back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Pellazgët – origjina jonë e mohuar! nga Prof. Dr. Dhimitri Pilika

Gazeta

"Pellazgët..." Vepra e Prof. Dhimitri Pilikës
“Pellazgët…” Vepra e Prof. Dhimitri Pilikës 

Pellazgët – origjina jonë e mohuar!

nga Prof. Dr. Dhimitri Pilika

Shkenca historiografike botërore e pranon njëzëri që trualli i atdheut tonë (Xara pranë Sarandës, Lanabregasi rrëzë Dajtit, Bardhaj afër Shkodrës), ka qenë i banuar, të paktën qysh prej 30.000 vjetësh (nga fillimi i paleolitit). Së këtejmi rrjedh pa një, pa dy, se te ne kanë gjalluar njerëz shumë mijë vjet para ilirëve, të cilët kanë ardhur fort vonë në Siujdhesën e Haimit (Hemit), – autokton, parailir, parahelen – emri i kryhershëm i Ballkanit të sotëm.
Populli ynë si një etnos i stërmoçëm në Europë, te trashëgimia që na ka lënë, prejardhjen e vet parailire është kujdesur ta provojë, jo vetëm me pohimet e rilindasve, por edhe me dëshimitë më se të qarta, të njëzëshme, të stërgjyshërve tanë nga Moti i Arbërit (shek. XV), nga koha e Lekë dhe Pirro Molosit, madje edhe më lashtësishtë(…) Të parët tanë i kanë caktuar si kërkesë të rreptë vetes që të na e ruajnë me këmbëngulje zanafillën e vet parailire, edhe siç do të shihet, e kanë kryer me nder këtë detyrë të shenjtë përball pasardhësve dhe historisë. Njëri ndër njohësit më të thellë e më të mprehtë “insitu” (në vend) të së kaluarës të Gadishullit të Hemit, dhe veçanërisht të karakteristikës së mësipërme arbënore, shkenctari hungarez Lajosh Taloci (1834-1916) shpall hapur: “Nuk ekziston popull tjetër në Ballkan, as ai i Greqisë së re, që mund ta ndjekë historinë e fisit të vetëm ashtu me rend kronologjik, qysh prej kohëve më të lashta gjer në ditët tona, sikurse populli shqiptar…”.
Pas zbulimit pranë Janinës, më 1875 të Dodonës, kryeqendrës politike dhe shpirtërore të pellazgëve, u disafishua vlera e informacionit historik që buronte nga afro 200 autorë të kahershëm helenë, romakë e të tjerë, të cilët këmbëngulin çiltazi për qëndrueshmërinë historike të këtij populli parailir e parahelen.

Lasgush Poradeci dhe shkencëtari Dhimitër Pilika
Lasgush Poradeci dhe shkencëtari Dhimitër Pilika

Pellazgologjia moderne, e mbështetur gjithashtu mbi punimet e pothuaj 500 dijetarëve të kohës së re, duke u rritur dhe zgjeruar orë e çast në rrafsh universal, jo vetëm e quan pikësynim të vet madhor vijimësinë pellazge-iliro-shqiptare, por mbi të gjitha, është në gjendje ta demonstrojë këtë me saktësi matematike, edhe nëpërmjet provash të pashfrytëzuara dora-dorës (kalimithi, gjatë motit 1980, tërheqin vëmendjen, veçan, punimet e studiuesve tanë Nermin Vlora Falaski, Skënder Rizaj, Matje Ares…).
Mjerisht, arritjet novatore të shkencës ndërkombtare nuk njihen si duhet. Tek-tuk, ndonjë ithtar i së vjetrës, pa kurrfarë përgatitje historiografike kompetente, ndryhet symbyllazi ndër njohuri të përcipta, të kapërcyera, pa u shqitur dot nga suaza e ngushtë ilire, me një ngulm shkencërisht të papërligjshëm, agnosticist; faqeza mijëra e mijëra dokumentash dhe dhjetra disiplinash shkencore, rreket ende më kot (veç me shkumë fjalësh, nga forca e inercisë, pa as edhe një kundër-dokument të vetëm) që të hedhë akoma edhe sot, qëllimthi apo jo, farën e dyshimit mbi rrënjët tona të patjetërsueshme parailire, pellazge.

