back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

70 vjetori i Vrasjes së Shaban Polluzhës…

Gazeta

Shaban Polluzha vs Fadil Hoxha
Shaban Polluzha vs Fadil Hoxha 

Fadil Hoxha:

Pasi e likuiduam Shaban Polluzhën e qetësuam Drenicën

Shaban Polluzha ka mbushur 70 vjet prej se ishte vrarë nga komunistët e udhëhequr prej Fadil Hoxhës. Ky i fundit, sa ishte gjallë, kishte thënë se Shaban Polluzha ishte likuiduar dhe pas kësaj ishte qetësuar edhe Drenica. Madje, komunisti Hoxha kishte thënë se në likuidimin e Polluzhës kishin marrë pjesë edhe njerëz të Drenicës.
Fadil Hoxha, krykomunisti i Kosovës prej vitit 1943-1969, kishte rrëfyer ngjarjen e vrasjes së Shaban Polluzhës dhe ushtarëve të tij.
Në librin e Veton Surroit “Fadil Hoxha në vetën e parë”, kishte treguar versionin e tij për vrasjen e Polluzhës dhe anëtarëve të tjerë të Çetës së Drenicës, më 21 shkurt të vitit 1945, shkruan Gazeta Express.
Hoxha kishte thënë se kur ishte likuiduar Shaban Polluzha ishte qetësuar Drenica. “Ne luftë u vranë shumë njerëz tanë. Kjo ka zgjatur afër një muaj ditë, qetësimi i situatës në Drenicë afër një muaj e kusur. Lufta kundër asaj njësie, siç quhej të Shaban Polluzhës, një pjesë e të cilës shpejt është shpërndarë ka ikë, por një pjesë e tyre kanë luftuar kundër nesh, sidomos Mehmet Gradica edhe të tjerë, si dhe Shabani. Ashtë vra Shabani, asht vra i biri. Kjo ka zgjatë nja një muaj ditë, por aty janë vra bukur edhe do partizanë tanë. Nuk e di numrin taman. Me likuidimin e këtij grupi të Drenicës gati është qetësue Drenica. Deshta me të thanë se edhe populli i Drenicës, një pjesë e madhe e tij, ka marrë pjesë me ne, mbasandej kundër këtyre. Kështu që kjo asht jashtëzakonisht me rëndësi përndryshe do të kishim probleme edhe masandej në Drenicë”, thotë Fadil Hoxha, cituar në librin e Veton Surroit, në intervistën e tij të dhënë përmes magnetofonit Rexhai Surroit, në gusht të vitit 1963.
Sipas versionit të Hoxhës, Shaban Polluzha e kishte thyer marrëveshjen me komunistët dhe nuk kishte mbajtur premtimin për ta çuar Çetën e Drenicën në frontin e Sremit, aty ku luftohej mes gjermanëve e komunistëve, në kuadër të luftës së dytë botërore.
Sipas Hoxhës, Shaban Polluzha me ushtarët e tij ishin pajtuar t’iu bashkoheshin komunistëve dhe të merrnin pjesë në frontin e Semi, në Serbi, ku po luftohej kundër gjermanëve.
Mirëpo, kur çeta e Shaban Polluzhës po kalonte prej Drenicës për në Podujevë, duke shkuar për në frontin e Sremit, qindra banorë të Llapit kishin kërkuar Polluzhës dhe ushtarëve shqiptarë të mos shkonin në Serbi e të lënin qytetet e Kosovën në dorën e komunistëve shqiptarë e serbë.
Dhe, kështu edhe kishte ndodhur. Luftëtarët e Shaban Polluzhës ishin kthyer në Drenicë, ku pastaj ishin vrarë nga komunistët e Fadil Hoxhës.
Para se të vdiste Fadil Hoxha ishte bërë anëtar nderi i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ishte varrosur me nderime nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cila kishin qenë trashëgimtare të UÇK’së.
Para pak kohësh, qyteti i vetëm në Europë, Gjakova kishte nisur procedurat për nderimin e një komunisti, siç ishte Fadil Hoxha. Madje, ishte paraparë ndërtimi i bustit të tij midis Gjakove. Ky projekt ende nuk është realizuar.
Ende nuk ekziston në Kosovë një dokument me të cilin dënohen krimet e komunizmit. Ka pasur disa përpjekje por kanë dështuar edhe në Parlamentin e Kosovës për të nxjerrë një Rezolutë me të cilën do të dënoheshin krimet që kanë ndodhur në kohën e komunizmit.
http://botasot.info/kosova 22 shkurt 2015

