back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Dera e Sadik Gjergjit të Palçit nga Ylli Prebibaj

Gazeta

Kodra e Palcit - Mertur
Kodra e Palcit – Mertur

Dera e Sadik Gjergjit të Palçit

nga Ylli Prebibaj

Dera e Sadik Gjergjit të Palçit është një prej atyre dyerve të lidhura ngushtësisht me historinë e Nikaj-Mërturit. Prej kësaj dere dolën një plejadë e shquar burrash si: Sadik Gjergji, Fet Sadiku e Adem Sadiku. Kontibuti i tyre është memorizuar në burimet e shkruara, ato nisin me Sadikun në dekadën e parë të shek. XX, e vijojnë në dekadat e mëvonshme me Fetën e Ademin. Kontributi i tyre nuk do mund të shpjegohej drejt pa ditur si fillim peshën që kishte Palçi në historinë e Mërturit, pasi siç dihet në Palç e ka zanafillën Institucioni i Bajrakut të këtij fisi, (Progni, Doda; 2003; 82)
Të zotët e kësaj dere kanë një kontribut ndërbreznor në zhvillimet e krahinës, si në periudhën e vetadministrimit të krahinës së Nikaj-Mërturit, po ashtu edhe gjatë kohës së ngritjes e konsolidimit të administratës shtetërore shqiptare në vitet 1920 e në vijim. Kjo përgjegjësi nuk ishte një rastësi, pikë së pari ishte fisnikëri e palçnorëve, të cilët u besuan atyre një rol të tillë e padiskutim edhe zotësi e pinjollëve të kësaj dere, të cilët e justifikuan mbështetjen e dhënë.
Ndër burimet e shkruara, burrat e kësaj dere shfaqen sa herë krahina përballet me situata të vështira, një rast i tillë dhe me pasoja dramatike për Nikaj-Mërturin ishte reprezalja e famëkeqit Turgut Pasha më 1910. Në këtë ballafaqim shqiptaro-turk rikonfirmohet vullneti i pazakontë i parisë së krahinës për mbrojtjen e virtytit kryesor të trashëguar ndër breza, lirinë. Megjithëse beteja ishte e pabarabartë krent e Palçit, Brisës e Salcës refuzuan kushtet e ushtrisë turke përgjigjia e tyre për dorëzimin e armëve ishte: “Ne i doni armët, eni e merrini vete”, (Hylli i Dritës; 1936;22). Ky qëndrim demonstron cilësitë e spikatura të krenve të atyre viseve.

Qëndresa zgjati disa ditë dhe kostoja ishte e madhe, si në njerëz por edhe në ekonomitë e tyre modeste. Kullat e krahinës u rrafshuan nga bombardimi, Kisha e Palçit u shndërrua në kazermë ushatrësh, mirëpo qëndresa e salcnorëve, palçnorëve e brisorëve të ndihmuar edhe nga banorët e zonave kufitare e detyruan ushtrinë turke të tërhiqej mbrapa. At Antonin Fishta O.F.M (Shkëndija) shkruan se, në këto luftime morën pjesë shumë krenë të zonës, përfshi Sadik Gjergjin “shpi e parë në Palç”, (Hylli i Ditës; 1936;23).
Angazhimi i Sadik Gjergjit ishte dydimensional nga njëra anë ai përmendet për rolin e tij në konsolidimin e strukturave vetadministruese të Mërturit dhe nga ana tjetër konsiderohet një burrë nën pushkë si të gjithë mërturasit e brezit të tij, kur ishte e nevojshme mbrojtja e krahinës. Bash për shkak të kontibutit të dhënë, Sadiku me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së pavarësisë përfshihet ndërmjet personaliteteve nikajmërturase që u nderuan. Sipas vendimit të “Komisionit të 25 Vjetorit të Pavaresisë”, shënohet si veteran “Sadik Gjergji krye i katundit Palç…, i biri i të ndjerve Gjergj e Prendë”, (Vendim i Komisionit të 25 Vjetorit të Pavarsisë së Komunës Nikaj-Mërtur; 1937; 13).
Pas vdekjes së Sadikut si përfaqësues të zëshëm të kësaj dere dalin të dy djemtë e tij, të cilët siç do ta trajtojmë më poshtë vijuan rrugën e nisur prej tij në dobi tëKrahinës së Nikaj-Mërturit.
Sadiku u përkujtua për vite me rradhë, pasardhësit e tij u kujdesën deri në detaje për nderimin e tij. Një kryq guri i gdhendur me kujdes u vendos te varri i tij në Palç. Ky kryq ka një histori interesante sepse në vitin 1967, u gropos duke lënë mbi tokë vetëm pjesën e sipërme të tij dhe u rinxorr në sipërfaqe vetëm pas viteve 90-të. Në fakt kujtesa për të parët “të shumtët” është një tipar dallues për krahinën e Nikaj-Mërturit, ndikim i cili në psikologjinë kolektive të kësaj zone ka ndikuar fort në brezat pasardhës dhe pa diskutim që rasti i kësaj shtëpie është një provë e fortë në këtë drejtim.