Dhimitri Pilika - Shqiponjat1
Dhimitri Pilika – Shqiponjat1
Dhimitri Pilika - Shqiponjat2
Dhimitri Pilika – Shqiponjat2

Do të ishte tepër e habitshme, për të mos thënë kundër gjykimit të shëndoshë, që një komb me tradita mijëvjeçare si i yni, të priste, ndër shekuj, që origjinën t’ia rrëfente, t’ia mësonte, i pari, së largu, nga muret e kabinetit, një filozof e matematikan i huaj, sado vigan, si, bie fjala, Gotfrid Vilhelm Laibnici (1646-1716) apo ndokush tjetër. Mëmëdheut tonë, ç’prej dhjetëra shekujsh, nuk i kanë munguar kurrë dijetarët rrenjës (vendas), të shqetësuar drejtpërdrejt për një çeshtje me rëndësi të tillë jetësore. Këta pikërisht e mbrojnë plot zjarr gurrën parailire të stërgjyshërve tanë, në kundërshtim të flaktë me Laibnicin, kryeborizan i shpejtuar, që nga moti 1695, i kryefillit tonë eruditët tanë Pirro Molosin, Gjergj Kastriotin, Barlecin, Beçikemin, Bardhin, Bogdanin, Nikoll Ketën, Zef Krispin, Dorsën, Kamardën, De Radën, Ismail Qemalin, Samiun, Kondën, Kurrilën, Gjeçovin, pa numëruar të tjerë, mjeshtër të regjur në dijet mbi ilirët, por megjithatë tejendanë, flamurtarë të paepur, – të rrjedhës më të lashtë, parailire të popullit tonë, – sepse trashëgimtarë dhe bartës të një përvoje autoktone dhjetrashekullore. Së vërtetës absolute, edhe në këtë mes, i afrohet veç kush e ka më të ngritur shkallën e njohjes. Duke qenë një karakter kryekëput historik, mu për këtë arsye, problemi i etnogjezës sonë mbetet detyrimisht i pakapshëm prej orvatjesh gjuhësore të cekëta, të shkëputura nga historia, si ato të Laibnicit me pasues. Hetimi i plotë, më 1989, i emrave të krejt dymbëdhjetë muajve të një kalendari parailir, – shpikje e qytetit pellazg të Bunimës, – shënon një fitore me peshë të jashtëzakonshme, nën disa kënde vështrimi. Këto emërtime, qind për qind parahelene, janë përdorur mot e jetë, ekskluzivisht rreth Dodonës pellazge, deri ndaj agimit të erës sonë, sikundër faktohet, madje edhe në prehrin e Korkyrës, Buthrotit, Apolonisë, Dyrrahut, etj.
Shkurt, krahas një rivërtetimi llamburitës të konsistencës historike të pellazgëve, thërrmohet njëherazi edhe i ashtuquajturi “helenizim tërësor” i këtyre qendrave qytetare parailire, paragreke, pellazge, të ndërthurura imtas me Dodonën. Gjurmimet më të reja të shkencës ekzakte të antropologjisë dokumentojnë qartazi gjithashtu rrembat parailire, parahelene, pellazge, të shqiptarëve të sotëm. Hulumtimet antroponomike të kurorëzuara në Kosovë në vitet ’80, – rreth periudhës afro tetëshekullore të sundimit romak, – ligjërojnë po ashtu për një themel të ngjeshur parailir, paragrek, autokton, në popullsinë e kësaj treve shqiptare. Studime serioze historiografike, qindrafaqëshe, të botuara gjatë viteve ’80 në Itali, theksojnë me plotë gojën se qytetet kryesore antike të Siujdhesës Apenine ua detyrojnë themelimin dhe qytetërimin pinjollëve parailirë, pellazgë, të shpërngulur nga vatrat tona amtare, ose të gërshetuar thukët me Dodonën plakë (M. Pincherle, D. Briquel).
Edhe vetë historiografia greke bashkëkohore e vulos, në mënyrë të padiskutueshme, jo vetëm zotërimin e banorëve parailirë, pellazgë, gjithandej në Ballkanin e dikurshëm, por posaçërisht, edhe autoktoninë e tyre parahelene (G. Kordhatos, M. Saqellarios, A. Pulianos, e të tjerë). Tejpërtej Gadishullit Ballkanik dhe më gjerë, ndër shtresime parahelene, mënyra e jetesës, kultura materiale, shoqëror edhe artistike, veprimtaria prodhuuese, si edhe onomastika e parardhësve tanë, shfaqen në fusha pa anë e fund, ku spikat shkoqur lashtësia jonë parailire, pellazge…
Hyrja e librit “Pellazgët, origjina jonë e mohuar” të Dhimitri Pilikës.

