Mall për Korçën… që s’është më –
fotohistori dhe informacion
Korça e muzikës – “Mandolinata” – 1908!
Në dhjetvjeçarin e parë të shek. XX-të, Korça sipas Mihal Gramenos… “ishte qendra e ndjenjave kombëtare dhe këtu ishte hedhur gjithë vështrimi i armiqve tanë shekullore….” Sipas një opinioni tjetër:
“Korça qëndron shumë lart edhe përpara qytetevet të tjerë të Shqipërisë dhe kanë të drejtë shumë ca që e quajnë “Paris i Vogëlë” . Aty në një kohë të shkurtër u themelua Klubi Dituria” – 1908, u çel Shkolla e Djemve, u themelua “Banda Liria” – 1908, Shoqëria fetare “Lidhja Orthodhokse” – 1909 me kryetar Mina Frashërin, Shoqëria e zonjavet “Yll i mëngjesit” – 1909, Shoqëria “Përparimi” – 1909 me kryetar Orhan Bej Cerçiz Pojanin, Shoqëria sportive “Vëllazëria” – 1909 me kryetar A. Pirro Korçën dhe zv. Kryetar Hil Mosin, u soll Shtypshkronja e parë në Korçë, filluan të botoheshin gazetat “Korça”, “Lidhja orthodhokse”, “Koha”, “Kalendari Korça”, e përkohshmja “Zgjimi” dhe shumë të tjera vegla kombëtare.
Në ato vite vlerësimet shkonin deri aty sa Korçën, në ndonjë rast e krahasonin edhe me një lloj “Dielli të Shqipërisë”! Një vend të posaçëm zë edhe e ashtuquajtura “Foleja kombëtare” ose “Shkolla e vajzave” në Korçë, themeluar në vitin 1891 prej Gjerasim D. Qirjazit, e drejtuar prej motrave patriote Sevasti e Parashqevi Qirjazi dhe patriotit Grigor Cilka, në programet e së cilës mësohej muzika dhe këndimi i këngëve.
www.vasiltole.com
Kulla e Sahatit në Korçë
Ndonse tashmë Korça e ka “Një Kullë”, që për nga funksioni mund të quhet panoramike, të mos harrojmë se ajo e ka pasur një të tillë 230 vjet më parë…
Bëhet fjalë për Kullën e Sahatit të ndërtuar në oborrin e xhamisë së Ilias Bej Mirahorit, në ish lagjen Kasaba, pamja e së cilës tregohet në foton më poshtë.
Mendohet se Kulla e Sahatit u ndërtua me kontributin e tregëtarëve voskopojarë, aty rreth vitit 1784, kur mbas djegies të Voskopojës 1769, shumë familje voskopojare u vendosën në Korçë, dhe u morën kryesisht me tregëti. Kulla u ndërtua nga mjeshtër ndërtimi prej veriu (këtu e kanë origjinën disa familje gege që bënin allvëkoskën kur ishim të vegjël). Kulla ishte një ndërtesë prej guri, e lartë dhe e ngushtë, në krye të së cilës ishte vendosur sahati.
Jeta ekonomike e qyteteve ishte e përqendruar tek Pazari. Aty, në zona të caktuara ushtonin aktivitetin e tyre robaqepësit, teneqexhinjtë, samarxhinjtë, bakërxhinjtë, bakallët, jorganxhinjtë, etj. Nevoja për të ditur orën lidhej direkt me veprimtarinë e punës së tyre. Ky qe edhe shkaku kryesor pse Kulla e Sahatit ishte në zonën e Pazarit.
Ajo funksiononte me këmbanë që lajmëronte kohën. Fillimisht qe regjistruar për orën allaturka dhe më vonë u trasformua për të treguar orën allafrënga.
Kulla u shëmb në tërmetin e vitit 1960 dhe nuk u rindërtua më.
