back to top
11.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

“Gurë Kunderërës” – (Sassi Controvento) – i poetit Gëzim Hajdari

Gazeta

Poeti Gëzim Hajdari 2004 (Arkivi Radi)
Poeti Gëzim Hajdari 2004 (arkivi radi)

“Gurë Kundërerës” – (Sassi Controvento) 1995 – 2010

“Gurë Kundërerës” (Sassi Controvento) është përmbledhja e dytë poetike e poetit Gëzim Hajdari, mbas përmbledhjes së parë poetike “Hije Qeni” (Ombra di Cane). Ajo u botua fillimisht nga “Laboratorio delle Arti” e Milanos në Itali në vitin 1995, gjithnji në dy gjuhë (italisht dhe shqip), siç është e botuar pothuaj e gjithë vepra e tij, dhe së dyti nga Shtëpia Botuese “Besa” në vitin 2010.

Gëzim Hajdari, edhe në kët libër të fillimeve të veta në ezil, trajton fatin e emigrantit, i cili jeton midis dheut të ikjes dhe tokës së mbrritjes, midis nji deti të ashpër dhe nji qielli cinik, përmes trazimesh dhe imazhesh të shumta që krijojnë atmosferën e tendosur të nji lufte të brendshme shpirtërore, e cila pak nga pak shëndrrohet në gurë të hedhur kundra erës, pra kundra fatit tragjik të nji populli, i cili duket sikur e sheh shpëtimin e vet si dikur në ikjet biblike. “Gurë Kundërerws” është nji klithmë në ikje… nji dhimbje në boshllëk… ku ndjehet humbja e përmasave shpirtërore dhe kërkimi i njerzores në realitetet e dhimbshme të mbrritjes…
Libri nis me nji pyetje: “A ekzistojnë të tjera mundësi? dhe mbyllet me nji përgjigje dëshpëruese: “Asnjë tjetër gjest s’është i mundshëm…” dhe brenda kësaj pyetje- përgjigje ngjizet edhe gjithë ankthi ekzistencial i këtij vëllimi të hershëm poetik të Gëzim Hajdarit.

Radiandradi.com në vazhdimësi do të paraqesë pjesë të shkëputura nga krejt vepra e botuar e poetit Gëzim Hajdari, shoqëruar me shënimet përkatëse për nji nga penat më të vlerësuara nga lexuesit dhe kritika europiane… dhe të dyllosura me heshtje dhe shpërfillje nga institucionet e kulturës shqiptare…
Jozef Radi, 28 prill 2015

Gëzim Hajdari - Gurë Kundërerës -1995
Gëzim Hajdari – Gurë Kundërerës -1995

Poezi nga Libri “Gurë Kunderërës”

i poetit Gëzim Hajdari (2010)

***

Në hamulloren
plot gjëmba të zinj
thërras fëmijërinë tënde.

Nga kodra në kodër,
porsi Hija të zonë,
të kërkoj.

Hesht hiri i ditëve të shkuara,
zjarret e shuara buzë liqejve.

Kush ta ka vjedhur fëmijërinë?

***

Gurë brenda gurëve
kundër gurëve.

Mendime në shi,
ëndërr në sfilitje mundimesh.

Vdes në gjakun tim,
rilind në gjuhën tënde.

Ferri im,
parajsë e statujave.

***

Tok me errësirën,
do të mbrrijnë rrufetë dhe mallkimet
të gurëve.

Zogj dhe klithma përdëllyese popullojnë
ishujt kolonialë.

***

Humbim mjegullës
si kurmet honit të Kohës.

Qielli mbyllet me gurë,
nuk është dielli ai që vezullon
po statujat e mermerta dhe pasqyrat.

Ata që ikin nëpër borë
flasin për zjarrin,
e papritmas vërejnë
se varret janë bosh
pa kocka dhe emra.

Prapa drurëve dhe statujave
ngjiten hije gjaku,
imazhe pluhuri.

Dikush me padurim
pyet për vendqëndrimin e ardhshëm.

Gezim Hajdari 2014
Gezim Hajdari 2014 (arkivi radi)

***

Kishim ëndërruar një vendqëndrim krejt ndryshe,
përtej qyteteve të vjetër
e kurrëmikpritëse.

Digjen ende porsi shpirtra
buzët e kuqe që s’i njohëm.

***

Nisemi natën,
duke harruar se jemi të verbër,
për të mbërritur tek një territor i zhveshur
për të cilin ka nevojë zëri ynë.

Shkojmë tek deti për të folur
e të qëllojmë me gurë kundra erës.

Zëra të panjohur
thërrasin deri natën vonë
majëkodrës së errët,
fytyra të mbyllura mes gurëve të ftohtë
i luten kosmosit.

Çdo gjë përshkon horizontin e hollë e të dridhshëm
që merr flakë.

***

Ditët tona
magjepsur nga shtjellat ndjellakeqse
mahnitur nga maska e qiejve,
udhëhequr prej orakujsh të rremë.

***

Në pluhur, dënuar me heshtje dhe harrim,
prehet kujtesa jonë
errësuar prej Kohës:
arenë me hapa të përgjakur,
rrethuar me erëra marramendëse
që sjellin jehona te ndaluara
nga vendqendrimet e lashta të fisit,
jetuar kaherë buzë greminash.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.