back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Ndërron jetë studiuesi i pasionuar i shqipes – Prof.Dr. Shaban Demiraj

Gazeta

Shaban Demiraj  (1920-2014)
Shaban Demiraj (1920-2014)

Ndërron jetë  studiuesi i pasionuar i shqipes –

Prof.Dr. Shaban Demiraj.

Ndërroi jetë sot, në moshën 94-vjeçare studiuesi i pasionuar i shqipes, pedagogu e intelektuali i shquar, Prof.Dr. Shaban Demiraj. Vdekja e tij erdhi rreth orës 14:00 si pasojë e vuajtjeve përgjatë një viti nga pasojat e një hemorragjie cerebrale. Akademik Shaban Demiraj është një personaliteti i shquar i shkencës, arsimit e kulturës shqiptare. Ai ka bërë një punë të madhe shkencore të pasqyruar në botime të shumta brenda e jashtë vendit, sidomos në fushën e albanologjisë. 30 gusht 2014 (Marrë http://www.shqiptarja.com)

Kush është Prof. Shaban Demiraj

Ka lindur në Vlorë më 1.1.1920. U diplomua në Institutin e Lartë Pedagogjik Dyvjeçar më 1948 dhe atë 4-vjeçar më 1954. Qysh nga viti 1954, është emëruar pedagog në ish-Institutin e Lartë Pedagogjik, kurse më 1954 në Universitetin e Tiranës. Ka marrë titullin “profesor” 1972, dhe është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave të RSH më 1989. Ka shërbyer si përgjegjës i katedrës së gjuhës shqipe gjatë viteve 1962-1989. “Mësues i popullit” më 1977, “Çmimi i Republikës i klasit II” më 1979 dhe “Çmimi i Republikës i klasit I” më 1989.
Profesor Sh. Demiraj është autor i disa veprave shkencore, si Morfologjia e gjuhës së sotme shqipe (1961 – ribotuar në Prishtinë më 1971); Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe (1972); Sistemi i lakimit në gjuhën shqipe (1975); Morfologjia historike e gjuhës shqipe I, II (1973, 1976 – ribotuar në Prishtinë më 1980); Gramatikë historike e gjuhës shqipe (1986 – ribotuar në Prishtinë 1988); Gjuha shqipe dhe historia e saj (1988 – ribotuar në Prishtinë më 1989) etj.
Ka marrë pjesë në disa kongrese dhe konferenca ndërkombëtare dhe ka botuar artikuj shkencorë edhe në disa revista të huaja. Ka mbajtur ligjërata pasuniversitare ose kumtesa në Prishtinë, Shkup, Beograd, Sofje, Kluzh, Kopenhagë, Aarhus, Insbruk, Vjenë, Paris dhe Këln.

Prof. Demiraj e M. Gecaj - Tiranë mars 2008
Prof. Demiraj e M. Gecaj – Tiranë mars 2008

Nderojmë Akademikun, Prof. Dr. Shaban Demiraj

nga Prof. Murat Gecaj

(“Mësues i Popullit” dhe me dy “Çmime Republike”)

