back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Statuse të nji djaloshi me status pezull… Harilla Ibrahimi

Gazeta

Harilla Ibrahimi
Harilla Ibrahimi

Harilla Ibrahimi –

Statuse të nji djaloshi me status pezull… 

Flora Resulaj – Çela… më shkruan për Harillën

Përshëndetje Jozef,
Harilla Ibrahimin, djalin për të cilin të kam folur, ai që sipas meje shkruan e pikturon mjaft bukur, nuk e di nëse ke mundur të lidhesh e të komunikosh me të…
Harillën e njoh qysh fëmijë… e di që është i varfër, shumë i varfër… dhe mund të them pa frikë se ai për mua është një “Lul i Vocërr” migjenian… por një “Lul i Vocërr” i viteve Dymijë… Edhe lagja ku ai jeton është një lagje e zhytur skamje dhe fukarallëk… Një ditë ndërsa bisedoja me të e pyeta: Kush je ti? Dhe ai më tha: “Teta Flora si t’i përgjigjem kësaj pyetje?! Nga cila periudhë e jetës ta filloj, sepse Ju me njihni shumë mirë, qysh nga mosha 5 vjeç, kur u operova në spital nga bajamet dhe që atëhere peripecitë e mia s’kanë të sosur…” E kujtoj se në atë operacion Harrilla i vogël humbi dëgjimin… po edhe ashtu i dobët, i varfër dhe me cenin e dëgjimit… ai u rrit, u shkollua dhe filloi të shkruajë… dhe një ditë veç kur e shoh që nën sqetull mbante edhe një dosje me piktura… “Harilla, pse ti qenke dhe piktor!?” – e pyes jo pa habi… Ai qeshi me atë sinqeritetin e ëmbël dhe me naivitetin e tij ma pohoi kët gjë… dhe u përpoq të m’i tregonte pikturat e tjera përmes celularit… ç’të shihja një celular i vjetër e me ekran të thyer… vazhduam të flasim, sepse ai shkruan edhe në internet, e shpesh kur kam kohë i lexoj shkrimet dhe i shoh pikturat e tij… Më tregoi se kishte botuar edhe një libër nga Albatros Rexha… dhe se kishte gati një libër të dytë, një roman në fazën gati për ta botuar… “E përse bën fjalë?” -e pyeta ashtu kureshtare si gratë… Teta Flora – më tha – bën fjalë për tre botët në të cilat kalon Njeriu… Oooo Harilla, – i thashë – po shkruaj për dashuritë e Njeriut në Botën që jeton… dhe ai nisi të më shpjegojë me durim dicka në lidhje me psikoanalizën… Interesante, – thashë me vete… një “Lul i Vocërr” migjenian i ditëve të sotme, por që dallon nga ai Luli… se ky mundet ta shkruajë dhe ta pikturojë veten dhe botën…
Shpesh kur i lexoj shkrimet e tij aq dinjitoze, i komentoj me kujdes pse nuk dua të debatoj me atë ashpërsinë miqve të lagjes së tij të varfër, që më kalojnë shpesh zhurmshëm para Farmacisë… Po kanë edhe fjalor pak të vrazhdë…. por Harilla Ibrahimi është tjetër, krejt tjeter, ai është djalë që rrezaton mirësi, kulturë, talent… edhe pse ashtu i brishtë e i ndrojtur…
Nini, të kërkoj falje pse të ngacmova paksa me këtë shënim, po duke parë se Ti po bën punën e medias në Shqipëri, dhe se mediat këtu merren vetëm me politikën dhe liderat e politikës, mendova se ti duke i bërë pak vend Harillës, do t’ia pakësoje sado pak trishtimin e do t’ia shtoje mjaft shpresën këtij djali të talentuar, po fatkeq…
Të uroj gjithë të mirat
Mikja jote e vjetër, Flora Resulaj – Çela
31 dhjetor 2014