Sa me vlerë do të ish për qytetin, traditën dhe historinë e tij, që në vend të Kullës që u ndërtua në një vend, për mua të papërshtatshëm, të ish rindërtuar Kulla e dikurshme e Sahatit.
Nga foto që kemi ajo mund të bëhej shumë funksionale: edhe të tregonte orën, edhe të shërbente si pikë panoramike për turistët, por edhe t’i rikthente qytetit një pjesë të kujtesës të tij historike. Kjo mund të bëhej me shumë më pak shpenzime, në kuadrin e rikonstruksionit të Pazarit të Korçës, pjesë e të cilit qe edhe Kulla.
Klodi Stralla – Postim 20 janar 2015
Liceistë te Liceut francez Ditën e Karnavaleve, 16 mars 1926
Liceistët e vitit të fundit (bacaloreat) të Liceut francez të Korçës, dalë ditën e Karnavaleve, 16 mars 1926.
Fotografia është realizuar nga mjeshtri “Sootiri”. Në këmbë, nga e majta në të djathtë: Remzi Fico, Gjergj Canco, Petraq Mano, Pandi Kosturi, Nihat Asllani dhe Xhevdet Kapshtica.
Ulur: Aleko Tashko, Xhelal Rusi, Niko Stralla dhe Ali Selenica dhe shtrirë: Aleko Turtulli
Alfred Cako: Fotoja me këtë veshje tradicionale mijravjecare të së vetmes racë që e mbante, ilirët dhe epirotët, tregon për dijet e tyre te thella ne lidhje me origjinën e shqiptarit, krenarinë për racën dhe një tendencë për të lidhur modernen – veshjes europiane me veshjen e të parëve të tyre; një foto që vlen me shumë se mijra fjalë dhe s’ngopesh së shikuari…
Studentët Korçarë të Francës… 1929
Një grup studentësh shqiptarë në Montpellier të Francës në vitin 1929. Në qendër ulur zoti Lytfi Zavalani dhe gruaja e tij. Në vitet 1927-1929, ai ishte Inspektor i studenteve shqiptarë në Francë, me qendër në Montpellier. Disa prej studentëve korçarë, që më vonë drejtuan sektorë të rëndësishëm të administratës së shtetit shqiptar si më poshtë:
Gjergj Canco – (rreshti lart në këmbë, i treti nga e djathta e fotos), profesor i Gjimnazit të Shkodrës para lufte dhe drejtor i Politeknikumit “7 Nëntori” Tiranë, deputet i Kuvendit Popullor, Mësues i Popullit.
Petraq Peppo – (rreshti i parë ulur, i dyti nga e djathta), profesor në Liceun francez dhe historian i njohur.
Andrea Xega – (rreshti lart në këmbë, i dyti nga e djathta), inxhinjeri më i mirë që kemi pasur për minierat.
Niko Stralla – (rreshti lart në këmbë, i pari nga e djathta), profesor në Liceun francez, drejtor i shkollës Normale femërore, më vonë avokat.
Ligor Serafim – (rreshti lart ne kembe,i katerti nga e djathta), profesor i Liceut francez dhe mesues i biologjise i gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, deri sa doli ne pension.
Niko Gliozheni – (rreshti i parë ulur, i katërti nga e djathta), avokat.
Aleko Tashko – (rreshti i parë ulur, i pari nga e majta), profesor i matematikës në Liceun francez dhe në Gjimnazin e Tiranës.
Llazar Treska – (rreshti lart në këmbë, i pesti nga e majta), inxhinjeri më i mirë që kemi pasur për pyjet dhe ujrat. Personalitet shkencor.
Mikel Zavalani – (rreshti i parë ulur, i treti nga e majta), djali i zotit Lytfi, në këtë kohë fëmijë. Mikeli u shqua si mësimdhënës dhe është nder firmëtarët në Kongresin e Drejtshkrimit të gjuhes shqipe.
