back to top
12.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Muzeumi i Viktimave të Komunizmit në Shkodër – Fjala e Ahmet Bushatit

Gazeta

At Artur Loolin, Ahmet Bushati e Kreshniku
At Artur Loolin, Ahmet Bushati e Kreshniku

Muzeumi i Viktimave të Komunizmit në Shkodër

Fjalë rasti mbajtë nga z. Ahmet Bushati në kuadër të përurimit

të Muzeumit të Viktimave të Komunizmit në Shkodër

Para shumë pak ditësh u hap Muzeu i parë antikomunist në Shkodër.
Im atë, si personi që e ideoi dhe punoi më shumë këmbëngulje që kjo gjë të bëhej në kujtim të gjithë atyne që kanë vuajtë në burgje, jo vetëm në këtë burg, por në gjithë Shqipërinë, nuk pati mundesi të ishte prezent, por nga këtu, USA ai shkroi këtë tekst që u lexua në ceremoninë e hapjes, ku ndër të pranishmit ishte dhe Doris Pack! (Kreshnik Bushati)

Shkodra e viteve '40.
Shkodra e viteve ’40.

Të nderuar pjesëmarrës!
Do ta konsiderojmë të madhe e fatlume këtë ditë që po ban të mundun kthimin në muze të një prej ish-burgjeve ma të tmerrshëm e simbol të komunizmit, i quejtun prej popullit gjatë pesë dekadave me radhë “Burgu i Sigurimit”, si vendi ku qenë krye krime nga ma monstruozet e të pandigjuemet mbi qytetarët ma me emën që kishte Shkodra në atë kohë, mbi përfaqësuesit ma të shquem të patriotizmit, kulturës, të traditave tona të mrekullueshme, si dhe mbi ata të besimit fetar. Ngjarjet e ndodhuna mbrenda këtij “ish-burgu” disi të vogël për nga përmasat, po ferr i vërtetë për qindra e qindra viktima të tij, njerëzve të ditëve të sotme mund t’u duken si ngjarje të ndodhuna shekuj ma parë, e jo që ato ngjarje të kenë ndodhë në mes të shekullit të kaluem e pikërisht fill mbas një lufte që popullit tonë i pat kushtue aq shumë sakrifica gjak të derdhun për liri, dhe jo që Shqipëria me atë rast, në mënyrë ma të pameritueme të binte pré e nji prej diktaturave ma të egra që njerëzimi të kishte njohë deri atëherë.
Koha kur ngrihej ky burg famëkeq, do të përkonte me ngjarjet fill mbas “Kryengritjes së Postrribës”, me atë kohë të mbushun me aq shumë frikë e trishtim, sa shumë e shumë qytetarë të Shkodrës të mos e banin të qetë gjumin e natës.
Duke mos llogaritë “Burgun e Madh” të Shkodrës të mbushun qysh dy vjet ma parë me ish-zogistë e të rinj ballistë, mbas ngjarjeve të Kryengritjes së Postrribës, pushtetit komunist do t’i dilte nevoja që për të 1200 të arrestuemit e atyne ditëve, të kthente në burgje plot 13 ndërtesa të mëdha publike e private, prej ku të burgosunit e tyne simbas radhës e si nëpër vrimë të gjylpanës, do të përshkoheshin nëpër këtë burg, ku me anë torturash shumë të vështira fizike e morale, do t’u kërkohej që t’u pohonin hetuesve kriminelë e sadistë të Sigurimit, akuza për ngjarje që s’kishin ndodhë asnjëherë.
Ishte pikërisht ajo kohë kur një Shkodre do t’i kërkohej që të paguante historinë e saj të shkrueme qysh prej njëzet e tre shekujsh ma parë, qysh atëherë kur ajo kishte pasë kenë qendër e një Ilirie të madhe që dijmë, për çka edhe duhej vra në të gjithë qenien e saj, përfshi të shkueme e të ardhme. Nëse Stalini 30 vjet ma parë do të porosiste të gjitha degët e GPU-së ruse duke u thanë që “…kundërshtarët t’i rrihnin deri sa ata të pohonin për krime që s’i kishin kryer asnjëherë”, Enver Hoxha nga ana e tij me anë të një shkrese 91/3 do të porosiste të gjitha Degët e Punëve të Mbrendshme: “Të mblidhni rreth vetes sa më shumë injorantë, fshatarë e çobenj, për t’i përdorur si të doni në emër të vijës së Partisë”, dhe Koçi Xoxe me atë rast, si Ministër i Mbrendshëm që ishte, do të dërgonte në Shkodër kontigjentin ma kriminal që dispononte, me në krye xhelatin historik të Shkodrës Zoi Themelin, së bashku me xhelatët e tjerë si Maqo Lakrorin, Siri Çarçanin, Ali Xhungën, etj. Nji nga “prétë” ma të para të diktaturës në atë kohë do të ishin intelektualët me formim perëndimor e patriotik, mes të cilëve edhe të papërsëritshëm për kulturën e gjanë që kishin, e që si të pakonformuem me komunizmin që do të ishin, do të vriteshin njeni mbas tjetrit, ose të dergjeshin për vite të tana mbrenda burgjeve të diktaturës.
Për nivelin e naltë kulturor që kishte Shkodra në atë kohë, studiuesi Mehmet Elezi, me rastin e promovimit të nji libri tim, do të shprehej: “Se me njerëzit e kulturës që kishte Shkodra në atë kohë, do mund të ngrihej një akademi e vërtetë e shkencës dhe arteve të bukura, meqë Shkodra si moshatare që ishte me Romën e Lashtë, detyrimisht që do të kishte edhe asi familjesh të mëdha që ma fort se për titujt ato do të meritonin ma shumë për virtytet e tyne njerëzore, si edhe për vlerat përfaqësuese të identitetit tonë kombëtar që mbartnin, për çka një ditë do të baheshin objekt i luftës ma të egër nga ana e komunizmit, e që me kalimin e kohës gazi do t’u kthehej në lot e vllaznimi i tyne tradicional në luftë klasash e dasi”.