Plisi Epirotas
Plisi Epirotas

“Pellazgët, origjina jonë e mohuar”

Pseudostudiuesit serbë, që prej shekujsh, po rropaten, me mashtrimet më të paturpshme, që ta mohojnë birërinë iliro-shqiptare, praninë e katragjyshave arbërorë në Ballkan, kryesisht midis shekujve II-XI të erës sonë, duke synuar, përveç gllabërimit të Kosovës, edhe atë të Shqipërise mëmë. Dihet se të dhënat shkrimore dhe mbishkrimore nuk i zenë në gojë ilirët veçse në shekullin V pas erës sonë. Këta përfillen si ardhës, jo-rrënjës, ndërkohë që, prej një vargani kumtimesh nga më të stërlashta, parailirët autoktonë, pellazgët, cilësohen shpehimisht si bij të tokës, të mbirë prej dheut, madje si “para-hënorë”, si të gdhirë në Europë që përpara shfaqjes së Hënës në hapësirat qiellore. Ndonëse astronomë të sotëm, falë superkalkulatorësh të përpiktë, betohen se Hëna është mbrujtur prej vorbullash pluhuri të shpërndara qëkuri rreth lëmshit tokësor. {…} (*f.24-27)
Nga mesi i shekullit XX, u nxorrën në shesh edhe gërmadhat e kryeqytetit të Molosisë, Pasaronit, – 20 km në lindje të Kosovicës sonë dhe 11 km në veriperëndim të Janinës, – afër vendbanimeve neo-e-halkolitike të Kastricës, Kuculiosë, Hanit Terovo (përkatësisht 15, 12, 12 km rrotull Dodonës) etj., si dhe qyteteve të lashtë, Tekmonit e Ilionit atypari. Paskëtaj s’kishte si të mohohej dot më, objektivisht, prania e prekshme e pellazgëve, shumë kohë para Luftës së Trojës, tejtej zonës thesproto-molose të përfshirë ndërmjet distriktit të Janinës dhe kufijve të sotëm juglindorë të Shqipërisë. Janë po aq domethënëse edhe gjetjet e panumërta arkeologjike gjithandej, qindra kilometra përreth së njëjtës trevë, të objekteve prej poçerie, të cilat provohen botërisht si të dala drejtpërdrejt nga duart e pellazgëve, bile edhe nga disa studiues të ndershëm grekë.
Kjo qeramikë karakteristike, trashëguese, bartëse ose krijuese, gjithesi përfaqësuese e qartë kulturash pellazge si Gumelnica, Baden-Peceli, Vinça, Larisa, etj., gjen përkime deri binjake në stacionet tona prehistorike: Barç, Bënçë, Blaz, Bodrishtë, Bulçar, Burim, Burimas, Burel, Bushkash, Cakran, Cetush, Çepunë, Qinamak, Çlirim, Dedaj, Dërsnik, Dishnicë, Divjakë, Dunavec, Dvoran, Fajzë, Golaj, Gajtan, Grabovë, Gradec (Peshkopi), Kambull, Helsham, Kakavijë, Kamnik, Katundas, Kënetë, Këputje, Klos (Mat), Kolsh, Kom, Koplik, Kuç i Zi, Luadishtë, Luaras, Llosticë, Maliq, Mjedë, Mollas, Nënshat, Nezir, Pazhok, Perat (Mesi i Urave), Piskal, Piskovë, Plan, Podgorije, Prespë, Rashtan, Romajë, Rrajcë, Selcë, Selo, Spile, Surroj, Shtikë, Tren, Vajzë, Vashtëmi, Velçë, Vlush, Vlodhinë, etj. etj.
Në të mirë të këtij degëzimi flasin muret pellazge ose aiakase, të pikasura anekënd, që nga jugu i Thesprotisë, tejpërtej Molosisë e Kaonisë, gjer në veri të Labiatisë. Përveç kësaj, është hetuar se, qëkur s’mbahet mend, shtegtimi i bagëtive (çoja) të Dodonës dhe Helopisë – krahinë tepër e ftohtë, me ekonomi krejtësisht blegtorale, fillonte gushtovjeshtës radhazi drejt bregdetit jonian, që nga kullotat e Ambrakisë (Artës), deri tutje kriporeve natyrore të Tragasëve (Tragjasit), pranë Orikut. Krahas Panormit e Onhezmit, pas Buthrotit, Oriku ishte një nga portet më të mbrojtur, pra më të lakmuar, të cilët lidhnin ekonominë dhe tregëtinë e Dodonës, si edhe Orakullin e saj zulmëmadh, me mbarë botën e rrahur të antikitetit, që nga Danubi në Nil. Për të tilla shkaqe me rëndësi jetësore, kjo vatër-nënë pellazge e ka patur përherë fytyrën të kthyer drejt Jonit, drejt brigjeve të Kaonisë, motër gjaku, historisë, gjuhë…