Krahas janë edhe personalitete të tjerë, jo korçarë, si
Selim Damani – ( rreshti i tretë në këmbë, i pari nga e majta), anëtar i Gjykatës së Diktimit (Gjykatës të Lartë);
Sinan Imami – (rreshti i tretë në këmbë, i shtati nga e djathta), mjek, drejtori legjendar i Spitalit Ushtarak Tiranë, si dhe të tjere, për të cilët nuk dua të zgjatem.
Sipas një studimi të Prof. Dr. Uran Asllani, në Francë gjatë viteve 1925-1940, kanë përfunduar studimet e larta rreth 200 studentë, në fusha nga më të ndryshmet, gjë që nuk ishte pak për Shqipërinë e saj kohe. Qytetet universitare të preferuara ishin Montpellier (me numurin më të madh), por edhe Parisi, Grenobel, Lioni, etj. Vlen për t’u theksuar se asnjë prej tyre nuk qëndroi në Francë (ndonëse me atë diplomë ishin të mirëpritur), por të gjithë u kthyen në atdhe, ku drejtuan si specialistë ngritjen e shtetit shqiptar, shumë ndryshe nga këta të sotmit që bëjnë sa mundin që pas studimeve të mos kthehen më në atdhe.
Klodi Stralla – Postim 13 janar 2015
Fabrika e Birrës Korçë
Njendër të parat Fabrika Birre në Shqipëri. Ajo u ndërtua në vitin 1928, dhe u shtetëzua nga komunistët në vitin 1946…
Emri i saj u rishfaq mbas viti 2004.
Kjo foto u përket viteve ’30, dhe tregon nji njeri që sodit nga hija… pamjen e saj..
Aeroplani në Korçë, 90 vjet me parë!
Moshatarët e mi, që tashmë i kemi lënë të 60-at, e kujtojmë fare mirë se ç’torturë ish një udhëtim nga Korça në Kryeqytet në fundvitet ’50 të shekullit që shkoi. Disa autobuzë të vjetër, që i quanim Sata, pa asnjë konfort, niseshin nga Korça po nga ai vend ku nisen edhe sot, që s’mund të quhet kursesi Agjensi. Zakoni ish që për të përciellë udhëtarin dilte e gjithë familja, gjë që tregonte se të udhëtuarit përtej qytetit ishte një ngjarje e veçantë në jetën e korçarit të atyre viteve.
Ajo që të detyronte të udhëtoje ishte ose ndonjë rast vdekje, ose dasme, kurse shërbimet për motive pune apo studimi ishin të rralla, ndërsa turizmi ishte akoma më i rrallë, vetëm në verë, po të mund të siguroje ndonjë kabinë plazhi. Udhëtimi zgjatte mbi 8-9 orë, bashkë me trenin që i rrotullohej Tiranës nga ana e Durrësit.
I solla të gjitha këto për t’u kujtuar pak histori, se si shkonin në kryeqytet prindërit tanë 90 vjet më parë.
Më 14 mars 1925, u nënshkrua kontrata konçesionare, me afat dhjetëvjeçar, midis qeverisë shqiptare, të përfaqësuar nga ministri i Punëve Botore dhe i Bujqësisë, Kostaq Kotta, dhe shoqërisë gjermane “Adria Aero Lloyd”, të përfaqësuar nga i ngarkuari i saj Otto Habermehl. Ashtu siç e parashikonte kontrata, shërbimi ajror fillimisht kryhej dy herë në javë, në linjat e rregullta Tiranë-Shkodër, Tiranë-Vlorë, Tiranë-Korçë dhe kthim. Për kuriozitet: Fluturimi i parë në linjën Tiranë-Vlorë u krye më 30 maj 1925, ndërsa në linjat Tiranë-Shkodër dhe Tiranë-Korçë, më 1 qershor 1925. Transporti ajror ndërmjet kryeqytetit dhe qyteteve kryesore të Shqipërisë paraqiste një zgjidhje per një udhëtim të shpejtë të pasagjerëve, të afaristëve, të postës dhe për mallra të caktuara, prandaj në vitet që pasuan ai njohu zhvillim.
