back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Trebeshina: E di ku do vete dhe atje do të vete patjetër…!

Gazeta

    Kasëm Trebeshina & Jozef Radi - Tiranë 2002
Kasëm Trebeshina & Jozef Radi – Tiranë 2002

Kasëm Trebeshina:

“Unë e di ku do vete dhe atje do të vete patjetër…”

esse nga Jozef Radi (Arbëria 10, 1993)

Ka nji emër të thjeshtë dhe mbiemërin e të parit mal, të një prej vargmaleve të Jugut: Trebeshina. Si duket kjo lidhje e tij me malin ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e tij.
Te ky njeri, (ku ende rri i fshehur shkrimtari!!!) misteri dhe heroikja përbëjnë nji të vërtetë ende të pashpallur. O njena prej të dyjave!! Po kush e njeh sa dhe si duhet kët njeri, që ta kuptojë të vërtetën e tij!? Sigurisht mund të jetë heroikja ajo që përbën misterin e tij, po edhe misteri qe mund të përbëjë heroiken e tij…!!! Ndoshta… Ndoshta asgjë prej kësaj çka po rrekem të shkruaj për kët krijesë ende mistike… Ndoshta diçka tjetër… Eh, sa “ndoshta” kanë mbetur pas këtij njeriu te letrave…
Në nëntorin e ’44, ende pa mbushur të njëzetat, ai zbriste nga malet me fitimtarët… dhe ende pa e shkundur mirë pluhurin e luftës, ky idealist i lirisë do të ishte ndër të parët që do t’përplasesh me llogjikën vrastare të fitimtarëve, që për çudi shumë shpejt do të ecte në kah të kundërt me idealet e shumë prej atyre të “Luftës së Madhe!”.
Përballë verbërisë së “pushtetit të pakufizuar” dhe dorës së hekurt të diktaturës së proletariatit, ai preferoi besnikëri ndaj vetvetes dhe së vërtetës… me gjithë taksat që do të kishte nji zgjedhje e tillë!!!
Nga kjo përplasje, fillimisht lind poeti rrebel e më pas shkrimtari epope, që për çudi do të kishte aq shumë vepra… por për nji gjysëm shekulli asnji libër!!!
Falë shpirtit prej luftëtari të paepur, Ai i iku së pari grackës së konformizmit, ku mbeti shumica e shokëve të tij, të cilët me vetëdijen e nënshtrimit të plotë, pranuan të vetëflijojnë jo vetëm vlerat, por edhe mediokritetin e tyre në altarin e ideollogjisë!! Pas heshtjes së armëve, Trebeshina qe ndër të parët në betejën e idealve të dikurshme të rinisë. Mes studentëve në Beograd apo në Leningrad, ai do t’i kundërvihesh haptas Realizmit Socialist, Kulturës Sovjetike, edhe pse ajo ishte koka e botës komuniste. Kështu ai do të shpallej hapur si heretik me antisllavizmin e vet!
Në kët përplasje të hapur me Realizmin Socialist, nis edhe braktisja e madhe, duke filluar nga Partia Komuniste, nga Lidhja e Shkrimtarëve, nga botimet… e me rradhë konformizmin i shokëve, i të afërmve… duke shkuar me vetëdije drejt ndëshkimit, atij tmerri që e kishte emrin Burgu i Diktaturës. E ndërsa braktis fitimtarët, ai e përshkon Kavarin e gjatë të Vuajtjes, midis të humburve të dikurshëm, i bindur se dhuna dhe padrejtësitë janë të përkohshme.
Midis tyre, ai mendon se kjo tragjedi i shtynte ditët vetëm duke u ushqyer me viktima të pafajme… prandaj heronjtë madhështorë, duhej të ngriheshin prej humnerës e ta thërrisnin lirinë me çfarëdo çmimi…
Kasëm Trebeshina, mbeti ndër të parët që e shfaqi spikatshëm guximin e vet dhe e nderoi veten si intelektual me guxim dhe kurajo qytetare të jashtzakonshme… Si fisnik i sfidës dhe kalorës i lirisë së fjalës dhe mendimit të lirë, ai do t’ia përplaste në fytyrë dorashkat diktatorit demoniak me “promemorien e famshme”, e cila edhe pse do ta zhyste në humnerë e heshtjes dhe shpërfilljes, njiherësh do ta ngrinte edhe në piedestalin e lavdisë. Përballë hipokrizisë, verbërisë dhe nënshtrimit kolektiv, ai do të shfaqej ashtu kryelartë dhe kokëfortë, do të pranonte më lehtë të mbetesh një “frekuentues i rregullt” i burgjeve dhe terrorit të diktaturës, se sa nji puthador dhe servil i saj.
Edhe ashtu në heshtje, me “çmendurinë” e tij prej artisti, do të luftonte ta lartonte kështjellën e artit të vet. Kësaj periudhe i përkasin me dhjetra vepra, të cilat ende presin të shkundet pluhuri i një kohe, (tashmë të vdekur), po që ende pakkush s’guxon ta pranojë të vërtetën. Vepra e tij, me publikime krejt të pakta, vazhdon të mbetet edhe sot e kësaj dite thjesht një relike personale, pa mundur të mbrrijnë në duart e lexuesve, të nxënësve dhe studiuesve, pa pasur ende një gjykim kritik mbi krejt veprën e këtij njeriu të mbuluar me një heshtje dhe shpërfillje cinike.
Në misterin e artit të këtij shkrimtari, me profil dhe jetë heroike, sapo ka nisur fanepsja e një drite të zbehtë… Por Ai është i bindur se nji ditë do të rishfaqet sërish si fitimtar, por kësaj here në betejën e vështirë të Artit të madh. Dhe çudia e kësaj fitoreje është shpallur: Dy nga veprat tij: e para botohet në Kosovë… vëllimi me novela “Stina e Stinëve!”, kurse e dyta shfaqet në Francë: drama “Historia e atyre që s’janë”. Pra ky është absurdi që vazhdon ta mbështjellë ftohtësisht autorin Trebeshina, i cili tashmë jeton “i mërguar në atdhe…”, por që shpejt beson të kthehet fitimtar… Jo më si dukur kur zbriste nga malet duke shkundur dëborën dhe pluhurin e luftës, por nga betejat e gjata të dinjitetit, stoicizmit dhe heroikës së artit të vërtetë…
Trebeshina, ashtu si të ishte Mali, lëviz ngadalë, pa ngutje, si një sfidë e hapur ndaj cinizmit, egoizmit, shpërfilljes, konformizmit dhe mediokritetit, për t’u shfaqur hijerëndë me lartësitë e veta e më pas për të mbetur përfundimisht ndër korifejtë e lënduar të Panteonit të Letrave Shqipe…
Tiranë, 10 shkurt 1993 (Revista Arbëria, 10) – shkrimi eshte redaktuar ne 2013

