back to top
7.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

“Thesare etnografike” i Viktor Gashit, Pasaportë vlerash në shekuj nga Pëllumb Gorrica

Gazeta

Koleksionisti Viktor Gashi
Koleksionisti Viktor Gashi

Muzeumet e trishta të shpirtit shqiptar

nga Jozef Radi

18 Maji asht dita Ndërkombtare e Muzeve dhe Muzeumeve…!
Si popull i nji kulture të lashtë, i nji gjuhe tejet të lashtë e të pashoqe, i traditave të ruejtuna me nji konservatorizëm shembullor, i vjedhjeve nga ma makabret të kësaj kulture prej pushtuesish, po edhe i krimeve po aq makabre të kryeme prej të gjitha pushteteve tona mbi kët kulturë, mendoj se s’duhet me lejue që kjo Traditë e jo fort e lakmueshme… të vazhdojë triumfalisht marshin e vet…
Ne duhet të kishim muzeume nga ma të randsishmit e botës, po të ishte fjala për kulturë e traditë, bile mendoj se sikur edhe vetëm Muzeumi i Xhubletës të ishte menduar të ngrihej këndej pari, do të ishte nji pasuni e pallogaritshme: diçka që s’mund ta ketë kërkush tjetër në botë veç nesh… por për dreq ne jemi kujdesur shume me pasë Muzeumin e vetëm Ateist të Botës dhe Muzeumin e Armës së Sigurimit të Shtetit, dy faqet ma të Zeza të kësaj Kulture të Lashtë…
Sot, në kët Ditë të Muzeumeve ma i pari njeri që më erdhi në mendje asht At Shtjefën Gjeçovi, Njeriu i Parë – Muze i Kulturës Shqiptare, dhe mbas tij i papërsëritshmi Ikona e Kulturës Shqipe Lef Nosi, njeni i vramë mbas shpine nga serbët… dhe tjetri i ekzekutuem nga komunistët… vazhdimi i shpjegimit tim nuk ka ma asnji lloj kuptimi…
Kët Ditë të Muzeumeve e përcjell me nji shembull të gjallë, Viktor Gashin nji dëshmi fisnike të asaj çka shpjegova ma sipër dhe nji shembull që duhet ta shumfishojmë ndër ne!!!!
18 maj 2015

Viktor Gashi - Thesare 1
Viktor Gashi – Thesare 1

“Thesare etnografike” i Viktor Gashit,

Pasaportë vlerash në shekuj

nga Pëllumb Gorrica

Kur ke marrë në dorë e shfleton albumin e pasionantit nga Peja e Kosovës, Viktor Gashi, “Thesare Entografike”, dhe njihesh me këtë pasuri të madhe etnografike, kulturore, historike e artistike, të duket vetja sikur je para stendave të një muzeumi madhështor, që sjell gjurmë të arta nga lashtësia e popullit tonë dhe hedh dritë në një pasuri tradicionale me vlera enciklopedike,  të cilën  vetëm një popull si yni mund ta ketë. Mendon për një çast sikur të kishim edhe të tjerë si Viktor Gashi, që të kishin bërë më shumë, në një punë të tillë, po aq sa ai, në një drejtim tjetër të trashëgimisë sonë, dinjiteti i kombit tonë do të ishte në lartësi të reja?

 

Viktor Gashi Thesare 2
Viktor Gashi – Thesare 2

Shfleton albumin, këtë pasuri të madhe trashëgimore, fotot e objektet e rralla,  dhe admiron punën e saktë shkencore që ka bërë një pasionat dhe patriot si Viktor Gashi. Gjithë këtë trashëgimi thesaresh, kur e shikon dhe e vlerëson, të duket vetja sikur je në një muze me pesë stenda, që rrezaton kulturë e mjeshtëri artistike, të frymëzon e të bën krenar.
Njihesh me objektet e stendës së parë, të afishuara, stoli argjendi si vëthë, unaza, pafte, qostekë, byzylyqe, qafore gjerdanë, kopsa, stoli koke, ballore fokza dhe nga brenda shpirtit të del vetiu thirrja: ç’bukuri!
Kalon para stendës së dytë mbushur me lloje të ndryshme armësh të vjetra, si dekor i qendisur me ar e me ornamente popullore, sikur t’i ketë bërë një dorë magjike e agimeve të luftrave legjendare, si pushkë të gjata me çark, jataganë me këllefe, pisqollat dhe koburet për brez plot dekor, të bëhet sikur dëgjon krismat e betejave që gjëmuan në mbrojtje të nderit dhe lirisë së shqiptarit, apo thika të mprehta, brisqe e biçakë të ndryshëm, dhe thua me zë të lartë: ç’histori!
Të mbetet vështrimi tek stenda e tretë e imagjinuar, me veshjet e bukura popullore, jelekë, mintanë, përparse, çorape, shoka, dallama, dantella, tufa, thekë, shirita e sidomos fustanet dhe këmishat e qendisura me ar e të duket se ndodhesh në një dasëm shqiptare, ku martohen çifte e përtërijnë jetën e nuk mund të rrish pa klithur: ç’mrekulli!

