back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Pak dritë mbi figurën e Atij që “u martua me Shqipërinë…”

Gazeta

Sotir Kolea (1872-1945)
Sotir Kolea (1872-1945) 

Pak dritë mbi figurën e Atij që “u martua me Shqipërinë…”

Sotir Kolea (4 Shtator 1872 – 3 Korrik 1945)

Sotir Kolea (4 Shtator 1872 – 3 Korrik 1945) lindi në Berat. Ai qe leksikograf, folklorist, publicist, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare në vitin 1928. Drejtoi gazetën “L’Albanie” në Lozanë të Zvicrës në vitet 1915-1919 si dhe botoi “Një tufë proverbash” në 1944.
Sotir Kolean, shumë studiues e konsiderojnë si “Rilindasi i fundit shqiptar”, mbylli sytë, me 3 korrik 1945, në Elbasan në moshën 73-vjeçare, pas një jete plot përkushtim për çeshtjen shqiptare, nga rinia e hershme e derisa mbylli sytë. Kolea u largua nga puna si drejtor i Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, prej Ministrit të Arsimit në janar 1937, sepse nuk heshti për asnjë lloj skandali, që shoqëronte administratën injorante të kohës. Nuk gëzoi as pension, njeriu që mundi në 9 vjet të ngrinte në baza shkencore bibliotekën, të hapte dyert për lexuesit, t’u fuste dashurinë për librin dhe muzeun, që i pasuroi me fonde të shquara mjaft domethënëse për kulturën, gjuhën dhe historinë kombëtare
Ka lënë në dorëshkrim një fjalor. Në vitin 2002 në 90-vjetorin e Pavarësisë, Presidenti Alfred Moisiu e dekoroi Sotir Kolean me urdhrin “Naim Frashëri” i Artë. (Pashtriku.org 17 prill 2014)

