Deri kur kështu o Ali Ahmeti?!?
nga Ahmet Asani
Mbas 16 vitesh largimi nga vendlindja ime, vendosa që me vizë hyrëse të Maqedonisë, në bashkëpunim edhe me Entin Federativ për Azil Politik të shtetit të Zvicrës, të kthehesha në vendlindjen time në Kumanovë, qytetin ku jam lindë e jam rritë, ku kam jetuar dhe mësuar, ku kam fis e ku kam farë, ku i kam varret e prindëve, të gjyshave e stërgjyshave, dhe të kërkojë dokumentat e udhëtimit që padrejtësisht më ishin marrë nga pushtuesi sllavo-maqedon qysh prej vitit 1987. Ishte ky vit, 2004, kur u ktheva mbas 16 vitesh mërgim dhe bëra kërkësen sipas ligjeve në fuqi, ku angazhova edhe avokat profesionist por nuk m’u dha e drejta ime duke marrë përgjigje negative!!
Për mosdhënien e shtetësisë sime nga ana e pushtuesit sllavo-maqedon bëra ankesë në vitin 2005, dhe i njoftova gjitha institucionet si në Kumanovë, ashtu edhe në Shkup e në Tetovë. Tash kaluan 10 vite, dhe s’kam asnji përgjigje!?
Njerëz të internacionales komuniste hyjnë e dalin pa pengesa në vendlindjen time dhe shiten si patriotë, kurse mua për t’marrë pjesë në një mort a dasëm me duhet me hy ilegal në vendlindjen time në Malet e Karadakut nëpër fshatrat malorë si Gushinca me rrezikun që të zihem dhe të shpallem edhe terrorist shqitar që ka hy ilegalisht nga Kosova!?
Dhamë si familje gjithçka patëm… Kaluam nëpër burgje, tortura e luftra pafund, e kurrë nuk u kursyem, as sot e kësaj dite nuk kursejmë asgjë për atdhe, por është malli ndaj yllit komunist që nuk po e lëshon ende Ali Ahmetin, prandaj edhe asnjë pjestar i familjes Asani nuk ka ende shtetësi!
Çfarë të keqe të bëmë o Ali Ahmeti, a është buka që ta dhamë ajo që po na kthehet me të keq apo çfarë tjetër është në pyetje!?
Fole njëherë një fjalë o burrë, sepse unë jam Ilegalja e viteve ’80, jam themeluesi i demokristianëve shqiptarë në Europë, jam ai që e njoh Maqedoninë pëllëmbë për pëllëmbë, jam ai që edhe pse e njihja maqedonishten më mirë se profesoret maqedonas, s’pranova që në shkollat shqipe të ligjëroja maqedonisht. Jam ai që e njoh ende atë gjuhë edhe pse u bënë 26 vite larg vendlindjes, jam ai që i duhem vendit tim, e jo Svetozar Tempot që po e mban afër vetes!?
Ju e shndërruat Maqedoninë në një vend ku po eksperimentohet me shqiptarët, në një vend ku sundojnë, vrasin e presin grujevskët dhe gra si jankollunkovskat me mbështetjen e misionarëve shqiptarë pjestarë të internacionales komuniste, ku burgosjet pa faj të shqiptarëve, nuk kanë të ndalur prej vitit 1981; ’87/’88, kur u mbyllën shkollat shqipe ma s’pari në Kumanovë, pastaj rasti i Sopotit, Monstra, tani rasti i Gushincës e qindra raste e skenare të ndryshme trishtuese.
Deri kur kështu o Ali Ahmeti?!?
(marrë nga muri i fb. i Ahmet Asanit, 25 prill 2015)