Me 6 mars 1927, gazeta “Telegraf” njoftonte se shoqëria gjermane “Adria Aero Lloyd” ia shiti koncesionin e saj shoqërisë italiane “Ala Littoria S.A.”. Fluturimi Tiranë-Korçë zgjatte vetëm 1 ore! Avionët ishin të vegjël, me helikë dhe pilotoheshin nga aviatorë italianë. Nisja nga Tirana bëhej në 7.00 të mëngjezit dhe mbrinte në Korçë në orën 8.00, kurse nga Korça nisej në orën 8.30 dhe mbrinte në kryeqytet në 9.30.
Fluturimi pas 1930-ës bëhej çdo ditë.
Pas viteve ’90, ndonse qarkullimi u shumfishua si kurrë më parë dhe kapitalizmi kohën e ka flori (të mos harrojmë se ende rruga Korçë-Tiranë, 180 km, bëhet rreth 4 orë, ndërkohë që ajo Korçë-Selanik, 260 km, vetëm për 2 orë!), nuk u bë asnjë studim për të parë mundësinë e një trasporti ajror midis kryeqytetit dhe qyteteve kryesore të vendit. Nuk jam në gjendje ta them ne se për këtë ndikoi fakti që shumica e qytetarëve u paisën me makina personale apo kostoja e udhëtimit ajëror ishte e lartë, por di të them se sot kontrata koncesionare 20-vjeçare midis Shtetit shqiptar dhe “Tirana Airport Partners”, na pengon përdorimin e çfarëdo aeroporti tjetër veç Rinasit për linja ndërkombëtare, prandaj duhet të presim vitin 2025 për t’u rikthyer në vitin 1925… Nuk janë shumë, 100 vjet !
PS. Në foto Fusha e aviacionit në Korçë, diku afër komunës Lumalas.
Linjat ajrore që lidhnin qytetet shqiptare ishin si më poshtë:
Tiranë-Shkodër-Kukës-Tiranë, të hënën dhe të enjten;
Tiranë-Kukës-Shkodër-Tiranë të premten; Tiranë-Kukës dhe Kukës-Tiranë, të mërkurën dhe të shtunën;
Tiranë-Peshkopi dhe Peshkopi-Tiranë të hënën, të mërkurën dhe të premten;
Tiranë-Korçë-Gjirokastër, dhe Gjirokastër-Korçë-Tiranë, të hënën, të mërkurën dhe të premtën;
Tiranë-Devoll dhe Devoll-Tiranë, të henën dhe të shtunën;
Tiranë-Vlorë-Gjirokastër, dhe Gjirokastër-Vlorë-Tiranë, të martën, të enjten, të shtunën, (Po aty, f.128-132).
Me ardhjen komunisteve ne pushtet, transporti ajror ndërmjet qyteteve shqiptare u ndërpre përfundimisht, ndërsa çelikun special me të cilin ishin ndërtuar hangaret e avioneve e përlanë jugosllavët në vitin 1947. Sot, kontrata koncesionare 20-vjecare midis shtetit shqiptar dhe “Tirana Airport Partners”, na pengon përdorimin e çfarëdo aeroporti tjetër vec Rinasit për linja ndërkombëtare, prandaj duhet të presim vitin 2025 për t’u kthyer në vitin 1925.
Klodi Stralla – Postim 17 janar 2015
Vajza dhe nuse të familjeve korçare – Merdanet…
Ajo që bje menjiherë në sy është eleganca, serioziteti, klasi, pastërtia e fytyrave, dhe një e qeshur delikate e të katërta këtyre grave.
Familja e Merdanëve pësoi mjaft gjatë gjithe periudhës së sundimit komunist.
