back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

10 vjet nga terrori komunist, janë vepër e kriminelit Gjeneral Hilmi Seiti! Fritz Radovani

Gazeta

Fritz Radovani
Fritz Radovani 

10 vjet nga terrori komunist,

janë vepër e kriminelit Gjeneral Hilmi Seiti!

nga Fritz Radovani

Një dëshmitar i kohës së gjen. Hilmi Seitit rrëfen për tmerret që pësoi ai vetë dhe familja e tij duke qenë i pafajshëm:
Me datën 10 maj 1950, rreth orës 22 të darkës një krizëm jo e zakonshme e derës së shtëpisë, më zgjoi nga gjumi… Nana doli në korridor dhe pyeti se, kush asht? U ndigjue një za i panjoftun burri që, tha: “Hape porten, jemi Sigurimi i Shtetit..!” Nana e hapi derën dhe, unë ashtu si ishe i çveshun nga shtrati dola pranë Nanës te dera, tue u dridhë prej frikës kur hyne tre vetë civila. Pyetne Nanën se ku asht Alfonsi, i cili, atë kohë mbrrijti nga kuzhina. Ai u përgjigj, qe ku jam… Ma zeshkani dhe trupmadhi prej tyne, i tha: Jeni i arrestuar si “Armik i Popullit”, ndërsa, dy të tjerët bllokuen dyert për me fillue kontrollin e shtëpisë… Ai që njoftoi arrestimin e vëllaut, ma vonë mësueme se ishte shoferi i njohtun për vepra të tilla, Ahmet Suji, nji torturues i pashpirt. I vuni prangat vëllaut dhe dolën për dere… Vaji i Nanës na topiti aq shumë, sa harrueme fare se në duert e kujt përfundoi vëllau maturant 18 vjeçar, që aso kohe po përgatitej për provimet e shtetit. Edhe pse ishe 10 vjeç, arrestimet e dajave dhe të afermëve na kishin “burrnue” para kohe, tue na formue në shpirt nji urrejtje të pashoqe për sistemin diktatorial komunist, që në Shkoder, asht kenë ma i pamëshirshmi po, edhe ma i mnershmi që ka njohtë historia në krejt Lindjen komuniste Europiane. Të nesërmen edhe vëllau tjetër Tonini, u përjashtue nga gjimnazi, si nji nga “elementët e papajtueshëm me frymën e shkollës së re revolucionare”, shënon në amzën e gjimnazit drejtori hetues Skënder Villa. Unë shkojshe në klasë të V-të, po, të nesërmen, filluen edhe sofratasat që nuk na u ndanë asnjiherë për ma shumë se 40 vjet nga dera e shtëpisë…
Po, mese do të mbusheshin 26 burgjet e birucat e sigurimit të Shkodres që nga 1946?
Rrobaqepsi Filip Daia, tha: “Toskënia paska kenë ma e madhe se Italia..!”, mbasi në të gjitha shtëpijat e Shkodrës, nuk kishte nji dhomë bosh… të gjitha ishin të mbushuna me oficera e halabakë të mbërthyem në armë e spaleta që kishin ardhë me “ndërtue” socializmin…
Mbas largimit të terroristit Zoji Themeli, si kryetar i Degës së Mbrendshme të Shkodrës, në vendin e tij erdhi major Hilmi Seiti. Njihej nga mjaft persona shkodranë, mbasi në vitet e rinisë së tij, aty nga 1939- ’40 kishte ardhë si student në Shkoder, dhe kishte kenë në konviktin “Malet tona”. Nuk dihej se nga erdhi as nga shkoi por, njihej i ardhun nga Çamëria… Dihej se, që në vitet e para mbas 1944, ishte angazhue me forcat e ndjekjes, që ma vonë u quejt “Sigurimi i Shtetit”, nji nga organet e njoftuna terroriste të sistemit komunist shqiptar që në themelimin e tij, ku, aso kohe (1950) punuen me zell shumë nga emnat e njohtun dhe të paharrueshem për krime si: Ali Xhunga, Herakli Kocani, Qamil Gavoçi, Qazim Kapisyzi, Fahri Kraja, Rasim Mushani, Rasim Dedja, Shyqyri Çoku, Dul Rrjolli, Xheudet Miloti, Isa Miloti, Çesk Shoshi, Lilo Zeneli, Kasem Troshani, Hamdi Ulqinaku, Fadil Paçrami, Xhemal Selimi, Asllan Lici, Elez Mesi, Dulaç Lekiqi e Aranit Çelat me shokë…që, nuk lanë gja pa ba mbi rininë e pleqninë shkodrane vetëm, për me zhdukë themelet e traditave Atdhetare të vendosuna në shekuj nga kjo qytetari.

Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)
Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)

Pikërisht, asht ajo kohë kur major Hilmi Seiti, i drejtohet Ministrisë së Mbrendshme me këtë kërkesë nga ana e tij: “Në Gjimnazin e Shkodrës vlon propaganda antikomuniste, na dërgoni sa më parë 100 (njëqint) konviktorë nga Jugu”… (Dosja H.Seiti, Arkivi i M. M. Tiranë, 1998).
Asht viti 1949, kur Kryetari i Degës së mbrendshme të Shkodrës i posaardhun për me zbatue politikën kriminale komuniste ndien nevojën se i duheshin edhe 100 “konviktorë”, 100 spijunë, 100 agjentë, 100 kriminelë, 100 komunistë, 100 kuadro të ardhshme të Sigurimit! Pra, duheshin edhe 100 katilë të tjerë, përveç atyne qindrave që ishin në çdo skutë e kand të qytetit.
Nuk i mjaftonin të Veriut, po i donte nga “Jugu..” për me realizue veprën e fillueme nga komunistët jugosllavë, që në themelimin e partisë komuniste në vitin 1941, prej tyne, vepër e cila do të lante me gjak të gjitha Trojet tona, por në mënyrë të veçantë Veriun e posaçërisht ata troje që ndër shekuj i kishin ba ballë rrebeshit shovenist sllav e, që nuk u thyen kurrë: Malet e Veriut!
“Partia” kje e gatshme me ia plotsue dëshirën, kështu, u kompletue grupi i spijunve në qytetin e Shkodres dhe, rinia shkodrane do të survejohej e spijunohej nga: Ferit Mandia, Vehbi Çanga, Bardhyl Dushi, Feço Mandia, Vladimir Misja, Hajredin Çeliku, Çiril Pistoli, Iljaz Fishta, Agim Bejleri, Jonuz Dini, Haxhi Pela, Jonuz Tuli, Xhemal Dini, Sadush Kumbaro, Emil Mborja, Satber Jubani, Ilir Gjylbegu, Qemal Jashari, Jani Çomo, Angjelin Kumrija e deri tek Bep Jubani me shokë në vitin 1956, të gjithë ishin në shërbim të diktaturës dhe organit të saj terrorist Sigurimit të Shtetit. Si të tillë, sigurimi i dërgoi me krye edhe studime jashta shtetit, prej nga këta erdhën të “formuem” si spijunë dhe agjentë, tue i shërbye partisë ata vetë bashkë me gra e trashigimtarët e tyne edhe sot në gjiun e partisë socialiste nën maskën e “demokracisë”…
Në vitin 1950, prova e parë e besueshmënisë së Hilmisë ndaj Sigurimit mbas daljes nga burgu të vetë atij, asht kenë arrestimi dhe torturat që ai i ka ba me duertë e veta studentave të Shkodres, që u arrestuen njiherësh me 10 maj: Alfons Radovani, Viktor Luka, Et’hem Bakalli, Njazi Uruçi, Mërgim Dani, Nexhip Osmani, Ferit Myftia, Pjerin Vata dhe Gjon Mark Ndoi e, mbas pak ditësh të Ismail e Olimbi Barutit…e, kur, Alfonsi u lirue tregoi se bash ai Hilmi, ishte që i ka zhgulë nga goja dhëmballët me pinca të elektiçistit që komandonte elektroshokun…
Hilmi Seiti asht ndër kryetarët e degës së Shkodres, që ka dhunue ma shumë se të gjithë të tjerët Rininë Shqiptare, tue i detyrue me dajak e tortura me nënshkrue deklarata bashkpunimi me sigurimin komunist, tue i premtue vende pune apo “falje” gabimesh në tentativa arratisje dhe, asht ndër ma të shquemit që ka shburrnue Popullsinë shqiptare në brezin kufitar, tue i detyrue me spijunue jo vetëm njeni-tjetrin por, edhe tue i ba vegla të sigurimit për shërbime edhe në shumë shtete të hueja, tue fillue nga ShBA e deri tek UDB-jugosllave, me të cilën bashpunoi deri atë ditë që i hangri kokën… E, për këtë fakt le të flasin mbarë diaspora që ka braktisë Atdheun e Trojet Shqiptare, e detyrueme me ikë nga votrat e veta shekullore për me ia lëshue shovenizmit e dreqit mallkuem veç, për me shpëtue nga arrestimi i sigurt dhe interrnimet e familjeve të tyne. Implikimi i shumë të rinjve me organet e sigurimit kur ishin në shërbim ushtarak apo kur rrëmbeheshin nga dëshira e pasioni për sport, rekrutimi i tyne nga ana e Hilmi Seitit asht kenë dhe mbetët ende sot jo, vetëm për Shkodrën, por për gjithë Shqipninë baza amorale e shkatërrimit të shumë familjeve të nderueme dhe, që, ka ndikue dhe vazhdon me kenë prap nji dam i madh për çështjen tonë kombëtare, mbasi me djallëzi dhe inteligjencë Hilmia, ka ditë ku me prekë dhe ku me shpartallue në mënyrë të pandreqëshme edukatën e shkollave fetare të Shkodrës, të cilat janë kenë vatrat kryesore të edukimit moral, kulturor, politik, ekonomik dhe Atdhetar për gjithë Popullin Shqiptar pa dallim feje dhe krahine, që në hapjen e dyerve të tyne para vitit 1900.

