back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Shenjtënia e Juej: Mirësevini në atdheun tonë! Profesor Sami Repishti

Gazeta

Prof. Sami Repishti
Prof. Sami Repishti

Shenjtënia e Juej: Mirësevini në atdheun tonë!

Profesor Sami Repishti

Fjalë e mbajtun në Konferencën që mbahet vetëm 8 ditë para vizitës së Atit të Shenjtë në tokën arbënore.
Me date 15 shtator 2014, asht mbajtë në Tiranë Konferenca shkencore “Kisha Katolike dhe Shqiptarët presin Atin e Shenjtë”

I Nderuemi Z. Kryetar,
Zonja dhe Zotënij të Nderuem:
Mirëdita!
Jam mirënjohës që me jepet mundësia me folë sot para kësaj Konference kuptimplote që mbahet vetëm 8 ditë para vizitës së Atit të Shenjtë në tokën tonë arbënore, vizitë që unë përshëndes: “Shenjtënia e Juej: Mirësevini në atdheun tonë!”.
Vizita konsakron randësinë e së kaluemes sonë tragjike, dhe synon, njikohësisht, përkrahjen e Selisë së Shenjtë për klerin katolik shqiptar në përpjekjet e t’ia me forcue sa ma shumë veprimtarinë e tij në shërbim të grigjës shqiptare, me ringjallë “Nji Shqipëri me Zotin, dhe për njeriun!”
Jeta më dha mundësi me dëshmue periudhën e letargjisë dhe vorfënisë në vitet e Monarkisë, okupacionin ushtarak fashist, vitin kalimtar të ordive shkatërruese naziste në vendin tonë, 15 vjet të regjimit komunist, dhe sot periudhën e nji tranzicioni anemik e të pa planifikuem, kaosi i të cilit mundon qindra-mijëra shqiptarë, dhe shkakton nji konfuzion të gjithëmbarshëm në mendjet e individëve dhe të kolektivit shqiptar. Sot, Shqipëria, ende e pashërueme nga plagët e murtajës komuniste, ende e trazueme nga mbeturinat helmuese të saj në jetën e përditshme e në ndërgjegjen e seicilit, mban të gjallë nji të kalueme monstruoze që refuzon me vdekë, dhe nuk gjen fuqi të mjaftueshme me ushqye të renë e lirë e demokratike që duhet të lindë…!
Në këtë mes të padëshirueshëm, unë shoh veten si dëshmitar okular i epokave që kam jetue. Si i këtill duhet të flas, sepse heshtja ashte e papranueshme. Me folë don të thotë me thanë të vërtetën që, pa qenë absolute për arsye të kontekstit që e përmban, asht shprehja e nji dëshmitari me të gjithë vlerën që kjo mund të ketë. Ky qëndrim më ka detyrue moralisht me tregue ngjarje të jetueme, sidomos gjatë viteve të diktaturës së proletariatit, dhe me theksue atë që quej “esenciale” në jetën e popullit tonë: vuejtjen e pameritueme, dhe forcën e karakterit me i qëndrue besnik vetes para kërcënimeve, tue përfshi edhe atë të jetës. Sot përsëris, se në katastrofën tonë komuniste, ka pasë nji element që ka mbajtë nji qëndrim frymëzues për ne e për breznitë e ardhme. Ky element ka qenë popullsia katolike shqiptare, dhe udhëheqsit e saj shpirtënorë, kleri katolik apostolik roman shqiptar. Binomi “Fe e Atdhe” gjatë viteve të diktaturës së kuqe, u tregue nji fortesë e pathyeshme, dhe e papërkulshme!
Kjo asht nji e vërtetë, që unë përsëris: Të akuzuem pa faj, te arrestuem pa faj, te torturuem pa faj, të dënuem pa faj dhe të pushkatuem pa faj, ata i qëndruen besnikë fesë dhe Kishës, ata nuk harruen asnjiherë Nanën Shqipëri…
Para skuadrave të ekzekutimit, thirrjet ma të shpeshta kanë qenë: “Rroftë Krishti-Mbret, Rroftë Papa, Rroftë Shqipnia!”. Dhe kanë ra në heshtjen e përhershme, kane fitue lavdinë e përherëshme, dhe mirënjohjen e përherëshme të mbarë nji populli!