Në foto janë Fatime Merdani – Fazo (e shoqja e Fuat Merdanit); Verore Merdani -Tyxhari (e shoqja e Reshat Merdanit, – i lauruar në Montpelje si Ekonomist); Ylejme Merdani – Hoxha (Nëna e Sherifit Merdanit dhe Nadire Tyxhari – Merdani (motra e tre vëllezërve Merdani).
Për jetën e tyre ka shumë për të shkrojtur dhe unë e kuptoj duhet të shkruaj diçka për to, por nganjëherë më duket sikur më thone që t’i le të qeta në at paqen e tyre të përjetshme, sepse kjo mund të jetë gjeja më e mirë…
Gjithsekush në jetë ka gëzimet dhe vuajtjet e veta, por kjo e Familjes së Merdanëve është një histori sa e dhimshme aq dhe qëndrestare. Si shumë familje të tjera të mira Shqiptare, edhe kjo e jona ka të veçantën, sepse nuk qe ndonjë forcë madhore, që të vuanin tre breza, por llogjika komuniste nuk funksiononte ashtu si e mendonim ne dhe ndodhi ajo që ndodhi.
Unë mendoj se bollëku e zbut njerinë, këtu e kuptoj, pse prindërit tanë ishin ndryshe nga të tjerët, pse edhe ai kishte rolin e vet të mirë, për ata që e vlerësojnë sigurisht mbasi e kanë vënë me djersë dhe me punë të madhe.
Marrë nga Muri i Luan Merdanit
Shkolla Femerore Qytetese
Kjo fotografi është e majit 1933 dhe i përket një grupi mësuesish dhe nxënësesh të shkollës “Normale Femërore”, që funksiononte në Korçë nga viti 1920, me profil pedagogjik.
Kjo shkollë pas vitit 1933, me reformën arsimore, u shndërrua në shkollën “Qytetëse Femërore”, e profilizuar si shkollë profesionale për femra.
Babai im, Niko Stralla (i dyti në të djathtë të fotos, ulur), ka debutuar në këtë shkollë në dy vite shkollore 1931-1933 (24 vjeçar) si mësues i historisë, gjeografisë dhe frëngjishtes. Më mbas u emërua drejtor në shkollën “Qytetëse Mashkullore” dhe pas vitit 1936, e deri në mbyllje të Liceut francez ka qenë profesor i historisë i këtij Liceu.
Nga të dhënat që kam (pa qenë plotësisht i sigurt) shkolla ka qënë diku tek Posta e Vjetër, prapa Hotel Turizmit të sotëm. Në vitin shkollor 1936-1937 shkolla kish 4 klasa, me nga 2 paralele secila. Klasa e parë me 52 nxënës, e dyta me 52 nxënës, e treta me 47 nxënës dhe e katërta me 38 nxënës. Kishte edhe vajza nga fshatrat përreth Korçës.
Programi mësimor përfshinte lëndë të karakterit të përgjithshëm si gjuhë shqipe, matematikë, histori, gjeografi, frëngjisht, italisht, kimi, fizikë, histori natyre, mësim civil e moral, higjenë, muzike. Kishte edhe mësime special për vajzat si, ekonomi shtëpiake, teori dhe praktikë kulinare, punë-dore, gërshërë, qëndisje, përgatitje gjellësh, edukatë fizike.
Personeli, përbëhej nga drejtori Salih Çaushi, me një përvojë pune mbi 25 vjeçare (nuk kam të dhëna ishte apo jo korçar) si dhe nga mësueset Fotini Papajani në gjuhë; Eftimia Kristo, gjeografi, histori, mësime civile e morale; Tefta Naçi, ekonomi shtëpiake; Katina Jassi, matematike e frëngjisht; Anthusa Osmanlli, eduatë fizike e histori natyre; Emili Dishnica, italisht; Andromaqi Zengo, vizatim, bukurshkrim; Sotir Kozmo, muzikë; Helidhona Falli, mësim gërshëre; Dilbere Baçi, qëndisje e gërshërë.