Shaban Polluzha (1871-1945)
Shaban Polluzha (1871-1945)

Kush ishte trimi Shaban Polluzha

Shaban Polluzha lindi më 1871 në fshatin Godanc të Drenicës. Rrjedh prej një familjeje të varfër, e cila mezi siguronte kafshatën e gojës. I ati i tij ishte shpërngulur përkohësisht nga Polluzha në Godanc, ngase kishte marrë më shumë sipërfaqe toke nga bregu i atij rajoni. Familja e tij sërish kthehet në tokën e mëparshme në Polluzhë. Shabani qysh fëmijë ishte kacafytur me problemet e luftës për ekzistencë. Në këtë kohë sheh format e vrazhda të eksploatimit të fshatarësisë në Drenicë nga sundimi turk, e më vonë edhe nga ai serb, bullgar e austro-hungarez, dhe sërish nga ai serb.
Si i ri, shpeshëherë kishte rënë në konflikt me njerëzit e pushtetit. Duke provuar këmbënguljen e tij në mbrojtjen e interesave të fshatarësisë, rrethi i Polluzhës në kohën e pushtimit bullgar, e zgjedh përfaqësues të vetin (çaush).
Polluzha aso kohe gjendej në vijën kufitare të pushtimit austrohungarez. Shaban Polluzha nuk mbante mbikqyerjen vetëm në zonën pushtuese bullgare, por shpeshherë dilte edhe në anën austro-hungareze për të parë se si jetonte populli në atë pjesë. Përderisa pushtuesit bullgarë bënin zullum të madh në pjesën e vet mbi fshatarë, në anën tjetër pushtuesi austro-hungarez ishte më i matur dhe mundohej ta përfitojë sa më shumë popullatën vendase, duke përfillur deri diku të drejtat kombëtare, dhe duke hapur shkolla në gjuhën shqipe.
Kur Kosova pushtohet sërish nga Serbia, Shaban Polluzha ngre zërin kundër këtij regjimi. Për rezistencë që i bën, ai burgoset në Skenderaj dhe Mitrovicë.
Në vitet 1920, bie në kontakt me Azem Bejtën. Për disa çështje kishin pikëpamje të kundërta. Më në fund merren vesh për veprim të mëtejmë. Shaban Polluzha në këtë periudhë ishte zgjedhur kryetar komune në Polac.
Në Luftën e Dytë Botërore, në kohën e pushtimit italian, burgoset me gjithë familje në kullën e Sheremetit në Pejë më 1941. Merr pjesë në mbrojtjen e kufirit në Rozhajë, e pastaj me brigadën e tij shkon në Jeni-Pazar për t’i mbrojtur myslimanët e asaj ane nga çetnikët, që në atë kohë bënin reprezalje të mëdha, duke i vrarë dhe duke u djegur tërë pasurinë. Atje qëndron një kohë përderisa i zmbrap forcat çetnike dhe me luftëtarët e vetë kthehet në Drenicë. Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, angazhohet në anën partizane, por nuk u pajtua me vrasjet që i bënin brigadat serbe e malazeze dhe OZN-ja në Drenicë, prandaj nis luftën kundër tyre.
