back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Triumfi i Legalitetit dhe Kuptimi i Tij Gazmend A. Bakiu

Gazeta

Ahmet Zogu përballë Fan Nolit
Ahmet Zogu përballë Fan Nolit

Triumfi i Legalitetit dhe Kuptimi i Tij

nga Gazmend A. Bakiu

24 dhjetori i vitit 1924, është shënuar në histori si dita e Triumfit të Legalitetit. Deri në vitin 1939, ajo përkujtohej si datë e rivendosjes së ligjshmërisë, por në periudhën e socializmit, historia u kthye përmbys dhe si vlerë u pa “revolucioni demokratiko-borgjez” i qershorit 1924. Pikërisht andej do ta nisim për të shtjelluar çfarë ka ndodhur në këtë segment të rëndësishëm të historisë sonë.


Gazmend A. Bakiu
Autori Gazmend A. Bakiu

Kryengritja e Qershorit 1924
Pas Kongresit të Lushnjes (janar 1920), Shqipëria ka përjetuar dy herë zgjedhje të lira. Herën e parë për Parlamentin në prill 1921, dhe herën e dytë për Asamblenë Kushtetuese në dhjetor 1923, kur kryeministër ishte Ahmet Zogu. Opozita nuk i fitoi dot zgjedhjet. Situata politike u acarua pas atentatit kundër kryeministrit Ahmet Zogu në Parlament (23 shkurt 1924), dhënies së dorëheqjes së tij (25 shkurt 1924), interpretimit politik të vrasjes së dy turistëve amerikanë (6 prill 1924) dhe plagosjes për vdekje të Avni Rustemit (20 prill 1924). Pas kësaj, opozita vendosi të marrë pushtetin me armë. Ardhja në pushtet ndodhi kryesisht si rezultat i rebelimit të Ushtrisë, në krye të së cilës u vu minoranca parlamentare, ndërsa – populli në veri e në jug, në male e në fusha, ka qenë kundër kryengritjes, – ka shkruar Sejfi Vllamasi, i cili ishte me kryengritësit (S. Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri, Tiranë, 2000, f.370).
Qendrat kryesore të rebelimit ishin Vlora dhe Shkodra, ku kleri katolik ishte kundër qeverisë, për shkak të çështjes së laicitetit në shkolla. Më 16 maj 1924, komandanti i garnizonit të Shkodrës, nënkoloneli Rexhep Shala doli hapur kundër qeverisë qendrore. Ai kërkoi dorëzimin e prefekturës, e cila u mor pas vrasjes në luftim të kapitenit Ferit Frashëri, më 31 maj. Më 24 maj, Bajram Curri filloi veprimet në prefekturën e Kosovës; më 25 maj ai mori Krumën, më pas Kalanë e Dodës, dhe marshoi drejt Dibrës. Në jug, veprimet u drejtuan nga nënkoloneli Kasem Qafzezi, komandant i garnizonit të Përmetit. Në forcat e tij u përfshinë edhe vullnetarë të shoqërisë “Bashkimi”, dhe së bashku iu drejtuan Fierit.

Ahmet Zogu dhe drejtues të Shtetit Shqiptar
Ahmet Zogu dhe drejtues të Shtetit Shqiptar