Nini Haxhistasa - Mano
Nini Haxhistasa – Mano

Nini Mano, nji nga stërmbesat e tij rrëfen…

Ju jeni një ndër pasardhëset e intelektualit dhe atdhetarit Sotir Kolea, për të shtuar se jeni ndoshta e vetmja që ruani pjesën më të madhe të fondit të mbetur prej tij. Çfarë ruhet në fondin e Sotir Koleas dhe pse duhet të bëhet publik ai? Ç’mund të rrëfeni për botimet që dëshironi të realizoni lidhur me jetën dhe veprën e Kolesë…
Beratasi Sotir Kola (1872-1945) është një nga figurat komplekse për kontributin në shumë fusha, si patriot që luftoi për pavarësinë e Shqipërisë, në politikë dhe diplomaci kur rrezikohej çështja kombëtare, në kulture dhe publicistikë si autor i shumë replikave me diplomatë dhe qeveritarë  të huaj, në shkencat linguistike, në kulturën popullore. Në Arkivin e Shtetit, Fondi Kolea numuron rreth 20 mijë dokumente, mes të cilave, të periudhës patriotike deri në pavarësinë e Shqipërisë, letërkëmbime politike me patriotë të njohur, artikuj publicitikë ku debatonte me politikanët e huaj për ruajtjen e kufijve të tokës shqiptare. Aty janë disa fjalorë të punuar prej tij, një fond i madh fjalësh popullore, ose proverbat, siç i quante, deri  familjare, ku dallon kulturën, shpirtin e tij të dashur me të afërmit. Gjithë fondi Kolea u ruajt në bibliotekën e Elbasanit fillimisht, qytet ku ai mbylli sytë në 3 korrik 1945, për t’u sjellë më pas në Tiranë në Arkivin e Shtetit. “Sotir Kolea është i vetmi patriot, që nuk ndryshoi kurrë bindjet e tij politike përgjatë jetës” më ka thënë pak kohë më parë një historian shqiptar. Deri tani kjo figurë nuk është studjuar siç duhet, ndërsa fondet e tij janë përdorur pse jo, edhe janë përvetësuar nga shumë njerëz, deri dhe në botimet e fjalëve të urta, pa u cituar mbledhësi i vërtetë i tyre. Diku vetë Kolea e thotë: “…kam punuar 50 vite të jetës duke i qëmtuar një nga një”
Sotir Kolea, pasi mbaroi gjimnazin grek në Manastir, nisi si nëpunës në degën e Monopolit Francez të duhanit në Ohër, prej nga u transferua në Greqi, në fillim në Dhrahma e më tej, në Kavalla në vitet 1899-1902. Aty ra në kontakt me rrethet patriotike, krijon lidhjet me shoqërinë shqiptare të Sofjes, lidh miqësi me dy korçarë patriotë, Luarasi dhe Trebicka, pronarë të Shtypshkronjës “Mbrojtësia” Sofje. Kolea kontribuoi (deri sa ajo qëndroi e hapur), me ½ e pagës mujore në “Kasën e Shqipërisë”, një si tip arke në Sofje, e hapur nga shqiptarët patriotë për të mbledhur kontribute në të holla për çështjen kombëtare. Në moshën 19-vjeçare, Sotiri kishte mësuar t’i shkruante dhe t’i fliste 7 gjuhë të huaja: greqisht, turqisht, latinisht, frengjisht, bullgarisht, italisht, rumanisht, spanjisht, që më vonë, do t’u shtoheshin gjuhët angleze, arabike dhe ajo malgashe, pra plot 10 gjuhë. Në një letër që Jani Vreto i dërgon Koleas nga Bukureshti, datë 8 Qershor 1891, për këtë fakt, i thotë: “…u gëzuashë shumë që ke mësuar 7 gjuhë të huaja: hellenishten, turqishten, llatinishten, frengjishten, vllahishten, bullgarishten, ispanishten e judejve… Këto punë e bëjnë njerinë të madh, të squarë ndë mësim e dituri…”. Por janë qindra letërkëmbime të tilla deri në fund të jetës së tij. Në fakt, me një pjesë, por shumë të kufizuar të Fondit Kolea u njoha për herë të parë në vitin 1982 me rastin e 80-vjetorit të Pavarësisë, për një referat mbi figurën e tij që e referova në qytetin tim të lindjes, në Berat. Kujtoj historianin beratas, Prof. Kristaq Prifti që më tha: “Nini, ti duhet ta shkruash portretin e plotë të këtij patrioti të madh!”