Flora Resulaj - Çela ne Venecia
Flora Resulaj – Çela ne Venecia

***
Kjo ishte letra e nji mikes time të vjetër, Flora Çelës, të cilën jo vetëm e lexova… po u ndala gjatë dhe u futa edhe në raport të drejtpërdrejtë me djaloshin 22 vjeçar, Harilla Ibrahimin. E trajtova me shumë vëmendje talentin e tij, dhe i shpreha edhe idetë e mia… duke u përpjekur  jo vetëm ta vlerësoj, po edhe t’i jap besimin tim… Biseduam (u shkruam) gjatë bashkë, dhe mund të them se tek ai gjeta nji fenomen në vlim dhe mendoj se mjafton fare pak që ai të realizojë staturën e nji artisti të vërtetë. U ndala vetëm te statuset e tija të këtij viti, dhe sinqerisht mbeta i mahnitur. Shkruan bukur, aq bukur; ndjen bukur, aq bukur; shkruan thjeshtë, aq thjeshtë; dhe është nji vetvete e rrallë, nji amalgamë poeti, filozofi dhe piktori… sigurisht në fazën e ngjizjes, ama premtues, bindës, kokfortë, krenar, i talentuar, i përvuajtur… tejet i përvuajtur… po mbi të gjitha Njeri… nga ata të paktit që shpesh shkelen me këmbë…
Paraqes para Jush Harilla Ibrahimin, ju gjykojeni atë… po më gjykoni edhe mua, nëse e kam tepruar në atë çka pashë vemendshëm te e përditshmja e statuseve dhe pikturave të tij…
Jozef Radi
21 janar 2015

Harilla Ibrahimi - Pavetdija
Harilla Ibrahimi – Pavetdija

Statuse te Harilla Ibrahimit

nga Muri i tij i Facebook

Jetojmë çdo ditë do ditë duke pritur diçka të re nga kjo jetë… Diçka që na bën të jetojmë çdo ditë… Gjithnjë presim kohën dhe çastin, orën dhe mundësinë…
Të gjithë vigjilentë në pritje…
Presim, pa e kuptuar se ato çka presim janë duke kaluar… dhe ne jemi duke i humbur ato…
15 janar 2015

Më pëlqejnë njerëzit që flasin me mendje… Por më tepër akoma më pëlqen ai njeri me mendje, i cili flet me shpirt dhe jo me mendje..
15 janar 2015

Dhimbja më bën të ndihem i plot…
Dhe ti, je pjesa e saj, të ndjej… Diku brenda mendjes sime, orvatesh ti ëmbëlsisht. Dua ti jap vetes një gotë shpresë. Të pi një pikë nga oqeani yt. Të ndjej pak lumturi, në këtë trishtim që ndjejnë sytë e mi. Zemrës t’i jap shkak për çmenduri. Një këngë të re, një notë që bie qetësisht në shpirtin tim, një fjalë… refren në veshët e tu, botën ta tregoj.
Me një shpatë mbi piano të persias si i marrë. Të thyej çdo notë, e të tregoj se ajo çka ndjej është më e fortë se melodia..
15 janar 2015

Harilla Ibrahimi - Belerina endrrimtare
Harilla Ibrahimi – Balerina endrrimtare

Botë psikopate… njerëzi e shtirur… tufë e krimbur… shpirtra të ngurtësuar, fytyra të maskëzuara… fantazma të ndyrësuara, ndjenja të hipokrizuara… personazhe të transform’qelbësuar…
E tillë është bota… një birucë në fund të ferrit…
Dhe ky është një mallkim i lindur!
15 janar 2015

Të gjithë papritur humbasim nga jeta persona të veçantë, një prej tyre është shkëlqesia jonë profesor Selfo Beqiri, i cili na helmoi me ikjen e tij nga jeta…
Bota humbi një burrë fisnik, një person me vlera të mëdha, i cili fitoi zemrat tona me cilësitë dhe virtyte të jashtëzakonshme… një shpirt plot flakërimë dhe vezullim, i cili shkëlqente me mirësinë dhe dashurinë nga oazi i shpirtit të dlirë. Një flakë që zjarronte nga çiltërsia dhe bujaria e një zemre të pandotur nga smirëzia…
13 janar 2015