Më 27 maj 1924, kryeministri Shefqet Vërlaci dha dorëheqjen, dhe më 31 maj, kryeministri i ri Iljaz Vrioni mori votëbesimin nga Parlamenti. Vrioni nuk përdori forcën kundër kryengritësve, duke shmangur gjakderdhjen. Si rezultat, kryengritësit më 2 qershor morën Beratin dhe Lezhën, më 8 qershor Lushnjën dhe Peshkopinë, më 9 qershor Kavajën dhe më 10 qershor 1924, Tiranën. Dy ditë më parë, anëtarët e qeverisë dhe deputetët kishin ikur nga Tirana, ndërsa Ahmet Zogu u largua vetëm mëngjesin e asaj dite (Eqerem bej Vlora, Kujtime, Tiranë, 2003, f.513). Kryengritësit kishin fituar duke i dhënë fund demokracisë shqiptare.
Sipas Eqrem bej Vlorës (Po aty, f.515) dhe Sejfi Vllamasit (Po aty, f.380), në mënyrë qesharake, kryeministri u zgjodh me short: Në garë ishin Sulejman Delvina, Qazim Koculi dhe Theofan Noli. Fati i buzëqeshi këtij të fundit. Rexhep Shala u bë ministër i Punëve të Brendshme, ndërsa Kasem Qafzezi ministër i Luftës. Programi i qeverisë, i shpallur më 19 qershor 1924, përmbante një varg synimesh dhe dëshirash, të cilat qeveria nuk kishte as mundësi dhe as vullnet për t’i realizuar. Kjo qeveri është e vetmja në historinë e Shqipërisë, e cila nga historianët e regjimit komunist, dje dhe sot, gjykohet pozitivisht për “programin demokratik”, dhe hiç fare nga rezultatet, gjë që përbën një marrëzi më vete. Sa demokratike ishte kjo qeveri e tregon fakti se ajo qeverisi pa Parlament. Tre nga katër anëtarët e Këshillit të Naltë (Regjencës), i cili përfaqësonte kreun e shtetit ishin larguar. Nisur nga këto fakte, guverna e Nolit mund të quhet qeveri revolucionare, sido që kryengritja e qershorit 1924, nuk ishte kurrfarë revolucioni.
Asnjë shtet i perëndimit nuk e njohu qeverinë e krijuar, për arsye se kishte ardhur në pushtet me armë dhe i mungonte legjitimiteti. Më 10 shtator 1924, kryeministri Fan Noli sulmoi me një fjalim Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, duke i kërkuar njëkohësisht një ndihmë prej disa qindra milionë franga ari, të cilat nuk iu dhanë. Edhe takimi i tij dhe i Gurakuqit me Musolinin më 10 tetor 1924, në Romë, nuk solli asgjë. Ky i fundit nuk pranoi t’i ndihmonte. Kështu, qeveria edhe pa ndihma financiare, pa të cilat Shqipëria asokohe dhe më pas nuk bënte dot.
Pa legjitimitet, pa ndihmë financiare dhe pa njohje ndërkombëtare, qeveria e Theofan Nolit në kushtet e dështimit të plotë, hodhi sytë drejt Bashkimit Sovjetik, me të cilin kishte filluar tratativat që në korrik 1924. Qeveria sovjetike ishte e vetmja (veç Greqisë) që kishte njohur guvernën revolucionare. Më 16 dhjetor 1924, në Tiranë mbërriti përfaqësia sovjetike. E ndodhur përballë një reagimi të ashpër të Perëndimit, qeveria e Nolit u kërkoi sovjetikëve largimin nga Shqipëria. Por, ajo pas disa ditësh do të largohej edhe vetë.
Kryengritja e Qershorit 1924, është pa dyshim një ngjarje për t’u dënuar, sepse pakica parlamentare mori pushtetin me dhunë. Ajo nuk bëri gjë tjetër veçse varrosi demokracinë e brishtë, që ekzistonte në Shqipëri, në vitet 1920-24, dhe Triumfi i Legaliteti ishte pasojë. Por më përpara, le të lexojmë se çfarë shkruhet në arkivat ruse.

Noli në Lidhjen e Kombeve - Gjenevë 1924
Noli në Lidhjen e Kombeve – Gjenevë 1924

