back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

At Gjergj Fishta… në “Ditarët” e Justin Godart

Gazeta

Justin Godart (1871-1956)
Justin Godart (1871-1956) 

At Gjergj Fishta…

në “Ditarët” e Justin Godart

Ishte viti 1921, kur deputeti francez, Justin Godart, u nis për të zbuluar Shqipërinë. E kishte njoftuar baroni D‘Esturnel dë Konstan, fitues i “Nobelit për Paqen” që ta zëvendësonte në një mision drejt Shqipërisë. Pas kësaj, Godart e vizitoi Shqipërinë edhe më 1922, 1923, 1937, si dhe në vitin 1951.
Gjatë udhëtimeve në viset shqiptare, ai ka mbajtur shënime të shumta në ditarët vetjakë. Këta ditarë, të shoqëruar me letra dhe me fotografi, kanë qëndruar për një kohë të gjatë të mbyllura dhe lexuesi asnjëherë nuk ka pasur mundësi të njihet me to.
Për një kohë të gjatë, ditarët e Godart janë ruajtur me kujdes nga nipi i tij Fransua Bilanzh. Po kush ishte francezi Justine Godart? Një politikan mjaft i njohur dhe mjaft aktiv në Francë. Ai lindi në vitin 1871 dhe ndërroi jetë në vitin 1965. Godart është cilësuar si një prej figurave më të veçanta të Republikës së Tretë në Francë. Ai ishte një mendimtar i lirë, laik dhe humanist. Ai ishte kryetar i Bashkisë së Lionit. Emri dhe vepra e Justin Godart njihen mirë në Francë. Veprimtaria e tij, kryesisht ajo që lidhet me mbrojtjen e Shqipërisë është bërë e njohur në Shqipëri qysh në vitet 1920 e më tej me artikuj e vepra të botuara për Shqipërinë. Së fundmi vjen në shqip edhe “Ditarët shqiptarë”, shënimet e udhëtimeve të Justin Godart, duke nisur nga marsi i vitit 1921, e deri në dhjetor të vitit 1951. Libri, të cilin e sjell shtëpia botuese “Dituria”, vjen nën përkthimin e Asti Papës. “Ditarët shqiptarë”, është i pajisur me shënime të shkurtra për mjaft personalitete shqiptare në vitet kur ai vizitoi Shqipërinë.
Ai ka folur mjaft edhe për personalitete të tilla që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në vend sidomos pas shpalljes së pavarësisë. Godart ka rrëfyer për figura si: Ahmet Zogu, Fan Noli, Gjergj Fishta, Avni Rustemi, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Mit’hat Frashëri e shumë të tjerë. Në këta ditarë vihet re se ai interesohet për çdo gjë që ka lidhje me Shqipërinë.
Justin Godart ka mbajtur një lidhje të gjatë me At Gjergj Fishtën. U takua disa herë me të dhe biseduan jo vetëm për politikën shqiptare dhe përpjekjet që duhet të bënte ajo për mbrojtjen e interesave të vendit, por edhe për marrëdhëniet që duhet të zhvilloheshin më tej në fushën e kulturës midis Francës dhe Shqipërisë. Ai e vlerësonte si njeri, si burrë, si aktivist të çështjes shqiptare. Godart na e përshkruan mjaft mirë edhe fizikisht At Gjergj Fishtën. Ai ndalet sidomos në çështjet që Fishta kishte më së shumti për zemër dhe çfarë e shqetsonte më shumë atë.
Justin Godart sjell në këta ditarë, copëza bisedash mes tij dhe poetit… Senatori francez, Justin Godart, ka qenë një mik i Shqipërisë në shekullin e XX. Ishte i pari që themeloi misionin arkeologjik francez në Shqipëri, vuri në krye të njohurin Leon Rey dhe hodhi bazat e para të lidhjes kulturore shqiptaro-franceze.