Megjithëse kanë kaluar disa vjet, si tani më kujtohet një festë e bukur e mbresëlënëse, që u organizua në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kur prof.dr. Shaban Demiraj kishte 80-vjetorin e lindjes. Ishte pikërisht ai institucion i lartë i vendit tonë, të cilin ai e kishte drejtuar për disa kohë, me vullnet e pasion profesional. Nga blloku i shënimeve, po shkëpus këto radhë, që i kam mbajtur atë ditë: “Në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, në një mjedis të ngrohtë miqësh e kolegësh, u organizua ceremonia e dhënies së titullit të lartë, “Mjeshtër i Madh i Punës”, Akademikut Prof. Dr. Shaban Demiraj, “Mësues i Popullit”, në 80-vjetorin e lindjes së tij. Merrnin pjesë anëtarë të kësaj Akademie, punonjës të institucioneve qendrore shkencore dhe atyre të larta arsimore, kolegë e bashkëpunëtorë të afërt të tij”. Po aty, më tej, shënoja se foli Prof. Dr. Ylli Popa, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave. Ai theksoi punën shumëvjeçare, të gjërë dhe të frytshme të Akademikut Demiraj, këtij personaliteti të shquar të shkencës, arsimit e kulturës shqiptare. Nënvizoi veprimtarinë e madhe kumtuese e botuese të tij, brenda e jashtë vendit, sidomos në fushën e albanologjisë. Gjithashtu, u ndal në ndihmesën e dhënë nga Prof. Demiraj në përgatitjen dhe edukimin e disa brezave të mësuesve të gjuhës e letërsisë shqipe, si dhe cilësitë e tij: thjeshtësinë e ndershmërinë, korrektësinë, përkushtimin në punë, etj.
Pas dorëzimit të titulli të lartë, Prof. Demiraj shprehu falënderimet për vlerësimin e madh, që i bëhej dhe premtoi se do ta vazhdonte më tej punën e tij, shkencore dhe arsimore. Gjithashtu, gjatë koktejit, të organizuar me këtë rast, u sollën kujtime intime e u bënë vlerësime të larta për jetën dhe veprimtarinë arsimore e shkencore të Prof. Shaban Demirajt. Kështu, folën kolegët e bashkëpunëtorët e tij: Bedri Dedja, Et’hem Lika, Hamit Beqja, Tish Daija, Floresha Dado, Gjovalin Shkurtaj, Emil Lafe e Seit Mansaku.
Dhe ja, vitet rodhën si pa u kuptuar dhe Prof. Demiraj sot feston 90-vjetorin e lindjes. Ashtu si qindra kolegë e ish-studentë të tij, ndjej kënaqësi që më jepet rasti të shkruaj përsëri për jetën dhe veprën e tij të nderuar dhe të çmuar nga të gjithë, në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo në trojet tona amtare, në diasporë e më gjerë. Me këtë rast, atij i urojmë nga zemra: shëndet të mirë, jetë të gjatë dhe të lumtur!
Lindi në Vlorë, më 11 janar 1920. Pas çlirimit të vendit, punoi ca kohë në Agjencinë Telegrafike Shqiptare. Në vazhdim të studimeve të tij, në vitin 1948, përfundoi Institutin e Lartë Pedagogjik 2-vjeçar të Tiranës dhe atë 4-vjeçar, në vitin 1954. Si nxënës i gjuhëtarëve të shquar, Kostaq Cipos e Aleksandër Xhuvanit dhe më pas i Eqrem Çabejt, duke parë aftësitë e tij, që nga kjo kohë u emërua pedagog në ish-Institutin e Lartë Pedagogjik, ndërsa më 1957 në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të sapokrijuar në Tiranë. Dëshmi e qartë e përgatitjes së tij shkencore e pedagogjike ishte titulli “Profesor”, të cilin e meritoi më 1972.
Pas krijimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më 1989 prof. Sh.Demiraj u zgjodh ndër anëtarët e parë të saj. Gjatë viteve 1962-1989, ka shërbyer përgjegjës i katedrës së gjuhës shqipe. Më 1977, iu dha titulli i lartë “Mësues i Popullit”. U nderua me “Çmimin e Republikës” të klasit II, më 1979 dhe me “Çmimin e Republikës” të klasit I, më 1989. Në vitet e para, pas krijimit të Universitetit të Tiranës, lëndët albanologjike për ne studentët e Fakultetit Histori-Filologji ishin më të vështira dhe kërkonin më tepër vëmendje, djersë e përkushtim. Ndër këto lëndë ishte dhe morfologjia e shqipes.

Gjuha Shqipe dhe historia e saj - Shaban Demiraj
Gjuha Shqipe dhe historia e saj – Shaban Demiraj

