back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Ludwig Van Beethoven: Dy letra dashnie, nji gruaje të panjoftun…

Gazeta

Ludwig van Beethoven (1770-1827)
Ludwig van Beethoven (1770-1827) 

Ludvig Van Beethoven:

Dy letra dashnie, nji gruaje të panjoftun…

Nji Beethoven romantik, i shkruan nji gruaje të panjoftun…

Leter dashnie...
Leter dashnie…

Engjëlli im, imja e gjitha, vetja ime.
Veç pak fjalë për sot, madje edhe me laps (tandin) – pse s’jem i sigurt për banesën time deri nesër; Eh, sa humbje kohe e gjitha kjo! – Pse ky ankth i thellë, kur flitet për mundësina – dhe a mundet vallë dashnia jonë të kalojë pa sakrifica, e pa qenë nevoja që secili prej nesh të pretendojë gjithçka të tjetrit; a mundesh ti ta ndryshosh faktin se nuk je e gjitha e imja, dhe unë i gjithi yti? – Oh, Zot, kthehje shikimin tand te kjo Krijesë e bukur dhe jepi paqe shpirtit tand për atë çka duhet të ndodhë – Dashnia dëshiron gjithçka dhe ka arsyen e plotë me vedi, kështu ndodh me mua ndaj teje, po edhe me ty ndaj meje. – Por ti harron kaq lehtë se mua me duhet me jetue për vedi, po edhe për ty. Si të qe fjala për diçka e përbashkët… Eh sikur ta ndjeje edhe ti kët nevojë të dhimbshme… – Udhëtimi qe nji tmerr i vërtetë.
Kam mbrritë këtu, veç dje në katër të mëngjesit. E meqë kuajt ishin të paktë, diligjenca zgjodhi nji tjetër itinerar… Eh ç’rrugë e tmerrshme. Në stacionin e parafundit më këshilluen të mos udhëtoja natën, u përpoqën me nxitë frikën e nji pylli, po kjo s’shërbeu për asgja tjetër veç si inkurajim për mue – dhe qe e gabueme. Karroca përfundoi e shpartallueme prej njasaj rruge të tmerrshme, nëpër nji shteg të pafundmë fushe.
Mos t’i kisha pasë ata dy shoqnuesa, do të kisha mbetë midis rruge. E sa i përket rrugës tjetër, qe ajo e zakonshmja, Esterhazy me tetë kuaj pati po të njëjtin fat, ashtu si unë me katër – e megjithatë, në njifarë kuptimi, kjo gja m’dha edhe njifarë kënaqsie, siç më ndodh sa herë që fatmirsisht kapërcej ndonji pengesë! – Tash dëshiroj me kalue sa ma shpejt prej ngjarjeve të randomta te ato intimet. Jam i bindun se do të shihemi së shpejti; po mendoj se as sot s’do ta kem kohën e mjaftë me t’i shprehë krejt mendimet që kam bluajtë ditët e fundit të jetës sime – Nëse zemrat tona do të ishin gjithnji njena afër tjetër, me siguri s’do të më ndodhte me pasë mendime të kësaj natyre. Zemra ime asht përplot dëshira me ju thanë gjana të shumta – Ehhhh – ka çaste kur e shoh fjalën të pafuqishme me thanë atë çka ndjej. – Po ti përpiqu me qenë e kthjellët – dhe do të jesh, për sa t’jetë jeta i vetmi thesar besnik i imi, gjithçka e imja, njashtu si edhe unë për ty. Janë perënditë ato që duhet t’parashikojnë, se cili do mund të jetë fati jonë.
Besnikërisht i Juaji – Ludwig
7 korrik 1812

Leter Dashnie...
Leter Dashnie…

Në shtrat, krejt mendimet e mia tashma janë kthye drejt teje, herë gazmore, herë të trishta, në pritje të fatit që synon me i kënaqë ndjenjat tona, dhe dëshirat me jetue vetëm së bashku i shtrënguem mbas teje, e jo ndryshe; po, e kam vendosë me bredhë sa ma larg, derisa s’mundem me fluturue në krahët e tu dhe me u ndje krejt si në shpinë time pranë teje, me e lanë shpirtin tim njaty, të rrethuem prej qenies tande, e me hy sëbashkut në mbretninë e shpirtrave.
Meqë duhet të ndodhë kështu, dorzohem para jush, para së gjithash duke e njoftë besnikërinë time ndaj jush, e që asnji grua tjetër s’ka me e zotnue kurrë zemrën time, kurrë, kurrë!
O Zot, po pse duhet të jem larg prej atij objekti që më jep aq shumë dashni, jeta ime për V. tash asht në mjerim të plotë
Dashnia jote më ka ba ma të lumturin e botës, e në të njajtën kohë ma të trishtuemin e njerzve; në moshën time kam nevojë me jetue në mënyrë të shtrueme e pa trazime, po a mund të jetë e mundun kjo në gjendjen tonë?!
Engjëlli im, më thuej që posta punon të gjitha ditët, e kështu ta mbylli këtu, e t’uroj ta merrni kët letër, sa ma shpejt të jetë e mundun.
Ji e qetë, pse vetëm duke e soditë me qetësi ekzistencën tonë mund t’ja mbrrijmë qëllimit tonë – me jetue së bashku.
Ji e qetë – Duamë fort – sot – dje.
Oh sa mall, e sa ngashërim për ty, për ty… për ty, jeta ime, gjithçka imja.
Së shpejti… të lutem vazhdo me m’dashtë, e mos ndal kurrë së ndjemi at zemër besnike ndaj të dashtunit tand.
Ludwig
Përjetësisht i yti
Përjetësisht e imja
Përjetësisht të njeni-tjetrit
mengjesi i 6 luglio 1812,

Përktheu e përshtati në shqip Jozef Radi
marrë https://tonykospan21.wordpress.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.