. Por aso kohe isha e re dhe më dukej peshë gati e pamundur që të merresha me një figurë të madhe poliedrike. Tani, që kur për muaj të tërë kam prekur gjithë Fondin Kolea, ku më kalonte para syve një veprimtari e shumëanshme e dajës së tim eti, Sotir Kolea, ndonëse nuk kam më frikë, më tremb vetëm mendimi nëse do t’ia dal ta bëj të njohur siç duhet këtë figurë? Fotokopjet e gjithë Fondit Kolea i kam dhe po punoj për një botim të plotë mbi aktivitetin dhe jetën e Koleas. Me fjalorët, proverbat, studimet historike të tij po punon stërnipi tjetër, Aleksandër Meksi. Të dy e quajmë një punë nderi dhe “japim llogari” në kuptimin e mirë përballë 15 stërmbesave dhe stërnipërve të dajës së prindërve tanë. Ne duam të gjithë që ta botojmë të plotë gjithçka la Sotir Kolea, sepse ai nuk u martua kurrë.
Aktiviteti i tij i shumanshëm politik, publicistik e dipolmatik, u zhvillua mes viteve 1890-1945, kur mbylli sytë. Në vitet 1890-1912 si sekretar i shoqërisë “Bashkimi” të shqiptarëve të Egjyptit, përpiqet për bashkimin e shoqatave të emigracionit për pavarësinë. Në periudhën 1912-1920, u  përfshi në politikën diplomatike shqiptare, punoi si publicist në gazetën  “L’Albanie”, që botohej në Lozanë, etj, ku trajton fort çështjet kombëtare. Në një artikull, datë 26 mars, 1920, akuzon kryeministrin e Italisë, Nitti për manipulimin e shtypit Italian rreth të vërtetës së sjelljes së Italisë ndaj Shqipërisë: “…Po djegia e Hormovës, Cervenit, apo Podgoranit si dhe gjithë ato trimëri dhe barbarizma të karabinierëve tuaj, për të cilat gazetat tuaja nuk thonë asnjë fjalë, mos vallë edhe ato hyjnë në kategorinë e “cose non vere?!” Komploti i heshtjes nuk mund të ndryshojë asgjë këtu. Ndërgjegja universale e ka formuar tashmë mendimin e vet dhe nuk i lejohet askujt, aq më pak shqiptarëve, që të kenë dyshime se si qeveria italiane e kupton të vërtetën dhe drejtësinë”.
Ka shumë artikuj shkruar nga Kolea ku del hapur në mbrojtje të interesave të Shqipërisë kundër politikës grabitqare të Italisë. Ai i bën thirrje ndërgjegjes së poetit dhe artistit italian Gabriele d’Anuncio që të pengojë etjen pushtuese të vendit të tij. Në Promemorjen që ja drejton në 29 qershor 1919: “Si mundet që një poet i etur për të vërtetën dhe të drejtën nuk e ka ngritur ende zërin e vet të fuqishëm për të protestuar kundër atentatit që burra shteti të verbuar nga synime të ulta, të mendojnë kundër pavarësisë dhe tërësisë së një vendi të vogël e në gjendje të vështirë..?”. Për 10 vjet, 1928-1937 drejtoi Bibliotekën dhe Muzeun Kombëtar, ndërsa në shuarje të jetës, nën kujdesin e mikut të tij Lef Nosi, boton të parin libër me proverba “Proverba” në vjeshtë të 44-ës, i pari i këtij lloji në Shqipëri.
Mbetet ndër emrat më kontribues te vlerave të vecanta në hartimin e disa fjalorëve shqip në frëngjisht, turqisht, fjalorin botanik, disiplinave të ndryshme shkencore dhe në zhvillimin e kulturës kombëtare, leksikografi, folklor, shkencat e natyrës, etj.
Në 1942, zgjidhet anëtar i Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare, krahas emrave të njohur në botën intelektuale si Nikolla Lako, Hasan Dosti, Vinçenc Prennushi, Odhise Paskali, Kristo Kono, etj. Puna më e madhe, më e plotë studimore, dashuria e vërtetë e jetës së Koleas, mbetet hartimi i 5 fjaloreve, më kryesori i gjuhës shqipe, ende i pabotuar. Punën për të e nisi në vitin 1905, duke përdorur metodën e krahasimit për çdo fjalë të shqipes me fjalorët më të mëdhenj të botuar në gjuhën greke dhe frënge.

