back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Bruno Shllaku: 40 vite punë për Festivalin e Berlinit!

Gazeta

Artisti Bruno Shllaku
Artisti Bruno Shllaku

Bruno Shllaku:

40 vite punë për Festivalin e Berlinit!

Pak ditë pasi “Burrnesha”, filmi në të cilin ai interpreton u shpall kandidat për Çmimin “Ariu i Artë” në Festivalin e Filmit të Berlinit, aktori i njohur Bruno Shllaku tregon për “Shekulli”-n emocionet e tij. Në një intervistë për gazetën, Shllaku thotë se, për të, përfaqësimi i Shqipërisë në një festival ndërkombëtar filmi “është një emocion i paprovuar kurrë”. Ndërkohë që filmi ende nuk është shfaqur për publikun, ai tregon diçka më shumë rreth personazhit që ka interpretuar duke uruar që, burrnesha, subjekti kryesor i filmit, të jetë diçka e tejkaluar me kohën për shoqërinë shqiptare. Nga ana tjetër Shllaku foli edhe për teatrin, se si e sheh ai teatrin shqiptar në këto momente. Sipas tij, teatri futet në krizë vetëm nga paaftësia, ndërkohë që kulturës i duhet bërë një shërbim më special, në mënyrë që të ruhet trashëgimia e mjeshtërve të mëdhenj që ka pasur arti shqiptar…

Teatri "Migjeni" i Shkodres
Teatri “Migjeni” i Shkodres

Zoti Shllaku, aktualisht vazhdoni që të bëni prova në Teatrin “Migjeni” në Shkodër. Por me çfarë po merreni konkretisht? Aktualisht jemi duke u marrë me një dramë të punuar nga Fadil Kraja “Kurora e dhimbjes”, njëkohësisht po merremi edhe me shkrimin, përpunimin e një komedie, të cilën akoma nuk e kemi titulluar, pavarësisht se një titull provizor e ka…
Si aktor në filmin “Burrnesha” do përfaqësoni Shqipërinë në Festivalin e Filmit të Berlinit, në garë për çmimin “Ariu i Artë”. Festivali do të zhvillohet nga data 5 deri më 15 shkurt. Si ndiheni për këtë garë, këtë përfaqësim? T’ju them të vërtetën, është një investim i imi, për rreth 40 vjet që jam në skenë bashkë me vitet ku jam angazhuar me teatrin e profesionistëve “Skampa” dhe teatro të tjerë… E kam pritur një ditë të tillë për shumë kohë, që të paktën të shfaqem atje ku janë gjërat e përbotshme, pra në festivalet e përbotshme. Vetëm paraqitja ime, me një fjalë, prezencën time në një film në festivalin e madh dhe botëror të Berlinit, unë e quaj një fitore të rëndësishme nga ana ime. Pale pastaj që për filmin është investuar shumë, si artistikisht, ashtu edhe moralisht, sepse është punuar shumë, që në momentin e parë kur regjisorja Laura Bispuri ka nisur nga puna… unë e falënderoj shumë për punën e saj, vërtetë profesionale, të mrekullueshme, për ne ishte një shkollë më vete puna me të… Fillova të ndiej emocionet e të qenit shumë afër këtij eventi botëror, sepse që në momentin e fundit që ishim, përpara 15-20 ditësh, që isha në Romë për të përmirësuar diçka, që nuk ishte mirë në aspektin e zërit, pashë kuadro nga filmi dhe automatikisht u binda që ky film, “Burrnesha” e meriton që të jetë në Festivalin e Berlinit, ndoshta-ndoshta edhe më tej se kaq. Emocione të tilla nuk i kisha provuar kurrë. Në të vërtetë mund të them, që kam një premierë të çuditshme emocionesh.
Filmi nuk është shfaqur ende në kinema, a mund të na tregoni diçka më shumë rreth personazhit që interpretoni? Roli i Gjergjit është një rol mjaft i rëndësishëm, i dashur shumë edhe për skenaristët, për të dy skenaristët, edhe për regjisoren, gjithashtu edhe për mua. Është një rol, për të cilin unë nuk do të kisha menduar ndonjëherë se do të më binte ta interpretoja. Është një rol i karakterit të tejskajshëm psikologjik dhe nuk është gjë e vogël, që një prind nën mangësinë e të qenit në shtëpi një trashëgimtar, një trashëgimtar që nuk është, sepse nuk ka një djalë… të marrë një vendim që vajzën ta kthejë në çun, edhe ta vërë që të mësojë që nga sëpata, ta vërë të përballet me jetën e deri te pushka, deri tek të shtënat me armë. Kjo shkon deri te mohimi i seksualitetit të saj. Ishte një rol me të vërtetë i jashtëzakonshëm. Shtigje që do të kishte dëshiruar çdo aktor që t’i shkelë. Në këtë këndvështrim pata fatin e madh, që punova me një staf të mrekullueshëm.
Duke qenë se jeni me orgjinë edhe nga Veriu, aty ku ky fenomen është ndier edhe më tepër, sa i përfshirë ndiheni në subjektin e filmit “Burrnesha”? Sa i përfshirë jam?!… Të them të vërtetën, unë nuk do kisha dashur të thosha nga Veriu, nuk do ta kisha përcaktuar kështu, domethënë nuk do ta kisha futur brenda kllapave të Veriut, por do ta kisha menduar si gjithëpërfshirës, si “gjithëshqiptarë”. Vetë kam pasur rastin që të rri edhe me burrneshën, të cilës i dedikohet edhe filmi dhe mund t’ju them se në të vërtetë janë ngjarje rrëqethëse dhe uroj që pavarësisht se janë unike në botë, unike deri diku edhe jetime, sepse nuk kanë as nënë e as baba, por vetëm në Shqipëri po guxuakan këto ndodhi, sepse në botë e shumta mund të bëhet murgeshë, ndërkohë që për çudinë e gjithë Europës, (burrneshat) janë kthyer në gjithçka duke mohuar çdo gjë e duke u kthyer në burra, në kostume, në vese, në të gjitha. Por… uroj që fenomene të tilla, që janë të rënda… që i takojnë një periudhe të mesjetës së hershme… që përbëjnë edhe subjekt skenarësh, romanesh, tregimesh apo poezish, por që në jetën e përditshme janë marrë si me pak… nuk di si ta emërtoj, por jam totalisht kundër këtij lloj fenomeni dhe duke qenë se edhe në rol, edhe në skenar këtë fat kishte ungji, që ishte ai që e shtyn vajzën të kthehet në një burrneshë… me sinqeritetin më të madh, në gjysmën time kam pas atë “ah sa mirë që kaluan këto kohë!”

