back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

De Moraes dhe rastësitë fantastike të njoftjeve… Jozef Radi

Gazeta

Vinicius de Moraes 1913-1980
Vinicius de Moraes 1913-1980

 Rastësitë fantastike të njoftjeve

nga Jozef Radi

Bankarelat e librave t’përdorun, janë nji prej humbakohjeve të mia ma të kandshme…
Nji ditë, ndërsa gërmoja dhe ndjeja at aromën karakteristike të librave të pashfletosun kahera, vrejta nji libërth të vogël me nji thelë të ndezun shalqini si kopertinë… Buzqesha!
Libri ishte mjaft i vogël e njajo thelë shalqini njaq e madhe e njaq e ndezun…!
Vazhdova me gërmue e me kqyrë ndër ata libra t’përdorun, po n’mendje m’kish mbetë njajo kopertina shalqinore etjeshuejtëse midis vere, e cila m’detyroi m’u kthye te ajo bashkë me vëmendjen përdore…
Ishte njifarë Vinicius de Moraesi!!! me 55 poezi t’vetat! As përkitas, ai emën s’ma kish shkelë mendjen… As pikë jehone kumbimi latin i njatij emni s’kish pasë ndoj herë ndër veshë të mi! E mora, njashtu qetsisht dhe nisa me e shfletosë ngèshëm, mbasi aty, nën hije të blinave s’po ndjehesh edhe aq fort vapa… Vinte prej nji familje të mirkenun… paksa ma i madh se im Atë… po kish vdekë shumë ma herët se ai… “Mirqenia aq gratë e bukra s’të ndihmonka me jetue gjatë, njashtu si as vuejtja e madhe s’të ngushton me hikë fort shpejt!”
Kishte qenë dipllomat… pra kishte shetitë botën! I kishte kushtue mjaft kohë muzikës… n’veçanti asaj popullore… Rio-ja ishte qyteti i ardhjes dhe i ikjes së tij prej kësaj bote, si brazilian e kishte dashtë furbollin Botafogon dhe Garrinchan… e ndërsa i shfletoja e i shfletoja faqet e njatij libri, që tashma m’ishte ngjitë mbas duersh, a thue se langu i shalqinit n’vapë e kishte ba të vetën…!!
Qesha, po pa e lëshue librin prej duersh…
S’di sa mund t’kem ndejtë njaty nën hije t’blineve, tue u shty faqe mbas faqeje… e tue u hutue gjithnji e ma shumë varg mbas vargu… Di që e paskam habitë shitësin e dikur m’u afrue qetësisht e m’foli si me dashtë me m’zgjue s’di prej gjumi a prej andrre…
As e pyeta për çmimin, po kur i shkova me portofol n’dorë, e pashë se ishte thuejse falas… (Si duket, ajo kopertinë ashtu kafe me at thelë provokuese shalqini, kishte aq shumë kohë aty sa e kish lodhë)
Edhe pse zheg me t’hikë truni, kopertina s’ia kishte trazue shpirtin askujt…e ai çmim i mbetun me lireta (t’harrueme) n’kopertinë, s’kishte joshë askënd… veç meje!!
Tash e kisha pronë temen kët libër t’mërzitun n’shoqni të gjanave t’përdoruna…

Prej asaj dite, Vinicius de Moraes gëzoi privilegjin që prej shpërfilljes njatje n’bankarelë, me ndejtë te koka e shtratit tem… e për çdo mbramje, si n’nji ritual, fletët e tij hapeshin qetsisht dhe m’i merrte jo veç sytë po edhe nji pjesë të shpirtit… e ma bante gjumit ma të lehtë, e m’shtynte me u marrë ma shpesh me të e sidomos n’koë të vshtira…
S’them dot sa herë i kam lexue poezitë e de Moraesit… veç di se njat libër sa ma shpesh e lexoja, aq ma shumë e shijoja, e mbas çdo here… ndjehesha edhe ma i zhytun thellë n’zjarrin e tij…
E jo veç vetë! Me kohë nisa me ftue edhe tjerë, me i qirasë edhe miq me langun ekzotik të poezisë së de Moraesit të Madh, derisa nji ditë të zhegtë vere, (prap vera në mes) besova se de Moraesi duhej me u lexue e m’u recitue edhe prej njasaj gjuhe që un i përkisja… sepse ai m’jepte hapsinë me e pasunue leksikun dhe verbin poetik, m’dhuronte fantazi dhe guxim me mbrritë edhe n’skutat ma të thella të shpirtit të tij po edhe sensibilitetit njerzor…
E kështu, prej njasaj vere, u ula bashkë me de Moraesin edhe mbas s’parës kafe bashkë, pimë dikur edhe nga nji gote birrë… e mandej e ftova me udhëtue edhe nëpër gjuhë shqipe… i sigurt se s’ka me ndodhë kurrë që ai t’pendohet prej kësaj ftese e prej ktij udhëtimi…
Sot, jam unë ai që duhet me iu gëzue ma fort botës magjike të de Moraesit, pse fillimisht aj ma pushtoi shpirtin, mandej mundi m’folë lirshëm… e tash edhe me ju edhe me tjerë ka me u ba i dashtun në kët t’vorfnën… gjuhën tonë!!!
jozef radi, 10 korrik 2011

Vincius de Moraes - 55 poezi
Vincius de Moraes – 55 poezi

100 vjetori i Vinicius de Moraes (1913 – 1980)