Grupi i Bukureshtit
Grupi i Bukureshtit

Sotir Kolea, njihet si krijues i bazave në Bibliotekën Kombëtare dhe të Muzeut në Shqipëri, por dhe si zhvillues i shkencave gjuhësore. Si shfaqet ky kontribut i tij në dokumentet që ju dispononi?
Nuk ishte rastësi që kryeministri Ahmet Zogu në Janar, 1928, e zgjodhi Sotir Kolean drejtor të Muzeut dhe Bibliotekës Kombëtare pas propozimit të  Mit’hat Frashërit, mik i vjetër i Koleas, që njihte sa përkushtimin si patriot dhe publicist i guximshëm për çështjen kombëtare, edhe ndershmërinë, skrupulozitetin, pasionin e  një studjuesi të palodhur. Brenda fare pak viteve, Kolea ja doli të ngrejë Muzeun  Kombëtar, vendosi bazat e para shkencore, rregullat për menaxhimin e kulturës kombëtare në Muze dhe Bibliotekë. “Punërat e Muzeut”, siç i quan Kolea, i bënte të njohura pas udhëtimeve në çdo cep ku zbuloheshin sende të vjetra. Gjithçka ruhet sot në raporte të hollësishme shkruar me shqipen e vjetër të para Kongresit të Manastirit për ministrinë e Arsimit të asaj kohe, vendosjet e rregullave në çdo zbulim, kërkim, ruajtje objektesh muzeale, Kolea ja doli t’i “murosë” me këmbënguljen për hartimin e ligjit mbi Muzetë. Skrupuloz i njohur, ai ruante nga një kopje të shkresave që niste në Ministrinë e Arsimit, të cilat janë ruajtur në Fondin Kolea. Befasohesh kur njeh aktivitetin e tij për Muzeun, pasurimin, mbrojtjen nga shteti për zbulimet e  pasurive të fshehura në shekuj, kudo ku dilnin, qoftë dhe rastësisht në Butrint, Lezhë, Apolloni, Bicaj, Krujë, Shkodër, Berat. Po ashtu janë dhe historikët e qyteteve antike të Shqipërisë, etj, të shkruar prej tij.
Për kujdesin e shtetit për zonat arkeologjike aq të pakët, na e jep një përshkrim që Kolea bën në raportin me datë 22 Qershor, 1930 ku përshkruan rrugëtimin  aventuresk në Butrint, situatën, problemet e mbijetesës së zbulimeve arkeologjike dhe jetesës, merakun që cdo zbulim arkeologjik, jo vetëm që duhej ruajtur, por sidomos, nuk duhej lejuar që të ikin matanë kufirit shqiptar. Ai jepte edhe një vision i qartë për kthimin e Butrintit në qendër të vizitueshme nga të huajt dhe zhvillim të qartë ekonomik të fshatrave përreth. “…Gërmimet që bën z. Ugolini, duhen vëzhguarë nga afër. Një i dërguar i ministrisë duhet të ndodhet  ndë vend që ditën e të nisur të punimeve, gjer në të mbyllurit të çdo viti. çdo vogëlsirë që mund të zhduket lehtë, duhet të merret me shënim me të dalur ndë dritë nga toka dhe duhet vënë në ruajtje të një poste të ushtrisë, që ka dispilinë, vetëm urdhërin… çdo mënyrë tjetër të vepruari, nuk ka për të mbushur të plotë qëllimin e sigurimit të sendeve të zbuluara…”. Dyshues ishte për ruajtjen e pasurive që dilnin nga nëntoka, kur shkruan mbi kushtet për punën e Ugolinit, pasi ka vërejtur kalimin e disa objekteve përtej kufirit: “…Përveç këtyre, i duhet bërë e qartë zotit Ugolini të mos nisë paskëtaj punimet pa lajmëruarë me kohë ministrinë. Sa për punimet që bën, raportet duhen përcjellë në ministri për sendet e zbuluara. Kjo detyrë nuk është mbushur gjer mbë sot nga sa dimë, ose raportet janë endur, por për të tjerë… Edhe për të mbarturit e sendeve… ngjan të ndryshohet mënyra e veprimit. Me këto të mbartura, duhet të ngarkohet posta e ushtrisë, që me t’i shënuar një nga një, t’i përcjellë me rojë gjer në Doganë të Durrësit. Por dhe kjo doganë, të mos t’i lëshonjë ndë dorë të askujt, sic bëri vjet me dy arka të peshuara dhe të vulosura nga dogana e Sarandës dhe të dërguara në emër të ministrisë së Arsimit…”.
Punoi fort për pasurimin edhe të Bibliotekës, çka duket nga një një letër, shkruar në 1928 në vitin e parë të punës, patriotit Leonidha Naçi: “Punët i kam të shumta dhe sa vijnë dhe shtohen. Kanë hyrë këtë kohë 1.700 copë vivlla të ra, kam shpresë se do të nisë dhe godina e re. Qeveria është me vullnet të mirë për të përhapur diturinë. Me qindra të rinj janë dërguar në shkolla në vende të huaja, me qindra kanë marrë bursa në shkolla brenda vendit, në ushtri ka dalë ligji që çdo ushtar të mësojë të shkruajë dhe të mësojë dhe me mijëra janë fshatarët që dinë të këndojnë. Kjo është një ndodhi që duhet të shënohet…”.
Kolea u kujdes  për shtimin e numrit të librave dhe nga 4.000 që ishte numri i tyre në janar 1928, deri në 1937, kohë kur e nxorr në pension, Kolea e rriti fondin e librit me 14.000 tituj. Punoi me pasion në grumbullimin e dokumenteve të rëndësishme me vlera historike, që provojnë identitetin kombëtar, ndër to prezantimi i parë i dorëshkrimit të Kostë Beratit, historisë së origjinës së flamurit kombëtar, gjeti, mblodhi dokumente për Skënderbeun, të dhëna bibliografike për Shtjefën Gjeçovin, Vruhon, Vreton, Filip Shirokën, etj. Bëri kërkime në biblioteka të huaja për dokumente me vlera historike dhe kulturore për Shqipërinë. Mban datën 15 maj 1929 përgigjja e British Museum në Londër për letrën e Koleas ku mes të tjerave, shkruan: “nuk na ndodhen libra të don Gjon Buzukut, Luk Matrëngës dhe Pjetër Budit (Speculum confessionis)… por na ndodhen vivëllat si më poshtë; Don Pjetër Budi – Dotrina e Krishterë e vitit 1664, N1 3505, d 46; Frano Bardhi – Fjaluri lëtinisht-shqip, 1635 Ni. 628, d.28; Pjetër Bogdani – Cuneus profetarium” 1685 me Ni 3185, gh.19; “l’infallibile verita” 1691, Ni 4051, d.5; …kemi në gjuhë shqipe këto vepra: P.Francisco Maria de Lecce – Osservazioni grammaticalli nella lingua Albanese”, 1716; Johann Thunmanus një botim të 1774, Paisios greqisht 1778, Zef Guagliata “Dottrina e krishten’ e vitit 1873, nga Daniel Voskopoja “Fjalues mbë 4 gjuhë:greqisht, vllahisht, bullgarisht dhe shqip” viti 1902…”. Në një letër të 21 mars, 1936 drejtuar miqve Putra dhe Ejup Kraja në Lahorë (Indi), Kolea mes të tjerave shkruan “…kam t’ju shronj për një send që i përket thellë Shqipërijësë meqë gjendeni në atë vend. Puna është për ca fise të ngulurë në krahinën e Hunxhësë dhe në Kafiristan, që ndofta janë fise maqedonasish dhe shqiptarësh të vjetërë të mbeturë nga koha e Lekës së Madh. Kam mbledhur një vandak shënimesh për këtë …” Në 1930 ja doli të marrë dhuratë për Muzeun Flamurin e Kongresit të Lushnjes të vitit 1920 bashkë me 18 copë monedha të vjetëra të argjendta nga Veli Vasjani, drejtor i Strehës Vorfnore në Tiranë. Në 18, vjeshtë e dytë 1929, Kolea njofton se “profesor Gustav Wingand i dhuroi Bibliotekës 100 vivëlla në një arkë.”, ndërsa pasurohet me dhurata të tjera si harta gjeografie “Coste dell’Epiro – pjesa e Nartës dhe Prevezës”, “Parte del’Albania turca con Montenegro, Venezia 1789”, “Dalmazia”, “Corso delli fiumi Drino e Bojana”, “La Scanderbeide, poema heroico (signora Margherita Sarrocchi), Roma 1623; “Pouqueville – Histoire de la Regereration de la grece”, Bruselle, 1843; “Të falura meshe”, vepërë shqip e Gjon Buzukut, me fotografim të ksomëlësë që ndodhet në Vatikan, e shtypurë mbë 1555.”