Presidenti Rugova dhe Prof. Sami Repishti 1993
Presidenti Rugova dhe Prof. Sami Repishti 1993

***
Shoqnia shqiptare nuk do të shërohet kurrë nga rrjedhimet e murtajës komuniste, për sa kohë që nuk del në shesh e vërteta. Martirizimi i klerit katolik shqiptar, dhe persekutimi i veçante i besimtarëve katolikë shqiptarë jane dy “fakte” që duhen theksue, dhe duhen studjue si manifestime monstruoze të diskriminimit fetar dhe politik në Shqipëri. Ky asht nji proces. Hapi i parë asht zbulimi i së vërtetës, dokumentimi dhe popullarizimi i saj. Asgjasimi fizik i klerit katolik shqiptar ka qenë nji fenomen unik, në kohën tonë e në hapësinën shqiptare. Prandej, duhet studjue sistematikisht që të kuptohet e të mos përsëritet.
Pse ngjau kjo katastrofë për katolikët shqiptarë? Cilët janë faktorët që e prodhuen? Cilat janë forcat shoqnore që e ushtruen, dhe cila ishte fryma që ushqeu këto forca? Pse “Lleshrat dhe Markrat e Veriut u vranë faj e pa faj” – siç pohonte krimineli Pandi Kristo në Burgun e Burrelit?
Shqipëria pret nji përgjigje!
Pak randësi ka pasë për xhelatët ekzekutues “fakti” që ky grup i veçantë përbante kolonën vertebrore të nji shoqnie shqiptare të organizueme për qëndresë në kryengritjet kombtare, që nga Skënderbeu deri në Ditën e Pavarësisë; që ky grup i veçantë mbajti të gjallë shqiptarizmin për pesë shekuj të gjatë robnie otomane; që ky grup i veçantë lavroi gjuhën shqipe dhe e mësoi atë në shkolla, që hapi spitale e shtëpia për pleqtë, që u kujdesue për të vorfënit, dhe me shumë randësi, zbuti atmosferën e ashpër të hakmarrjes në malsitë tona, tue ofrue frymën e faljes së fajit dhe pajtimin. Asht ky grup i veçantë që dha fretnit me zhgunin e vorfënisë në katundet ma të vorfna, dhe murgeshat e përvuejtuna në shërbim të lagjeve ma të mjerueme në qytetet tona… dhe asht ky grup i veçantë që vazhdon me predikue, ashtu si në të kaluemen, “…për të krishterët…dashuria shkon deri në dashuri për armikun!”1) Madhështi shpirtnore!
Pak randësi ka pasë për xhelatët ekzekutues “fakti” se historia e popullit shqiptar nuk njeh nji rast të vetëm kur kleri dhe besimtarët katolikë të mos kenë qenë pjesëmarrës, e në shumë raste udhëheqës, në kalvarin shumëshekullor të vendit tonë, e në luftat kundër anmiqve kërcënues; dhe tashti vonë, në forcimin e nji Shqipërie të lirë që përpiqet me qenë europiane. Me këtë, katolikët shqiptarë ritheksojnë randësinë e “atdheut” shqiptar. Ata këshillojnë se “…detyra e qytetarëve asht t’i japin ndihmën e tyne pushtetit civil e shoqnisë me shpirtin e së vërtetës, drejtësisë, solidaritetit dhe lirisë. Dashuria dhe shërbimi ndaj atdheut rrjedhin nga detyra e mirënjohjes, dhe nga rendi i dashurise,” Detyrë qytetare e vërtetë!
Kjo “detyre” nuk asht bindje e verbët, as rrjedhim i nji frikësimi, sepse “…qytetarët janë të detyruar në ndërgjegje, e të mos i ndjekin ato ligje të autoriteteve civile që janë në kundërshtim me kërkesat e rendit moral, me të drejtat themelore të personit dhe me mësimet e Ungjillit”2), nji pozicionim që Imzot Desmond Tutu i Afrikës Jugore, në ditët e “apartheid”-it e quente “e drejta kristiane me u revoltue!” Çdo akt ligjor çdo veprim i pushtetit civil që kufizon lirinë e të drejtat e qytetarit të lirë asht moralisht i gabueshëm, dhe ligjërisht i pavlerë. Në këtë deklaratë unë shoh edhe thelbin e rezistencës antikomuniste të vllazënve dhe motrave tona katolike: nji revoltë kundër shtypjes së fesë, kundër asgjasimit fizik të klerit katolik shqiptar – dhe e përshëndes! Për Kishën katolike shqiptare “…mosbindja civile…përban nji të drejtë të pacënueshme, e të patjetërsueshme të personit, një të drejtë që ne, ipeshkevinjtë, bëjmë thirrje që ta ushtrojnë të gjithë”3)