Katër poezi (nga libri “55 Kangë Dashnie”)

Soneti e devotshmënisë

Kjo grua që derdhet e gjitha, e ftohtë
n’krahët e mi rrëshqet, e me gjoksin
e saj më mposht, më puth, më mërmërit
vargje, premtime dashnie… edhe psallme

Kjo grua, kjo lule trishtimi që tallet
me drojen time të squllët, asht e vetmja
midis krejt atyne që u kam dhurue ledhe
që kurrë s’do t’doja t’ia falja nji tjetre…

Kjo grua që n’çdo dashni të saj shpall
mjerimin dhe lavdinë e gjithkujt që e dashuron
e që n’vetvedi ruen edhe shenjat e dhambve të mi

Kjo grua asht bota vetë! – Ndoshta, shfaqet
edhe si putanë, po n’korrnizë të nji shtrati
asnji grua s’mund të jetë ma magjike se ajo…
Rio 1937

Soneti i pendimit të thellë

Unë të dashuroj Mari, të dashuroj fort
aq sa gjoksi m’dhemb si prej ndonji sëmundje,
dhe sa ma shumë dhimbje ndjej aq ma e madhe
ma e fuqishme bahet magjepsja e shpirtit tim

Ashtu si nji fëmijë që rropatet me këndue
përballë misterit të pafundësisë pezull
ashtu dhe zemra ime si nji ninull turbulluese
përkund vargje të nji malli t’pafundmë…

Jo s’asht ma e madhe zemra se shpirti
dhe aspak ma e mirë prania se malli
veç dashnia, kur ia ndjen qetsinë asht hyjnore…

prej asaj qetsie përplot me përvujtni
sa ma shumë e kuptoj që je veç e imja
aq ma pak i amshuem ndjehem n’jetën tande…
Rio 1938

Epitaf

Këtu prehet Dielli
që krijoj agimin
që dritë i dha ditës
dhe mbramjes ushqim

Bariu i magjishëm
me duer hirëplota
pllenon trandafilat
e nji nga nji i çvesh

Këtu prehet Dielli
hermafroditi i ambël
dhe i dhunshëm, që

mbasi zotnoj format
e krejt grave të botës
ra dekun mbi detë
Oxford, 1939

Soneti i dashnisë së plotë

Të dua fort, shpirti im… po mos i këndo
zemrës njerzore me t’vërtetën ma t’plotë,
të dua si nji mike, si nji të dashtun
n’ato shfaqjet e tua gjithnji ndryshe…

Të dua pse ngjajmë, n’dashni të qetë e t’hirshme
të dua përtej gjithçkaje, përtej pranisë në nostalgji,
të dua n’fund të fundit me krejt forcën e lirisë
n’përjetësinë e çdo çasti që bashkë e ndajmë…

Të dua njashtu… krejt thjesht si bishë,
me dashni pa asnji mister dhe asnji virtyt
me nji dëshirë t’fuqishme e t’përhershme…

e duke të dashtë kështu, shumë edhe gjithnji
nji ditë befas mbi trupin tand kam me u shue
pse t’kam dashtë shumë ma tepër se kam mujtë!
Rio 1951

(Përkth. Jozef Radi)

Related Images:

More articles

5 KOMENTET

  1. ‪Elida Hysenbegasi
    Rastësisht e kam njohur dhe unë de Moraes,nga disa këngë me tekste të tij Bossa Nova Jazz dhe ishte vërtet një rastësi e mrekullueshme…
    Faleminderit për këtë sjellje shumë të bukur të zërit të tij, plot ndjeshmëri, pasion dhe jetë…
    (marrë nga muri i fb. 9 qershor 2014)

  2. Advie Hoxha
    Vinicius de Moraes!
    Zot! Kam shumë, shumë vjet, që e kërkoj kët poet. Në atë kohë isha gjimnaziste dhe kishim një konkurs të fjalës artistike. Rastësisht në një revistë “Nëntori”, (që dilte një herë në muaj), gjej një poemë, që më la pa frymë… Një poemë e shkruar me një pasion të paparë, një dashuri aq të madhe, sa nuk e përshkruaj dot, por edhe një revolte që mua më shkonte shumë për shtat… Di që fitova çmim të parë, plotësisht të merituar!! Këtë meritë më shumë ja vë asaj Perle, që nëpërmjet fjalës dhe artikulimeve të mia, kishte mbrritur tek spektatori, ashtu siç do të donte vetë i madhi poet De Moraes, që e mbyllte poemën me emrin e tij të madh, e që mua më është skalitur në mendje: Vinicius De Moraes!
    Të flm miku dhe shoku im i mirë, Jozef… dhe nëse në at librin tënd të vogël, ndodhet ajo poemë Aq e Madhe, ma bëj një shërbim të vogël… ma nis! (marrë nga fb.15.08.13)

  3. Pra pak ditësh Vinicius de Moraes, kangtar dhe poet i famshëm brazilian, kishte 33 vjetorin e vdekjes së tij, po njiherësh kët vit, me 19 tetor, ai ka edhe njiqind vjetorin e lindjes… Meqë prej kohësh merrem me poezinë e tij, e ndjej të domosdoshme ta them se me lexue de Moraesin, asht nji pasuni e pahumbun… asht si ta rijetosh dashunisë…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.