Nji nga miqtë më të mirë të Koleas, Lef Nosi-tirane
Nji nga miqtë më të mirë të Koleas, Lef Nosi

Ai kishte lidhje dhe ruante raporte me një pjesë të mirë të elitës intelektuale dhe atdhetare të kohës kur jetoi, gjë që vërtetohet edhe përmes letërkëmbimeve të ndryshme mes të cilëve Mit’hat Frashëri, Lef Nosi etj. Cilët ishin miqtë e tij më të mirë dhe ç’mund të zbulohet për këtë, pjesë?
Korrespondencat me Jani Vreto, Thanas Tashko, Jani Vruho, Mit’hat Frashëri, Lef Nosi, Terenc Toçi,  Aleksandër Xhuvani, etj,  zënë fond të konsiderueshëm në Fondin Kolea, me këmbim idesh për çështje të kombit, kritika ndaj veprimeve spekullative të personave të ndryshëm në emër gjoja të atdheut. Pas vitit 1902, Kolea transferohet në Egjypt, si nëpunës në Monopolin francez të duhaneve dhe në kontakt me koloninë e shqiptarëve përfshihet me aktivitet të ngjeshur për çështjen kombëtare. Tërheq vëmëndjen për mprehtësi, urtësi dhe gjendet në drejtim të shoqërisë “Bashkimi”, ose “Vllazëria shqiptare e Misirit” ku punon me Dr. Adhamidhin, Logorin, Thanas Tashkon, Jani Vruhon, etje.
Në vitet 1912-1920, Kolea bashkëpunon me Ismail Qemalin, zgjidhet anëtar  i delegacionit shqiptar në Konferencën e Parisit dhe në Këshillin Administrativ franko-shqiptar në Paris. Në 1920, qeveria e përkohëshme e Vlorës, e ngarkoi mes anëtarëve të delegacionit shqiptar në Konferencën e Londrës dhe Sotir Kolean, si një nga aktivistët më të shquar patriot të kolonisë shqiptare të Egjyptit. Por ai nuk vajti për mosbesueshmëri personale për disa nga pjesëmarrësit në delegacion dhe kërkoi që ta kryesonte princi Fuad i Egjyptit, si princ me origjinë shqiptare. Në bindjet e veta, Kolea i qëndroi besnik idesë se “interesat në lojë janë kolosale” dhe se përçapjet e qeverisë së Vlorës, nuk do të mund të kenë sukses përsa kohë që në krye të  delegacionit shqiptar, nuk do të ketë një personalitet me influencë diplomatike, siç mund te ishte mbreti me gjak shqiptar i Egjyptit”.
Pas vitit 1920, duke kuptuar mosmarrëveshjet e mëdha mes forcave të ndryshme politike shqiptare, etjen për pushtet të gjithsecilit, i lodhur dhe i zhgënjyer, Sotir Kolea i kushtohet jetës private. Në një letër drejtuar Mit’hat Frashërit, në 25 Mars 1920, shkruan: “…kam frikë se do na mbetet zakon në këtë të lumtur Shqipëri se gjithë qeveritë që shkuan gjer më sot, hëngrën, pinë, lanë duart, e dolën!”. Sotiri u vendos në Madagaskar, e më pas, në Marsejë, deri në janar 1928 kur u emërua drejtori i Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar. Ka letërkëmbime me Margaret Hazllëk, gjuhëtarë të huaj, etj. Janë shumë të ngrohta letërkëmbimet edhe me Musine Kokalarin, që e quan Zonjëzë, e çmon për zgjuarësinë, aftësinë e saj për të shkruar, prej nga kuptohet se ishte mik në shtëpinë e saj dhe me të dy vëllezërit, që ja pushkatuan në Nëntor të 1944-rës në Tiranë.

