back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kometa e lirisë… tregim nga Gjergj Kola

Gazeta

Shën Pjetri - Anton Raphael Mengs - Hermitazh
Shën Pjetri – Anton Raphael Mengs – Hermitazh

Kometa e lirisë… tregim nga Gjergj Kola

Requiem për Rini Monajkën

Mbramja sapo ka ra dhe hijet përplasen në derë me goditje të hekurta. Spiunët e Sigurimit komunist në Shkodër kanë hi tashma në dhomë dhe vërsulen mbi trupin sportiv të Rinit. Duar prej hekuri dhe shkopinj prej gome  e përplasin fytyrën e tij nëpër dhomë, derë e dritore dhe ndërsa kreja i bjen mbi dysheme, nëpër ajër përhapen rrathë drite…
Dhoma në pak çaste po mbushet me xixëllonja, të cilat ngarkohen mbi sekondat qi kalojnë, rriten bashkë me to tuj  marrë trajtë gozhdash, e i ngulen nëpër trup.
Paralel me këtë ngjarje, në raportin e policisë austriake po shkruhet: “Sot me datën 2 Maj të vitit 1997, u gjet trupi i pajetë i 47 vjeçarit Rini M. Kreja e tij asht e mbështetun lehtë mbi tryezë dhe dikush i ka vendosë nji drandofil të kuq afër syve. Nuk ka shenja të tjera dhune nëpër trup, përveç plagëve të jashtme si shenjë e nji të kalueme të mundimshme.
Ndërkohë, Shën Pjetri po pastron kandarin e artë dhe 47 vjeçari Rini M, asht ulë afër tij i veshun me të bardha. Ndërsa ai përpjeket me u orientue në kët ambjent të ri, ndigjon shejtin që i thotë:
Në letrën rekomande qi kam marrë prej jetës së përkohshme del se ti je nji djalë florinit, zemërmadh dhe kjo asht arsyeja qi po më shtyn me e peshue mirë jetën tande, para se të marr përfundimin në parajsë a në purgator…
Në Shkodër, asht muaji i majit tash dhe atje pemët plasin prej bukurisë së luleve, pëshpërit Rini tuj hjedhë shikimin nëpër kujtesën e largët qi njiherësh asht ba edhe krejt e afërt.
Kam përshtypjen se e gjithë kjo po ndodh në fragmenten e nji sekonde – i thotë ai Shën Pjetrit.
Njashtu asht, se në amshim koha i ngjet nji pike uji ku ruhet e tanë kujtesa. – ja pret Shejti i Madh.
Tash Shën Pjetri po shetit në Parajsën Danteske nga nji rrath qiellor në tjetrin tuj prekë lehtë fushën pa numra, të nji kohe qi kurrë nuk perëndon, veçse shkon tuj u shumfishu në vetvedi, si nji dashunie në vetpërsosje…
Engjëlli mbrojtës sapo i asht afru afër dhe i kallxon Rinit nji zemër prej florini qi varet në gjoksin e i thotë se kur ishin bashkë atje nëntokë, ai si engjëll kishte përshtypjen se Rinoja ishte gati çdo moment me ja hjeke vedit edhe teshat e trupit e me ja dhanë shokut të parë qi kishte nevojë…
Me ty nuk ishte dhe aq e lehtë në tokë, me të mbrojtë prej së keqes dhe të këqijve! – pëshpërit engjëlli mbrojtës.
Nji re e ngarkume me squfur si prej kocave qi digjen, sapo asht afrue krejt afër dhe hija e nji njeriut me nji kostum të errët po ju nxe dritën.
-Ne nuk jemi as lindje e as perëndim; as me fe, as i pafe; as me dhune e as pa dhune. Ne jemi të sukseshëm në vrasjen dhe torturën e njeni tjetrit, në kalimin e pushtetit nga nji kohë në tjetrën, nga nji brez në tjetrin…
Shën Pjetri nuk flet, vetëm i kallxon politikanit vazhdimisht kurrizin. Rino, po pyet tash mbi të keqen e këtij  individi qi digjet në squfurin e kockave të veta dhe Shën Pjetri i përgjigjet se me këtë personazh të politikës shqiptare nuk ka ma asnji shpresë, sepse zemra e tij asht e mbushun me të keqen, se aty krimbat ia kanë gri krahnorin deri në brinjë.
-Këtu duhet gati 500 vjet Purgator – thërret Shën Pjetri! – e prap këto nuk kthehen në shpirta të lirë!
Ai personi, e keqja e të cilit i ka mbrritë deri në brinjë, po ulërin gjithandej tuj pretendu se:
-Ne ja hodhëm Europës përsëri në vitet ’90, ashtu si ja punuem  tash e 5 shekuj. Ne jemi kombi i vetëm në vendet ish komuniste  ku nuk u dënua asnji njeri megjithse krimet këtu ishin ma të mëdha se në çdo vend! Ne i thamë Perëndimit në pragun e viteve ’90: “Nëse na kërcënoni me demokraci, na thrrasim terrin e botës këtu dhe e bajme vendin qëndër të terrorit! Dhe ata budallejtë matanë detit e hëngrën këtë e na lejuan të marrim pushtetin ekonomik ne ateistëve qi kërcënojme me hijen e fesë.
Rini po ndjen keqardhje për kët individ të së keqes, sepse po e sheh se si i digjen kocat prej squfurit e i thotë Shën Pjetrit nëse e mban mend kët person, sepse të dy janë bashkëmoshatarë e në vitet ’90,  kanë pasë marrë nji drejtim në kahe të ndryshme.
-Unë kërkova demokraci dhe u torturova pa mëshirë e në fund u dënova për shumë vjet në burgun e sigurisë së naltë, ndërsa ky personi qi po digjet në renë e squfurit u ngrit në post ministri të qeverisë komuniste. Me ndryshimin e regjimit unë dola prej burgut dhe mbeta rrugëve, ndërsa ky këtu, qi tash po digjet e përvelohet, mori nji ministri tjetër në qeverinë e ndryshueme.
-Ti e ndeze fitilin e andrrës për demokraci dhe askush s’u kujdes për shërimin e traumave tua, ndërsa ky këtu u pasunu marrëzisht dhe u mbush me lavde e lajka!? – ndërhyn i habitun Shën Pjetri, i prekun thellë tashma, ngaqi ishte vetë martir, si Rini M.
Rini po mendon… ndoshta ne kohen e turbullt te perplasjeve për ndryshim, mbijeton politikisht ai qi asht ma i shkathët, e ban karrierë ai qi i bind njerëzit dhe u afron ma shumë siguri se idealisti…
-Njeriu asht i dobët prej natyre e sidomos ai qi vjen nga nji diktaturë e egër duhet justifiku disi, sepse fuqija tërheqse e pasunisë asht ma e madhe se sa kërcënimi i ligjit. – pëshpërit Rini.
-Jo – thrret Shenjti Pjetër dhe nji rrufe zjermit e përshkoi qiellin – Atje në tokë vlerësohen njerzit prej ligsisë së mendjes, këtu në qiell i vlerësojmë prej mirësise së zemrës!