Në syrin e sovjetikëve

Është me interes të informohemi për këndvështrimin dhe për “interesimin” e sovjetikëve ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri në këtë periudhë. Libri “Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse”, Tiranë, 2006, i përgatitur nga Islam Lauka dhe Eshref Ymeri, sipas botimeve moskovite, hedh dritë në këtë drejtim.
Sipas dokumenteve, interesimi i Rusisë bolshevike për Shqipërinë rritet pas Kryengritjes së Qershorit 1924, dhe raportimet shtohen. Përfaqësuesi fuqiplotë i BRSS-së në Romë, K. Jurenievi njoftonte se që në pranverën e vitit 1924, “Palazzo Chigi dhe Fan Noli kishin lidhur një marrëveshje të fshehtë” për përmbysjen e qeverisë së Ahmet Zogut. Sipas Jurenievit, Fan Noli ishte krijesë e diplomacisë italiane, shërbimet e të cilit ajo i ka shfrytëzuar që nga viti 1917 (Dok. nr.1, f.29). Mirëpo, më pas sovjetikët vërejnë se “kryengritësit shqiptarë që erdhën në pushtet janë shumë më afër nesh” (Dok. nr.2, f.31), dhe më 15 korrik 1924 Jurenievi njofton se i ngarkuari me punë i Shqipërisë në Romë i dorëzoi një letër ku shkruhet: “Qeveria e re shqiptare e konsideron veten tejet të lumtur të vendosë marrëdhënie diplomatike dhe miqësore mes popullit rus dhe popullit shqiptar” (Dok. nr.7, f.35). Më 7 gusht 1924, në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste (bolshevike) të Bashkimit Sovjetik u vendos që “të emërohet përfaqësues fuqiplotë në Shqipëri shoku Krakovjecki” (Dok. nr.12, f.41).

Ndërkohë, sovjetikët vlerësojnë se “Shqipëria, praktikisht, për ne mund të paraqesë interes si një bazë territoriale për aksionin tonë politik në Ballkan” (Dok. nr.8, f.36), dhe më 5 gusht 1924 në Federatën Komuniste Ballkanike vendoset që “delegati i Partisë Komuniste Jugosllave Marinoviç dhe delegati i Partisë Komuniste Greke Maksimos, duke mbajtur lidhje të ngushta me njëri-tjetrin, duhet të marrin masa konkrete për krijimin e grupeve komuniste në Shqipëri” (Dok. nr.11, f.40). Në raportin e sekretarit të parë të përfaqësuesit fuqiplotë të BRSS-së në Austri, D. V. Bogomolov më 4 shtator 1924, thuhet: “Fan Noli është një prift ortodoks, por me tendenca të shumta liberale. Sidoqoftë, ai jo vetëm që nuk provon ndonjë ndjenjë tmerri nga fjala ‘sovjetët’, por madje interesohet së tepërmi për vetë sistemin sovjetik. Vitin e kaluar ai qëndroi rreth një muaj në Vjenë dhe na u drejtua disa herë me kërkesën për ta lejuar për të shkuar në Moskë. Ai, ç’është e vërteta, e argumentonte udhëtimin e vet me dëshirën për të hyrë në kontakt me kishën aktive, (e cila ishte pro transformimeve socialiste sovjetike, shënimi im G.B.). Ne i dërguam një kërkesë Moskës, por atij iu refuzua viza” (Dok. nr.17, f.47). Shënojmë se udhëtimin në Moskë, Fan Noli do ta realizonte në vitin 1927, me rastin e 10-vjetorit të revolucionit sovjetik.
Më 15 shtator 1924, Gjergj Dimitrovi njoftonte se “Presidiumi i Federatës Komuniste Ballkanike ka dërguar në Shqipëri një shok të besuar jugosllav, Antonio Grubishiçin, që e njeh situatën në vend, për vendosjen e lidhjeve me ithtarët shqiptarë të Internacionales Komuniste. Kemi shpresë se së shpejti do të kemi një bazë për krijimin e një grupi të vogël komunist në Shqipëri, i cili do të fillojë të zhvillojë një propagandë komuniste sistematike në radhët e punëtorëve dhe të fshatarëve shqiptarë” (Gjergj Dimitrov, Vepra 16, f.200, f.52).
Më 10 nëntor 1924, në Presidiumin e Federatës Komuniste Ballkanike, vënë re se “po shuhen iluzionet e masave të gjera të popullit ndaj regjimit të Fan Nolit” dhe se “e vetmja lëvizje rinore që është grumbulluar rreth gazetës “Bashkimi” përfshin në radhët e veta një numër të caktuar simpatizuesish të komunizmit” (siç duket këtu është fjala për shoqërinë “Bashkimi”, shënimi im G.B.). Prandaj Presidiumi konkludoi se duhet “të vendosen lidhje me ithtarët e veçantë të komunizmit, dhe të arrihet në krijimin e grupeve komuniste në Shqipëri, të cilat do të kenë detyrë krijimin e partisë komuniste” (Dok. nr.22, f.55). Në mbledhjen e 15 dhjetorit 1924 të Federatës Komuniste Ballkanike në Vjenë, Presidiumi e quajti të domosdoshme: “Në Jugosllavi dhe jashtë saj të demaskohen publikisht planet e Ahmet Zogut për realizimin e përmbysjes së pushtetit në Shqipëri” (Dok. nr.26, f.61). Në mbledhjen e 20 janarit 1925, u vendos për “luftë për përmbysjen qeverisë së tanishme” të Ahmet Zogut (Dok.nr.32, f.71). Në Berlin, më 15 tetor 1925, Fan Noli kërkoi ndihmën e Federatës Komuniste Ballkanike për të organizuar revolucionin, pasi sipas tij “mbarë Shqipëria po zien”. Por, përfaqësuesi i saj G. V. Çiçerin i thotë se “ne s’mund të marrim përsipër dhënien e ndihmës një revolucioni të tillë, sepse kjo s’është e lehtë”; në fund e këshillon Fan Nolin t’u drejtohet strukturave sovjetike në Vjenë (Dok. nr.50, f.90-91), gjë që në fakt ai e bëri.