Dyzet Martirët e Kishës
Dyzet Martirët e Kishës (Dom Gj. P. Meta)

***
Sot, andrra e keqe ka përfundue!
Por ne gjindemi para nji procesi shërimi në vendin tonë, para detyrës së randë të rindërtimit moral për të gjithë ne. Jo vetëm ata që janë përgjegjës direkt për krimet e kryeme, por edhe ata që margjinalisht ndjehen fajtorë, – sepse kanë heshtë dhe këtu ka nji numër të madh! – duhet të kalojnë nëpër procesin e rivlerësimit të përgjegjsisë së tyne, të qëndrimit të tyne imoral ose amoral në ditët e vështira, kundrejt grupit shoqnor numerikisht ma të vogël, por ma të persekutuem se të tjerët, popullsisë katolike shqiptare.
Pavarësisht nga rruga që secili nga ne do të zgjedhë në vetvlerësimin si qenie njerëzore me dinjitet, statusi i katolikëve në ish-Shqipërinë komuniste na paraqitet si nji rast unik i viktimës së persektueme pa mëshirë e papushim, në nji botë shqiptare të shurdhët, të verbët, memece, që lejoi humbjen e mijra viktimave të pafajshme. Dhe, ashtu si do të përpiqemi me lehtësue shpirtnat tonë, me pastrue zemrat tona, na duhet të dalim me nji angazhim solemn, dhe me deklarue se tragjedia e kalueme e katolikëve shqiptarë nuk duhet të përsëritet kurrë! Kurrë ma! Çdo qendrim tjetër do të sanksiononte kalbëzimin tonë moral!
Më 4 maj 1991, u perkujtue katastrofa e klerit katolik shqiptar në Qendrën Jezuite të Universitetit të San Francisco-s (SHBA). Me ftesën e të ndjerit xhakonit Gjon Sinishta mora pjesë. Dom Simon Jubani u nderue me nji diplomë “honoris causa”. Si folës i ftuem, unë theksova faktet si nji dëshmitar okular, “…si nji dëshmitar i breznisë sime të konsumueme nga errësina, i zemruem e i përbuzun”; unë fola si “dëshmitar i persekutimit të bashkëkombasve të mi të izoluem, që përballuen nji fat nga i cili nuk mund të shkëputen, dhe njikohsisht si nji dëshmitar i shpirtmadhësisë së tyne që u ngrit nga zjarri infernal që përpiqej me asgjasue viktimën…”. Fola si dëshmitar i fisnikërisë shpirtnore të gjithë atyne që, duerthatë, përballojshin tiraninë komuniste që ushtroi ma shumë dhun se nevojitej me na asgjasue…!
Atë dite në San Francisco shumë pyetje u sollën në kokën time. Shumë viktima nuk e humbën besimin në Zotin edhe kur shpata varej mbi kokat e tyne. Por a kemi zbulue kuptimin e thellë të vuejtjes pa faj? A kemi krijue “kulturën e vuejtjes” së qëllimshme e thellësisht të pranueme? Sepse vuejtja pa qëllim asht idiotike. Çfarë duhet të baj nji i pafajshëm, i dëshpruem e i përbuzun në jetë? Vetëvrasje? Këto pyetje më mundojshin n’atë ditë përkujtimi… dhe vazhdojnë edhe sot!!?
