Visar Zhiti pritet nga Presidenti i Republikës Nishani
Pas rreth 60 minutash takim me Presidentin Nishani… Visar Zhiti zbriti shkallët e Presidencës rreth orës 11:00 të paradites së sotme, (16 shkurt 2015) me kokën ulur duke parë celularin e tij…
Si të mos mjaftonin gjurmët e viteve të burgut dhe të humbjes së djalit, dukej qartë që edhe biseda me Presidentin Nishani e kishte pezmatuar.
I përfshirë në një furtunë mediatike debatesh, me një mbështetje masive nga intelektualë, të majtë e të djathtë të komisionit të jashtëm, i vetmi që e refuzoi ishte kreu i shtetit dhe një reagim hezitues i kreut të Konferencës Ipeshkvnore.
Pas daljes nga Presidenca zoti Zhiti zhvilloi këtë bisedë me gazetaren e “Oranews”
Gazetarja: Për çfarë biseduat me Presidentin e Republikës? Visar Zhiti: Presidenti i ka bërë të njohura gjërat, nuk pata ndonjë gjë të re, ato që ka thënë në shtyp…
Gazetarja: I keni kërkuar të rishikojë qëndrimin e tij? Visar Zhiti: Jo nuk i kam kërkuar asgjë presidentit. Më thirri Presidenti, dhe ato që kishte thënë me shkrim, m’i tha dhe me gojë.
Pak ditë më parë në një intervistë për median Nishani deklaroi: Unë e quaj jokorrekte që një kandidat për ambasador në Vatikan të shprehet publikisht duke e konsideruar Kishën si inkuizitore…
Ndërkohë më 14 shkurt Nishani deklaroi: “Visar Zhitin nuk po e ridënon Presidenti. Visar Zhitin po e turpëron dhe riturpëron, dënon dhe ridënon Kryeministri përmes një kurthi, duke e kandiduar jashtë procedurave në pritje të refuzimit. Për Visar Zhitin nuk është ridënim të mos e bësh ambasador. Për Visar Zhitin është ridënim ta përdorësh për politikë…”
Me sa kuptohet Presidenti Nishani ja ka thënë në sy Visar Zhitit që nuk do ta dekretojë. Nëse ka qenë Kisha Katolike shkak, ish i dënuari politik ka një përgjigje dhe për të
Visar Zhiti: “Shqipërisë sime i kam shërbyer edhe në burg, kur nuk donte Shqipëria. Në burg kam qenë edhe me priftërinjtë e Vatikanit, me priftërinjtë e burgosur. Kemi bërë dhe festa e kungime të fshehta. Qëndrimi im nuk ndryshon. Qëndrimin tim nuk e përcakton Presidenti i tanishëm.”
“Më vjen keq për vendin që ka njerëz kaq të dobët… që nuk kanë interes të parë vendin por interesat e tyre vetjake!”. Dal duke thënë: O Zot mëshiroje Presidentin, se nuk e di çfarë bën…” përfundoi Visar Zhiti.
(Marrë nga gazeta Minerva, 16 shkurt 2015)
Besoj se kjo që po ndodh nuk ka nevojë për koment…
Unë e kam komentin tim për politikën shqiptare… jo për Visar Zhitin… Një politikë e kalbur si ai plehu i groposur që sapo ta hapësh çliron avuj që të paralizojnë deri në anestezi totale…