Viktor Gashi - Thesare 3
Viktor Gashi – Thesare 3

Vështron stendën e katërt ku janë afishuar objekte të vyera shtëpiake, si enë bakri, enë argjendi, kandila, arka të ndryshme, mangalla, kanaçe. I prek me mendje enët prej argjendi dhe bronxi dhe bindesh për bujarinë e shqiptarit tek shtron sofrën e prêt e përcjell me dashuri mikun dhe shpërthen: Breh ç’trashëgimi!
Vetiu të ka magjepsur stenda e fundit me objektet e kultit si kryqe me dimensione të ndryshme, ikona mahnitëse, qiraka, shandanë, dhe thua se populli ynë patriot e fetar, e do Zotin ashtu siç do fëmijën e truallin e tij. Sodit pipat prej argjendi e fildishi, hajmalitë e veshjet  fetare dhe thua: zoti ka qenë me ne! Viktor Gashi nuk është vetëm një koleksionist i apasionuar, por edhe një njeri me kulturë, një burrë me dinjitet dhe i vullnetshëm në punën e tij. 

Viktor Gashi - Thesare 4
Viktor Gashi – Thesare 4

Fisniku i poetëve të Pejës.

Rrallë  intelektualë gjen që të bëjnë një punë të tillë, të këtë vlerësim për trashëgiminë kulturore e artistike, të gërmojë në çdo grimcë të së kaluarës  për të nxjerrë thesare kombi. Aq më tepër në mënyrë vullnetare, në këtë kohë që e sundon komercializmi. Por Viktor Gashi i ka kapërcyer të gjitha këto. Ai ka lënë mënjanë rehatinë dhe lodhjen, komercializmin dhe mikroborgjrzitë e vogla. I ka bërë thirrje vullnetit rinor dhe u ka dhuruar të gjithëve një album me vlera kolosale, një dëshmi të gjallë trashëgimie.  Puna e Viktor Gashit është një vlerësim dhe respekt për botën e pasur shpirtërore dhe larminë e madhe krijuese të një populli punëtor, që ka ditur të bëjë dasmën e t’i falet zotit, ta mbajë kokën lart për historinë e tij e të presë me dinjitet vdekjen. Viktor Gashi, ky 84 vjeçar, pinjoll i denjë i një familje bujare, e kulturuar, aristokrate dhe krenare për traditat e me emër të mirë. Gjyshi i tij zotëronte 5 gjuhë të huaja, dhe kjo kulturë është përcjellë me pasion e dashuri, dhe ka çelur sythë tek Viktori në veçanti, që e ka ushtruar këtë zeje të trashëguar, që ka koleksionionuar e ruajtur me fanatizëm një pasuri të tillë thesaresh.
Viktor Gashi është bujar dhe shpirtmadh. Në vitin 2000 i fali Muzeut Etnografik në Pejë 300 objekte me vlera të pallogaritshme, që rrallë  persona mund ta bëjnë një veprim të tillë. Ai nuk pranoi  të lidhë kontratë me Muzeun e Jugosllavisë së atëhershme, për t’i shitur nga muzeu personal një pjesë të koleksionit të tij kundrejt një shpërblimi të majmë, por ia dhuroi atë Muzeut të Kosovës. Dhe kjo është ndërgjegje kombëtare siç e thotë edhe vetë: “Duke qenë i vetëdijshëm se sikur ky koleksion të kishte shkuar në Beograd, ato punë nuk do të paraqiteshin më si punime shqiptare, por do ti mvesheshin kulturës serbe, ndaj një kontratë të tillë nuk e pranova…”  Kjo tregon edhe një herë për ndjenjën e madhe atdhetare që karakterizon këtë njeri, një shuplakë ndaj propogandës serbe për autoktoninë e  trojeve shqiptare, duke dëshmuar me argument se  serbët janë të ardhur vonë në këto troje dhe se kultura e tyre  nuk është autoktone siç pretendojnë.

Viktor Gashi - Thesare 5
Viktor Gashi – Thesare 5

Albumi etnografik ka vlera të veçanta edhe sepse sintetizon gërmime që shtrihen në hapsirë kohore që para shekullit të  III, para erës sonë dhe nga të gjitha trojet shqiptare sidomos të Shqipërisë së Veriut, të Kosovës dhe Maqedonisë. Kjo shtrirje në kohë dhe hapsirë, si dhe vlerat e veçanta që ruan çdo objekt i këtij koleksioni, jo vetëm janë pasaportë vlerash të kombit tonë në shekuj, por tregojnë edhe për faktin se trungu i familjes Gashi ka pjesën e tij me trashëgiminë dhe bëhet pjesëtare me dinjitet në këtë pjesë vitale të historisë së popullit tonë.
Të vlerësosh se ç’është arti e puna, trashëgimia dhe historia, që mbajnë dhe ushqejnë rrënjët e një kombi, është meritë. Dhe për këtë fakt Viktor Gashi do të meritojë jo vetëm mirënjohjen e brezit që jeton, por edhe të brezave që do të vijnë.

Viktor Gashi - Thesare 6
Viktor Gashi – Thesare 6
Viktor Gashi - Thesare 7
Viktor Gashi – Thesare 7

marre nga http://www.zemrashqiptare.net 1 dhjetor 2012

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.