Gjimnazi 28 Nentori i Shkodres
Gjimnazi 28 Nentori i Shkodres

Nëse ka njeri që ka shkatrrue qindra familje tue i interrnue dhe tue nxi biografitë e tyne, me aq shumë pasoja për vite të tana asht Hilmi Seiti, i cili, në 1954 interrnoi dhjetra familje shkodrane në Kuç të Vlonës, shumica e të cilëve edhe u burgosën, vetëm, se ishin intelektualë. Asht pikërisht ai grup ku përfshihej edhe daja i em Paulin Pjetër Prennushi, i cili, vuejti 4 vjet atje pa asnjë ndihmë nga familja, mbasi së shoqes nuk i epte punë askush dhe, ka jetue vetëm me ndihmën e vëllazenve të saj. Ndërsa, daja tjetër Mikel Pjetër Prennushi u arrestue nga Hilmia, në vitin 1952 dhe u torturue nga ai dhe Xheudet Miloti, në mënyren ma shtazore se ishte krejt i pafajshëm dhe, kërkohej prej Sigurimit “me pranue se ka lidhje me Muharrem Bajraktarin”, që aso kohe qarkullonte në zonat e Vaut të Dejës, ku, Mikeli punonte puntorë krahu në rruga-ura. Kjo ngjau prej tij vetëm se Mikeli kishte krye akademinë ushtarake në Itali…dhe, për këte të dy katilët e dënuen 10 vjet heqje lirije, të cilat, i kreu në kampet e shfarosjes…
Po cili, ishte fati që i priste këta viktima të sigurimit përbindsh mbas lirimit nga burgu..?
– Kazma, lopata, fermat, rrugat, përndjekja, vuejtja, fukarallëku, frika dhe “etiketa” e varun në derën e shtëpisë: “Ky është armik i deklaruar nga lufta e kllasave” – firma, Hilmi Seiti. Dhe, kjo “etiketë” pasohej nga trashigimtarët e tyne deri në zhdukjen e brezit të vet…
Hapni dosjen e atij katili dhe shihni se pse u gradue “gjeneral major” ai qen e bir qeni, kur, Enver Hoxha, po i përgatiste “qefinin”…? -Pikërisht, sepse, aktiviteti i tij plotësoi të gjitha dëshirat dhe trillet e udhëheqësit të partisë, i cili, mbasi kënaqej më këta bisha në haremin e tij, kishte edhe dëshirën me u knaqë ashtu si shpjegon në librin e Tij, i ndjeri At Konrrad Gjolaj: “Atje Ai (Don Dedë Malaj, shenimi em) kishte pasë rrezik e kishte ra ndër duert e një hamsi njerzish, njifarë Nevzat Haznedari, i cili njihej se para se me i pushkatue njerzit, kishte ajamë (qejf, dëshirë) me i ra me levë kokës dhe, me i pa tue u hedhë si pula kur i pret kokën…” (tek libri “Çinarët”, faqe 160, viti 1996. Shkodër). Plumbi që Enver Hoxha u jepte miqve të vet ishte shpërblim i partisë për “mirënjohjen” që ai kishte për veprat kriminale të tyne..!
Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu e sa katilë tjerë, nuk e kishin sjellë pa u mendue mirë se kush i duhej atyne në Shkodër, i duhej Hilmi terroristi, që kishte dhanë prova “besnikrije” ndaj partisë me kohë në labirintet e Ministrisë së mbrendshme, që atëherë, kur, Koçi Xoxe me shokë, e dërgonin tek burgu i femnave për me zgjedhë “ato” rrezikzeza me të cilat, këta amoral do të kalonin natën në pallatet e tyne luksoze…dhe, kur