back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Parathanie e dramës “Dashunia me Birë në Zemër” e Gjergj Kolës

Gazeta

Autori Gjergj Jozef Kola
Autori Gjergj Jozef Kola

Secili prej nesh e ka nji poet…

Parathanie e dramës “Dashunia me Birë në Zemër”

e Gjergj Jozef Kolës

Çdo krijesë artistike, prej bestsellerit ma gjenial e deri te piktura apo muzika ma e arritun e kohëve, ka mbrenda vedit zemrën e nji mesazhi poetik. Kjo zemër rreh në tanë veprën dhe e mban të gjallë atë. Pa kët zemër poetike nuk ka asnji vepër arti, pa kët zemër poetike çdo vepër artit lind e vdekun.
Kështu… edhe në kët dramë mesazhi i zemrës poetike, dinamoja eletrike që e mban gjallë asht: Vetëm dashunia e ban të lirë egzistencën njerzore te individit dhe të qytetnimit.
Ky mesazh në dramën tonë përmblidhet në këto pak rreshta:

Unë jam nji rrjetë fluturash
që shkon tuj mbledhë ngjyrat e luleve
dhe i kthen ato në Fjalë, që ti kur t’i lexosh nji ditë
të marrësh të njajtën aromë të kohës së luleve,
se çdo zemër e ka nji birë të zezë
të cilën dashunija kërkon tanë jetën me e mbyllë.

"Dashunia me Birë në zemër" Kopertina
“Dashunia me Birë në zemër” Kopertina

Drama qindron e varun midis dy karaktereve. Ata e shohin jetën në dy kandvështrime të ndryshme: Njeni me aromë lulesh, tjetri me diarre. Seicili kërkon prej dashunisë, ashtu në mënyrën e vet me u lirue prej së kaluemes apo edhe me përfitue prej saj.
Kjo asht edhe Drama e kësaj pjese teatrale.
Mesazhi mbetet i përjetshëm: Vetëm dashunija e ka forcën me na lirue prej së kaluemes.
Personazhi i tretë që i mban të lidhun dy kryesorët asht nji poeteshë. Ajo dashninë e saj e kallxon gjithnji vetëm nëpërmjet poezisë. Kur Heroi i dramës flet për të, asht njilloj sikur njeriu të flasë mbi lulet dhe prej aromës së tyne e vizaton atë shumëngjyrëshe. Për kët ai vazhdon me jetue, vetëm nëpërmjet saj dhe poezisë së saj, të cilën ajo e ka mshehë gjithandej vetëm për të. Ajo asht nji poete e ardhun në botë vetëm për të… dhe seicili prej nesh e ka nji poet a poete… që ka ardhë në kët botë vetëm me i këndue zemrës sonë.
Gjergj Kola 2015

Foto nga Alfred e Iden Temali
Foto nga Alfred e Iden Temali

Botohet Drama “Dashunia me Birë në Zemër”

Prej shtëpisë Botuese Bilingual Verlag, sapo ka dalë krijimi ma i fundit i Gjergj Jozef Kolës drama “Dashunia me Birë në Zemër”, nji libër i shkruem në harkun e dy javëve dhe i botuem në harkun e nji mueji, i cili përfshin në vetvedi andrrën e pashlyeme të autorit me qenë pjesë e artit të skenës… Në libër kanë kontributin e tyne edhe dy Gjergja të tjerë: Piktori i njoftun Gjergj Pali ka nji kuadër të vetin, në kopertinën e punueme prej Gjergj Kolgjokajt me fotografi të Mirsad Bashajt. Në libër janë tv përfshime gjithashtu edhe 7 fotografi punuem mjeshtërisht me art të hollë nga atë e bijë Alfred e Iden Temali, me kromatikë në bardh e zi…
Dëshira e autorit, asht nji dhe e vetme: vumia sa ma parë të jetë e mundun e kësaj drame në skenë… Gja të cilën ia urojmë!
jozef radi