Për fat të mirë, erdhi zhvillimi i ngjarjeve në Shqipëri: shpresa e ushqyeme me besim. Tashti ndigjohet kumbona e kishës përsëri; dhe përseri muezini thrret besimtarët për adhurim të Zotit. Sot, shqiptarët luten, meditojne, shpresojnë përseri. Sot, po zbret vala e vuejtjeve që urrejtja krijoi në marrëzinë e vet, dhe shpresojmë se do të zëvendsohet me nji frymë të re, të heshtun por plot gjallni, me mirëkuptim, por pa harrue të kaluemen. Sot, ish të persekutuemët kanë përbuzë hakmarrjen, nji fitore morale shqiptare me përpjestime historike, e që këput zinxhirin e hakmarrjes. Sepse falja e fajit ka zanafillë hyjnore, asht karakteristikë e shpirtmadhsisë, dhe ky asht nji ogur i mirë, nji shpresë e re që shoqnia shqiptare ka vendosë mospërsëritjen e tragjedisë së kalueme. Sot, Kisha katolike shqiptare, viktima kryesore, deklaron: “Ne, nuk gjykojmë!”
Nga qelitë e errta të torturës, dhe nga kampet e vdekjes ish-komuniste të Shqipërisë sime të martirizueme, nji bote e rë përpiqet me lindë, nji shoqëni e re po ngrihet, nji brezni e re po rritet me i dhanë formë nji të ardhmje ma të mirë për vete dhe për prindët e tyne që sot vuejnë nga pesha e fajit të heshtjes. Feja tradicionale po tregon se nuk asht vjetrue, dhe se mendimi shkencor nuk ka pasë sukses me na kurue nga dëshprimi ekzistencial. Nji hap cilësor asht hjedhë…!
Nga forma fëminore e besimit, nëpërmjet vuejtjes, shqiptarët po hyjnë në burrnimin shpirtnor. Shqipëria duhet të jetë e gatshme për nji eksperiencë, fetare ndoshta, por kuptimplote që, unë shpresoj, do të jetë nji element dominues, e do t’i japë formën ma njerzore shoqnisë sonë shqiptare.
Martirizimi i klerit shqiptar, dhe sidomos i klerit katolik, nuk mund të jetë i pa qëllimshëm. Por, sakrificat e tyne do të njohin vlerësimin e tyne të plotë, dhe mirënjohjen e përhershme vetëm atëhere kur parimet që ata mbrojten me çmimin e jetës së tyne do të pasunojnë mendimin tonë, dhe do të udhëheqin veprat e bashkëatdhetarëve të tyne në të ardhmen.
Kështu mendova unë në vitin 1991, në San Francisco, me hapjen e Shqiperisë për botën e jashtme, kështu mendoj edhe sot… por me nji siguri ma të vogël. Indiferenca për të kaluemen tonë tragjike që unë dëshmoj, burim kryesor i heshtjes para krimit të kryem… më frikëson!
Falemnderit!

Sami Repishti,
ish i burgosun politik në Shqiperinë komuniste dhe në Jugosllavinë komuniste
Ridgefield, CT, SHBA
13 shtator 2014

1)Fides et Patria-Fe e Atdhe. Letra Baritore e Ipeshkëvinjve të Shqipërisë. (Tiranë: 2012), f.5.
2)Idem, f.7
3)Imzot Rrok Mirdita. Për nji Shqipëri me Zotin. v. II (Tirane: 2003)
Marrë nga http://gazetatelegraf.com/sami-repishti

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.