Plakja e Njeriut të Ri…
nga Nesti Gjeluci
“Çka është kujtesa për njeriun,
është historia për civilizimin…”
Fulton Sheen
Mënyra e festimit të përvjetorit të çlirimit të Shqipërisë jep përshtypjen e një shoqërie të përçarë në dysh, e cila shtron një pyetje të frikshme: Mos një pjesë e atyre që festojnë sot ishin persekutuesit me vetëdije të njeriut apo të paktën mbështetës injorantë të diktaturës, ndërsa ata që heshtin, ose nuk shohin arsye për të festuar, ishin të persekutuarit? Nëse po, ç’do të thotë kjo për gjendjen e sotme dhe për hapat që duhet të hedhim në të ardhmen? Me anë të këtij artikulli dua ta ftoj lexuesin që ta shohë historinë nga një këndvështrim i veçantë. Përçarja më sjell ndër mend një skenar të krijuar me mjeshtëri nga Shën Agustini në librin e tij “Qyteti i Zotit” (Titulli origjinal: De Civitate Dei), libër që të gjithë studentët që kanë kryer të paktën shkollën e mesme, duhet ta kenë lexuar. Nëse paralelizmi është i përafërt, ka mundësi të dallojmë shenjat treguese që duhet të ndjekim për të shpëtuar nga litari i së kaluarës i cili vazhdon të na marrë frymën.
Shkurtimisht, kryevepra “Qyteti i Zotit”, përbën përpjekjen e parë të suksesshme për të përshkruar historinë e njerëzimit nga një pikëpamje teologjike. Libri u shkrua rreth vitit 410, Pas Krishtit si përgjigje e akuzave të asaj kohe që thonin se rënia e Perandorisë Romake ndodhi për shkak të konvertimit të saj në Krishterim. Çfarë u nis si përgjigje e këtyre akuzave pagane, u shndërrua në një nga kryeveprat letrare dhe teologjike të të gjitha kohërave. Shën Agustini argumenton se në botën ku jetojmë ka dy ‘qytete’: Qyteti i Zotit që është i destinuar për jetë të amshuar me Zotin, si dhe Qyteti i Botës ose i Njeriut, i destinuar për dënim të përjetshëm. Shën Agustini i bën thirrje shoqërisë të zgjedhin se cilit ‘qytet’ i përket. Qëllimi i historisë të çdo shoqërie, thotë ai, është të shpalosë dhe pasqyrojë planin e vetë Krijuesit, e ky plan ka për bazë krijimin e njerëzve, apo qytetarëve të denjë për Qytetin e Zotit.
Ç’lidhje ka Shën Augustini i vitit 410 me përvjetorin tonë
Vendosja e regjimit komunist shkaktoi një ndarje dramatike të shoqërisë sonë duke kthyer qytetarët përfaqësues të Qytetit të Zotit, kleri, inteligjenca dhe qytetarët e virtytshëm në një shtresë të destinuar për zhdukje dhe duke krijuar një shtresë të re përfaqësuese e Qytetit të Botës, përfshirë këtu udhëheqësit komunistë, servilët, injorantët, frikacakët, të cilët do merrnin në dorë pushtetin dhe do ndërmerrnin një projekt, rrjedhojat e të cilit vazhdojnë edhe sot ta gërryejnë shoqërinë shqiptare nga brenda: projekti i ndërtimit të Njeriut të Ri. Po të lexojmë me vëmendje librin e Shën Agustinit ku përshkruan me imtësi cilësitë e Qytetit të Botës dhe qytetarëve të tij, është për t’u habitur se sa ngjasojnë me cilësitë që formuan Njeriun e Ri gjatë viteve të errëta komuniste.
Cilësia kryesore e Njeriut të Ri ishte të hiqte qafe Zotin dhe përfaqësuesit e tij në tokë, në mënyrë që të bëhej skllav dhe servil i zotit të sapo vetë-krijuar, Partisë dhe udhëheqjes. Duke bërë këtë, Njeriu i Ri humbi shpirtin e tij dhe filloi ta shihte botën kokëposhtë. Duke hequr Zotin nga jeta dhe duke mos dashtë atë që njeriu është krijuar për të dashtë, kjo dashni u bastardua dhe polli variantet e shthurura si servilizmi dhe frika nga njeri-tjetri. Duke mos ditur kujt t’ia drejtojë dashninë e tij, Njeriu u Ri filloi të donte veten me një egoizëm pervers, që u bë fara e frikës ndaj të tjerëve.