Tempulli i Dodonës (në afërsi të Janinës)
Tempulli i Dodonës (në afërsi të Janinës)

* * *
Pyetjes se cilët janë pasardhësit e pellazgëve, studiuesit nuk i janë përgjigjur ende prerazi, sepse zinxhirit historik i kanë munguar hërpërhë një mori unazash, që do të na çonin pa vështirësi tek pikënisja pellazge. Zbrazëti të pazëvendësueshme në këtë aspekt kanë shkaktuar sidomos shkretimet e mynxyrat që pllakosën përqark Dodonës, posaçërisht shkatërrimi që nga themelet (167 p.e.s.) i rreth 70 qendrave të banuara të këtij pellgu nga kryegjenerali gjakatar romak Paul Emili; dyndjet e mëpasme barbare, sidomos ajo e gotëve të Totilës (554); kërditë e pandërprera halldupe, etj.
Ky punim do të rreket të provojë, nën dritën e fakteve dhe argumentave shkencore, se cilit populli i takon nderi i prejardhjes nga polemi më i moçëm i Europës. Argumentet do të huazohen, vetëm nëpërmjet kriteresh rreptësisht shkencore nga historiografia, arkeologjia, numizmatika, epigrafia, sfragjistika, gjuhësia, etimologjia, onomastika, etnografia, folkloristika, jurisprudenca, antropologjia, hematologjia, ekonomia, statistika, demografia, gjeografia, gliptografia, qeramologjia, historia e artit, zoologjia, botanika, etj. Në ecurinë e vet, kjo përpjekje, ndryshe nga ndonjë që nisej duke u ngjitur nga e shkuara misterioze drejt një të sotme spekulative, do të çapitet duke zbritur nga e tashmja e mirënjohur drejt së kaluarës së panjohur… Traditat e mbara të një populli, sipas ligjeve të brendshme të zhvillimit, shfrytëzohen prej lëvizjeve përparimtare kurdoherë që e lyp interesi i përgjithshëm.