Muzeu i Viktimave të Komunizmit - Shkodër
Muzeu i Viktimave të Komunizmit – Shkodër

Për shumë vite me radhë, pjesë e këtij ish-burgu kanë kenë edhe tregtarët, sidomos tregtarët e mëdhenj të Shkodrës, të cilët q’prej nji e dy shekujsh ma parë, bashkë me mallin kishin pasë sjellë prej jashtë në Shkodër edhe kulturë, duke i dhanë ton jetës së qytetit tonë, për çka regjimi komunist, në emën të të ashtuquejtunve “spekulacione të Luftës”, jo vetëm që do t’ua grabiste gjithë mallin e shumtë që kishin akumulue, por edhe t’i nxirrte nga shtëpitë e tyne të mëdha e komode, për t’i përplasë për vite të tanë ndër ambiente të pabanueshme shtëpiash të hueja.
Gjithë ata qytetarë patriotë e të nderuemë që komunizmi po ia vriste e mohonte Shkodrës, shtëpi të mëdha e bujare, që po rrënonte përgjithmonë, qindra diploma që po digjte duke u tallë, jetesën e tanë nji populli që po e kthente në mjerim e lirinë në tirani, pa mungue që edhe Kosovën, andrrën shekullore të shqiptarëve që Enver Hoxha me shokë, për qëllime ideologjike e personale po ia dhuronin Jugosllavisë, do të banin që nëpër këtë burg, vetëm gjatë vitit 1948, të kishte vend edhe për rreth 60 studentë idealistë të Gjimnazit të Shkodrës, përfshi edhe mue, kur mbrenda këtyne birucave do të qëndrojsha përgjithsisht i vetëm e nën torturë gjatë një viti e gjysmë, duke mos më pasë marrë as fare parasysh moshën e re që kisha e kontributit të pakursyem që kisha dhanë në kuadër të Luftës Nacionalçlirimtare.
Disa prej torturave të konsiderueme standard, të ushtrueme mbi viktimat e këtij ish-Burg Sigurimi, do të konsistonin në goditjen e viktimës me dru të fortë ose kërbaç të trashë; në varjen e tij për shpatullash me anë litari të tendosun për hekura të dritares së birucës pak nën tavan; në privimin e tij nga e drejta për të marrë ushqimin që familja ia sillte ditë për ditë, dhe i privuem gjithashtu edhe nga e drejta për të marrë ujë, e që pa folë edhe për disa lloje torturash morale të papërballueshme, për shumë prindër e bashkëshortë të nderuem, që do të shpiknin mendjet djallëzore të hetuesve kriminelë, do të ishin disa prej torturave të ushtrueme mbi viktimat e asaj kohe, çka do të bante që në disa prej viktimavet, për të shpëtue prej mundimit të tyne e turpit, të vepronte ideja e vdekjes përmes vetvrasjes, duke pasë shfrytëzuar për atë qëllim çdo rrethanë që rastësisht t’u ishte paraqitë, si për shembull rasti kur viktima të ishte ndodhë para një copë xhami me të cilin do të priste damarët e do të vdiste; kur rastësisht të ndodhej pranë një mase “DDT”-je helmuese; kur duke u kthyer nga zyra e hetuesisë për në qeli të vraponte më qëllim provokimin e vrasjes prej policit; kur tue përfitue nga dritarja e hapun e zyrës së hetuesit të fluturonte përmes saj e të gjente vdekjen e sigurtë përtokë, etj.