morën si shpërblim nga partia “plumbin kokës”, thonte, pikërisht, Ajo, … “Nëna Kate”, që kishte mbajtë çelsat e atij burgu: “Morën atë që kanë lipur me kohë ata maskarenjë..!” Dhe, nuk duhet harrue kurrë se, i tillë ishte mendimi i shumë e shumë familjeve të ndershme shkodrane që, e njoftën dhe e pësuen ndër votrat e tyne imoralitetin dhe paftyrsinë e Hilmi Seitit me shokë… gja, të cilën, besoj e kujtojnë mirë të gjithë ata që njoftën spijunin kodosh Palush Koliqi, apo “aktoret” e teatrit “Migjeni” atë ditë… të veshuna me vela të zezë, me lot përfaqe, tue shkue mbas arkivolit të Hilmisë… Atë që para tij kërkoi toger Baba, atë i dha “partia” edhe Hilmi Seitit e mbas tij edhe Mehmetit, Kadriut, Feqorrit e me rradhë… ashtu, “si i banë hysmetin i ndiene lezetin”, tha Shkodra, atëherë…
Mos ndoshta, ju Enver Kushi, bashgjakës i Hilmi Seitit, kur flisni për “burrërinë e tij” me ato bushtrat e theatrit ju keni dashtë me përfshi edhe Gratë e Vajzat e nderueme të Shkodres, që u masakruen dhe u përdhunuen të lidhuna me vargoj anijesh ndër tavolinat e hetuesisë së atyne kriminelave të pamoral e Atdhe, si, Hilmi Seiti, Ahmet Suji, Ferit Mandija, Iljaz Fishta, Nevzat Haznedari, Dhimiter Shkodrani, Xheudet Miloti, kolonel Mehdi Bylbyli, Feqorr Shehu…etj..?
Ju, Enver Kushi, shkrueni: “Gjithashtu do të gabonim akoma më shumë nëse figurës së tij do t’i vishnin mëkatet e diktaturës komuniste. Gjeneral-major Hilmi Seiti nuk u bë pjesë asnjëherë i atyre njerëzve që me veprimet dhe instiktet e tyre shtazarake, lyen duart me gjak.
Unë nuk do të rreshtoj të pushkatuemit apo të torturuemit nga duert e Hilmi Seitit, por do të shkruej dy fakte që i kam jetue në vitet 1958 dhe 1959, jashtë tek kinema “Republika”…
Ndaj tre klerikëve katolikë shqiptarë, të cilët nuk pranuen me firmue Statutin e Kishës, që pat përpilue shteti komunist në vitin 1950-51, Sigurimi i Shtetit pat sajue skenarët e zhdukjes së tyne, tue montue “ngjarje” të cilat Don Ejëll Kovaçin dhe Don Dedë Malaj i çuen në pushkatim, ndërsa, At Konrrad Gjolaj, vuejti burg të randë. Sajimi, organizimi, shpifjet, arrestimi, torturat, hetimet, dhunimet, gjyqet e deri tek ekzekutimet e tyne, janë vepra kriminale të Hilmi Seitit. Në vitin 1958, asht ky Hilmi, që bashkë me kolonel Mehdi Bylbylin, arrinë me detyrue me pranue Don Ejllin akuza të pandigjueme ndonjëherë në traditat shqiptare, ose ndryshej, “do të vras këtu, në sytë e motrës sate…” dhe, asht pikërisht, e motra, ajo që këtë e denoncon në gjyq, tue i thanë të vëllait: “Trego o Don Ejëll, se si e ke pranue akuzën… kur Hilmia të kishte futë revolen në gojë dhe të thonte se, po nuk e pranove do ti derdh trutë këtu ndër sytë e motres sate e, ti, firmove…”.
Ndolli ajo që nuk pritej…e, mbarë Shkodra, e ndigjoi në altoparlanta të rrugve…