Bruno Shllaku dhe Reshat Arbana
Bruno Shllaku dhe Reshat Arbana

Flasim për diçka më personale. Në rikthimin që bëtë nga Greqia në Shqipëri dhjetë vite më parë, patët një projekt madhor për krijimin e një teatri tuajin. Sa ka ecur ky projekt? Unë si çdo artist që ka ëndrrat e tij, vazhdoj të jetoj me atë ëndërr (krijimin e teatrit të tij). Është një ëndërr që… nuk do të iki nga skena pa qenë në teatrin tim. Ikja nga skena do të bëhet vetëm atëherë kur të kem themeluar një teatër timin. Unë vazhdoj me ato pak të ardhura që mund të merren poshtë e lart, jo me filmin, jo me ndonjë punë private që mund të bëjë, jo me ftesat që kemi gjithandej nëpër botë, jo në Amerikë apo Europë… po vazhdojmë të punojmë në mënyrë që të krijohet mundësia e një ekonomie, për të bërë një teatër të mirë e të fuqishëm, i aftë për ta thënë fjalën e vet, ashtu sikurse duhet thënë në një teatër.
Po gjendjen e teatrit shqiptar në përgjithësi si e shihni? Teatri shqiptar… nuk është në krizë, teatrot janë shumë të vështira që të futen në kriza. Sepse “buka” nuk mungon, autorët nuk mungojnë. Për shembull ne kemi autorë të jashtëzakonshëm, autorë të mrekullueshëm, pra… të dramës shqipe, duke filluar nga Fadil Kraja e shumë e shumë të tjerë. Por teatri shqiptar ka pësuar një deformim, një fatkeqësi. Teatri shqiptar është kthyer në një “rifugio in purgatorium” (strehë në purgator) në përgjithësi, ku njerëzit nuk kanë ku të shkojnë dhe e shohin, si diçka të mrekullueshme parkimin në teatër, që gjithkush mund të bëhet aktor dhe gjithkush mund të bëhet prijës…, këtu fillojnë rrugët ndahen me teatrin. Atëherë teatri do të futet automatikisht në krizë kur përmbytet nga të paaftit. Dhe të paaftë në teatrin shqiptar gjithandej ka kaq shumë, saqë nuk e dimë se kur do të jenë ato “salvagentet” (kamerdaret e shpëtimit) për t’i nxjerrë në tokë këta njerëz, mos me i lënë që të lundrojnë më në emër të teatrit, si njerëz të aftë në një kohë kur në mënyrë absolute nuk bëjnë kurrgjë, vetëm sa e degradojnë fjalën e madhe “teatër”. Ne nuk kemi asnjë lloj vlere në fizikën bërthamore, ne nuk prodhojmë as raketa, as anije kozmike. Ne shqiptarët i kemi dhënë provat se dimë të prodhojmë art. Frytet e artit shqiptar janë të mrekullueshme që në krye të herëve, me ansamblin e këngëve dhe valleve, djemve dhe vajzave të mrekullueshme që kemi gjithandej nëpër botë, sopranot, aktorët e mrekullueshëm që kemi. Ne duhet t’i bëjmë një lloj shërbimi më special kulturës, të cilën e kemi trashëguar me shumë fanatizëm nga mjeshtër të mëdhenj të skenës.

