Vigan që prehje nuk gjen…
Balladë nga Petraq Kolevica
…në nderim e kujtim të Epikut më të Madh të Shekullit
At Gjergj Fishtës…
Për kujtim At Zef Pllumit
…prej Petraq Kolevicës
Gati dhjetë vite më parë,
Petraq Kolevica – arkitekt, përkthyes, studjues, shkrimtar…
po mbi të gjitha intelektual fisnik, i shqetësuar për fatin e kulturës dhe vendit të vet,
ka shkruar këto vargje për At Gjergj Fishtën
dhe ngjarjen e profanimit të varrit të tij…
Një balladë rrënqethëse!
Është diçka e vërtetë po edhe e përsëritur…
sepse e njejta histori ka ndodhur dikur edhe me heroin kombtar Gjergj Kastriotin!
Edhe atij pas vdekjes, turqit, të cilëve ai u kish kallë datën për 25 vite,
i profanuan varrin dhe i morën eshtrat e tij…
po të njejtën gjë, 5 shekuj më vonë e përsëritën edhe kanibalët e komunizmit,
eshtrat e nji tjetër simboli kombtar: At Gjergj Fishtës,
i nxorrën prej varrit dhe i hodhën në lumë…
Vargjet e kësaj Balade të Kolevicës e kanë përjetsuar këtë çast.
Ato sa janë madhështore aq edhe tronditëse…
Sepse për të profanuar At Gjergj Fishtën, ata dhunojnë edhe nji dishepull të tij…
Nji falenderim i madh, për autorin e kësaj ballade të pavdekshme…
j. radi, 19 shtator 2014
Vigan që prehje nuk gjen…
Mes territ të natës, nja katër spiunë
nji Frat të pafat, tërhiqnin me dhunë
E nxorrën nga burgu, ku hoqi sa mundi
Tani, më të keqen, do hiqte së fundi.
E shanin, e tallnin, gjithë rrugës pa rreshtur
sa vajtën te varri në kishën e heshtur
Atje ishte varri, ku prehej Poeti
Vigan’i Lahutës, që prehje nuk gjeti.
Dhe Frati shpejt puthi, një gur të llustruar
kur pa përmbi të – At Gjergj Fishta – shkruar.
O Frat-o, i thirrën, na kazmën dhe bjeri,
shkallmoje krejt varrin, me pllaka mermeri
“Ky vorr ba m’u prish, ka m’u prish Shqypnia!
Dhe ra e pushtoi varrin, me krahët e tija.
Po horrat e çuan, e shembën me grushta
dhe varrin e prishën me kazma ata pushta.
Tani Frat-o jepi, gërmo shpejt e shpejt
dhe eshtrat e varrit, këtu nxirri krejt!
Dhe Frati gërmonte, ç’të fliste më kot?!
Dhe eshtrat që nxirrte, i lante me lot
I nxorri të gjitha, po kafka ku ish?!
Kërkoje – i thirrën, – kërkoje sërish!
Dhe Frati kërkonte, me thonj e me duar
që mos ta dëmtonte at kafkë aq të çmuar.
Dhe ja ku e gjeti! Me gishtat e mpirë,
e ngriti, e puthi… dhe ngeli i ngrirë.
Si dridhej në duar, kjo Kafkë e poetit!
Figura e Fratit – Fantazmë e Hamletit!
Tani Frat-o futi, kokallat në thes!
Dhe Frati i fuste, ngadalë me kujdes.
Dhe thesin ata, mbi shpinë ia vunë
rrëshqanthi e shpunë, te ura mbi Bunë.
E tani o Frat, flaki kokallat në lumë
Ktë jo! – tha Frati – Ktë, jo, s’e baj unë!
Si the mo! – i thirrën – Si the ti mor qyq?
Po Frati s’përgjigjej, se po bënte kryq!
-Këputi një shqelm, të dëgjojë idioti,
Po Frati s’dëgjonte, se lutej te Zoti.
Dhe qentë e tërbuar, s’duruan më shumë,
kockat edhe Fratin, e flakën në lumë…
Dhe ikën të qeshur, e duke nxituar
të merrnin shpërblim për krim’n e shëmtuar.
E ndërsa fundosej, kufoma e Fratit
Agimi po zbardhte, nga pas Rozafatit
Dhe ujrat e Bunës, vërshonin… ushtonin,
Poetit dhe Fratit… lavdinë i këndonin!
Tiranë, 16 shkurt 2006
Vigane…! (pa koment)