Klodi Stralla – Postim 6 janar 2015
Shkolla Qytetse Mashkullore
Pas Reformës Arsimore të ministrit Mirash Ivanaj të vitit 1933, në Korçë krahas Liceut francez, që ish një shkollë e edukimit klasik, ekzistonin edhe dy shkolla të mesme të profilit professional: shkolla “Qytetse Mashkullore” dhe shkolla “Qytetse Femërore”.
Djemtë, krahas lëndëve të përgjithëshme, bënin edhe bujqësi, kontabilitet, tregëti, merceologji dhe elementë të vizatimit teknik, ndërsa vajzat bënin punë dore, qëndisje, robaqepsi, teori kulinarie (gatim), psikologji, duke u përgatitur si bashkëshorte dhe nëna të ardhëshme.
Nxënësit ishin si nga qyteti ashtu edhe nga fshatrat përreth.
Shkolla “Qytetse Mashkullore” ishte në lagjen matanë lumit, nga ana e Xhamisë, në afërsi të shkollës të sotme të muzikës. Sot, me sa di unë, ndërtesa është prishur. Ajo kish 4 paralele, 3 klasa të para, 2 të dyta, 1 e tretë dhe 1 e katërt.
Në vitin shkollor 1936, kishte 266 nxënës, me një personel mësimor prej 11 mësues, 2 instruktorë për aspektin profesional dhe një sekretar.
Në foto trupa mësimore e vitit shkollor 1936: në qendër Niko Stralla (drejtor) dhe personeli mësimor Kostaq Papapavllo, Ruhi Zeka, Jovan Morcka, Virgjil Ballamaçi, Sotir Sugari, Beqir Sinani, Vasil Thomo, Qani Panariti, Besim Qorri, Kristo Kono, Isuf Luzaj dhe Aqif Domini.
Klodi Stralla Postim me 17 janar 2015
55 Vjetori i Shkollës së Mesme “Raqi Qirinxhi”
Kjo foto është e vitit 1972, bërë me rastin e 55 vjetorit të gjimnazit “Raqi Qirinxhi”. Janë ish mësues të kësaj shkolle ish nxënës të Liceut Francez, si dhe disa mësues, të brezit të vjetër, të gjimnazit “Raqi Qirinxhi”.
Në rreshtin e parë ulur, nga e majta në të djathtë janë: Niko Ballauri (ish liceist – farmacist), Niko Bello (ish liceist – mësues i gjeografisë dhe frëngjishtes), Kristaq Cepa (shefi i seksionit të arsimit të rrethit), Kostaq Qirinxhi (babai i dëshmorit Raqi Qirinxhi), Ligor Serafim (ish profesor i Liceut – mësues i biologjisë), Niko Stralla (ish profesor i Liceut – avokat), Mihallaq Denasi (ish liceist – avokat), Vasil Tomço (ish liceist – mjek radiolog).
Rreshti i dytë, në këmbë: Dhimitra Maliqari (mësuese e gjuhë-letërsisë), Mantho Dono (mësues i frëngjishtes), Mihallaq Ziçishti (ish liceist – Sekretar i Parë i Kom. Partisë të Rrethit), Fillota Naçi (ish liceist – mjek veteriner), Gaqi (roja legjendar i shkollës).
Rreshti i tretë në këmbë: Dhimitër Grameno (ish nxënës), Nella Frashëri (ish liceist – mësues i kimisë), Ilo Samara (ish liceist – mësues), Vangjush Tushi (ish liceist – piktor i njohur), Ligor Mile (historian – mësues i historisë), Xhuvi Bino (mësues i matematikës, nëndrejtor i shkollës), Ilo Xexo (ish liceist -inxhinjer pyjesh).
Klodi Stralla – Postim 22 janar 2015