Heshtja e heroit... Max Payne
Heshtja e heroit… Max Payne

Politikani po afrohet te Rini dhe biseda e tyne shtjellohet mbi rrugën e demokracisë në Shqipni dhe kalon në perëndim ku të dy kanë ndërtue nji egzistencë të dytë.
Rini jeton ne nji apartament në periferi të nji qyteti austriak me 30 metër katror, ndërsa ai: politikani, ka ble nji vilë në qendër të qytetit.
Tash ata të dy po shkëmbejnë pamje nga jetët e tyne në tokë dhe Rini i tregon skenat ku në fundjave merrte nji terapi të lirë për dhimbjet e pandërpreme të kresë, ndërsa politikani i tregon emocionet qi përjetonte në kazinotë e cilësinë së naltë që janë në perëndim.
-Pasunimi i pa fre, asht nji lumë shpërthyes, qi nuk e ndal asnji digë mbrojtëse e së mirës – shfajësohet politikani – njeriu jeton vetëm nji herë dhe na jena mësue me kapë… e kët s’ka gja qi e ndalë…!
Rini mbron mendimin se ma mirë vorfni e thjeshtësi pa shkelë ligjet e së mirës e me prishë karakterin e njeriut, se sa pasuni e me u ba si ujk, tuj hangër njeni tjetrin.
Politikani ja kthen se: ai asht ateist dhe tashma ndodhet në nji gjendje krejt të papritun në lidhje me egzistencës e botës së përtejme. Kryesorja për të, në këto rrethana asht nji etje e pafund prej squfurit qi po ja përvëlon lëkurën.
Rini nuk mban inat me askënd aq ma shumë me dikë qi i kërkon ujë, prandaj çohet e sheh përreth se mos po gjen ndonji burim.
-Kështu jeni ju shqiptarët! – thërret Shën Pjetri tuj nxjerrë kryet prej nji dritores – Nuk e morët kurrë guxim me i pastru vetë, me dritën e zjermit, barishtet e këqija!!
-Ky asht shqiptari i përkohshëm, shqiptari në kërkim të vetvedit! – ja kthen Rini – Ky shqiptari i sotëm nuk asht as lindje as perëndim, as mish as peshk. Ai u pagëzue për 15 shekuj në krishterim, e u konvertue katër shekuj në islam, u shpëla nji shekull me ateizëm e tash asht tuj kërkue vedin nëpër birat e vetdijes!
Shën Pjetri po habitet sepse nuk ka asnji ide se si duhet të jetë shqiptari i ri dhe Rini po i kallxon se: shqiptari i vërtetë asht tuj ardhë, tuj dalë dal prej llavës së urrejtjes së shekujve, për  në dashninë e shekullit të ri…
Shën Pjetri po e ndjek tanë vëmendje si me dashtë me e peshue mirë përjetsinë që po don me ja dhurue atij.

