back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kur Kol Idromeno… pikturonte “Motrën Tone” Abaz Hodo

Gazeta

Kol Idromeno (1860-1939)
Kol Idromeno (1860-1939)

Kur Kol Idromeno… pikturonte “Motrën Tone”

nga Abaz Hodo

“Në kohën kur u realizua portreti, as motra Tone, as vetë Idromeno nuk e dinin se po krijohej piktura e parë realiste në Shqipëri, se në atë vepër do të shënohej fillimi i një faze të re, në të gjithë artin shqiptar”, ka konstatuar historiani i njohur Ferid Hudhri. Lëvizja artistike e këtij artisti, shënon një moment me rëndësi historike, që u shoqërua me ndryshime të thella në perceptimin artistik.
Pas tij arti mori një drejtim thellësisht të ri. Kol Idromeno, që në veprën e parë, tregoi qartë  tendencën dhe drejtimin që do marrë krijimtaria e tij. Është momenti që  një art aplikohet, larg kanoneve ikonografike bizantine dhe pasbizantine. Filluan të trajtohen me realizëm të thellë e frymë romantike subjekte dhe motive nga jeta reale. Këto subjekte bazohen në perceptime folklorike dhe etnografike.
Vepra e tij u mbështet fort në trashëgiminë popullore, duke përthyer bazamentin mitologjik në konceptet filozofike estetike të jetës dhe realitetit tokësor. Arti cilësohet si pjesë e pandarë e laikizmit. Ndërsa përmbajtja ideo-filozofike, shkëputet menjëherë nga trajtesa mistike; shprehja artistike e gjen mbështetjen te realizmi romantik. Për herë të parë një veper arti lidhet dhe pasqyron veprimtarinë politike, sociale dhe shoqërore të kohës.
Personazhet e pikturave nuk janë figura biblike, shenjtorë apo apostuj, por njerëz kryesisht familjarë dhe të njohur që gëzojnë autoritet politik, ushtarak, shoqëror. Përveç kësaj, të gjithë këto personazhe mbajnë veshur, më së shumti, kostumet dhe veshjet tradicionale, që  pikturohen me vërtetësi maksimale. Kjo u bë e dallueshme, që me portretin familjar “Motra Tone” (1883) që njeriun e dashur të familjes e pikturon, me një veshje të bukur tradicionale, e cila përdorej nga gratë katolike të qytetit të Shkodrës.
Kjo nuk është rastësi, por një ndjesi dhe emocionalitet personal, që do shoqërojë krijimtarinë e tij. Në qoftë se në artin e ri, portreti “Motra Tone” njihet si vepra e pare laike, gjithashtu është portreti i parë, që prezantohet me veshje tradicionale në historinë e pikturës shqiptare. Ky portret menjëherë mori vlerë me rëndësi të veçantë pavarësisht se u ekspozua për publikun shumë vonë, pasi ka qëndruar në shtëpinë e Idromenos si portret familjar.
Në vitin 1954, ekspozohet në Galerinë e Arteve të Tiranës (sot Galeria Kombëtare e Arteve). Kjo vepër parashtroi në publik realizimin e koncepteve të artistit të ri, që po guxonte të ndryshonte parimet e artit të kohës. Mënyra e re e pikturimit solli një etapë të re, në artin shqiptar. Por ajo çka është me rëndësi në këtë vepër, është se shohim dukshëm referencën, preferencën individuale, për të bashkëpunuar dhe mbështetur në vlerat e etnografisë popullore.
Kol Idromeno pikturon me dashuri dhe ndjesi emocionale portrete njerëzish të njohur, si tregtarë apo të profesioneve të ndryshme, që vishen me kostume tradicionale. Duket që kjo mënyrë e pikturimit u ka dhënë shumë peshë dhe autoritet real këtyre njerëzve. Nëpërmjet paraqitjes së tyre në këtë mënyrë, afirmohej personaliteti, gjendja ekonomike, pozicioni klasor dhe social.
“Gjurmët e dallimeve midis shtresave të ndryshme shoqërore, të pasqyruara në cilësinë e materialit të përdorur, në cilësinë artistike të disa prej pjesëve më të zbukuruara të veshjeve, siç ishin jelekët e mëngoret me qëndisma, me fije ari apo në stolitë metalike, që edhe mbas çlirimit i mbante njëlloj, si fshatari i varfër dhe ai i pasur… Ruheshin gjithashtu disa shenja fetare, sidomos në veshjet dhe stolitë e grave.

