Mbreterësha e Malit dhe Shqipërisë
nga Azem Parllaku
Edith Durham, vajza e një kirurgu në Londër, një grua që kishte vendosur në moshë të mesme të bëhej eksploratore, etnologe, bamirëse, reportere lufte dhe të bënte fushatë në favor të lirisë për shqiptarët. Durham mbërriti në Ballkan në vitin 1900, kur ishte në fund të të tridhjetave. E mahnitur nga ajo që gjeti, ajo mbeti aty derisa shpërthimi i luftës në vitin 1914, e detyroi që të kthehej në vendin e saj, Britani. Durham, në Britani e cila atë kohë ishte një prej vendeve më të rëndësishme në botë, e ndihmoi shumë çështjen e shtetit shqiptar. Vendi i shqiptarëve, thellë në Perandorinë Otomane, ishte thuajse i panjohur për botën anglishtfolëse. Vetëm poeti Bajron dhe piktori Eduard Lir, si dhe një grusht britanikësh, kishin udhëtuar aty. Shumë më pak kishin eksploruar malet në veri, rreth Shkodrës, të cilat u bënë si shtëpi e dytë për Durham. Durham po rrezikonte në një tokë të panjohur, por shqiptarët e pritën si një princeshë, duke treguar dashuri reciproke, që zgjati deri në vdekjen e Durham në Londër në vitin 1944. Ndërsa intrigohej nga ideja që kishte zbuluar një vend, që koha e kishte harruar, prapambetja e Shqipërisë e trondiste. Shkrimtarët britanikë flisnin për të krishterë të shtypur në Ballkanin dhe shpesh i shpërfillnin shqiptarët si viktima të otomanëve dhe madje si të pafe. Në përgjigje të tyre, Durham i bombardoi gazetat britanike me letra dhe artikuj, duke kërkuar trajtim të barabartë për të gjithë popujt e Ballkanit, jo vetëm për të krishterët. Ajo hartonte gjithashtu materiale me vëzhgime për traditat dhe kulturën e Shqipërisë veriore. Ajo kultivoi marrëdhënie të mira me një grusht politikanësh britanikë me ndikim si deputeti Aubrey Herbert dhe gazetari radikal Henry Nevinson, dhe lobuan pranë Sekretarit të Jashtëm britanik, Lord Grey. Në vitin 1912 dhe 1913, fuqitë e krishtera në Ballkan sulmuan otomanët me idenë e ndarjes së Ballkanit mes tyre. Frika më e madhe e Durham u bë realitet, kur u bë e qartë se Shqipëria do merrte “lirinë” brenda disa kufijve të kufizuar. Fuqitë e mëdha i mohuan Shkodrën Malit të Zi, por ky ishte një lëshim i rrallë me parimin e vetëvendosjes. Durham u ndje keq sidomos nga humbja e Gjakovës dhe Dibrës. “Ishte etikisht dhe historikisht e pambrojtshme dhe katastrofike për perspektivën ekonomike të shtetit të ri”‘ thoshte ajo.
Durham i kishte rënë kryq e tërthor disa herë Kosovës dhe ndërsa kishte simpati për pakicën serbe aty, ajo mendonte se, kjo tokë ishte pothuajse tërësisht shqiptare. Pretendimet serbe për Kosovën, shkruante ajo, i ngjajnë një ëndrre të një nate më parë. “Rreth nesh në mes të ditës ishte popullata shqiptare”. Në jug, ku grekët po forconin rrethimin, Durham mundi të bënte më shumë. Ajo dhe Nevinson u dërguan telegrame fuqive të mëdha gjatë takimeve në Londër mbi Shqipërinë, duke i informuar se Korça nuk ka qenë dhe kurrë nuk do jetë greke. Si rezultat, ata i shtynë kufitë shqiptarë në jug. Të dy e shpëtuan Korçën, siç shkruante ajo shkurtimisht më vonë. Durham bëri më shumë se të shkruante dhe të lobonte. Në vitin 1913, ndërkohë që refugjatët nga Gostivari, Dibra dhe të tjera qytete vërshuan në Shqipërinë e re dhe të cunguar, Durham ngriti një operacion ndihme, që shpëtoi mijëra jetë. Disa prej atyre ndoshta ishin në mesin e turmës në Tiranë, duke brohoritur kur ajo vizitoi këtë vend në vitin 1921. Ajo vetë megjithatë ishte e pangushëllueshme. Vite më parë, e ulur në kishën e Shën Naumit në brigjet e Ohrit, ajo kishte ëndërruar që të rregullonte kufijtë në Ballkan. “Do mbetem besnike e shqiptarëve dhe kur të vijë finalja e madhe, do i mbështes ata,” ka shkruar ajo.
(Referuar librit të Marcus Tanner “Mbreterësha e Malit dhe Shqipërisë, Edith Durham dhe Ballkani”)
http://everteta.al/