Sotir Kolea - Rilindasi i Fundit
Sotir Kolea – Rilindasi i Fundit

Në jetën personale Sotir Kolea zgjodhi të mos martohet dhe të mos krijojë një familje të vetën. Megjithatë, a mund të zbulohet më tepër në këtë kënd personal të jetës së tij, nëse kemi parasysh marrëdhëniet e ndryshme që ai krijoi në ato vite? Çfarë dini ju në këtë drejtim?
Sotir Kolea, fëmija i parë i avokat Kristo Kolea, u lind në lagjen Goricë në 4 shtator 1872 (aty ku sot ndodhet 3-katëshi) dhe pas mësimeve të para në Berat, 9-vjeçar u vendos në Manastir pranë  xhaxhait Ilia Kolea, që punonte në administratën e monopolit francez të duhaneve “La Regie Des Tabac” në perandorinë turke. Mbaroi gjimnazin grek, nisi nëpunës në degën e Monopolit Francez të duhanit në Ohër, prej nga u transferua në Greqi, më pas në Egjypt, Madagaskar, Marsejë dhe së fundi në Tiranë. Kur Zogu e nxorri në  pension u vendos në Elbasan  ku kishte miq gjuhtarë si Lef Nosi, Simon Shuteriqi, Aleksandër Xhuvani, e të tjerë, me të cilët lidhej për punët e tij të fundit, fjalorët, proverbat. Im atë tregonte se kur e pyesnin përse nuk kishte krijuar familje, Kolea thoshte me të qeshur: “Jam martuar me Shqipërinë…”  dhe në fakt, gjithë pasurinë e përdori për atdheun dhe çeshtjen kombëtare. Jeta e tij kaloi nëpër shumë vende, por kam kuptuar se lidhjet me fisin nuk i shkëputi kurrë. Koha dhe sistemi që u vendos pas 44-ës, në fakt largoi shumë fiset dhe këtë e kam kuptuar nga letërkëmbimet e Sotirit me motrat, kunetërit, mbesat e nipërit por dhe me kushurinj të tij. Një ndër to është Lileta Kolea, mjeke gjinekologe, e para drejtoreshë e maternitetit në Athinë, që ndërtoi e shoqja e Venizellosit. Emri i saj është i shkruar në murin e nderit atje. Kolea ishte i dhënë pas fisit, prej tij ne kemi sot pemën gjenealogjike të Koleajve, fis i angazhuar me tregtinë e duhanit në shumë vende në Europë, deri në  Lindjen e Mesme.  Letrat e tij familjare japin emocione të forta pasi përmes tyre ne si stërnipër e stërmbesa kemi marrë shumë përgjigje mbi histori të ndryshme familjare, mbetur pa shpjegim, se qëmoti, burrat nuk jepnin shumë shpjegime për veprimet apo masat që merrnin. Nga letrat kam kuptuar se mungesën e një familjeje të vetën, Kolea e gjente deri dhe tek fëmijët e vegjël. Letrat që ja dërgon kunatit në Berat, Vangjel Haxhistasa, gjyshi i Margarita dhe Kristaq Tutulanit (edhe imi, natyrisht), janë shumë të bukura kur përshkruan mbrëmjet me fëmijë asokohe fare të vegjël, por që diskutonin si të rritur. Kështu i trajtonte dhe Sotiri, një sjellje kjo e pazakonshme për kohën. Diku qorton një mbesë se po bije preh e zakoneve të grave që nuk dalin nga dera, diku këshillon një nip për transaksione financiare të ndryshme, përshendet me simpati fejesën e një nipi me një vajzë mysylmane. Ka shumë letra në frengjisht me një mike, por ju lutem, mos prisni që tua them të gjitha në këtë intervistë.