Fishta-Bumçi-Berati… Paris 1919
Fishta-Bumçi-Berati… Paris 1919

Shënime të Justin Godart për takimin me At Gjergj Fishtën

Dhjetor 1921,
At Fishta ndodhej në Paris në datat 20-23 dhjetor
Erdhi të më bëjë vizitë At Gjergj Fishta.
Unë e prita me gëzim françeskanin truplidhur, i cili prillin e shkuar, në qelën e kuvendit të tij në Shkodër, në Shqipëri më kishte paraqitur një program të tërë për marrëdhëniet intelektuale që duhet të vendoseshin midis Francës dhe Atdheut të tij. At Gjergj Fishta është poet, por është edhe një burrë veprimi. Me poezitë e tij fisnike dhe të forta të cilat shumë shpejt u bënë klasike, ai ka folur për mizoritë, vuajtjet dhe shpresat e Shqipërisë dhe ka ngritur lart shpirtin për pavarësi të bashkëkombësve të tij. Ai jep mësim, boton shkrime tepër të vlefshme mbi këngët popullore të Malësisë, është deputet në Parlament dhe tani është duke punuar që të ngrihet një shkollë e mesme franceze në Shkodër. Për këtë projekt të fundit, At Gjergj Fishta ka nevojë për ndihmë. Unë e kundërshtova duke i thënë: “Po si doni ju që të bëhet kjo me gjithë ato që ndodhin te ju. Ja, pra, shihni se çfarë shkruhet në këta artikuj që kam shkëputur nga të gjitha gazetat tona. Para dhjetë ditësh ju rrëzuat qeverinë tuaj me krismat e armëve dhe të granatave në Tiranë dhe në kryeqytetin tuaj po derdhet gjak. Kryeministri juaj është arratisur dhe ka gjetur strehë te mirditorët. Dhe këta të fundit po mësyjnë Tiranën. Ju po u zini pusi serbëve, të cilët po kthehen me urtësi në vendin e tyre, duke u bindur kërkesave të Lidhjes së Kombeve”.
Mirëpo para habisë së madhe që po më shfaqte At Gjergj Fishta, e ndërpreva këtë parashtrim të prapësive shqiptare, ashtu siç na rrëfehen pa masë nga gazetat nëpërmjet shkrimeve që vijnë në pjesën më të madhe nga Beogradi.
“Rrena, rrena, – përsëriste At Gjergj Fishta i indinjuar dhe i fyer, – Gjithnjë, pra, do të shpifin për vendin tonë aq burrëror dhe aq fatkeq. Unë isha vetë në Tiranë para disa ditëve, atëherë kur ra qeveria. Dhe kjo gjë ndodhi fare thjeshtë, ashtu siç ndodh në çdo vend parlamentar. Te ne mbretëron paqja dhe mirëkuptimi. Për mirditorët u tha se ata kishin ngritur krye si katolikë kundër qeverisë myslimane të Tiranës. Kjo është fare e rreme, sepse kryetari i qeverisë ishte një ortodoks. Kurse unë, françeskan, isha dhe jam nënkryetar i Parlamentit e kryetar i Komisionit Parlamentar të Buxhetit. Si t’ia bëjmë që pranojmë të na gjykojnë sipas fakteve të shpikura, vetëm me qëllim që të na dëmtojnë? Dhe kë, neve që duam vetëm paqen e që ëndërrojmë vetëm të merremi me punën tonë të organizimit të një shteti modern! Kur do të na trajtojnë me drejtësi?”

