back to top
4.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Baba Myrteza Paja – dhe Martirët e Bektashizmës Shqiptare

Gazeta

Baba Myrteza Paja
Baba Myrteza Paja 1940 (foto Massani)

Martirët e Bektashizmës Shqiptare

Persekutimi i kryegjyshëve,  baballarëve dhe dervishëve

gjatë regjimit komunist.

Në kërkim të nji emri të Bektashizmës… Jozef Radi

Kujtimit të Baba Myrteza Pajës,

Klerikut të Bektashizmës Kruetane

Kjo listë e gjatë e dënimeve të klerikëve Bektashinj shqiptarë, është nji tjetër dëshmi e barabarisë komuniste ndaj fesë, ku kleri bektashi dhe Baballarët e Paqmë të Teqeve qenë dhe mbetën përfaqësues historikë të shqiptarizmës.
Ajo çka më shtyu të ndalem e të reflektoj pak më gjatë, ishte fakti se për Baballarët është folur dhe shkruar fare pak, fare pak është thënë për vuajtjet e këtyre martirëve të atdheut dhe të fesë; fare pak është bërë që të hidhet dritë e të nxirret më në pah jo vetëm vuajtja dhe persekutimi i tyre, po edhe ai stoicizmi krenar i këtyre njerzve të veshur me të bardha…
Para disa ditësh, albanologu Robert Elsie hodhi në rrjet nji album fotografik i fotografit italian Giuseppe Massani: Shqipëria i vitit 1940. Më pëlqyeu shumçka prej atij albumi, me më shumë se 200 foto, të marra në çdo skaj të Shqipërisë nga veriu ne jug, por ajo çka më ra në sy veçmas, dhe më shtyu të gërmoj ishin disa foto të bëra në Krujë, ku protagonist kishte qenë Baba Myrteza Paja… Menjëherë gjeta diçka në kujtesë, dhe fillin e rrëfimit të nji tragjedie, të cilën s’e kam marrë vesh ende sot: Vetvrasjen e Baba Myrteza Pajës në Hetuesi…

Baba Mytreza Paja dhe fotografi Massani
Baba Myrteza Paja i dhuron trendafil fotografit Massani (foto massani)

Këtu e gati dyzet vite të shkuara, kryeja shërbimin ushtarak në Gjirokastër. Ne nji repart ushtarak në Dropull, ishim tridhjetë djem nga Lushnja, pothuaj të gjithë nga kampet, natyrisht ushtarë pune, që robtoheshim në montimin e kupolave të artilerisë së rëndë, e ku së bashku me ne, ishin edhe katë-pesë ushtarë të vitit të dytë. Në sy binte nji djalë i bëshëm, paksa bjond, mjaft i pashëm, me nji nishan në faqe, nga Kruja, ai ishte edhe si përgjegjës për gjithë ne ushtarët e rinj. Ishte djalë i shkolluar, autoritar  edhe pak cinik, po mjaft i rezervuar dhe i sjellshëm… Mbas do kohësh, në dy-tri biseda, ai u ndje më i afërt dhe i hapur me dy tre prej nesh, dhe me kujdes nisi edhe të rrëfente diçka për historinë e jetës së familjes së vet. Edhe pse i jati ishte mjek i njohur në Krujë, ata gjithnji ishin të pamë me sy të keq… dhe shkak për gjithë këtë qe gjyshi i tij i nderuar: Baba Myrteza Paja. Edhe për vetvrasjen ai trgonte diçka të përgjysmët, mbasi kishte dyshime të forta, pa guxuar të fliste. E që për mua mbeti enigmë.
Bardh Paja, kështu quhej nipi i Baba Myrtezait, disa herë na rrëfeu copa nga jeta dhe vdekja e gjyshit të vet, shumë prej të cilave koha m’i ka fshirë përdhunshëm nga kujtesa, por ajo çka mund të them me siguri, ishte se në shpirtin e Bardh Pajës figura e gjyshit të tij Bektashi, ishte e jashtzakonshme, deri në kufijtë e mitit, aq sa kur ai e përmendte shfaqte edhe dhimbjen të thellë, aq sa sytë i ndrisnin nga nji dritë lotësh, që nuk i dilnin aq lehtë! E kjo ndodhte sa herë ai fliste për vlerat e gjyshit të vet, që s’kish mundur ta njihte kurrë…!
Shfaqja e beftë e këtyre dy fotove të Baba Myrteza Pajës në rrjet, më shtyu të gërmoj në motorët e Google-s, mos gjeja diçka interesante dhe ta përcillja historinë e këtij kleriku martir së bashku me fotot… Por asgjë… veç faktit se dëshmohej vetvrasja e tij në burg… dhe asnji rresht më shumë!
Atëhere, e mora kët listë të gjatë të persekutimit të klerikëve bektashinj, e bashkova me emrin dhe figurën e Baba Myrteza Pajës, dhe po e lë si nji pikë kujtese… me shpresë se ndokush që di më shumë, o qëka gërmuar më shumë, nesër të mund ta bëjë më të plotë… që figura të tilla të shqiptarizmës të mos harrohen kurrë… në jetë të jetëve…

Dede Baba Haxhi Reshat Bardhi  duke folur
Dede Baba Haxhi Reshat Bardhi duke folur

Martirët e Bektashizmës Shqiptare

Kryegjyshët

1.Dede Abazi, vetvritet 1947.
2.Dede Kamberi, në 1945, dënohet 15 vjet burg, ndërroi jetë në burgun e Tiranës, në vitin 1950.
3.Dede Ahmeti, në vitin 1958, internuar 10 vjet në Drizar të Mallakstrës.
4.Dede Reshat Bardhi, në vitin 1958, internuar 10 vjet në Drizar të Mallakastrës.