Martiri
Martiri

Pa kalue një vit, një Hero tjetër ngrihet nga rradhët e Klerit Katolik Shqiptar, e Ky ishte djali trim i Selcës, ishte i pathyeshmi nga torturat e masakrat që kishin ba mbi trupin e Tij bash tre katilët e sigurimit, Hilmi Seiti, Nevzat Haznedari dhe Xheudet Miloti, ishte Trimi Don Dedë Malaj… bashkë me shokun e vet të të gjithë jetës At Konrrad Gjolaj, që ishin rritë bashkë në bankat e shkollës së Don Alfons Trackit, në Velipojë, ishte Ai At Konrrad, të cilin pata fatin me e njohtë afër në vitin 1995, pikërisht, ajo kohë kur ky At Konrrad, po përfundonte së shkruemi librin e Tij historik “Çinarët”, kushtue dy figurave të Mëdha, Mësuesit dhe Shokut të vet.
Po ato ditë kur Hilmi Seiti, pushkatoi Don Ejllin organizon dhe zhdukjen misterioze të Meshtarit të rinj Don Matish Lisna, i cili vdes nga helmatisja, vetëm se, “fjala e Tij kishte arritë me elektrizue shpirtin e masakruem” nga ideologjia marksiste të Rinisë Heroike Shkodrane!
Asnjëherë Shkodra nuk harron qendrimin Burrnor të At Florian Berishës SJ., At Leonard Shajakut dhe At Marjan Prelës, të cilët, vetëm, pse nuk pranojnë “me kallxue Rrëfimin” vuejtën sa vite interrnimi e burgje nga dëshira për zhdukjen e Tyne nga krimineli Hilmi Seiti, i cili me ato krime kërkonte me u veshë në spaleta gjeneralësh tue krijue simpatinë tek anadollaku mason i francezve Enver Hoxha, sherbëtor i shovenistve sllav e oriental deri ditën e ngordhjes së tij që, pa kursim për hirë të kolltukut ndihmohej nga Ramiz Alia dhe grupi servil i byrosë politike.
Lexoni vetëm atë liber dhe, shihni kush asht kenë krimineli katil Hilmi Seiti, kujt i ka shërbye, pse erdhi në Shkodër dhe, cili asht kenë qendrimi i tij gjakatarë ndaj popullsisë katolike!
-Po, cilës “diktaturë” i përkasin këta shtazë për të cilët shkrueni ju, Enver Kushi, kur dihet botnisht se Sigurimi i Shtetit asht kenë vegla ma terroriste, e besueshme dhe e pashpirt që, i ka shërbye me gjithë vullnetin e vet partisë komuniste dhe udhëheqësit diktator të saj e, kur, pa këtë sigurim vetë komunizmi asht i detyruem me falimentue, mbasi pa terror e gjak ai vdes?
-Pse, ju, kërkoni me çveshë pikërisht, ideatorët, autorët dhe faktet e atyne krimeve ma të shëmtueme që njeh historia njerzore e shekullit XX, të kryeme në Shkoder, nga fanatizmi anadollak komunist kundër inteligjencës, njerzve të ndershëm e Atdhetarë Shkodranë. .?
-Cili asht misioni i shkrimit tuej, kur, me paturpësi flisni në emnin e një brezi dhe mijra çamëve, tue deklarue: “Për brezin tim si dhe mijëra çamër të vdekur e të gjallë, gjeneral Hilmi Seiti ishte dhe është pikë referimi i burrërisë, krenarisë, dinjitetit, besës dhe fisnikërisë çame.”….