Nga ana tjetër, Qyteti i Zotit mbijetoi i persekutuar gjatë viteve të errëta duke kryer rolin e vetëm që ai di të luaj: të japë dritë në mes të errësirës dhe të jetë dëshmitar i planit triumfues të së Vërtetës. Pas rënies së regjimit, qytetarët e këtij ‘Qyteti’ dolën nga birucat ku ishin hedhur, të lodhur por jo të ç‘orientuar, pothuajse të shfarosur por prapë të përgatitur të rimëkëmbin veten dhe vendin e tyre. Por rimëkëmbja do të thoshte të sh’krijonin Njeriun e Ri, këtë monstruozitet të regjimit. Pikërisht ky sh’krijim apo ç’rrënjosje nuk ka ndodhur akoma.
Çfarë duhet të ndryshojë?
Duke vëzhguar me vëmendje se kush feston dhe kush hesht pas këtyre 70 vjetëve, është vështirë të mos dalësh në konkluzionin se Njeriu i Ri, në përpëlitjet e tij, vazhdon të jetë persekutuesi i qytetarëve të Qytetit të Zotit. Besoj se tashmë iluzioni që hodhëm poshtë komunizmin dhe shoqëria jonë është drejtë rrugës së sigurt drejt demokracisë dhe progresit, ka filluar të lëkundet sadopak në mendjet e njerëzve. Karakteristikat anti-njerëzore të Njeriut të Ri nuk fshihen si me gomë thjesht me ndryshim sistemesh politike apo me ndërtim administratash juridike.
Njeriu i Ri, tashmë eksperiment i dështuar, vazhdon të jetojë me frikën që vjen nga faji i së kaluarës dhe i dënimit që i kërcënon e sotmja. Sot i riu shqiptar identifikon progresin me mohimin e së kaluarës. Njeriu i Ri që doli nga llumi i regjimit laik komunist duhet të dalë nga gërmadhat që la mbrapa ky regjim dhe të gjejë vlerat e vërteta të cilat bëjnë të mundur rilindjen e njeriut dhe të shoqërisë. Ato vlera ai do t’i gjejë pikërisht tek ato njerëz, qytetarët e Qytetit të Zotit, të cilët i persekutoi.
Nevoja për Ringjallje…
A duam të vazhdojmë të pretendojmë se nga përpëlitjet e Njeriut të Ri të formuar nga regjimi komunist do dali njeriu i ringjallur që do rigjenerojë shoqërinë tonë? Ka ardhur koha, dhe rrezikon të na iki nga duart përsëri, që t’i kërkojmë ndihmë dhe drejtim qytetarëve të Qytetit të Zotit, atyre që u përsekutuan dhe sot heshtin. Këto janë qytetarët që do bëjnë të mundur ringjalljen e njeriut dhe të shoqërisë, jo duke u hakmarrë ndaj Njeriut të Ri që po plaket, por duke e parë në drejt në sy. Kjo përballje me Njeriun e Ri dhe anti-vlerat që përfaqëson, është përballja që duhet të bëjë Shqipëria me të kaluarën e saj para se të shohin të ardhmen me shpresë.
Shën Agustini thotë se “…cilësia dhe e ardhmja e një shoqërie mund të dallohet duke parë se cilat gjëra i ka më për zemër…” Shqiptarët duhet ta kërkojnë identitetin e tyre tek Krijuesi. Le të fillojmë nga e para. Tashmë duhet ta dimë se cilën rrugë nuk duhet të ndjekim. Mjaft i kemi mohuar të drejtën e një jete me vlera brezave që ikën. E kemi për detyrë që brezat që vijnë të mos bien pre e shekullarizmin që ne shqiptarët ia pimë lëngun më së miri.
Vendi ynë ka një zgjedhje përpara tij: a do të jetë një shoqëri e përbërë nga servilë, manipulatorë, dhe njerëz së urrejtjes e hakmarrjes? Apo shoqëri që jep shembullin e dashnisë dhe paqes? Kjo zgjedhje do përcaktojë edhe nëse jemi të denjë ta fillojmë nga e para. Shën Augustini e ndau shoqërinë njerëzore në dy ‘Qytete’. Cilin qytet do ndërtojë Shqipëria? Kjo është pyetje që duhet ta marrin seriozisht ato qytetarë që rrojnë me shpresën se një ditë do bëhen me të vërtetë ‘qytetarë’ në Qytetin e Zotit, kleri, besimtarët, brezi i persekutuar që mbijetoi, rinia e etur për virtyte. Për shqiptarët, udhëzimet dhe shenjat për rrugën e së ardhmes vijnë fatmirësisht edhe nga e kaluara dhe kujtesa morale e jona, si dhe nga tradita që nuk u zhduk… por mbijetoi. Kjo traditë morali duhet të jetë shtegu ku do hedhim hapin. Jacques Maritain thotë që “…një demokraci lind nga një ringjallje shpirtërore dhe sociale… Epiqendra e jetës së këtij njeriu dhe shoqërie të ringjallur duhet të vendoset mbi interesat e kësaj bote dhe mbi këtë histori të përkohshme…!”
http://www.tiranaobserver.al/plakja-e-njeriut-te-ri