Kur shpirti vritet, dhimbja fillon të bëjë punën e saj! Dëshpërimi orvatet në qendrën e plagës së hapur, me pas ankthi i përthan plagët, dhe kjo të helmon, ato çaste njeriu qan, me shpresën për ta shëruar veten, duke u mjekuar me lotët e vet… pa e kuptuar se trishtimi e pjek dhimbjen dalngadalë…
12 janar 2015

Harilla Ibrahimi - Në kërkim të qetësisë
Harilla Ibrahimi – Në kërkim të qetësisë

Të gjithë e gjykuan duke i thënë se ajo ishte një femër pa botë… ndoshta njerëzit nuk e kuptuan që ajo ishte një yll më vete, e ndarë nga bota..
12 janar 2015

Harroje vdekjen dhe të gjallët…
Kujto të vdekurit si jetuan kur ishin gjallë… dhe jeto si të ishe njeri prej tyre… Bëj gjera të cilat do doje t’i ndryshoje… mos thuaj kurrë s’mundem… Apo se është vonë…
Mundësia më e madhë është jeta që ke, dhe që të vdekurit s’e kanë më…
Nuk ka mundësi më të madhe se kjo…
Prandaj bëje jetën ëndrrën tënde të përjetshme, gjej opsionin e përjetësisë…
10 janar 2015

Do ta marr një grimcë nga ti, dhe për këtë me duhet të rrezikoj duke të treguar pak nga çmenduria ime… ç
10 janar 2015

Ajn’cel… indiferenca jote kulmon gjithçka… ti arrite të më pushtoje me mospërfilljen tënde… tani muza ime, lermë të të shkatërroj me heshtjen time… Kjo të frikëson ngaqë vëmendja ime ndaj teje të jep jetë, bukuri dhe forcën për të sunduar. Dhe unë do të t’i marr prap të gjitha…
Unë jam magjia jote e bekuar, por ti abuzove me magjinë që të dhashë duke të treguar pak nga bota ime. Tani më duhet të tregoj anën tjetër të magjisë sime, e cila do të jetë pendim për ty… Dhe për këtë më duhet të hesht…
10 janar 2015

Harilla Ibrahimi - Edith
Harilla Ibrahimi – Edith

Njerëzit humbasin nga frika e mendimit se mund të gabojnë… dëshpërohen nga ndjenja e pasigurisë, e mbi të gjitha i tremben jetës, sepse lejuan që në psikologjinë e tyre të hynin iluzionet! Kjo gjë i dëmton njerëzit, sepse iluzioni në masë të madhe kur përzihet me realitetin, arrin të kryej reaksion nga mbidoza e iluzioneve, e cila shkakton transformën psiko-emocionale… Nuk është e gabuar të iluzionohesh, pasi ajo është gjithçka në jetë: art, optimizëm dhe dashuri… Ajo është uji i jetës, e cila pihet me arsye aq sa për të shuar etjen… Jo më tepër, por me masë të caktuar pa e kaluar kufirin ku mund të mbytesh..
9 janar 2015

Dhe ranë mbi sytë e mi, grimca pluhujsh frymëzimi, bënë hije në dy sy, dhe u prehën në shpirtin tim, gjithçka që shoh përreth meje, më vjen t’i shkruaj në citate: dritë qiellit i mungon; nata hënën nuk e ndjen; zemra lidhur një me shpirtin; mendja ndodhet shumë larg… Një tablo kursen një frazë, ngjyrat fshehur nëpër fraza, fjalë zjarri thyejnë akullin, ngrohtësia humbet diellin, dimri vjeshtën e braktisi, dashuria në kujtime, e gjen librin e harruar, dikur dy trupa të përqafuar… sot të ndarë… e të vetmuar..
6 janar 2015