Kryq guri te varri i Sadik Gjergjit në Palç
Kryq guri te varri i Sadik Gjergjit në Palç

II. Adem Sadiku

Pasardhësit e Sadikut Feta dhe Ademi shfaqen aktivë në zhvillimet administrativo-politike ndërmjet viteve 1920-1946. Adem Sadiku ishte djali i dytëi Sadikut, megjithëse i lënë në hije ai ka kontibuar në zhvillimet administrative të krahinës, qoftë si pjesë e kryepleqësisë së Palçit, qoftë si nëpunës i xhandarmërisë shqiptare. Ademi ishte veçanërsisht aktiv në kohën kur i vëllai Feta ishte në azil politik jashtë Shqipërisë, pasi kishte qenë ndër mbështetësit e Bajram Currit.
Të dhëna me interes për Ademin janë gjetur në një relacion të Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë, i cili mban datën 20 prill 1931, në dokument paraqiten karekteristikat e personelit, më konkretisht gjëndja shëndetësore, lartësia trupore, etj. Për kuriozitetin e lexusit të dhënat e Ademit janë këto: ai renditet i 35 në listën e personelit të kësaj komande për Rrethin e Tropojës, ishte 1.75 i gjatë dhe peshonte 75 kg. Saktësohet gjithashtu se nuk di shkrim e këndim, (AQSH, F. 345. V. 1931. D. 16, fq. 3-6).

Me interes është aktiviteti i Ademit si pjesë e parisë së Mërturit. Në një telegram drejtuar tre asamblistave të Kosovës më 25 korrik 1928, nga 44 katundet e Malësisë së Gjakovës, deputetët informohen se në tubimin e zhvilluar më 25 gusht të vitit 1928, ishte vendosur që t’i kërkohej autoriteteve ndërrimi i formës së regjimit nga Republikë në Monarki, si dhe ishte propozuar për mbret Ahmet Zogu. Dokumenti mban nënshkrimin e katërmbëdhjetë nikajmërturasve, ndërmjet të cilëve edhe Adem Sadiku i Palçit, (AQSH, Telegram i dërguar z. Sali Vuçiterni me shokë; Tropojë 1928).
Ademi në këtë rast i ishte bashkuar iniciativës së ndërmarrë nga paria e Malësisë së Gjakovës duke anashkaluar interesat personale e familjare, pasi siç dihet i vëllai Feta ishte larguar nga vendi bash për shkak të përndjekjeve të pushtetit. Sidoqfotë qëndrimi i tij dhe parisë ishte një mendim i pjekur, pasi tashmë nga të gjitha anët kërkohej stabilitet politik. Përpos kësaj kjo nismë ndikoi edhe në aministinë politike, që riktheu në Shqipëri shumë ish kundërshtarë politikë, përfshi Fet Sadikun.
Sipas një korrepondence zyrtare të kohës në vitin 1943, Ademi figuron si Kryeplak i Palçit, (Listë Emnore e Kryepleqësive të Prefekturës Mbretnore Shkodër – 1943; 1). Ushtrimi i këtyre detyrave në kohë të ndryshme prej tij ishin shërbime të vyera për krahinën.