Justin Godart - Sarandë 1917
Justin Godart – Sarandë 1917

Fatmirësisht munda ta qetësoj At Gjergj Fishtën. I kujtova se Lidhja e Kombeve kishte dërguar muajin e kaluar në Shqipëri një komision hetimor të përbërë në mënyrë të tillë që askush të mos mundet ta kundërshtojë paanësinë e madhe të këtij komisioni, i cili i ka nisur tashmë disa telegrame dhe njoftime sekretarit të përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve. Kaq. Nuk kisha ç’ti thosha më tepër”.
“Ku janë këto telegrame?” – më pyeti At Gjergj Fishta.
“Kini durim, At Fishta, ja ku janë. Para së gjithash ja ku e keni telegramin më të fundit të 18 dhjetorit. Dëgjoni: “Mësuam se qarkullojnë lajme lidhur me një kryengritje të përgjakshme. Mund të vërtetojmë se ndërrimi i qeverisë ndodhi me qetësi dhe pa dhunë. Tirana është e qetë fare. Ngjarjet rrodhën si më poshtë: qeveria e Pandeli Evangjelit dha dorëheqjen nga shkaku i disa mosmarrëveshjeve me Regjencën (Këshilli i të Katërve) dhe u zëvendësua nga qeveria e Hasan Bej Prishtinës, e cila meqenëse nuk gëzonte besimin te populli, u detyrua të japë dorëheqjen pas katër ditëve. Tani është në fuqi qeveria e përkohshme e Idhomene Kosturit, në pritje që të mblidhet Parlamenti më 19 dhjetor”. Ja pra.
“Po kështu ka ndodhur!” – theksonte At Gjergj Fishta. Megjithatë ai më pyeti nëse do të bënte përshtypje të keqe në Francë kjo qeveri, e cila kishte zgjatur vetëm katër ditë!”
“Ne vetë kemi pasur në Francë qeveri, madje të njohura, që kanë zgjatur edhe më pak se kaq!”.
Të dy u gazmuam. Por gazmimi nuk zgjati shumë. “Po telegramet e tjera ç’thonë?”, më pyeti françeskani.
“Ky është i datës 17 dhjetor. Flet për të famshmen Republikë të Mirditës. Po lexoj: Në Mirditë mbretëron qetësia e plotë. Folëm me të gjithë kryetarët e fiseve të Mirditës dhe priftërinjtë e dioqezës së Oroshit. Çdo gjë që flitet për një qeveri të Mirditës së pavarur është fare pabaza dhe absurde, sepse të gjithë nuk e miratojnë qëndrimin e Markagjonit, i cili ka me vete vetëm disa familje që kanë gjetur strehim në Serbi. Krerët e Mirditës na shprehën dëshirën që të bëjnë pjesë në një Shqipëri të bashkuar dhe të pavarur. Këto ditë ata janë në Tiranë për t’i dhënë besën edhe qeverisë qendrore”. Pjesa tjetër e telegramit flet për tërheqjen e trupave serbe që po zhvillohet pa incidente të rëndsishme dhe për mospranimin nga qeveria ushtarake serbe që Komisioni Hetimor i Lidhjes së Kombeve të kalojë kufirin. Ja pra, At Gjergj Fishta dy lajme të mira që u kundërvihen atyre që kanë përhapur armiqtë tuaj!”.
“Po, por e vërteta nuk përhapet aq shpejt sa rrena!”, tha At Gjergj Fishta i trishtuar. Por ai nuk u zgjat shumë me këtë mendim dhe me atë besimin e bukur që ka për të ardhmen, rifilloi të më parashtrojë se çka duhej të bënte Franca për t’iu përgjigjur ndjenjave të admirimit dhe të dashurisë tradicionale që ka Shqipëria për të.
Kur u ngrit të ikte At Gjergj Fishta më dha fotografinë e shtëpisë që duhej blerë në Shkodër për të hapur aty një lice francez.
A do të arrijmë ne të bëjmë që flamuri francez të valëvitet aty përkrah atij të Skënderbeut?

Justin Godart - L'A'lbanie 1921
Justin Godart – L’A’lbanie 1921

Udhëtimi i vitit 1921
31 mars, e enjte Për At Gjergj Fishtën
Dje ishte ditë udhëtimi.
Lamë Tiranën në orën 9 dhe morëm rrugën për në Shkodër… Pas dreke erdhën të më shohin eprori i Françeskanëve dhe At Gjergj Fishta! “Homeri i Shqipërisë” është madhështor në forcë dhe në inteligjencë. Biseda u kthye shpejt te shqetësimi i përgjithshëm. Ky vend, ose do të bashkohet, ose do të përçahet nga dasitë fetare. Për At Fishtën, ndryshimi midis krahinave të ndryshme nuk u detyrohet besimeve fetare, por kulturës së ndryshme që u kanë dhënë atyre fetë, të cilat janë përçarëse të ndikimeve fetare e të propagandës. Por, sipas tij, kjo gjë do të zhduket brenda dy brezave…