Kush jeni ju, që njollosni gjakun e Atdhetarve Çam dhe dhunoni vorrezat e Tyne..?
Kjo shprehje e jueja më ban me mendue shumë… e, sidomos, për Ata Shqiptarë, që në vitin 1923-’24 ngritën zanin e Tyne kundër masakrave të grekve që banin mbi Popullin Çam, dokumenta, të cilat, Katolikët e Shkodrës e Kleri i Tij i ka pasqyrue në gazetën “Ora e Maleve” e, sot, për hirë të një tradhtari komunist e katil si Hilmi Seiti, shkojnë huptas të gjitha! Turp!
Mos ndoshta, edhe ju, mendoni me e rreshtue katilin Hilmi Seiti, me kriminelat tjerë që Presidenti po na i quen edhe “Nderi i Kombit”, edhe pse janë vrasës e spijunë t’Atdhetarve?
-Nëse, me mendimin tuej sot, pajtohet “brezi i rinj” dhe mijra çamër, unë, do ta quejshe me të vërtetë një tragjedi kombëtare për fatin e Popullit Shqiptar e, kryesisht për Çamërinë e masakrueme! Nëse Rinia Shqiptare ka pikë referimi katilët, kasapët, terroristët, torturuesit, vrasësit, mashtruesit, dhunuesit, përbuzësit, hetusit, gjykatësit, hajdutët, falsifikatorët, amoralët, trafikantët dhe trathtarët e Atdheut, që kanë luftue dhe punue gjithë jetën e tyne tash 65 vjet, si vegla të shituna për kolltukët e tyne, për të gjithë armiqtë shekullor të Popullit Shqiptar dhe Atdheut Shqipni, tue fillue që nga gjyshat e tyne në sherbim të Turqisë dhe, tue përfundue në pinjollët bastard e të paskrupull si Hilmi Seiti me shokë, e edhe ata, pasues që, sot, pajtohen me mendimin tuej, atëherë, nuk asht e largët dita që edhe ju, do të merrni mallkimin e Asaj Plakës Shkodrane që me shkarpa në dorë, ecte e zdathun tek fabrika e makaronave drejt Pazarit vjetër dhe, nësa, po ruhej nga një makinë “gas” që, po fluturonte nga shpejtësia, u hap dera dhe u ndigjue një za i panjohtun: “Vishi nëne, vishi pantoflet, se do ftohësh e nuk do të sherojë Zoja e Shkodres!” dhe, Plaka, që po shkonte në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë, brinjë Kalasë Rozafat, me 25 Prill 1960, rreth orës 10.00 paradreke për Meshën e orës 11.00, iu përgjigjë atij zani bastardh pa pritë e pa e mendue fare: “Zoja e Shkodrës jarebi deri nesër, të theftë qafën..!”
Një rasë e rrallë dhe i veçantë po, me të vërtetë, ndolli:
Me datën 26 Prill 1960, papritmas u hap lajmi në Shkoder… Ka vdekë Hilmi Seiti..!
Flitej, se, Sigurimi kishte kërkue me gjetë cila kje Ajo Plakë gojëmjaltë, siç, e quejti gjithë Populli i Shkodres, por nuk mujti me i ra në te… “Fjala e Saj në vesh të Përendisë..!”.
Me datën 27 Prill, mbas homazheve në komitetin ekzekutiv të Shkodrës, të gjithë në rresht e pa ba za as majtas as djathtas, u drejtueme kah vorrezat e dëshmorve tek spitali civil…
Do ta mbylli shkrimin me një ngjarje të vërtetë, që ka ngja pak vite ma parë në Shkodër…