"Motra Tone" Kol Idromeno
“Motra Tone” Kol Idromeno (Monaliza Shqiptare)

Ato të krishtera dalloheshin nga ato të myslimaneve. Këto ndryshime kishin të bënin kryesisht me funksionin praktik dhe shoqëror të veshjeve dhe në një masë më të madhe, më të kufizuar, me anën estetike të tyre”. Është kjo mënyrë që i siguroi një sukses të menjëhershëm pikturës “Motra Tone“ Padyshim një rol të rëndësishëm për suksesin ka luajtur veshja e bukur dhe e pasur, me vlera të larta e mjaft evidente.
E theksojmë këtë pasi, kemi parasysh se kur realizoi një portret të dytë me veshje qytetare, nuk arriti të njëjtin sukses te vlerës. Ky artist i ri në atë kohë aplikonte një art thellësisht realist, ku parësore përveç karakterit te figurës vendosi shijet artistike dhe ndjenjën estetike ne lidhje te ngushte me artin popullor. Si një artist i talentuar arriti me intuitë profesionale të kuptoje rëndësinë që kishte për artin e tij, mbështetja dhe shfrytëzimi i asaj pasurie koloristike dhe ornamentale që gjendej në veshjet popullore.
Prandaj ai e vlerësoi maksimalisht dhe u mbështet fuqishëm në artin popullor, veçanërisht në elementet e kulturës materiale. Në tërësinë e kostumeve tradicionale gjenden mundësi dhe forma të ndryshme, që artisti mund t’i kalojë në kanale të ndërlikuara krijimi. Një piktor kërkon pasurimin e shprehjeve artistike, të cilat i fiton nga eksperienca profesionale, nga fuqia e perceptimit dhe talentit, nga aftësia e vëzhgimit dhe analizës, por edhe duke u mbështetur shpesh në zgjidhjet stilistike, dhe estetike që gjenden në ndonjë art tjetër,siç është arti popullor, veçanërisht kostumografia tradicionale.
Pikërisht Kol Idromeno gjeti mundësinë në këto mënyra, që krijimet e tij të fitojnë pasuri koloristike, dritë kontrast,sugjestion dhe emocion të veçantë. Pikërisht, veshja te “Motra Tone” është një nga vlerat e padiskutueshme, duke i dhënë një prezencë dhe sugjestion këtij portreti. Kjo padyshim është vepra më e rëndësishme,e cila ka fituar një status të veçantë në sistemin e vlerave te artit tonë. Sepse është vepra më e njohur, më e ekspozuar,më e riprodhuar dhe më popullore.
Në sajë të një kujdesi të veçantë ajo është restauruar në Laboratorin e Konservimit dhe Restaurimit, pranë Muzeut të Luvrit. Për vlerat që kjo vepër mbart, mes të tjerave interes të madh ka ngjallur ngjyra e bardhë e degermisë (shamisë), që mbulon një pjesë të portretit. Për këtë arsye u ekspozua për pak kohë në muzeun e njohur “Dorsey” France.
Ky portret nuk është thjesht një vepër që pasqyron portretin e një gruaje të bukur, me një shikim zhbirues, me tip e karakter të përcaktuar. Me këtë vepër Idromeno ka shkuar më tej në synimet për arritje artistike dhe për lartësimin e simbolikes. Përmes këtij portreti, një grua e hijshme e kohës paraqet një thellësi psikologjike e sugjestion artistik. Vështrimi i saj anash, i jep një forcë enigmës që përmban,duke dhënë idenë sikur kërkon të hetojë diçka.

Veçantia: pozicioni i duarve 

Ajo që i ka dhënë veçantësi, është pozicioni i duarve plot elegancë dhe bukuri, apo kapje e degermisë së bardhë, për të na dhënë në këtë mënyrë, mundësinë të zbulojmë fytyrën e ëmbël të një vajze të bukur 24-vjeçare. Ky gjest elegant i ka dhënë simbolikë, duke plotësuar përmbajtjen artistike dhe misionin shoqëror. Mendoj se një portret si “Motra Tone”, me ato përmasa vlerash që përmban, nuk është vetëm një vepër intime dhe familjare.
Ajo ka arritur të kapërcejë analizën e një modeli të thjeshtë. Gjatë procesit krijues ajo mori ngarkesa të thella emocionale. Kjo vajzë e bukur ne jetën private ka qenë këngëtare dhe bashke me vëllanë, Kolën, që ishte dhe një muzikant i talentuar, merrnin pjesë nëpër dasma. Ajo bënte një jetë shumë familjare, me kërkesa qytetare. Bashkëshorti saj ishte një njeri i emancipuar, mësues, që në atë kohë kërkonte nga gruaja të vishej në mënyrë moderne.
Ndërkohë, Kol Idromeno vendos ta pikturojë me veshje tradicionale, si portret familjar. Ai është i ndërgjegjshëm se gjatë realizimit të kësaj vepre, po shpaloste idetë, synimet stilistike për një art realist, progresiv për kohën dhe kushtet qe ndodhej Shqipëria. Çdo element është pikturuar me realizëm dhe hollësi, degermia (shalli i madh) që i mbulon flokët dhe bie deri ne gjoks, me palat e hollësishme.
Jeleku, veshja e trupit me ornamente, me qëndisma të zeza mbi materiale të thella dhe ngjyra të njëjta. Shumë interesante dhe sugjestionuese janë trajtesat dekorative në të dy krahët që zbulojnë figuracione lakonike me të zeza mbi te kafta. Duhet thënë se nga pikëpamja etnografike portreti përmban një kompleks vlerash që transmetohen artistikisht. Dallojmë “veprime” elegante, si për të liruar paksa pamjen e fytyrës nga shamia e bardhë, e cila zë  sipërfaqen më të madhe të tablosë.
http://shqiptarja.com/kultura/2730
23 Gusht 2013