Tribuni i popullit, Shaban Polluzha, në të gjitha etapat e jetës së tij u angazhua për mirëqenien e popullit shqiptar, duke mos kursyer asgjë për të, madje as jetën, as familjen e as truallin dhe kullat. Ideali i tij për pavarsinë kishte zënë vend në shtatin e tij qysh në moshën e re. Për këtë ideal, më vonë do ta japte jetën.
Gjatë rezistencës që i bëri ushtrisë jugosllave në Drenicë e në Shalë të Bajgorës, u dëshmua si prijës tribun. Në këtë periudhë Shaban Polluzha barte flamurin kombëtar, me të cilin mbështillte plisin e bardhë. Pra, në të njejtën kohë flamurin dhe plisin – plisin mbështjellë me flamur!
Në kujtimet e veta Tahir Topilla thotë se Shaban Polluzha, asnjëherë nuk doli pa flamur, sepse për të luftonte dhe për të ishte i lidhur gjatë tërë jetës. Me të u vra dhe për të dha jetën!
Shtabi i Shaban Polluzhës, ishte i vendosur në Rezallë, në kullë të Zymber e Hajzer Malajt. Ky shtab, në këtë vend strategjik, qëndroi afro një muaj. Nga kjo qendër bëhej strategjia dhe kontrollohej një pjesë e territorit të Drenicës përëndimore.
Shtabin e përbënin: Shaban Polluzha (komandant), Miftar Bajraktari, Sadik Lutani, Ukë Sadiku, Qazim Bajraktari dhe Rifat Maloku. Sali Xhinovci, ishte sekretar i Shaban Polluzhës, i cili me mjaftë gjeturi e kryen këtë detyrë deri në përfundim të luftës së Drenicës. Në përbërjen e shtabit ishin edhe: Hazir Xhaka i Oshlanit, Mulla Iljasi i Brojës, Feriz Boja i Kërnicës, Rexhep Gjeli i Likoshanit, Hamzë Istogu i Polluzhës. Në Rezallë shtabit i bashkohet edhe Jusuf Giliani, i cili vjen këtu pasi likuidon shtabin partizan në Prekaz. Në kreun e shtabit vjen edhe Mehmet Gradica. Korier ishte Nuhi Bradashi i Llapit, për të cilin kanë ditur vetëm komandanti dhe sekretari.
Në lagjen e Malajve të Rezallës, ku rrinte Shaban Polluzha, brenda ditës ushqeheshin me bukë me qindra njerëz të brigadës.
Në Rezallë, në lagjen e Malajve është ruajtur në tërësi kulla, ku ishte vendosur shtabi; dhe shumë gjëra të kësaj periudhe janë ruajtur me përkushtim. Në odë është ruajtur si kujtim edhe sixhadeja në të cilën ulej Shaban Polluzha.

