e të gjithë Atyne Martirve që dhanë jetën për Atdhe dhe Liri,
E deri kur do të vazhdojnë kjo gjendje, më duket se edhe Europa ka harrue!
Zhvillimet e kohës së fundit ashtu si në Shqipni dhe në Kosovë, tregojnë me “shkronja të mëdha”, se interesat e kujt po mbrojnë Europa e të tjerët.
Po mos harroni kurrë se, Gjaku i Martirve të Atdheut tonë Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe i së Madhes Nanë Tereza, vazhdon me gufue n’ Atdhe!
Shqipnia ishte e Tyne, asht e bijve të Tyne dhe, do të jetë përgjithmonë sa të jenë jeta: Trashigimtaria e Virtyteve të Veprave të Tyne Atdhetare!
Shqipninë kur nuk e tjetërsuene turqit dhe sllavët, Ajo asht e Përjetëshme!
Melbourne, 8 Qershor 2023.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.