Torturë mbi çdo torturë ka kenë ajo e “hekurit të skuqun” mbi trupin e zhveshun të viktimës, si dhe thyerja e kockave të kupave të gjunit me çekiç, torturë që së paku dihet se ka kenë ushtrue mbi avokatin Myzafer Pipa.

Jup Kazazi - Viktimë e Terrorit Komunist
Jup Kazazi – Viktimë e Terrorit Komunist

Për të shpëtue nga vuajtjet e masipërme e poshtërimi, në Shkodër do të kishte disa vrasje në ndeshje më Forcat e “Mbrojtjes Popullore”, si edhe disa dhjetëra vetvrasje, mes të cilave ajo e vëllezërve Kazazi, apo e një Pjetër Dedës bashkë me grue, etj.
Sollzhenicin, disidenti i madh rus, në krye të librit të tij të famshëm, do të shkruante: “Librin tim ua kushtoj atyne që nuk jetojnë ma, e se unë ende nuk i kam humbë të gjitha shpresat që mendjet njerëzore mund të mësojnë nga përvoja e popujve të tjerë, duke mos pasë nevojë që ta vuejnë atë, e se qëllimi i “Arkepelagut” asht ngritja e nji “katarsisi moral”…”, gja që në rastin tonë e realizon nji muze si ky që sot po kemi fatin ta përurojmë.
Me rastin kur ne po mundemi të kthejmë në muze një prej ish-burgjeve me histori ma të veçantë torture e krimi, ne jo vetëm se me kët rast po përpiqemi që të shlyejmë një detyrim tonin ndaj ish-viktimave të shumta të këtij ish-burgu ferr, po në të njëjtën kohë edhe se për pak çaste po mundemi të ringjallim një kohë të shkueme me ngjarje e njerëz në prag të një harrese të plotë, me imazhet e trishtueshme të 137 viktimave që përgjithësisht mbrenda këtij burgu, dikur patën nxjerrë frymët e fundit mes mundimesh të mëdha e në vetmi, e pa mundë që të linin një fjalë për mbrapa, një amanet për familjet e tyne të pikëllueme, sikurse po me këtë rast na shfaqen për një moment edhe imazhet e trishtueshme të atyne 601 të tjerëve, që dikur simbas radhës e drita në të dalë, me pranga ndër duer si dhe të lidhun me litarë shoq për shoq, të rrethuem së afërmi nga policë me automatikë ndër duer, do të ishin të detyruem që me kambët e tyne të shkonin drejt vdekjes, drejt të përhershmit “Zalli i Kirit” ku dhe përfundimisht do të pushkatoheshin.
Le t’urojmë së bashku që kjo ditë e madhe e ky rast i veçantë për të gjithë ne, jo vetëm që të jetë një ditë homazhi ma të thellë për gjithë viktimat e Shkodrës si zonë, por edhe për viktimat e komunizmit të të gjithë Shqipërisë, e që si i tillë, le të shërbejë jo vetëm si me shërue plagët, por edhe si një gur i fortë në themel të një demokracie të vërtetë që aspirojmë për me ndërtue.