Ahmet Zogu - Mbas shpalljes Mbret
Ahmet Zogu – Mbas shpalljes Mbret

Triumfi i Legalitetit

Në ditët e para të dhjetorit 1924, Ahmet Zogu – politikani më i rëndësishëm i kohës – e kuptoi se koha e përshtatshme për të rrëzuar qeverinë e paligjshme të Fan Nolit kishte ardhur. Ai kishte siguruar dekretin përkatës të anëtarëve të Këshillit të Naltë, dhe të qeverisë së Iljaz Vrionit (në mërgim), për të drejtuar operacionin, si dhe miratimin e Fuqive të mëdha, të cilat ishin alarmuar se mos Shqipëria po bëhej një qendër e bolshevikëve në Ballkan. Zogu hartoi një plan ushtarak, për një sulm që përfshinte gjithë hapësirën e kufijve shqiptaro-jugosllavë dhe shqiptaro-grekë. Në formacionet e tij kishte edhe oficerë (rusë të bardhë) të gjeneralit Wrangel (gjithsej 80 artiljerë, ndërsa sipas Faik Konicës 104).

Në mesin e dhjetorit, forcat e Ahmet Zogut kaluan kufirin e Mbretërisë Serbe Kroate dhe Sllovene dhe brenda ditës morën Peshkopinë. Kostaq Kotta hyri me trupat e tij në Kapshticë, dhe Myfit Libohova nga Kakavija. Rezistenca e forcave qeveritare ishte e pakët, për të mos thënë inekzistente. Kjo shpjegohet me dështimin e plotë të qeverisë së kryengritësve, prandaj askush nuk donte të luftonte për të. Ahmet Zogu ndoqi metodën e mosgjakderdhjes dhe thirrjes për t’u dorëzuar. Ai urdhëroi trupat e tij që vetëm të çarmatosnin forcat kundërshtare, t’u jepnin për të ngrënë, dhe t’i nisnin për në shtëpi. Kjo metodë pati sukses.
Qeveria e Fan Nolit dhe pasuesit e saj u larguan në Vlorë, dhe që andej ikën në Itali. Një gazetë e kohës shkruante se “…qeveria revolucionare, me vendimin e datës 25 dhjetor 1924, kishte marrë nga arka e shtetit 146.376,20 franga ari, për të paguar rrogat e nëpunësve të ikur…” (Indipendenca shqiptare, 17 janar 1925, f.3). Përfundin e “revolucionit”, Bernd J. Fischer ka shkruar se “qeveria e kishte humbur popullaritetin, mënyra se si ua mbathi këmbëve, si edhe fakti që Noli mori me vete arkën e shtetit me rreth 40 mijë stërlina, krijoi një përshtypje të përgjithshme negative në popull” (B. J. Fischer, Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, Tiranë, 1996, f.86).
Ahmet Zogu hyri në Tiranë më 24 dhjetor 1924, dhe e shpalli këtë ditë Triumfin e Legalitetit (Ligjshmërisë), pasi opozita e kishte marrë pushtetin me armë, duke qenë pakicë. Prandaj në pushtet u rikthye qeveria e Iljaz Vrionit, që ishte rrëzuar nga kryengritja e armatosur, më 10 qershor 1924. Iljaz Vrioni (1882-1932) ka qenë firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë në Vlorë, dhe pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës, kryeministër më 1920-21 dhe më 1924, dhe ministër i Punëve të Jashtme në vitet 1927-29. Siç na ka treguar, i biri, Jusuf Vrioni, (përkthyesi i Kadaresë) “…më 1946, varri i tij në Berat u prish nga anëtarë të rinisë antifashiste, të cilët pasi vodhën dekoratat dhe shkulën nga kafka e tij dhëmbët e florinjtë, i hodhën kockat në lumë!” (Jusuf Vrioni, Kujtimet e një europiani, Tiranë, 2008, f.53).