Shtëpia e Sadik Gjergjit (Gjolit) në Palç
Shtëpia e Sadik Gjergjit (Gjolit) në Palç

II. Fet Sadiku – Martir i Demokracisë (1875-1946)

Fet Sadiku është një ndër personalitetet kryesore të Nikaj-Mërturit, emri i tij del vijimësisht në ngjarjet historike të krahinës në vitet 1920-1946, herë si pjesë e parisë e herë me përgjegjësi të tjera administrative. Sipas një dokumenti të vitit 1923, parija e Nikaj-Mërturit zotohet se do të mbështesë institucionet e shtetit dhe respektimin e ligjeve, duke e garantuar këtë sipërmarrje me “fjalën e nderit e besën e zakonshme”. Fet Sadiku nënshkruan aty me cilësinë e Vojvodës, krahas Bajraktarit të Mërturit Tunxh Myftarit, Dod Prelës, Ded Trimit, Zenel Selimit, Syl Martinit, Beqir Ndout, Bajraktarit të Nikajve Deli Sokolit, Vojvodës Myftar Alisë, Kol Ndout, Shytan Brahimit, Sadik Kacolit, Uk Çunit, Met Sokolit, Sadik Prelës e Vuksan Marashit, (Procesverbal i Ministrisë së Punëve të Brendshme; 23 Korrik 1923; 1). Qeveria Shqiptare nëpërmjet këtyre akteve administrative synonte të krijonte klimën e një stabilitetit politik, duke mos anashkaluar familjet tradicionale dhe në fakt ka rezultuar një mënyrë efikase për shtrirjen e autoritetit të shtetit.
Mirëpo një klimë e tillë mirëbesimi u zbeh për shkak të konflikteve politike me protagonist Bajram Currin, i cili kundërshtinë e tij ndaj qeverisë e nisi për shkak të vëmendjes së pamjaftueshme ndaj Kosovës dhe e vijoi duke mbështetur krahun opozitar duke shpresuar se do të mbahej një qëndrim më dinjitoz ndaj Kosovës me ndryshimet politike. Shumë prej krenve të Malësisë së Gjakovës mbështetën Currin. Ndikimi personal i Currit dhe lidhja e familjes së tij me Nikajt ishin arsyet, që një pjesë e mirë e kësaj parie u rreshtua krah tij, ndërmjet të cilëve edhe Feta.
Në fakt zhvillimet e mëvonshme pas ardhjes së Nolit në fuqi nuk qenë fort premtuese, në Nikaj-Mërtur vijuan masat shtrënguese, që binin në kontrast me pozitën ekonomike të këtyre viseve, një prej masave të kundërshtuara ishte pagimi i së dhjetës. Kjo kërkesë hasi në kundërshtimin e vendosur të brisorëve në Mërtur. Më 20 shtator 1924, përfaqësuesit e Brisës i drejtojnë një letër Bajram Currit, si dhe i dërgojnë dy përfaqësues të takohen me të. Currit i kujtojnë se heqja e së dhjetës u ishte premtuar prej tij. (AQSH F. 418, D. 8/3, fq. 592)
Një tjetër ngjarje e rëndë, që tronditi marrëdhënien e qeverisë me Krahinën e Nikaj-Mërturit ka të bëje me vrasjen e 7 nikajmërturseve në Qafë të Milisë. Ky akt kriminal i kryer nga ofiçarë me uniformë shtetërore, solli reagimin e fortë të parisë së Nikaj-Mërturit. Për këtë qëllim u zhvillua një mbledhje me përfaqësuesit e të gjitha katundeve. Pas shumë diskutimesh Tiranës zyrtare iu dërgua një protestë e fortë. Dokumenti i Protestës u mbështet nga paria e Nikaj-Mërturit, ndërkohëFet Sadiku ishte një ndër nënshkruesit kryesore të tij, siç shkruhet aty “Për Mërturë, për Palç Fet Sadiku”, (AQSH; F. 132;. V. 1924 D. 14; fq. 2).
Kjo ishte ngjarja më e rëndë për Malësinë e Gjakovës gjatë qeverisjes së Fan Nolit, rreth saj u zhvillua një debat i ashpër në shtypin e kohës.
Siç e kemi përmendur më lart pas rrëzimit të Qeverisë Noli dhe tërheqjes në Malësinë e Gjakovës të Bajram Currit, shumë mbështetës të këtij të fundit, përfshi Fet Sadikun e Palçit u detyruan të largoheshin nga Shqipëria. Nga shqyrtimi i veprimtarisë së tyre evidentohet përpjekja për të mbajtur gjallë një farë fryme opozitarizmi, tek e fundit orvateshin të jetësonin idealet e tyre. Jashtë Shqipërisë u ngritën shumë organizata e një shtyp mjaft cilësor, që stigmatizonin qeverinë e re të Zogut, një prej protestave të shumta që u botuan asokohe në shtyp mbështetet nga Fet Sadiku dhe Dodë Prela i Salcës. Në këtë rast ata mbajnë titujt tradicionalë.