Kol Idromeno - "Dasma Shkodrane"
Kol Idromeno – “Dasma Shkodrane”

Kol Idromeno, sinonimi i pikurës shqiptare

nga Besa Dodaj

Kol Idromeno, babai i kryeveprës shqiptare “Motra Tone”, lindi më 15 gusht 1860, në Shkodër dhe konsiderohet si një prej piktorëve ma të mëdhenj te Shkollës Shkodrane te Arteve Pamore. Pasioni i tij për artin e pikturës dhe vizatimit, ka rrënjët po në qytetin ku u lind dhe kaloi pjesën tjetër të jetës, Shkodër. Ai mori mësime për vizatim pranë fotografit të njohur të qytetit, Pjetër Marubi, i cili pasi dalloi tek nxënësi aftësi të veçanta, e këshilloi të atin ta dërgonte djaloshin për studime jashtë vendit. Këshilla e fotografit u pranua menjëherë dhe Kolë Idromeno si 15-vjeçar në vitin 1875, filloi studimet për pikturë në Venecie të Italisë ku njihet nga afër me veprat e rilindësve si Civeli, Montegnas, Gentili, etj. Në Itali ndoqi mësimet për pikturë dhe vizatim për dy vite me radhë dhe pas kthimit në vendlindje, ai përveç pikturës që e ushtronte me pasion, filloi të gjente dëshirën edhe tek fotografia, që e shihte me kënaqësi në studion e Marubit.
Në 1878 i bashkohet lëvizjes patriotike të Lidhjes së Prizrenit dhe kur flasim për Idromenon nuk flitet vetëm në rrafshin e një artisti, por edhe një patrioti të madh, që aspironte pavarësinë e Shqipërisë. Disa vite më vonë, Idromeno bashkë me të atin hapën një atelie fotografish, ku artisti filloi të punonte më me përkushtim dhe të shfaqi pasionin e madh në proceset e fotografisë. Gjatë punës si fotograf, ai bën lidhje miqësore me shumë njerëz të të gjitha shtresave, duke u bërë kësisoj njeri i njohur në qytet. Ndërkohë studioja e ngritur në vitin 1884, u quajt me një emrin “Dritëshkronja e Kolës”, emër që më vonë u huazua edhe nga Marubi, që emërtoi atelienë e tij “Dritëshkrojetoria Marubi”.

“Motra Tone”, kryevepra e Idromenos

Piktori i shquar tashmë ishte i njohur edhe në fushën fotografisë, të cilat duke qenë pjesë e arteve pamore, ndihmonin në një mënyra apo tjetër njëra-tjetrën.
Kështu për të pikturuar pikturën e njohur “Motra Tone”, Idromeno përdori dhe fotoportretin, që i kish bërë ai të motrës, ndërsa piktura e mësonte të bënte fotografi artistike sa më njësore dhe piktoreske. E kishte që i vogël pasion pikturën tek ndihmonte të atin gjatë punës. Këtë vepër ai e realizoi në vitin 1883, e cila njihet edhe si “Mona Liza” shqiptare dhe është vlerësuar si portreti i parë psikologjik e social i pikturës realiste shqiptare i Rilindjes tonë. Motra e tij e veshur me veshjen tradicionale shkodrane është ngulitur në atë vepër arti, me gjithë delikatesën, bukurinë dhe dëlirësinë shpirtërore të një femre shqiptare. Vepra tjera që Idromeno la në testamentin e tij artistik janë “Dasma shkodrane”, “Pusíja”, “12 luftëtarët e Pargës në lundër”, “Bardhejt” e “Lugu i kaçakeve”, “Zezaku i Beldijes”, “Autoportreti”, “Portret i një fshatari”, “Bariu”, “Ftyrë fshatari” etj.

Piktori Kol Idromeno vdiq me 12 dhjetor te vitit 1939.
Bota Sot | 10.07.2010

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.