Rumania dërgon në gjyq ish shefin e internimeve komuniste
Ion Ficioru, ish komandant i një kampi internimi, rumuni i dytë që përballet me akuza për krime kundër njerëzimit
Një gjykatë në Rumani të hënën filloi gjyqin kundër Ion Ficioru, ish komandant i një kampi pune të epokës komuniste, i cili akuzohet për krime kundër njerëzimit për vdekjen e 103 të burgosurve, vdekje të ndodhura gjysmë shekulli më parë.
Ficior, tashmë 86 vjeç, qe zëvendëskomandant dhe më pas komandant i kampit të punës Periprava në një fshat të largët në deltën e Danubit. Ai përballet me së paku 15 vjet burg në rast se shpallet fajtor.
Ficior akuzohet se qe përfshirë në torturimin e të burgosurve, ndalimin e ndihmës mjekësore për ta dhe ekspozimin e tyre përballë të ftohtit ekstrem.
Më shumë se 50 vjet kanë kaluar që nga koha kur të burgosurit vdiqën, por sipas ligjit të Rumanisë, nuk ka kohë parashkrimi për ndëshkimin e krimeve të rënda.
Ficior është ish komandanti i dytë i një burgu në Rumani që akuzohet për krime kundër njerëzimit.
Shtatorin e kaluar, prokurorët akuzuan 87 vjeçarin Alexandru Visinescu për rolin e tij si menaxher në burgun Ramnicu Sarat mes viteve 1956 dhe 1963, ku elita e Rumanisë qe burgosur.
Gjashtë të burgosur politikë, përfshirë një ish-diplomat dhe një udhëheqës partie, vdiqën si pasojë e rrahjeve dhe kushteve të këqija të jetesës në burg.
Që të dy janë deklaruar të pafajshëm.
Rumuni i fundit i dënuar për gjenocid qe ish diktatori komunist Nicolae Ceausescu i cili u gjykua me shpejtësi dhe u ekzekutua më 1989.
Pas shumë dekadash mohimi, Rumania së fundmi ka filluar të përpiqet të dënojë krimet e kohës së Komunizmit. Në prill, Instituti i Rumanisë për Hetimin e Krimeve të Komunizmit, IICCMER, publikoi një listë me 35 njerëz të akuzuar për pëfshirje të ndalimin dhe torturimin e disidentëve gjatë kohës Komunizmit.
Detaje prekëse kanë dalë në dritë mbi torturat që rojet i bënin të burgosurve politikë në gulagët komuniste.
Raportet sugjerojnë se rreth 120 mijë njerëz në total nga 617 mijë të burgosur politikë vdiqën nëpër kampet e internimit. Shumica qenë politikanë, priftërinj, shkrimtarë dhe diplomatë por kishte edhe shumë fshatarë.
Komiteti hetimor aktualisht po përqendrohet në krimet politike nga fillimi i viteve 1950 deri në vitin 1964, kur një amnisti e përgjithshme u shpall në Rumani.
Shumica e të mbijetuarve nga kampet vdiqën para se të merrnin drejtësi, por rreth 2.800 prej tyre janë ende gjallë.
http://reporter.al