Dashunia me Birë në Zemër 2015
Dashunia me Birë në Zemër 2015

Intervistë e autorizueme

e nji biografie të paautorizueme…

Bisedë me Gjergj Jozef Kolën

Si mundet me ma përshkrue Gjergj Kola jetën e vet në dy rreshta? Gj. Kola: Vitet ’80 ishin ferri i jetës teme, ndërsa vitet ’90… parajsa e saj.
Le të ecim bashkë ma së pari nëper ferrin tand. Gj. Kola: Në vitet ’80, isha gjimnazist kur u arrestova bashkë me Nanën teme në Kishën e Laçit. Ishte qershor dhe mbaj mend se për herë të parë lulet e qershive m’u dukën të zeza. Prej aty na ndane simbas qyteteve nëpër Degët e Mbrendshme dhe na mbajtën nji natë në Degë. Na liruen… po prej aty nisi kalvari jem. Nanën e përjashtuen prej pune dhe organizata e partisë e dënoi për nji vjet në punë të randë, me la makinat në parkun e mallnave. Unë kalova në “Listen e Zezë”, Listë e cila u përdor sidomos nga Muho Asllani dhe Sulejman Bushati kur erdhën si Sekretarë të Parë në Shkodër.
Çfarë liste ishte kjo? Gj. Kola: Nji listë e Zezë, ku ishin të shënuem të gjithë të rinjtë dhe njerëzit që ishin kundërshtarë potencialë te Partisë. Thuhej se ata do të vriteshin të parët, nëse kishte nji sulm ndaj vendit. E kjo listë u përdor në kohën e Sul Bushatit për internimet e rinisë shkodrane “qafleshe”!!
E çfarë pasojash tjera pati familja juej? Gj. Kola. Vëllai jem i madh, Gjoni u përjashtue nga ekipi i futbollit të Vllaznisë ku kishte dy vjet që luente, mbasi ma parë kishte qenë golashnuesi ma i mirë i kampionatit të të rinjve në Shqipeni dhe u dërgue në Pukë.
Ndërsa me ty si shkoi puna? Gj. Kola: Unë u njofta me internimin njivjeçar në Kepin e Rodonit, në kuadrin e spastrimeve që baheshin në Shkodër prej komunistave.
Çfarë do të kujtonit sot ndonji ngjarje nga Kepi i Rodonit? Gj. Kola: Kishim nji operativ të quejtun Abdyl Rrapushi që dëshmonte nji urrejte të hapët për ne. Njiherë i thashë se: “…Na jena të rinj, “mustaqe pa dirsur”, na len të qetë në punën tonë!” “Ah, ju jeni armiqtë e klasës – tha – Ju na urreni ne ma shumë!!” Ai ishte bindun se ne ishim “Armiqte e pupullit”, njashtu si talebanët sot, që besojnë se gjithçka perëndimore asht haram, pra habitshëm… i njejti fanatizëm.
Dhe si i mbyllët ju vitet 80? Gj. Kola – Prej aty, kreva shërbimin ushtarak… Dy vite të humbuna me do tanke të prishuna kineze ku jeta jeme sillej krejt bosh e përpiqeshin me na e shpla trunin me epërsinë e ushtrisë sonë mbi atë kapitalisto-revizioniste. Prej aty mandej falë nji miku tim të fëminisë, Bujar Basha gjeta nji punë të mirë dhe demokracia më gjeti aty në atë punë derisa ndërmarrja falimentoi bashkë me socializmin.
Tash le të kthehemi te vitet ’90. Gj. Kola: Po nisën vitet e arta ku erdhi demokracia dhe sidomos në Shkodër ajo njohu edhe sensin e së drejtës, ku në shumë institucione u hoqën komunistët që kishin masakrue njerzit e pafajshëm për 50 vjet dhe u vendosën të tjerë, të ndershëm, të vuejtun. Unë u aktivizova me hapjen e shtypit demokratik shqiptar, sidomos atë të Institucioneve katolike, tuj i shërbye lidhjes së këputen të perlave të shtypit shqiptar, si Kumbona e së Dielës, Hylli i Dritës apo Librin e famshëm: Persekutimi i klerit katolik, ku jam edhe bashkautor.
Cila janë lidhjet e tua me besimin, tashma që institucionet fetare u hapen? Gj. Kola: Në fakt unë nuk kam qenë ndonji besimtar i zjarrtë, sepse në at moshë nuk kisha njohuni teologjike, porse si poet kërkoja patjeter nji eksperiencë transhendente. Kam besu atëhere edhe sot se pa nji forcë të tillë transhendente njeriu nuk mund të jetë kurrë as poet, as muzikant dhe as artist në përgjithsi.
Cila asht lidhja juej me teatrin? Gj. Kola: Kam luejtë prej moshës 10 deri në 17 vjeç në teatrot e qytetit të Shkodrës… kështu pasioni jem ka mbetë i lidhun me teatrin e në veçanti me Dramën… Teatri në nji farë mënyre në Shkodër ishte monopol, dhe drejtorët e tij ishin vegla të binduna të Partisë, e duke mos gjetë vend, mundem me thanë se skena asht dashunia e parë e shpirtave poetike, andrra ime e mbetun përgjysë
Çka don me thanë me krijue art për Ju? Gj. Kola: Me krijue art, domethanë në fund të fundit, ti kryen nji akt transhendent. Ky akt asht shumë ma i plotë se sa akti erotik.