Kishte vdekë shefi i arsimit i qytetit të Shkodres, Gani Dizdari…i cili, kishte ba disa transferime në Gjinokastër dhe Berat aty nga viti 1946. Ndër mësuesit e transferuem ishte edhe zotni Paulin Çapaliku, një Burrë i urtë dhe i nderuem në qytetin e Shkodrës.
Kur, funerali i Ganiut u nisë kah vorrezat e Kamanës, mbas njerzve të familjes dhe fisit ishte tue ecë me krye ultë edhe Paulini… Ata që njihnin Paulinin, filluen me dyshue se, asht apo nuk asht Paulini, ai që po printe në funeral…? Mërritën ndër vorre. Prap, pranë gropës, në rresht me familjarët edhe Paulini…Kufoma zbritët në gropë… vendosen drrasat tërthuer dhe, puntorët e vorrimit fillojnë me lopata me hjedhë dheun… Shumë nga të pranishmit mbushin nga një grusht me dhe, e si mbas zakonit e hjedhin në gropë. Ashtu fillojnë edhe familjarët… Paulini nuk ngutët me hjedhë dheun, pret sa vjen gati fundi e, aty me dy-tre pjesmarrsit që nuk kishte ma mbas tij, edhe ky hjedhë grushtin e tij me dhe…Shikon përreth dhe, sheh se disa shokë të tij po e pritshin me u këthye së bashku ndër shtëpija. Paulini, me ecjen e Tij të ngadalshme iu afrohet shokve…
Njeni prej tyne që e njihte mirë Paulinin… dhe dinte edhe telashet e jetës së Paulinit, kur ishte trasferue nga Ganiu në Gjinokaster, sillet pak me buzqeshje dhe e pyet: “Paulin, pashë Zotin, a ma thue një të vërtetë… tana po i quej rasësi, ecjen me familjarë, qendrimin tand me krye të ulun… po, një ketë qëndrimin tand edhe mbas familjarve tek vorri i Ganiut, për me hjedhë një grusht dhe, gati i fundit, ndër të gjithë këta njerzë, unë, nuk e kuptoj..!”…
-Ndigjo, z. G…, mora vesht se ka vdekë Ganiu, po nuk m’u besonte… shkova tue ecë mbas familjarve, se dojshe me i ndigjue me veshtë e mijë tue kja, ashtu si ka kja Nana eme nji vjetë kur më ka trasferue ky mue në Gjinokaster… por, prap nuk i besova as veshve… kur, arritëm ndër vorre, dojshe me e pa tue e futë në gropë… dhe, e futne… por, nuk m’epej me e besue se asht aty në qefin i mbështjellun Ganiu… kur, i vunë drrasat sipër fillova me e besue… se, edhe një burrë më tha, si, në vesh…” E mbylli këtë jetë edhe Ganiu..!”, po, prap thashë, a thue me të vërtetë jemi tue futë në dhe Ganiun..? Atëherë, kur filluen me e mbulue me dhe mu mbushë mendja se asht Ganiu… se, po e shifshe edhe me sy…
Kam ndejë gati i fundit, deri sa e mbuluen me dhe se, kishe frikë se, po çohet…!
Tashti, e kam zemren rahat…!
Kështu, si Paulini… mos harroni, se shumë e shumë Shkodranë, kanë shkue edhe tek vorri i Hilmisë… e, prap ma vonë, tek vorri i Enver Hoxhës…e, kështu, Shkodranët do të shkojnë edhe tek vorret e mbasardhësve të tyne… Asaj rrugë nuk keni se ku t’i dredhoni!…
Mjerë vrasësit dhe trathtarët e vëllaut të vet !
Fritz Radovani, Melbourne, Qershor 2010

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.