Muzeu Diktaturës - Shkodër
Muzeu Diktaturës – Shkodër

Valentin Lumaj
Nji ide dhe nji punë që e meriton të përshëndetet. Çdo muze, libër apo shkrim që na sjell në kujtesë vuajtjet, torturat dhe persekutimin kanibal komunist, është një vlerë e shtuar në ndërgjegjen e nji shoqërie. Eshtë fatkeqësi kur sheh se si historia më e errët e diktaturës deri në palcë e shqiptarëve ndaj shqiptarëve, është lanë në harresë sikur të ishte një andërr e keqe e jo një realitet i jetuem. Janë vetëm ata që e provuen në trupin e vet torturën, të cilët mundohen të përcjellin historinë nëpërmjet fakteve reale tek brezat siç asht baba yt e të tjerë. Përmend ktu edhe veprën gjeniale “Rrno për me tregue” e At Zef Pllumbit.
Janë të pakët ata pushtetarë (e kam fjalën për të djathtët) që provuan mbi shpinë e vet hekurin e skuqun, prandaj ata sot hanë bukën e marres, për të vetmen arsye se nuk e pastruan shoqërinë e infektueme shqiptare, tuej mos e zhdukë deri në embrion virusin komunist dhe lejuen ngadhnjimin apo rilindjen e persekutoreve dhe pinjollëve të tyne, të cilët po bajnë plaçkë jo vetëm thesaret, bankat apo taksat e shqiptarëve, po fshijnë apo cungojnë historinë e vërtetë të kalvarit të vrasjes, burgimit, syrgjynosjes dhe torturimit të mijra klerikëve, disidentëve e atdhetarëve shqiptarë.
Urime babës Ahmet Bushati dhe atyne që punuan për të hap kyt muze!

Vesel Malaj
Pa dënimin e Krimeve Makabre të Komunizmit dhe Kriminelëve Komunistë, ne Shqipëri nuk ka Demokraci as zhvillim. Shqipërinë e drejtojnë Kokat e krimit dhe Mafia Komuniste Shqiptare me Pinjollët e Diktaturës dhe Sigurimin e Enver Hoxhës. Shqipëria udhëhiqet në prapaskenë nga Familja e Kriminelo-Kanibalit Komunist Enver Hoxha…

Osman Kaceli
Jam shumë i emocionù nga përshnetja e të nderuemit Ahmet Bushati, të cilin e falenderoj përzemërsisht për kët inisiativë, e imagjinoj edhe sponsorizim, aq të nevojshëm për të mbajtë gjallë kujtimin e atyne mija e mija viktimave të terrorit komunist të ushtruem mbi tò, prej satrapëve enveristë! Unë me këte rast i baj thirrje të gjithë njerzve të vullnetit të mirë, që të bojkotojmë e të pengojmë me çdo mënyrë, riabilitimin e figurës së gjaksorit ma të egër që njef historia e popullit të shumvuejtun shqiptar!
Marrë nga Muri i fb. i Kreshnik Bushatit

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.