2 prill, e shtunë At Fishta
..Së fundmi vajtëm të takojmë At Gjergj Fishtën dhe të shohim Kuvendin e tij… Me At Fishtën bëmë një bisedë të gjatë dhe të dobishme. Shqipërisë i duhet një princ i krishterë. Vendi ka nevojë për një autoritet. Shumica e popullsisë është myslimane e mësuar që të qeverisë. Por një komb nuk mund të formohet vetëm nga myslimanë, sepse baza e një kombi është familja. Mirëpo te myslimanët gruaja është një objekt, një send dhe nuk mund të veprojë vetëm. Nuk mund të përfytyrojmë dhe një shtet françeskanësh, sepse të jeshë françeskan do të thotë të mos kesh nocionin e një atdheu… At Gjergj Fishta dëshiron që Akademia Franceze të marrë drejtimin e kulturës shqiptare dhe të kërkimeve historike që duhen bërë… Gjergj Fishta mendon se shkollat fillore dhe gjimnazi duhet të jenë shqiptare… Prapambetjen e qytetërimit shqiptar ai e shpjegon me vullnetin që kishte Turqia për të shtypur çdo përparim në Shqipëri. Nuk kishte rrugë, nuk kishte shkolla, nuk kishte kulturë. Megjithatë te ky popull unë vërej një inteligjencë të madhe…

Justin Godart - Ditarët Shqiptarë
Justin Godart – Ditarët Shqiptarë

Udhëtimi i vitit 1922
20 dhjetor, e mërkurë At Fishta
…Në mëngjes erdhi të më takojë At Fishta. Ai duket më mirë kur është i veshur me zhgun se sa me redingotë. At Fishta më pyeti për punët e mia në Shqipëri dhe më tha se në Parlament ato shihen me mirëdashje dhe se ai vetë do të përpiqet që ato të shkojnë për së mbari…

28 mars, e mërkurë At Fishta
…Prita në një vizitë të gjatë At Gjergj Fishtën. Ai ishte shumë pesimist për të ardhmen e Shqipërisë nga shkaku i paaftësisë së plotë të personelit politik. Ai thotë se vëllezërit dhe miqtë e ministrave nuk bëjnë gjë tjetër veçse rrinë e ruajnë të huajt që vijnë këtu, për t’i shitur ndonjë koncesion…
At Gjergj Fishta druhet se mos Shqipëria bëhet shkak për luftë në Europë. Qeveria shqiptare u është drejtuar për ndihmë disa vagabondëve, siç janë inxhinierët austriakë. Ai m’u lut që të flas për këto dhe fjalët e mia të alarmit të dëgjohen nga populli dhe Parlamenti…

Ahmet Zogu 1920
Ahmet Zogu 1920

Ahmet Zogu
1 prill, e premte 1921
Vizita pa pushim. Erdhi Ahmet Bej Zogu, deputet i Matit, një djalë i ri, shumë aristokrat, që duket se respektohet. Stefë Curani i druhet. Me siguri ky djalë do të luajë një rol në të ardhmen. Dyshoj nëse ai e ka idenë e interesit të përgjithshëm. Tek ai pashë vetëm ambicie të ftohtë. Ishte shumë i sjellshëm në bisedë. Më pas erdhi drejtuesi i konsullatës italiane dhe koloneli që komandon trupat. Nëpunësi i konsullatës italiane më përforcon përshtypjen time për Ahmet Zogun. Më tha se ai kërkon të luajë rolin e Esat Pashës dhe se kur ishte ministër i Brendshëm sillej egërsisht dhe në mënyrë despotike.
(Marrë nga gazeta Shqip 09.12.2008)

***

Justin Godart, i lindur 26 nëntor 1871 në Lyon dhe vdiq 13 dhjetor 1956 në Paris, është një avokat francez dhe politikan, kryetar i bashkisë së Lyon, Rhône deputet dhe senator. Ai bëri një karrierë politike në lëvizje radikale socialiste. Ai themeloi në vitin 1918 Lidhjen kundër kancerit, të cilin ai e kryesuar deri në vitin 1956, dhe Bashkimi Ndërkombëtar kundër Kancerit (UICC).

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.