I dua ditët e ftohtësisë, e adhuroj natën e akullt nën praninë e hënës. E ndjej erën, e cila pështjell ngricën nën lëkurë, dhe nuk mundem t’i urrej… ftohtësinë e dëshiroj, më pëlqen kur e ndjej… Jam i gatshëm të zhvishem, e të shtrihem mbi copa akujsh… Sepse prej akullit u shfaq krijesa më e ëmbël. Muza e dimrit tim, Mbretëresha e Dëbores, andaj i dua ditët e ftohtësisë, sepse ato janë pjesëzat e Ajn’cel, dhe dua t’i bashkoj me copëzat e mia për të krijuar ajsbergun e dashurisë…
6 janar 2015

Harilla Ibrahimi - Ismail Qemali (mozaik)
Harilla Ibrahimi – Ismail Qemali (mozaik)

Endrra është një realitet i ç’akorduar…
Të paktë janë ata që e akordojnë realitetin në një ëndërr!!
5 janar 2015

Asgjë nuk ndryshoi… gjërat janë njësoj… bota po e njëjta, nata ishte aty, edhe dita aty ishte, edhe dielli në pezullin e përjetësisë, toka ishte e vetmja e cila kthente fytyrën në anët e tjera. Por, përsëri mbetet e njëjta. Ndryshonin veteëm njerëzit, të cilët nuk ishin më të njëjtit… Të tjerë vinin dhe të tjerë shkonin… të gjithë provuam të njëjtën botë, si ata që ishin, si ne që jemi, si ata që do të jenë mbas nesh…
4 janar 2015

S’më pëlqen kur thonë “Gëzuar Vitin e Ri…!”
Kjo gjë më tërbon… është një urim i ngurtë, i kotë, fals, një fjali fasadë…
ç’ti gëzosh vitit të ri në të vërtetë?! Kur çdo vit i ri fillon me mjerim? Për çfarë të gëzojmë?! Për tragjeditë e Janarit?! për vetvrasjet e shkurtit?! për hipokrizitë e marsit?! për gënjeshtrat e prillit?! për zënkat e majit?! për humbjet e qershorit?! për aksidentet e korrikut?! apo për grabitjet e gushtit?! për padrejtesitë e shtatorit?! për trishtimet e tetorit?! për zymtësitë e nëntorit?! apo për ngurtësitë e dhjetorit?!
Më thoni, për çfarë ta gëzojmë Vitin e Ri?!
30 dhjetor 2014

Harilla Ibrahimi - Pasion i prangosur
Harilla Ibrahimi – Pasion i prangosur

Kush është Harilla Ibrahimi

Harilla Ibrahimi ka lindur më 8.11.1992 në Vlorë. Ka mbaruar shkollën e mesme në Liceun Artistik të Vlorës “Naim Frashëri”. Më pas, në Universitetin e Arteve Tiranë vazhdon studimet e pikturës, për t’i ndërprerë më vonë. Përkundër ndërprerjes së studimeve, nuk hoqi dorë nga piktura, sepse e konsideron heqjen dorë prej saj si të heqësh dorë nga jeta! Fitoi çmimin letrar për të rinj “Ferhat Çakërri”, në konkursin e organizuar në Vlorë, në vitin 2013.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Edhe unë e njoh Harillën nëpërmjet Florës, nëpermjet poezive, nëpermjet statuseve e ndjek në CCdo gërmë që shkruan… Eshtë vërtet special… është ndryshe nga të gjithë ata që kam lexuar… nuk ka vetvlerëesim, fodullëk, hipokrizi. Shpesh e ndjej kristal, por një kristal të pathërmueshëm që i ka ngjitur fort grimcat e shpirtit dhe nuk i le të shpërndahen, sepse vlerëson jetën edhe pse për të jeta nuk ka qene aspak e lehtë, saqë ndonjeherë më duket sikur na jep edhe leksione për jetvt tona.
    Jozef, e them me bindje që është shkrimi më i ndjerë që ke bërë për talentet e penës dhe të penelit, shkrimi më special… ndoshta sepse i tillë është edhe djaloshi Harilla…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.