Kasem Trebeshina (1926)
Kasem Trebeshina (1926)

Nga kronikat e ”Arbërisë” Jozef Radi

Me 2 shkurt 1993, në Qendrën Ndërkombtare të Kulturës, një grup studentësh dhe pedagogësh të Fakultetit të Filologjisë, nën sponsorizimin e z. Luftim Alliu organizuan një paradite letrare kushtuar botimit të veprës së parë të shkrimtarit disident Kasem Trebeshina: “Stina e Stinëve” prej shtëpisë botuese “Gjon Buzuku” në Kosovë. Në një auditor mjaft të interesuar referuan së pari Padër Zef Pllumbi, rektor i kishës françeskane dhe bashkvuajtës i autorit, “Shkrimtari që eci në rrugën e Golgothës”; Prof. Agim Vinca “Hyrje për një esse të gjatë mbi shkrimtarin disident”; Poeti dhe kritiku Rudolf Marku mori në analizë “Promemorie e Kasem Trebeshinës – drejtuar Enver Hoxhës”; ndërsa për mesazhin filozofik të novelës “Odin Montvalsen” foli studiuesi tashmë i njohur Aurel Plasari.
Biseda, e cila u ndoq me mjaft interes nga shumë të pranishëm, u shoqërua edhe me disa intervista. Ishte mjaft sinjifikative përgjigja e autorit: “Kjo bisedë ishte e parakohshme… është si të hysh në një dyqan dhe të marrësh mall veresie!?”
Vërtet, gjer kur do të vazhdojmë të flasim, të gjykojmë, të vlersojmë shkrimtarët pa i njohur realisht veprat e tyre? Deri kur!?
Tiranë, 3.2.1993
(marrë nga Arbëria 10, shtator 1993)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.