Faksimile e protestes së Parisë së Nikaj-Mërturit
Faksimile e protestes së Parisë së Nikaj-Mërturit

Qetësimi i situatës në Shqipëri dhe një amnisti e gjerë politike ishin ogur i mirë për shtëpinë e Fet Sadikut, pasi ky i fundit u rikthye në Palç ku rifilloi me të njëjtin zell aktivitetin e tij. Madje tashmë si një personalitet i maturuar dhe i rrahur me situata të ndryshme gjatë jetës. Kjo vërehet në shumë akte administrative që mbajnë edhe nënshkrimin e tij, një prej këtyre rasteve ishte besëlidhja e popullsisë së Nënprefeketurës së Dukagjinit dhe Malësisë së Gjakovës, e cila u nënshkrua me 18 nëntor 1929.
Në beslidhjen e popullsisë së Nënprefekturës së Dukagjinit nga njëra anë dhe të Malësisë së Gjakovës nga ana tjetër u sanksionuan konditat e besës ndërmjet të dy Nënprefekturave. Ajo u u nënshkrue në praninë e të dy nënprefektëve, Kryetarit të Katundarijes së Nikaj-Mërturit dhe funksionarit të Xhandarmërisë. Përfaqësuesit kryesorë të kësaj nisme ishin Bajraktari i Shalës Kolë Ndou, Bajraktari i Shoshit Lulash Gjeloshi, Bafti Ndou e Pal Nika për Nikajt dhe Murrec Sadrija e Fet Sadiku për Mërtur, etj.

Faksimile e Gazetës Liria Kombëtare e botuar në Gjenevë 1927
Faksimile e Gazetës Liria Kombëtare e botuar në Gjenevë 1927

Aktiviteti i tij vijon edhe në vitet e mëvonshme, me 7 janar të vitit 1940, në zyrën e Nikaj-Mërturit u mblodh një komision i posaçëm nën kryesinë e Tunxh Myftarit, Bajraktarit të Mërturit dhe 11 antarëve ndëmjet të cilëve përfaqësuesit e Palçit: Fet Sadiku e Nik Delija, Bajraktarit të Nikajve e Pal Nikës së Currajve, ky komision rinovoi besën për një periudhë 8 mujore. Besa sanksiononte ndalimin e çdo hakmarrjeje si ndërmjet banorëve të Komunës po ashtu edhe ndaj banorëve të rajoneve të tjera të Mbretërisë. Në dokument shkruhet se: “…kush do ta shkelte “Besën” përpos masave ndëshkimore të parashikuara me ligj ndaj fajtorit do të zbatoheshin edhe dënimet sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit”, (Procesverbal i Komunës Nikaj Mërtur; 1940; 50).
Në vitin 1940, Fet Sadiku renditet krahas shumë personaliteteve të Nënprefekturës së Dukagjinit si individë me ndikim në krahinat respektive. Një listë e detajuar për këtë qëllim ishte përgatitur nga Zyra Politike e Ministrisë së Brendshme. Fet Sadiku i Mërturit renditet aty, krahas Kolë Ndout, Lulash Gjeloshit, Pjetër Mehmetit, Tul Vatës së Thethit, Bafti Ndout, Pal Nikës, Tunxh Miftarit, Dodë Prelës, Çun Kolës dhe Murrec Sadrisë, (Telegram i Ministrisë së Punëve të Brendshme i datës 20 nëntor 1940, dërguar Nënprefekturës Dukagjin; 49).