Gjergj Jozef Kola "Dashunia me Birë në Zemër" 2015
Gjergj Jozef Kola “Dashunia me Birë në Zemër” 2015

Pse vendosët me u largue nga Shqipnia? Gj. Kola: U largova si pëllumbi nga Varka e Noes dhe jo si mijtë kur mbytet anija. Në Perëndim do të kisha shanse të mëdha dhe shumëçka e kam arritë sot si njeri dhe si shkrimtar unë ia detyroj arsimit të plotë që kam marrë në 2 akademitë që kam krye në Austri, asaj pedagogjike në Graz dhe asaj të formimit të përgjithshëm në Vjenë.
Tashme prej vitesh jeton në Vjenë me familje dhe punon tash sa vite si mësues. Çfarë raporti ka kjo me letërsinë tande? Gj. Kola: Bashkshortja ime Karla Martini Kola më thotë shpesh se unë jam Heinrich Heine i Shqipnisë, sepse njashtu si ka shkrue ai “Deutschland Ein Wintermärchen”- “ Gjermania – Nji përrallë dimni” tuj u ba ndergjegja e Gjermanisë, njashtu kërkoj edhe unë me u ba nji e tillë… “Shqipnia – Nji dramë vjeshte…”
E nëse Heine kishte receta për Gjermaninë e kohës dhe ironizonte gjendjen sociale dhe politike të kohës, cilat janë recetat e Gjergj Kolës për Shqipninë aktuale. Gj. Kola: Recetat e mia letrare janë te mbi 50 tregime të shkurta që kam shkrue dhe që paraqesin çdo karakter e situatë të demokracisë shqiptare. Ndërsa në rrafshin politik, une tham se e vetmja zgjidhje asht me pastru institucionet nga fryma anakronike-korruptive, që sundon në vend. Kështu duhet patjetër zëvendësimi i personave që janë kontaminue prej diktaturës dhe vendosja e atyne që kanë mbarue shkollat jashtë apo atyne që janë të aftë e kanë mbarue në demokraci në Shqipni.
Pse në gegnisht? Gj. Kola: Në fakt kam shkrue në fillimet e mia në standart, sepse edhe literatura që lexonim ishte ajo. Ndryshimi i madh “ala Paulus” ndodhi kur erdha në Perëndim dhe ndesha vllaznit kosovare, të cilët shtremnoheshin e shtërngoheshin me folë në standart. Nga ana tjetër në gegnisht merreshim vesht krejt normalisht dhe që atëhere u betova për gegnishten. Më vjen keq për shqiptarët jashtë kufijve shtetnorë, sepse përveç shtypjes serbe, kishin edhe shtypjen gjuhësore dhe sot simbas Ministrisë së Jashtme austriake kësaj shtypje po i shtohet edhe rreziku i terrorit islamik.
Ku e gjen kohën Gjergj Kola me shkrue, bien fjala edhe dramën e fundit “Dashunia me birë në zemër!”. Gj. Kola: I falemnderes familjes dhe profesionit të mësuesit, gjej kohën dhe shkruej… Edhe dramën në fjalë e kam shkrue midis pushimeve të festave të fundvitit, për dy javë.
shkurt 2015

 

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Gjithmonë kam menduar se një aktor që ka interpretuar në skenën e teatrit, ka ëndërruar ta shkruaj me duart e veta një vepër e ta vendosë në skenë, gjithmonë i është dukur dicka mangët në skenarët e regjizorëve apo autorëve që ka interpretuar… tani jam e bindur se kam pasë të drejtë… Gjergji dikura ka interpretuar dhe sot shkruan një material me synimin ta hedhë në skenë…
    Urime Gjergj!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.