Ceta e Shaban Polluzhes
Ceta e Shaban Polluzhes

Përgaditja e atentatit kundra Shaban Polluzhës
Në fund të vitit 1944, dhe në fillim të vitit 1945, në Skënderaj e Gllogovc formohen komandat vendit dhe në to vendosen njerëzit që mendojnë se mund të jepnin kontribut në konsulidimin e pushtetit të ri komunist. Në komandën e vendit, të Skenderajit, asokohe vendosen Riza Voca, Vllado Kërstiq dhe Hysen Thaqi. Nëpër qendra të mëdha fshatare formohen edhe komunat. Në Polac, kryetar i komunës emërohet Mulla Brahimi e kështu emërohen edhe kryetarët në qendrat tjera. Në këtë kohë, Shaban Polluzha me brigadën e vetë të posaformuar kishte shkuar në Sërbicë me qëllim që t’u bënte me dije autoriteteve në pushtet se duhej të kishin kujdes për sjelljet e tyre me fshatarët e Drenicës. Posa arrin në këtë qendër, Shaban Polluzha hyn në komandë dhe takohet me udhëheqjen e saj. Menjëherë pas Shabanit hyn edhe Mulla Brahimi i Polacit dhe i drejtohet Riza Vocës me këto fjalë: “Qysh bën, unë si kryetar të mos di për arrestimin e njerëzve të mi, për burgosjen e Osman Xanit dhe të dy bashkëfshatarëve të tij”? Në skenë del Vllado Kërstiq, i cili imamit të Polacit i thotë se nëse i kanë duart të përlyera me gjak, do të marrin edhe të tjerë dhe nuk do t’i kthejmë më e nëse jo, atëherë do t’i lirojmë. Ndërkohë që foli Kërstiqi, Shaban Polluzha kishte dal jashtë zyrës dhe në momentin kur u kthye i dëgjoi vetëm fjalët e fundit “duart me gjak” dhe menjëherë reagoi duke e pyetur atë se kush kërkon këtu gjak dhe me nervozizëm i thotë atij se kush ishte. Ç’është e vërteta, Shabani nuk e njihte fare Vlladën dhe gjatë bisedës me të, nuk mund të hetohej se nuk ishte shqiptar ngase fliste mjaft mirë shqip. Ky i thotë se quhej Vllado Kërstiq dhe me të hetuar se ky ishte malazez, i drejtohet: “Ti po kërkon gjak, apo jo?”. Vllado mbeti i hutuar dhe papritur fare Shaban Polluzha nxjerr revolen për ta vrarë, por urgjentisht reagojnë Riza Voca, Hysen Thaqi, Iljaz Cini, Imami i Polacit dhe unë, tregon Shaban Aruqi i Rezallës, që ishte korrier në komandën e vendit. Vllado Kërstiçi, nga frika hyri nën tavolinë, ndërkaq ne e kapëm Shaban Polluzhën për ta qetësuar dhe mezi e bindëm të dilte jashtë. Më kujtohet, thot Shaban Aruqi, kur theksoi këto fjalë: “Nuk do të lejojë çdokënd të sundojë në Drenicë”. Mori brigadën dhe u nis, si më duket, në drejtim të Mitrovicës.
Sipas disa njoftimeve që kisha si korrier në këtë qendër, – tregon Shabani, – në Mitrovicë përgatitej atentati kundër Shaban Polluzhës. Menjëherë c bën me dije autoritetet e Mitrovicës për vërsuljen që i kishte bërë Shabani.
Duke theksuar se gjatë asaj periudhe Shaban Polluzha gjithëherë është ruajtur dhe përcjellë mirë nga njerëzit e brigadës së vet dhe m’u për këtë, si thotë Shaban Aruqi, nuk ka mundur të realizohet atentati i përgatitur në Mitrovicë.
Ky fakt është bindës, sepse Shaban Polluzha, posa kuptoi qëllimet e tyre, filloi të ngrinte zërin për t’iu kundërvën më vonë edhe me luftë të organizuar.

Mehmet Gradica
Mehmet Gradica

Si u vra Shaban Polluzha
Prej Bezheniqit shkojmë te Dvoranët e Tërstenikut dhe vendosemi në tri kulla. Të nesërmen në mëngjez, me 17.02.1945, rrethohemi nga të gjitha anët prej shumë brigadave e divizioneve ushtarake, që ato ditë ishin përqëndruar në Drenicë. Luftuam prej mëngjezit e deri në ora 15. Meqenëse ishim në kulla, sado që kishin forca të mëdha ushtarake, aa nuk mund të na afroheshin. Diku rreth orës 16, kanë mbërrijtur topat, me të cilët fillojnë të na gjujnë. Gjalet e topit – thot Ramadan Polluzha, rrëzuan një pjesë të kullës, ku isha unë. Kur erdhi mbrëmja, shkova në kullën, ku ishte babai me Mehmet Gradicën. Shaban Polluzha plagoset nga trarët e kullës së rrëzuar, kurse Mehmet Gradicës i kishte rënë gjylja e topit në këmbë. Nëpër terr e kemi shpërthyer rrethimin. Babain e qita në kalë. Kur dolëm në rrugën kryesore, në drejtim të Gllogovcit, atë e mori një plum i kobshëm në gjoks dhe, pa hyrë në Gllobar, Shaban Polluzha vdes. Së bashku me Ali Ahmetin dhe Sejdi Mehollin vendosëm që kufomën e babait ta qojmë në pusin e thellë të lumit Drenica, në afërsi të tunelit të Poklekut. Aty thyem akullin dhe lëshuam kufomën.
http://www.nasergashi.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.