Fet Sadiku
Fet Sadiku (1875-1946)

Burrat e kësaj dere shfaqen vijimësisht në iniciativa dobiprurëse, për mirëfunksionimin e shoqërisë nikajmërturase dhe pavarësisht akuzave kundrejt tyre pas vitit 1946, analiza e veprimtarisë së tyre nxjerr në pah devotshmërinë për kryerjen e detyrave që kishin marrë përsipër pavarësisht kostos.
Stadi modest ekonomik i Familjes në fjalë në vitet ’40, provon fallsitetin e akuzave të fabrikuara pas instalimit të regjimit komunist se gjoja ata kishin përfituar nga regjimet e mëparshme. Aq e vërtetë ishte kjo sa i biri i Fetës: Nikollë Fetë Geci (këtë mbiemër mbante familja në vitin 1942), trajtohej me ndihmë financiare nga Komuna e Nikaj-Mërturit të Nënprefekturës Dukagjin. (Dëftese për marrje të hollash e vitit 1942 e Komunës së Nikaj-Mërturit; 1942; fq. 1).
Në fakt këto akuza kishin vetëm një burim, angazhimin e fuqishëm që kishin Fet Sadiku e të tjerë nikajmërturas kundër vendosjes së dhunshme të sistemit komunist.
Në dokumentet e viteve 1944-1946, del në pah shkalla e rezistencës antikomuniste, burra të shquar si Fet Sadiku e bashkëkohës të tij pozicionohen vendosmërisht kundër ideologjisë komuniste, qëndrim ky që qartësohet në letrën e dërguar nga Nikajt më 2 mars të vitit 1944, ku ndër të tjera shkruhet:
“…Siç e dini neve jemi në kufi me Malësinë e Gjakovës, popullsi e cilla asht e tërhjekun e janë ba komunista, neve pra ndodhemi para një rreziku të madh. Gjermani ka ndjek komunistat e gjithfar race që po fillojnë me gjetë strehime në vendet tona. Neve jemi fukara pa asfar materiali, as pushk, as fyshek e tjera. Neve kemi lidhë një besë popullore qi komunistat mos të bajnë çerdhe e të shpërhapin idenat e tyne…”. Letra në fjalë mban nënshkrimin e Mark Tunxhit, Pal Nikës, Dod Prelës dhe Fet Sadikut, ajo mbyllet me lutjen që t’u sigurohen armë e municione.
Kontrolli nga çetat komuniste i pjesës tjetër të Malësisë së Gjakovës konfirmohet edhe nga burime zyrtare. Më 6 qershor të vitit 1944, Toger Lekë Vojvoda informon se atje operojnë dy çeta, njëra e përbërë nga 150 veta dhe një tjetër e kryesuar nga Mehmet Hoxha me 200 ndjekës në Valbonë të Krasniqes.
Në këtë kohë qarkulluan disa thirrje të shkruara, që u adresoheshin krenve të lëkundur, me qëllim që ata të rishikonin pozicionimin e tyre ndaj komunizmit. Kështu “Lidhja e Maleve”, u kërkon atyre që të heqin dore prej “komunizmës e të hyjnë përsëri përkrah burrave të malësive në gjiun e Atdheu”. Kolë Bibë Miraka shpërndau një tjetër qarkore me titull “Për partizanë e komunsita të penduem”, sipas tij “…nuk asht nevoja të bahemi bolshevik e të mohojm Atdhe, Zot e familje por të bashkuem shqiptarisht e vetëm për Shqipnin t’onë, t’i apim të drejtën popullit”,(AQSH F. 160 V. 1944 D. 13, fq. 56).
Kleri Katolik i mbështeti malësoret në veprimtarinë e tyre antikomuniste, arsyeja ishte e thjeshtë, pasi ata për shkak të formimit intelektual e njihnin mirë ideologjinë komuniste, megjithëse kjo i kushtoi shumë Kishës Katolike. Një ndër antikomunistët më të zellshëm ishte Patër Lekë Luli, i cili në një mbledhje në Valbonë e kishte konsideruar komunizmin ideologji të rrejshme, dekleratë kjo që i kushtoi jetën, pasi ai u vra gjatë rrugëtimit për Dukagjin. Prefekti i Shkodrës, Hrushiti njofton më 24 Korrik 1944, vrasjen e P. Lekë Lulit prej komunistësve, ndërmjet Valbonës e Shalës, (AQSH. F 152 V. 1944 D. 187 fq. 34).
Në shtypin e viteve 1945-1946, kundërshtarët politike etiketohet si “Tradhëtare”, “Klikat e tradhëtareve”, “Legaliteti organizatë tradhëtie, krimi e terrori”, etj. (Bashkimi; 1945; 1).
Autoritetet komuniste të Tiranës urdhëruan mësymjen e krahinës së Nikaj-Mërturit dhe likujdimin e qëndresës antikomuniste atje, pra sulmi i zonës kishte tipare ideologjike se ushtri të huaja atje nuk kishte. Ky ballafaqmin “shqiptaro-shqiptar” është konsideruar si luftë civile. Në drejtim të Nikaj-Mërturit u dërguan kontigjente të përzgjedhura të brigadave partizane, përfshi baterinë e artilerisë, prapavinë, grupet e zbulimit, etj.
Përplasja më e fortë ndërmjet palëve në këtë konflikt qartazi me motive politike u zhvillua në Qafë të Kolçit, dimensioni i saj gjen shpjegim në këtë dokument: “…Populli u çue i madh e i vogël e duel në Qafë të Kolçit e ashtë ba front kundra armikut. Kanë qitë kushtrimin edhe në marë Dukagjinin, kanë ardhë shumë prej tyre, sot janë mase 800 vetë në Qafë të Kolçit të gatuem me luftue armikun e fesë e të atdheut e posaqë po them unë sot edhe të meshtarëve…”.

