back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

25 Vjetori i Demostratës së parë Antikomuniste në Shkodër

Gazeta

Shkoder - 14 Janar 1990
Shkoder – 14 Janar 1990

25 Vjetori i Demostratës së parë Antikomuniste në Shkodër

nga Fritz Radovani

14 Janar 1990 – 14 Janar 2015

Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…

Profesor Petro Fundo ka thanë për tiranin Enver Hoxha: “Diktatorët si ay, vazhdojnë për të sunduar edhe pas vdekjes!”
Kjo foto duhet të na zgjojë edhe natën për të na rikujtue at tirani të pashoqe që ka sundue dhe po vazhdon me robnue nji Popull në Europë, që luftën për Liri asnjiherë s’e ka pushue por, edhe ka derdhë gjak ma shumë se asnji shtet tjetër.
Ngjarjet e fundvitit 1989, në Rumani, ishin sinjali i zgjimit të pritshëm në Shkodër!
Maska e hipokrizisë së Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës, mbas prishjes marrveshjes me Shtrausin e Gjermanisë tue kalue në prehën të Honekerit Gjermanisë Lindore, dhe të gjitha perpjekjet e mshefta me Bllokun Komunist si dhe vendet islamike, kishin krijue te Shqiptarët bindjen se thanja e Don Lazër Shantojës në Janarin e vitit 1945, asht e padiskutueshme që: “Të gjithë komunistët janë tradhëtarë!”

Diktatori i Madh dhe diktatori i vogel... Me Stalinin
Diktatori i Madh dhe diktatori i vogel… Me Stalinin (fotomontazh)

Vransinat e zakonshme të Janarit në Shkodër, s’do të mundnin me i pengue rrezet e nji “dielli” që kishte perëndue prej 46 vjetësh në Shqipninë e Gjergj Kastriotit. Rinia e Shkodrës Martire kishte vendosë me u vetsakrifikue për Liri dhe Demokraci, por në një kah gati të harruem prej vitit 1945, kur kasapët e Jaltës e lanë nën robninë komuniste të shovenistëve sllavë të Titos, me shërbëtorin e tij anadollak Enver Hoxha.
Ishte pikërisht kahu i Atyne Martirëve që thirrën që në 1911 në Deçiq, përkrah Dedë Gjo’ Lulit të Hotit: “Duem një Shqipni të Bashkueme!”… “E duem Shqipninë si gjithë Europa!”
Ishte 14 Janari i 1990, kur Sheshi i Dëshmorëve në qendër të qytetit të Shkodrës kishte qysh në orët e para të mëngjesit disa mija vetë kryesisht të rij rreth monumentit të tiranit Stalin.
Fatkeqësisht, Partia e Punës e Ramiz Alisë, nji fanatik anadollak i pashoq, (pikrisht pse ishte i tillë pasoi Enver Hoxhën), me anën e Sigurimit të Shtetit kishte mbrrijtë me shmangë nga kjo Protestë në heshtje, një zonë të madhe të qytetit ku përfshihej Parruca, Xhabijej, Perashi dhe Dudasi. Komunistët atje i kishin dhanë Protestës ngjyrë fetare.
Ata persona që mendoheshin organizatorë të Protestës nji natë përpara u arrestuen nga vetë kriminelët zëvendësministri i mbrendshëm Zylyftar Ramizi, dhe kryetari i Degës së Mbrendshme të Shkodrës Çapajev Taçi, që vazhdonin me “zbatue” ligjin. U arrestuen shumë të rij nder të cilët kujtoj: Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rin Monajka, Kolec Hublina, Nikolin Thana, Tonin Dema, Flamur Elbasani, Nikolin Pergjini, Klaudio Daka, që mbasi u dërguen në Tiranë ku, u masakruen barbarisht në hetuesi atje, me urdhën të vetë ministrit mbrendshëm Simon Stefani, edhe u dënuen me shumë vite burg.

Ne Moske... Stalini dhe Hoxha (origjinali)
Ne Moske… Stalini dhe Hoxha (origjinali)

Në kët Demostratë të vertetë antikomuniste Ramiz Alia, u mundue me i dhanë edhe botës së jashtme idenë e nji organizimi nga Kleri Katolik, që porsa ishte lirue nga burgu, tue u mundue me fajsue edhe dy klerikët Don Simon Jubani, i njohun si antikomunist i pathyeshëm në Burgun e Burrelit, si dhe Don Zef Simoni, i liruem nga Burgu i Spaçit, ku pak vite ma parë ishin ekzekutue katër Heroj në Revoltën e atij kampi shfarosje.
Kur te Don Simoni ka shkue nji natë ma parë Ndrekë Bazhdari me i kërkue me shkue në Demostratë, Don Simoni i ka thanë: “Jo, mue nuk më lejohet që të vij se jam klerik dhe me që demostrata apo protesta ka karakter politik unë s’mundem me marrë pjesë. Po të ishte se do të protestojmë për lejimin e fesë, hapjen e kishave e objekteve të kultit, unë vij i pari me Ju, dhe nuk kam asnji kundërshtim”. (Dishmi gojore e Dom S. Jubani)
Sigurisht, u bane dhe arrestime tjera si vllaznit Haxhi, Kol Margjini, Paulin Palushi, Mati Prennushi, Leonard Kalaj, etj., që fatkeqësisht me emnat e tyne nuk mungojnë edhe shumë emna vajzash të reja, që nuk po kujtohen nga askush për Heroizmin e Tyne: “Pjesmarrës në Demostratën e Parë Antikomuniste me 14 Janar 1990, në Shkodër!”
Masat e sigurimit shtetit ishin nga ma ekstremet. Sjellja e Forcave Speciale dhe vendosja e armëve goditëse ndër tarracat e turizmit, PTT, Sahatit Inglizit, etj., pesë ambulancat e mbushuna me armatime para turizmit (i kam pa vetë me sy), apo forcat tjera në rrethina të Shkodrës të gatshme për kasaphanë, tregojnë etjen për hakmarrje të brumosun me nji urrejtje të pashoqe 46 vjeçare, e cila kish nisë në Janarin e Vitit 1945 me Prekë Calin, e që vazhdoi me zhdukjen e Demokratit Parë Shqiptar Mark Çuni, kur themeloi Organizatën e Parë Antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” në Shkodër në Maji 1945.
Demostrata e Janarit 1990, ishte vërtet Antikomuniste, sepse në gjinin e saj ajo s’pat “pulëbardha”… të cilat aty nga fundi i vitit u veshën me ato “pardysytë e bardha”.

Rini Monjaka (1950-1997)
Rini Monajka (1950-1997)

Që Ajo ishte e tillë e vërteton edhe qëndrimi i turpshem ndaj Heroit të Pavdekshëm, shkodranit Rin Monajka, i cili nuk ka asnji shenjë kujtimi tash 25 vjet në Shkodër!
Shkodranët nuk duhet të presin as nderime dhe as kujtime prej masakruesve të Tyne!
Le të mos e shkruejnë historianët kurrënjirresht për kët Demostratë Historike, mbasi edhe kjo asht në Nderin dhe Lavdinë e Rozafës Antikomuniste e Liridashëse!
Shkodër! Ti, kurrë mos e harro thirrjen: “E duem Shqipninë si gjithë Europa!”
Historia e Shkodrës Antikomuniste e shkrueme me Gjak Herojsh, asht e Përjetshme dhe e Lavdishme ndër shekuj të shekujve! Lavdi Herojve të Saj!

Melbourne, 13 Janar 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.