Papa Gjon Pali i II dhe Baba Reshat Bardhi
Papa Gjon Pali i II dhe Baba Reshat Bardhi

Baballarë, dervish të burgosur, të internuar e të pushkatuar.

Të pushkatuar:

1.Baba Murati i Teqesë së Frashërit, vrarë në vitin 1943.
2.Baba Zylfua i Teqesë së Turanit – Korçë, vrarë në vitin 1943.
3.Baba Femiu i Teqesë së Vërpckës – Korçë, vrarë në vitin 1944.
4.Dervish Ali Koçiaj, vrarë në vitin 1944.
5.Baba Qamil Gllava, pushkatohet, në vitin 1945.
6.Baba Xhelo Gllava, ekzekutohet në vitin 1946.
7.Baba Ali Tomorri, i Teqesë së Zallit, ekzekutohet në vitin 1947.
8.Baba Myrteza Paja, arrestohet në vitn 1947, vetvritet.
9.Baba Habibi, pushkatohet, në vitin 1948.
10.Baba Shefqet Koshtani, pushkatohet në vitin 1948.
11.Baba Bedri Carkanji i Teqesë Brerim Skrapar, ekzekutohet në vitin 1948.
12.Baba Mustafa Canaj, arrestohet në 1944, dënohet me burgim të përjetshëm, ndërron jetë në burg, në 1952.
13.Baba Hajro Progonati, vetvritet.
14.Baba Mehmeti Kreshovës, vetvritet.
15.Baba Bektashi Sevasteri, vetvritet.

Krerët fetarë në Shqipëri
Krerët fetarë në Shqipëri

Të burgosur e të internuar, vdekur nëpër burgje

1.Baba Muçua i Prishtës, vdiq në burgun e Burrelit, në vitin 1950.
2.Baba Samiu i Kulmakut, vdiq në internim.
3.Baba Bajram Mahmutaj, 15 vjet burg, 30 vjet internim.
4.Baba Paja i Tomorricës, burgosur.
5.Baba Ilmiu i Tomorricës, burgosur.
6.Baba Halim Therepeli, burgosur.
7.Baba Mehmeti i Teqesë së Frashërit, i burgosur.
8.Baba Sulua, Kryegjyshatë, burgosur.
9.Baba Islam Leskoviku, burgosur.
10.Baba Abdulla Kruja, burgosur.
12.Dervish Hysni Rehova, burgosur.
13.Dervish Nebi Shënepremtja, burgosur.
14.Dervish Tashja (Isufi), burgosur.
15.Dervish Bajram Çerçizi, burgosur.
16.Dervish Hysniu, burgosur.
17.Dervish Meta Vërleni, burgosur.
18.Baba Hilmi Shëmbërdhenji, arrestohet në vitin 1946, dënohet 15 vjet burg.
19.Baba Sami Kamthi, dënohet me 15 vjet burg, internim.
20.Baba Halem Hoxha, në vitin 1948, dënohet një vit, konfiskim monedha ari.
21.Baba Dule Manaj, në vitin 1947, dënohet tre muaj, konfiskim 529 dollarë.
22.Baba Tahir Kuçi, dënuar nji vit burg, 10.000 fraga ari gjobë, e konfiskim 2400 franga shqip.
23.Dervish Teki Plashniku, burgosur.
24.Gjysh Rustem Melçani, burgosur.
25.Dervish Ali Korça, burgosur.
26.Baba Selim Kaliçani, internuar.
27.Baba Shabani, internuar.
28.Baba Jonuzi i Greshicës, burgosur.
29.Baba Qazimi i Devollit, i burgosur.
30.Baba Muharrem Agushi – Kreshova, burgosur.
31.Baba Sherif Canometaj, internuar

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. “Feja opium për popullin!” – kështu thoshte Përbindeshi Hoxha… kështu e xhveshi dhe nga feja popullin dhe ndërtesat fetare duke ja ndryshuar destinacionin ose duke e shembur, dhe personelin e arrestoj, e vrau, e burgosi ose interrnoj. Karbunara ka pasë një Teqe dhe xhami të bukur. Atje ishte Babe Mali… dhe ishte e arreduar brenda mjaft bukur. Isha fëmijë kur shkoja dhe më ka ngelur në mendje pllakat e shtruara shumë të bukura dhe gjithçka e ardhur nga Italia. Nuk mund të le pa përmendur Sheh Karbunarën… që Enver Hoxha gjatë rrugës së kthimit nga Berati zbriti në Karbunare ku i bëri një thirrje… Por Sheh Ibrahim Karbunara i arsimuar në Perëndim donte më të mirën për Shqipërinë… dhe kështu hakmarrja e përbindeshit filloi… Varje e pushkatim! Babë e bir!! dhe kalvari i interrnimeve dhe persekutimeve nuk pati të sosur: 50 vjet me radhë!!

  2. Dhe mendo!!!Po këta të gjithë kriminela ishin? Dhe vetëm ai Njëshi ishte pëllumb i lirisë – Mostra më e keqe e mbështjellë me ngjyrat vezulluese të lëkurës së Gjarpërit: Maskarai!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.