Memorial në Lekbibaj (Tropojë), në vitin 1995 kushtuar Fet Sadikut e Ukë Çunit
Memorial në Lekbibaj (Tropojë), në vitin 1995 kushtuar Fet Sadikut e Ukë Çunit

Reprezalja ndaj zonës ishte brutale, pati vrasje pa gjyq, tortura dhe djegeje shtëpish. Operacionet e njëpasnjëshme ndaj kësaj zone në vitet 1944-1946, krijuan rrethanat për larjen e hesapeve me antikomunistët nikajmërturas në shtator të vitit 1946, Fet Sadiku ishte padyshim në rend të parë.
Në Lekbibaj më 28 shtator1946 (Nata e Shënmhillit), nëpërmjet një thirrje të papritur lajmërohet populli për një mbledhje në Lekbibaj, historiani Dodë Progni nënvizon se kjo ishte “një ditë ankthi, frike e terrori për të gjithë krahinën” (Progni; Operacioni i mbledhjes së armëve në Nikaj-Mërtur www.nasergashi.com), mirëpo mbledhja u shty për të nesërmen sepse aty munguan disa prej njerëzve që ishin në shënjestër për t’u likujduar.
Të nesërmen më 29 shtator, e ashtuquajtura mbledhje u shndërrua në një hakmarrje kriminale, burrat e krahinës thirreshin emër për emër, duke i akuzuar për armëmbajtje pa leje. Aty ishin të pranishëm edhe palçnorët Adem e Fet Sadiku, ndaj të cilëve nuk mungoi e njëjta akuzëmadje Ademin e akuzuan se mbante katër pushkë.
Në fakt armbëmbajtja ishte arsyeja për të përligjur likujdimin fizik të tyre. Sipas Ndue Ukcamës: “…i pari u pushkatua Ukë Çuni i Tetajve, fill pas tij u thirr Fet Sadiku,të cilin e pushkatuan, një karikatore u shpraz në trupin e tij. Në rastin e familjes së Fetes, nuk u ndalën me kaq, i arrestuan të vëllain Ademin dhe dy djemtë Marashin e Nikollën…”, (Ukcama; 55; 2006; 17).
Mësymja e brigadave partizane ishte një operacioni mirëpërgatitur me objektiva kryekëput politike. Në fakt evidentohet një paragjykim i skajshëm ndaj krahinave antikomuniste. Kështu në një relacion që i dërgohet Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste në vitin 1946, sa i takon Nënprefekturës së Dukagjinit, ku bënte pjesë aso kohe Nikaj-Mërturi shkruhet: “…atje nuk njihet mirë qeverija jonë. Për Dukagjinasit ka ardhur një “parti” në fuqi, ashtu si mund të vinte një parti tjetër. Populli është mjaft frikacak, servil dhe i lidhur me çdo zakon prapanik…”, (AQSH; F14/AP STR; V. 196 D 62/1; fq. 65).
Fet Sadiku dëshmoi se liria e dinjiteti njerëzor për të ishin të barazvlefshme me sakrificën më sublime, jetën.