"Ariu i Artë" i Bienales së Berlinit
“Ariu i Artë” i Bienales së Berlinit

Keni punuar edhe me aktorë të rinj, në gjykimin tuaj sa të motivuar janë ata? Për çudinë time dhe të gjithkujt, ata që janë jashtë dyerve të teatrit janë shumë më të mirë dhe shumë më të devotshëm për të punuar në teatër sesa ata që janë rrogëtarë, që janë të punësuar në teatër. Këtu është diferenca e çuditshme. Një njeri që e do skenën, që punon për skenën, që e ka të trashëguar skenën, që i dhemb skena, që qan për të, nuk barazohet kurrë me kontingjentet e ardhura në teatër, të cilët nuk janë fare për teatrin. Ata që janë jashtë dyerve të teatrit, ata janë shumë më të mirë, pavarësisht se nuk kanë kryer asnjë shkollë, lëre pastaj nëse shkojnë në një shkollë aktrimi, me atë staf të mrekullueshëm që ka akademia jonë, kush e di në ç’aktorë mund të kthehen ata. Ata mund të kthehen në aktorë që në skenë mund të mos e kenë fare problem të përballen me të gjithë perlat e mëdha të dramaturgjisë botërore.

Biografi
Bruno Shllaku u lind në vitin 1956 në Shkodër. Ishte në moshën 11-vjeçare kur filloi aktivitetet e tij artistike në Teatrin “Skampa” të Elbasanit, teatër në të cilin punonte si regjisor i ati, Lec Shllaku, i vlerësuar me titullin “Artisti i Popullit”. Në vitin 1982 i bashkohet Teatrit “Migjeni” në Shkodër, ku interpreton në shumë pjesë të suksesshme sikurse “Gjaku i Arbrit”; “Çështja e Blertës” apo “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur” e të tjerë. Në fillim të viteve ’90 emigron në Greqi, ku qëndron për rreth 14 vite. Në Athinë hap një teatër për fëmijë. I rikthehet Shqipërisë në vitin 2004. Bashkëshortja e tij është Paskualina Gruda gjithashtu aktore, ndërkohë që këtë rrugë kanë marrë edhe dy djemtë e tij. Aktualisht është aktor dhe regjisor në Teatrin “Migjeni”.

Burrnesha - Pjese filmi
Burrnesha – Pjese filmi

Sinopsi i filmit “Burrnesha”
Filmi “Burrnesha” (Vergine Giurata), me regji të Laura Bispurit, sheh në qendër Hana Dodën (interpretuar nga Alba Rohrwacher), e cila braktis fatin e saj femëror duke ndjekur udhëzimet e ungjit (interpretuar nga Bruno Shllaku). Ajo i bindet Kanunit. Përqafon jetën e lirë si burrë me tashmë emrin Mark dhe bashkë me të, të drejtën për të pasur një pushkë. E gjitha kjo nën idenë e “virgjëreshës së përbetuar”. Por Hana pulson ende e gjallë nën rrobat e Markut, dhe pasi largohet për në një vend tjetër dalëngadalë zbulon trupin e saj përsëri. Ajo i hapet rastësisht një dashurie tё ndaluar dhe rizbulon veten më në fund.
Në rolet e bashkëprotagonistëve luajnë edhe aktorët: Flonja Kodheli, një aktore e re shqiptare, e cila zhvillon aktivitetin e saj profesional ndërmjet Francёs, Belgjikës dhe Shqipërisë. Ajo ka luajtur një rol episodik në filmin francez “Jashtë mureve”, i cili para dy vjetësh ka qenë pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Kanës. Më tej ajo luajti te filmi “Amsterdam Express”, si dhe rolin kryesor te filmi “Bota”, i cili vjet fitoi, si filmi më i mirë në seksionin “East of the West” nё Festivalin e Karlvy Vary-t. Luan Jaha një nga aktorët më të mirë nga Kosova në teatër dhe film, i cili përveç shumë roleve në teatër ka luajtur në filmat e suksesshëm “Kukumi”, “Tre dritare dhe një varje” dhe në filmin amerikano-shqiptar “Falja e gjakut”, i cili në vitin 2011 fitoi “Ariun e Argjendtë” në Festivalin e Berlinit. Ilire Vinça Ҫelaj një aktore e shquar nga Kosova. Aktore e filmit dhe teatrit, e cila ka qenë gjithashtu pjesëmarrëse te filmi fitues “Falja e gjakut”, si dhe te filmi “Bloodlands”. Në film marrin pjesë edhe dy vajza të reja nga Valbona e Tropojës: Drenica dhe Dajana Selimaj. Producente e filmit “Burrnesha” është Sabina Kodra.
25 janar 2015
http://m.botasot.info/kultura

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.