Monedhe ari e Pirro Mollosit
Monedhe ari e Pirro Mollosit

Edhe ndër ne, pesha e së vërtetës tek këto shprehi të ruajtura brez pas brezi, ka qenë aq shtrembëse sa ka detyruar deri armiqtë, që jo vetëm t’i pranojnë, por madje edhe t’i respektojnë. Kujtesa historike e popullit shqiptar, në periudha-kyçe i ka thirrur nevojës duke ringjallur gjithçka të vyer të lënë nga të parët: – Kështu, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare bëri të vetën dhe e shtjelloi më tej trashëgiminë e shëndoshë të Rilindjes dhe të Motit të Madh të Arbërit. – Në këtë mënyrë, sipas së njëjtës ligjësi dialektike, nën drejtimin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, gjatë përleshjeve kundër kularit turk u shpluhuruan e u mëkëmben fijet trimërore të së shkuarës sonë, që prej Pirros (319-272) dhe Aleksandër Molosit (362-331). – Po kështu, nën prijën e Pirro Molosit për çlirimin e Epirit nga shkelësit maqedonas, u grish në ndihmë lavdia e dikurshme e Dodonës, kryeqëndrës së pellazgëve, dhe burrëria e katragjyshërve tanë, që nga fatosat legjendarë të Luftës së Trojës deri tek Aleksander Molosi… Rindërtimi, – nëpërmjet një përpunimi shkencor sa më të ngjeshur, – i platformave historiko-etnogjenetike të shtetit të Arbërit kundër pushtimit turk (shek.XV) dhe të mbretërisë së Epirit në betejat kundër sundimit maqedonas (qindvjetori i tretë p.e.s.), do të na shpjerë përfundimisht, vetëm mbi mbështetje të sakta, pa hamendje në ajër, pa i marrë dëshirat për realitet, te rrënjët e zanafillës së popullit tonë…
(Fragment i shkëputur nga libri: “Pellazgët, origjina jonë e mohuar” i autorit Dhimitri Pilika.)

Prof. Dr. Dhimitri Pilika (1923-2003)
Prof. Dr. Dhimitri Pilika (1923-2003)

Kush është Dhimitri Pilika

Prof. Dr. Dhimtri Pilika, konsiderohet si një nga dijetarët më të mëdhenj shqiptarë dhe si pellazgologu më i mirë. Njohës i shkëlqyeshëm i 12 gjuhëve të huaja, mes të cilave 5 gjuhë të vdekura, si edhe mjaft disiplinave shkencore. Ai lindi në Korçë më 30 prill 1923. Pasi mbaron Liceun Francez, fillon studimet pranë Universitetit të Sienës në Itali. Merr pjesë në LNÇ në drejtimin e njësive guerile. Pas Çlirimit, më 1945, zgjidhet kryeredaktor i “Zërit të rinisë” në Korçë. Jep mësim në shkollat e mesme të Korçës, Tiranës, Vlorës, Gjirokastrës. Nderohet me dy medalje ari dhe i jepet titulli “Doktor” në histori e gjuhë shqipe pranë Fakultetit të Filozofisë së Pragës, si dhe në romanistikë – helenistikë pranë Fakultetit të Filologjisë po në Pragë. Themelon dhe drejton “Seminarin shqiptar”, qendër studimesh dhe kërkimesh albanologjike pranë Universitetit të Pragës, ku emërohet profesor në ligjërimin e displinave albanistike. Gjatë qëndrimin afro 15 vjeçar në Pragë, nxjerr në dritë 64 botime me brendi arbërore, si monografi – dorëshkrime, tekste akademike, fjalorë, tekste për gramatikën, historinë dhe letërsinë, antologji të këngëve shqiptare, veprën “Shqipëria vend shqiponjash” në shqip, anglisht, frengjisht, rusisht, etj. Gjurmon gjithçka që lidhet me Shqipërinë dhe sjell në atdhe 30 arka me dokumente të rëndësishme, apo siç i quante ai: “albanica”. Pas prishjes së marrëdhënieve (1968) kthehet në atdhe dhe fillon punën shkencore pranë UT. Boton plot studime e monografi, si dhe zbulimet e bëra në Çekosllovaki, derisa e internojnë pa motiv në Myzeqe. Pas një ndërprerje të gjatë si rezultat i internimit dhe izolimit thuajse të plotë, në vitet ’90 rifillon aktivitetin e tij shkencor publik si brenda dhe jashtë vendit duke rizënë vendin e vet të nderuar. Vdes në spitalin e Tiranës, më 31 dhjetor 2003.
Marrë nga Shqiperia e Bashkuar.info 14.02.2015

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.