Qëndresa antikomuniste e Nikaj-Mërturit do të zërë një vend të caktuar në historinë e politikës shqiptare të shek. XX, kur të piqen kushtet për t’u shkruar drejt e pa ndikime me siguri do të pasqyrohet drejt ky kontibut i dhënë nga kjo krahinë për mbrojtjen e lirisë dhe të drejtave të njeriut. Cilatdo qofshin arsyet e paragjykimeve ndaj saj, brenda e jashtë krahine, tek e fundit nikajmërturastit e kësaj epoke thjesht i qëndruan besnik mbrojtjes së lirisë, këtij institucioni të trashëguar ndër breza.

Faksimile e Medaljes së akorduar familjes
Faksimile e Medaljes së akorduar familjes

Pasardhësit e Fetës përjetuan ditë të vështira gjatë komunizmit, por siç thotë një françeskan i shquar për qëndrestarët e atij regjimi, ata mbetën njerëz. Pas viteve ’90, Fet Sadiku u vlerësua nga shteti shqiptar me nota realiste për veprimtarinë e tij atdhetare e politike. Presidenti i Republikës më 21 qershor 1996 i akordoi atij medaljen “Martir i Demokracisë” me motivacionin “Trim dhe patriot i shquar që dha jetën për një Shqipëri të lirë dhe të bashkuar”, (Dekret i Presidentit të Republikës, Nr. 1130; 1995).
Kontibuti i Sadik Gjergjit dhe i pasardhësve të tij Fetës dhe Ademit, nuk mund të mbetej vetëm në këngë, vargje letrare apo rrëfime narrative, para së gjithash ai është një kontibut konkret historik i dëshmuar nga një varg dokumentesh. Trajtimi rast pas rasti i ngjarjeve më kryesore ku konstatojmë praninë dhe rolin vendimmarrës të tyre, na mundëson të konkludojmë se ata kanë dhënë një kontribut të çmuar për Krahinën e Nikaj-Mërturit.

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Diten e shtune, me 18 korrik 2015, u organizua simpoziumi “100 Vjetori i Betejes se Qafes se Kolshit”, nji nga ngjarjet ma te rendesishme te Malsise se Veriut, ne kapercyell te Luftes se Pare Boterore… Ku malesoret nikajmerturas jo vetem i bane qendrese forcave malazese po edhe arriten ta thyejne ushtrine e tyre… Takimi qe nji deshmi jo vetem e kesaj ngjarje po e krejt vlerave dhe kontributeve te kesaj njesie qe mbetet e dalluar jo vetem per trimeri e bujari po edhe per histori, kulture e arsimdashje, edhe pse sot e kesaj dite vazhdon te mbetet nji nga pjeset me te izoluara te Shqiperise… Se shpejti ne do te paraqesim disa shkrime per kete aktivitet te rralle dhe aq te suksesshem dhe jo vetem kaq… j.r

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.