Leksionet e kësaj lënde na i jepte pedagogu  Demiraj. Kishim dëgjuar se ai kishte nisur një shkollë fetare, por ishte larguar andej për t’u dhënë më pas studimeve të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në mendjen e ne të rinjve ai ishte pedagog shumë strikt, kërkues dhe rigoroz, çka na bënte të mos e nënvleftësonim aspak lëndën e tij. Përkundrazi, shkonim rregullisht në leksione e seminare dhe përgatiteshim seriozisht për kërkesat e tij.
Me gjithë këtë “rreptësi” të prof. Shabanit, ndjenim se ishte dhe mjaft dashmirës ndaj nesh. Këtë gjë e provuam dhe kur disave na u dhanë temat e diplomës. Ai u tregua i gatshëm të na ndihmonte dhe të na udhëzonte, për çka ne ishim të interesuar. Kjo përkujdesje e tij u duk edhe në kohën e mbrojtjes së diplomave, por dhe gjatë jetës.
Prof.dr. Shaban Demiraj u shfaq kurdoherë para kolegëve e studentëve: punëtor i palodhur, me vullnet të paepur dhe mjaft prodhimtar. Ai njihet autor i shumë veprave shkencore, sidomos në fushën e gjuhësisë. Provën e parë e dha me tekstin e gjuhës shqipe për shkollat e mesme pedagogjike (1953). Ndër këto, përmendim edhe: “Morfologjia e gjuhës së sotme shqipe”(1961) dhe e ribotuar në Prishtinë (1971), “Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe”(1972), “Sistemi i lakimit në gjuhën shqipe”(1975), “Morfologjia historike e gjuhës shqipe”(I e II, 1973 e 1976) dhe ribotuar në Prishtinë (1980), “Gramatika historike e gjuhës shqipe” (1986) e ribotuar në Prishtinë (1988), “Gjuha shqipe dhe historia e saj” (1988) dhe ribotuar në Prishtinë (1989). Studime të tij me interes të veçantë janë ato për filologjinë e arbëreshëve.
Një libër të posaçëm (më 1990) i ka kushtuar jetës dhe veprës së dijetarit tonë të madh e kolegut shumëvjeçar të tij, Prof. Dr. Eqrem Çabej – Akademik. Ndërsa më 1994, botoi në Shkup (shqip e maqedonisht) veprën “Gjuhësi ballkanike” dhe më 1996 “Fonologjia historike e gjuhës shqipe”.
Me interes mjaft të madh është libri i shkruar nga Prof. Demiraj kushtuar çështjes së prejardhjes së shqiptarëve, duke e vështruar këtë aspekt kryesisht në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe. Rreth kësaj çështjeje madhore, ai botoi librin e spikatur me titull: “Prejardhja e shqiptarëve, nën dritën e dëshmive të Gjuhës Shqipe” (Tiranë, 1999). Disa nga veprat e mësipërme janë botuar në vende të ndryshme të Evropës.
Ai ka marrë pjesë dhe ka referuar në disa Kongrese e Konferenca, kombëtare e ndërkombëtare, për gjuhën e kulturën shqiptare dhe ka botuar artikuj të shumtë shkencorë, në revista të vendit e të huaja. Në “Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe” (Tiranë, 1972), lexoi kumtesën: “Çështjet gramatikore në Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”. Po kështu, ka mbajtur ligjërata pasuniversitare ose kumtesa, në Prishtinë, Shkup, Beograd, Sofje, Kluzh, Kopenhagë, Insburk, Vjenë, Romë, Paris, Këln etj.
Veçanërisht, është e dukshme ndihmesa e Prof. Demirajt për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës letrare shqipe. Për këtë gjë dëshmon edhe përfshirja aktive e tij në organizimin dhe zhvillimin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, por dhe përpjekjet e tij të mëpastajme. Ja çfarë thoshte ai kohë më parë, në një bisedë të tij, që mbetet aktuale edhe sot: “Të gjithë duhet të përpiqemi që ta përsosim vazhdimisht shqipen tonë letrare, e cila i ka përmbushur gjithnjë dhe më mirë kërkesat e një shoqërie me zhvillim të pandërprerë. Të gjithë duhet të përpiqemi ta zhvillojmë e ta pasurojmë atë dhe, njëkohësisht, ta ruajmë nga ndikimet e gjuhëve të tjera dhe sidomos nga vërshimi i fjalëve të huaja të panevojshme, dukuri kjo, që kohët e fundit ka marrë përmasa shqetësuese. Dhe, me këtë rast, një punë të madhe mund dhe duhet të bëjnë sidomos arsimtarët, shkrimtarët dhe gazetarët, të cilët ndikojnë drejtpërsëdrejti mbi brezin e ri dhe mbi masat e gjëra të lexuesve”.
Gjatë jetës, pas mbarimit të studimeve të larta, jam takuar shumë herë me Prof. Shaban Demirajn. Këto kanë qenë në tubime të ndryshme shkencore, kombëtare e ndërkombëtare. Por dhe me rastet, kur kam biseduar me të, në detyrën e gazetarit. Edhe kur ai u bë Kryetar i Akademisë së Shkencave, në vitet e Demokracisë, gjithnjë vazhdoi të ishte i thjeshtë, dashamirës dhe i gatshëm për ato, që i kërkonin përfaqësuesit e shtypit. Megjithëse i moshuar e i pamundur nga gjendja shendetësorë, ai ka marrë pjesë e ka folur edhe në veprimtari të ndyshme të Shoqatës sonë të Arsimtarëve të Shqipërisë.
Janë me qindra e mijëra ish-studentët e bashkëpunëtorët e rinj të Prof. Shaban Demirajt, anë e mbanë Shqipërisë. Ai kurdoherë është treguar i pakursyer me këshillat e tij në leksione, udhëheqje diplomash e disertacionesh, me recenza, etj. E gjithnjë u ka edukuar atyre dashurinë e vullnetin për punë, studim e krijimtari shkencore. Ja se si u drejtohej dhe si e shprehte besimin ndaj tyre, në një rast, që mbetet përherë me vlera të pamohueshme: “Mesazhi im për intelektualët tanë të rinj është që të punojnë me përkushtim, secili në fushën e tij, për të ndihmuar në zhvillimin dhe përparimin e gjithanshëm të vendit tonë. Shqipëria ka një potencial intelektual të pasur, i cili duhet nxitur që t’i shfrytëzojë sa më shumë aftësitë e tij për të mirën e vendit tonë. Por, për këtë qëllim, intelektualët tanë të rinj edhe duhen ndihmuar me të gjitha mënyrat që të mos detyrohen të braktisin Atdheun dhe të shkapërderdhin energjitë e tyre në dhe të huaj…”.
…Ja, i tillë është, me pak radhë, portreti i këtij atdhetari, ish-pedagogu të sa e sa breza studentësh, studiuesit të pasionuar të shqipes dhe intelektualit të shquar, Prof. Dr. Shaban Demiraj – Akademik. Me figurën e tij shumëplanëshe, ai i bën nder arsimit e kulturës mbarëkombëtare dhe shkencës shqiptare, tërë vendit e popullit tonë.
Tiranë, 11 janar 2014
Marrë http://www.dituria.se

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.