Sotir Kolea i shkruan D'Anunzios
Sotir Kolea i shkruan D’Anunzios

Herë pas here, ju keni shkruar se ndaj Koleas në vitet e fundit të jetës së tij dhe pas vdekjes është treguar një padrejtësi e madhe, gjë që dëshmohet edhe me zhdukjen e një pjese të fondit të tij e jo vetëm… Pse kjo sjellje ndaj figurës së Koleas?
Në vjeshtën e trazuar të 44-ës  doli ne dritë “Nje tufe proverbash” e Sotir Kolea, botim i  shtypshkronjes se  shtetit “Atdheu”. Ishte koha kur Shqipëria ndodhej në udhëkryq, por si për ironi historike, të dy miq dhe të moshuar, atëherë kur fati i Shqipërisë për të cilën kishin punuar aq shumë për pavarësinë dhe mbrodhësinë, lëkundej mes udhëkryqeve të turbullt e të paqartë, u morën me kulturën shpirtërore shqiptare me punëra të nisura dhjetra vite më parë.  Autor ishte  Sotir Kolea, dhe me botimin  u morr direkt miku i tij më i afërt, Lef Nosi si dhe Zejaudin Kodra e Ali Asllani. Një vit më pas, të dy miqtë, Kolea dhe Nosi ikën nga jeta duke lënë pas arkiva të mëdha me të vërtetat historike për vendin dhe shumë punëra shkencore, ende të pabotuara. Në parathënie Kolea shpjegon me vargje: “Nuk bëra sa desha/ po bëra sa munda/ të muntjam më shumë/ të muntjem më mirë/ s’e linjam pa bërë”.  Pjesë e botës shpirtërore, por dhe ndjesia e një detyrimi për kulturën e panjohur kombëtare, kjo punë e jashtëzakonshme e kërkimit dhe grumbullimit të fjalëve dhe shprehjeve të urta shqiptare, nisur në agim të shekullit të 20-të që në emigracion, u kthye për Kolean në pasionin 50-vjecar kudo ku udhëtoi e jetoi ne Shqipëri, Oher, Aleksandri, Magadaskar, Lozanë, ku mblodhi me mijëra proverba. Vetë nuk mbeti i kënaqur për cilësinë e botimit, pasi skrupuloz për pastërtinë e gjuhës shqipe, nuk mundi  për shkak të kohës se kufizuar të korigjonte dhjetra gabime shkrimi. Mbante shpresë, se mund të arrinte t’i botonte të gjitha dhe këtë ja shkruan në fillim të 45-ës kunatit në Berat: “…nëse Zoti do që të kem aq kohë sa të mund t’i botoj të gjitha… këto nuk ishin ashtu siç i doja dhe siç ngjan të ishin për t’u pasur hije edhe gjuhës, edhe kombit… Me gjithë këtë dhe me gjithë brengat që kanë plakosurë jetënë, më thonë se proverbat u paskërkan pëlqyerë dhe miqtë që janë në këmbë të gjykojnë, më shfaqënë çudimin se nuk u shkonte ndë mëndje se shqipja të ketë kaq shumë proverba dhe kaq të pikasura për mënd e bukurijë… Tashti kam ndër mënd një punë më të gjatë, që miqtë e mirë më shtytën ta mbaroj dhe njëherë e më parë, se e kanë gjykuarë tepër të nevojshme. Të mos ishin hedhurë plumbat e gjermanëve gjashtë muaj më prapa, do të qe mbaruar qysh sot, por tani do mbesë për vitin që vjen, në patëshëm dritë…”. Por nuk mundi!
Kolea bënte jetë të mbyllur, me pak lëvizje. Shëndeti iu dëmtua dhe iu shfaqën sëmundje. Por pendën nuk e lëshoi nga dora gjer pak ditë para vdekjes për t’u shuar në 3 Korrik 1945, në krahët e mikut Mahir Domi, i cili shkroi edhe nekrologjinë për të.
U varros në varrezat e Elbasanit, i nderuar nga shumë dashamirës, miq e të rinj elbasanllinj. Pas varrimit familjarët e Koleas u përballën në banesën e tij me qera në lagjen Kala, me derën e dyllosur dhe një dryn bashkë me një punonjës të gjykatësë së Paqit të Elbasanit, që nuk i lejoi të hynin brenda, me arsyetimin se “këtu ka dokumente me rëndësi kombëtare”. Ikën për t’u rikthyer në 29 tetor 1945, ku një komision me ftuesin e gjykatës së Elbasanit, Sulejman Bedini, në prani të nipit Anastas Haxhistasa, një prej mbesave, avokate Erifili Bezhani, burrit të mbesës, Gavril Meksi u hap dhoma e dyllosur për të bërë inventarin. Të gjitha librat i kaluan Bibliotekës  në Elbasan “për ruajtje”, por të afërmit nuk gjetën thuajse asgjë as nga objektet personale dhe materiale të Sotir Koleas, deri as makinën e tij të shkrimit, ku kishte shtypur me mijëra fletë, pjesë të shumë punimeve dhe studimeve nga fusha nga më ndryshmet. Nipi dhe mbesa nuk mundën të merrnin vesh nga të pranishmit se ç’u bënë materialet shkresore, dokumentat dorëshkrimet, letërkëmbimet e patriotit përgjatë 57 viteve, mes të cilave, me patriotë shqiptarë, politikanë të vendeve më të fuqishme të Europës, deri edhe në Departamentin e Shtetit në SHBA përgjatë viteve 1909-1943, dorëshkrime të shumta me studime për leksigografinë, folklorin, për të cilin kishte mbledhur në 50 vjet plot 12.000 proverba, për botanikën, studime për Kanunin e Lekë Dukagjinit, për Camërinë, etj,  disa fjalorë dy gjuhësh të ndryshme, por dhe shumë objekte personale me vlerë që kishte Sotir Kolea.
Askush nga të afërmit e Koleas nuk arritën kurrë të merrnin përgjigje për zhdukjen e tyre të mistershme nga shtëpia ku jetoi rreth 15 vjet Sotir Kolea në lagjen Kala në Elbasan, që nga janari 1937, kur ministri i Arsimit, Shatku e nxorri, (më dëboi – shkruan për këtë veprim vetë Kolea), nga puna si drejtor i Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar.
Së fundi, si stërmbesë e Sotir Koleas duke studjuar e punuar për një monografi për të me fondin “Sotir Kolea”, nga më të mëdhenjtë që ka sot Arkivi i Shtetit, mbeta e befasuar kur lexova dhe mësova ndërhyrjet dhe dhunimet, me të cilat shteti komunist përdhosi pas vdekjes veprën e Koleas. Eshtë e frikshme mënyra se sa dhunshëm dhe fshehtas shteti, që u ngrit me luftë në emër të lirisë, mundi të hyjë në skutat më të fshehta të gjithçkaje në pronësi të patriotit Kolea, shkresave, studimeve, vëzhgimeve, deri tek një testament politik, shkruar prej tij në 17 mars 1935, në Tiranë dhe dorëzuar më pas tek një noter në Elbasan të mbyllur në një zarf të madh të dyllosur me katër vula me dyll të kuq me mbishkrimin: “të hapet pas 50 vitesh”. Testamenti politik i Koleas nuk është gjetur ende. Por për të gjithçka bëhet e njohur nga letërkëmbimi, ose më mirë, shkresë-këmbimet që gjenden në Arkivin e Shtetit, që mbajnë vitin 1948, pra 3 vjet pas vdekjes së Koleas. Janë fillimisht mes Institutit të Studimeve në Tiranë dhe Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit e më pas, vetë Kryeministrisë.  Një dosje e plotë me 34 fletë mban korrespondencën e zhvilluar mes këtyre dy institucioneve. Bashkë me 4 arkat me dorëshkrimet dhe shkresat e Koleas, kërkohet në mënyrën më të ulët që të gjendet noteri në Elbasan, tek i cili është dorëzuar ky zarf. Kërkohet informacion për qëndrimin e tij politik gjatë luftës dhe pas, në kohën e shtetëzimeve që po bën pushteti popullor.
Kërkohet që ky person të kontaktohet, të bindet edhe me forcë që të dorëzojë zarfin e mbyllur me katër vula të dyllosur me dyll të kuq. Kërkohet që  të hapet në mënyrë të padukshme dhe të lexohet Testamenti politik që kishte lënë patrioti Sotir Kolea. Gjithë kjo që i ngjan një historie “shtrigash” mbyllet më një shkresë të datës 4 korrik 1948, ku njoftohet se “janë dorëzuar arkat me 14 fletë të daktilografuara proces-verbalin e librave, shkresave”, të cilat më pas janë transportuar në Tiranë, pranë Institutit të Studimeve.