Duhet thënë se Ahmet Zogu shfrytëzoi konjukturat politike, dhe gabimet e kundërshtarëve të tij, për të rikthyer në pushtet qeverinë legale, duke i hapur në këtë mënyrë rrugën vetes drejt majës së shtetit. Ndër arsyet që Ahmet Zogu rimori pushtetin mund të rendisim: 1.Ai dhe grupi që e mbështeste kishin shumicën në Parlament, pra ishin legjitimë; 2.Administrimi i keq, anarkia dhe pakënaqësia që shkaktoi qeverisja 6-mujore e Nolit; 3.Mosnjohja ndërkombëtare dhe mosmarrja dot e asnjë ndihme të huaj, nga qeveria revolucionare. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike të qeverisë së Nolit me Bashkimin Sovjetik alarmoi Fuqitë e mëdha, dhe bëri që këto të fundit të aprovonin dhe të mbështesnin rikthimin e Zogut.
Më 6 janar 1925, Iljaz Vrioni dha dorëheqjen dhe kryeministër u bë Ahmet Zogu. Asambleja Kushtetuese (60 % e saj, e zgjedhur në dhjetor 1923), shpalli Republikën e Shqipërisë më 21 janar 1925, dhe më 31 janar 1925 zgjodhi President Ahmet Zogun. Më 1 shtator 1928, ai u shpall Mbret.
Me gjithë zhvillimet e mëvonshme, çdo vit, Ahmet Zogu përkujtonte Triumfin e Legalitetit, Ai dha urdhër për nxjerrjen e një medaljeje në përkujtim të ngjarjes, të cilën e titulloi “Shokëve të mi”. Nga ana tjetër, Zogu në krye të pushtetit ndoqi rrugën e paqëtimit, për ata që do të pranonin. Kështu, më 20 tetor 1925, me dekretin nr.490, ai shpalli faljen e përgjithshme dhe më 19 shtator 1928 shpalli një tjetër amnisti për të arratisurit politikë. Shumë nga kundërshtarët e tij, Zogu i ftoi të kontribuonin për konsolidimin e shtetit shqiptar, dhe jo pak prej tyre erdhën në Shqipëri, duke marrë poste të niveleve të ndryshme, (duke filluar nga ministra, deputetë, etj).
Më 24 dhjetor 1924, me Triumfin e Legalitetit nuk kishte fituar vetëm ligjshmëria, por Ahmet Zogut i ishte hapur rruga e pushtetit të pakontestuar, sepse vetë opozita kishte vrarë institucionin e zgjedhjeve të lira. Veç aftësive që ai kishte treguar, ndihma e vërtetë që ka pasur, kanë qenë gabimet e kundërshtarëve të tij. Pas Triumfit të Legalitetit, Ahmet Zogu qeverisi edhe 15 vjet të tjera, derisa u largua nga pushteti pas agresionit fashist të 7 prillit 1939.
24.12.2014
http://balkanweb.com/gazetashqiptare/triumfi-i-legalitetit-dhe-kuptimi-i-tij/

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.