Rini tash kujtohet se politikani po digjet në zjermin e squfurit dhe merr kovën me ujë e ja afron e ndërsa ai shuen etjen i thotë se: shqiptari i ri asht rrugës, tuj ardhë dhe Ardhja e tij po pregatitet gjithandej!
I përzhituni për ujë ka futë kryet thellë në kovën e drujtë dhe pin me tanë bulshitë, ndërsa Rini kthjelltohet në tri dimensionet e kohës dhe sheh se si lumejtë e tri kohnave janë mbledhë në nji liqen dhe po ja mbushin zemrën me nji dije të re, dije qi vdekatarve atje poshtë i asht ala e ndalume.
Në kët çast politikanit që i digjej trupi nën squfurin e kocave të veta, thërret në kupë të qiellës tuj nxjerrë kryet nga kova e drujtë me fytyrën e lyeme në të kuq!
-Më ka xanë gjaku, gjaku i martirëve të pafaj!
Shën Pjetri del prej derës qiellore dhe i afrohet krejt afër Rinit tuj i thanë se tash ai po kërkon me u ba edhe avokat i atyne njerzve qi e kanë shkatrru jetën e tij tokësore deri në martirizim. Rini ja kthen se në vdekjen e tij ma fajtor asht koha e gabueme se sa njerzit e saj.
Kur isha në hetuesi vijshin nëpër terr dhe me lidhnin kambsh e duersh tuj më rrahë me konop të lagun, për muej të tanë. Mandej kur ikshin, me lidhnin nëpër kyqe me nga nji gjarpën të zi, të lagun qi me kafshonte pa pushim. Kështu edhe atë mbramje në Villach të Austrisë… në dhomën teme erdhën prap ata të njajtit, veshë me fytyra të mbulueme dhe më lidhën gjarpnijtë në kyçe. Kur ikën unë mora thikën dhe preva gjarpnijt ndër kyçe, asgja ma shumë.
Shën Pjetri e ndigjon me vëmendje dhe mbi sy i varet nji pikë e madhe loti qiellor, ndoshta pse Ai asht vetë martir, ndoshta pse sheh ma thellë zemrës së njeriut se sa mendja e njeriut vetë…
Kjo pikë loti shkon tuj gërvishtë qiejt dhe kthehet në nji komete dritë qi vazhdon me e  mbushë natën e krejt botës…

Rini Monjaka (1950-1997)
Rini Monjaka (1950-1997)

Kush është Rini Monjaka

Nji prej djemve “me emën” në Shkodër, me prejardhje austriake, i edukuar, dashurues i gjuhëve të huaja, futbollist i talentuar, i pashëm, inteligjent, kurajoz, idealist i lindur e i trashëguar. Nji nga organizatorët e demonstratës së parë antikomuniste në Shkodër në 14 janarin e ftohtë të vitit 1990. Monajka me shokë ishin organizuar me ganxha dhe litarë të hiqnin bustin e Stalinit at janar. Nuk ia dolën dot. Informacioni qe përhapë e në Shkodër kishin zbarkuar agjentët e Sigurimit. U arrestuan shumë vetë, mes tyre edhe Monajka, i cili mbasi u rrah e u dëmtua barbarisht, e dërgua në burgun e Burrelin.
U lirua në vitin 1991, po fizikisht dhe mendërisht qe transformuar.
Vdiq në Austri në 1997… vetëm 47 vjeç!!

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Nëse demokracia që u vendos në Shqipëri do ishte demokracia që ëndërruan këta heronj, se kështu meritojnë ti quash, edhe shpirti i tyre do prehej në paqe, por jam e sigurt se dëshirojnë të cohen nga varri dhe të riprotestojnë për këtë palodemokraci, që nuk e meriton jetën e tyre,
Një shkrim i mrekullueshëm.
    Faleminderit Gjergj!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.