Kolea vdiq në krahët e Prof. Mahir Domit
Kolea vdiq në krahët e Prof. Mahir Domit

Në Arkiv kam mundur të gjej vetëm një letër proces-verbal të firmosur dhe vulosur nga drejtori i Bibliotekës në Elbasan, N. Baholli, në datë 6 dhjetuer, 1945 ku shkruhet se “Mora në dorëzim prej Mahir Domit dhe Nazmi Fagut në dorëzim të gjithë librat e shënueme në këto 4 lista për me i ruajtur në Bibliotekë. Shtoj se librat e sipërpërmendur janë të të ndjerit Sotir Kolea”. Ky proces-verbal mban një listë me 265 tituj, pjesa më e madhe libra të autorëve të huaj për Shqipërinë në gjuhë të huaja, italisht, frengjisht, greqisht, latinisht, shqip, etj.
Deri sot, askush nuk është në gjendje të tregojë ku “humbën” objektet personale të Koleas. Mes tyre kishte objekte të vjetra dhe me shumë vlerë, pasi Kolea ishte njohës mjaft i mirë i objekteve me vlera arkeologjike, historike, artistike, aq më shumë, që duke udhëtuar e jetuar nga një cep, në tjetrin nëpër botë, që nga Ballkani, Greqia, Egjypti, India,  Madagaskari, Zvicra, Italia, etj. Mjaftojnë letërkëmbimet familjare për të kuptuar pasionet e tij për çdo gjë të rrallë, nga objekte me vlerë, deri edhe tek lulet kudo në botë, që mblidhte, thante dhe  koleksiononte me shumë kujdes, për të kuptuar makthin e tij në çdo çvendosje, që  lidhej me transportimin e bauleve të të mëdha, plot e përplot.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.