Një fotografi e rrallë e Jeronim de Radës
nga studiuesi i Qerim Vrioni
Kjo fotografi e veçantë me shënimin “Jeronim De Rada me fshatarë arbëreshë”, të shkruar me dorë nga prof. Dhimitër Shuteriqi në paspartimin prej kartoni, ndoshta ka shërbyer si burim kryesor i imazhit të De Radës, poetit të madh të Rilindjes Kombëtare, për portrete në pikturë dhe skulpturë. Fotoja është pjesë e arkivit të madh fotografik të mbledhur nga prof. Shuteriqi, i cili ndër të tjera, njihte mirë mjaft fotografë shqiptarë të gjysmës së parë të shekullit XX. Këtë e ka mësuar autori i këtyre rreshtave nga një bisedë e gjatë që ka pasur me profesorin erudit në vitin 2002.
Foton, për të cilën po shkruajmë, na e mundësoi me fisnikëri të veçantë (edhe pse në kushte jo shumë të mira shëndetësore), z.Mynever Shuteriqi, Zonja e Profesorit. Sipas z.Mynever, fotoja është gjetur në Kalabri (Itali) në vitet ’30 nga Simon Shuteriqi, studiues dhe pjesëmarrës në Kongresin e Alfabetit të Manastrit (1911), i ati i profesor Dhimitrit. Po ashtu, Zonja e nderuar shtoi se De Rada ka qënë autor shumë i pëlqyer për të shoqin dhe se ai, është marrë mjaft në studimet e tij me Arbëreshin e Madh .
Në fotografi paraqitet Jeronim De Rada, autori i poemës së njohur, “Milosao”, midis fshatarëve arbëreshë. Emri i tij është i shkruar edhe drejtëpërdrejtë në foto me dorë nga ndonjë pronar i hershëm arbëresh i saj. Ndoshta poeti ishte në rrugëtim e sipër, kur ka takuar bashkëkombasit e tij, të cilët mbase e kanë ftuar të fotografohet me ata, dhe ai e ka pranuar me kënaqësi kërkesën e tyre. Nga fotoja duket që poeti qëndron i qetë para aparatit duke u mbështetur te një shkop i gjatë (që e ndihmonte në ecje) dhe me kapelen në dorën e majtë, ndërsa nga supi i tij i djathtë i varet një çantë e madhe (ndoshta me libra). Dy fshatarët përanash poetit janë fotografuar kokëzbuluar, ai majtas, kapelen e hequr e mban poshtë me dorën e majtë, ndërsa i djathti është përngrirë duke e hequr atë (është vonuar ai, ose shpejtuar fotografi). Ndoshta heqja e kapeles ishte shenjë tradicionale respekti e krahinës dhe kohës ndaj fotografimit… ndoshta. Poeti mban rreth qafës edhe një kravatë modeste, e cila krijon një farë diference statusi ndërmjet tij dhe të tjerëve, ndonëse njihen mirë marrëdhëniet e ngrohta të tij me bashkëatdhetarët arbëreshë, pavarësisht rangut shoqëror dhe ekonomik. Fotografia është realizuar para një ndërtese në murin e së cilës duket një pjesë e një dritareje të vogël rrethore. Gjithashtu, mesa dijmë, botimi këtu, përbën paraqitjen e parë të kësaj fotografie në shtypin shqiptar.
Fotografia ka mbërritur në ditët tona me përmasa relativisht të vogla, pa emrin e autorit, pa përcaktimin e vendit të fotografimit dhe pa shënuar as vitin e shkrepjes, por këto ulin fare pak vlerat e kësaj fotografie të rrallë dokumentare, ndoshta si imazhi më i vërtetë i Poetit të madh të Rilindjes që paraqitet tani, në mbyllje të vitit 2014, Vitit të Madh të De Radës.
Botuar me 28.12.2014 ne suplementin “Milosao” nga studiuesi i fotografise shqiptare. z. Qerim Vrioni