Letra përtej kohe… 2
Rrëfim nga Lola Shehi – Cela
Nana u bë një muaj që s’kam ardhë të flas me ty. Më fal Nana, po kam pasë mjaft punë dhe halle, që nuk m’u paksuan nji herë… Dhe ti do thuash: “Mirë do llafosmi po për çfar do llafosmi sot?!”
Po ja, do të them unë le të kujtojmë pak ata profesorët e shkollës sime, ose siç i quaje ti Nana… “porfesorët”… Më kujtohet Nana, n’ato vite kur bëheshin provime në shkollë, mësuesit ua jepnin fletët e provimit me vlerësimet e tyre, jo vetë nxënësit por edhe ndonjë shoku, dhe ai duhet ta çonte tek shtëpia e shokut të klasës së tij fletën e provimit dhe t’ja dorëzonte një familjari të rritur.
Dhe kështu një ditë te porta jonë, atje në fund të oborrit, pe që thërriste një vajzë. Ti e dëgjove dhe i the:
-Po hajde t’keqen Nana, se këtu përjashta jam, në ballkon. Vajza u afrua pak e turpëruar me shikimin përtokë, të përshëndeti po nuk merrte kurajo të fliste. Atëherë ti ju drejtove: “Po ha moj nanë, ç’e mirë të ka pru ktu m’derën teme? Vajza, si duket u çlirua pak nga emocionet dhe filloi të flasë:
-Unë jam shoqe klasës e mbesës tënde.
-Po ha t’keqen Nana, ashtu de, fol. Shoqja e kujt prej cucave të mia je ti? – Vajza të tha emrin e mbesës dhe ti iu ktheve:
-Shum mirë të keqen Nana, hajde ime rrfeji nanës ç’a halli ke me cucën teme ti? Jo moj gjyshe jo, nuk kam asnjë hall po më ka dërguar profesori të sjell në shtëpinë tuaj provimin e fizikës të mbesës tënde. Meqe nuk qenkan prindërit e saj, po ta le ty provimin… dhe zgjati dorën e ti la dyfletshin e fletores të shkruar, në dorë. Ti e more, e rrotullove njëherë mbarë e njëherë mbrapsh, se ç’a do bëje tjetër ti Nana, ti s’dije as të lexoje dhe e vure në prehër. Vajza bëri të largohej, por ti e ndalove dhe i the:
-Pa hë njiherë, më trego ç’a note ka marrë kjo cuca ime, se nana ish plakë e s’di të lexojë.
-Po ja… filloi vajza pak e skuqur në fytyrë, ka marrë 7 e gjysëm!
Sa shumë habi shprehën sytë e tu të mençur oj Nana! N’atë çast nuk e di se ç’ngjyrë të mori fytyra dhe ju drejtove asaj vajzës:
-Po ça ish qo notë moj nan?! Un fërte s’kam shkollë, po ama numrat i njof mirë.!!
-Po ja, – nisi t’i shpjegojë vajza e shkretë – është në mes të shtatës dhe tetës.
-Ahaa… mirë, mirë se e kuptova. Po dëftej nanës ça e ka emrin qy porfesori që m’i ka van kte notë gocës?
-Jovan, – t’u përgjigj vajza. Ti tune kokën në shenjë miratimi, që e kishe kuptur dhe ju drejtove vajzës përsëri:
-Djo nanën tate ktu, dhe m’u beto që do ja çosh llafin tim, e t’i thush ati porfesorit kto që po t’thotë Nana llaf për llaf, se unë vi e ja them ene vetë, po s’kam kamë të vi der atje. Do m’i thush kshu porfesorit:
-M’tha ajo Nana gocës, se ai porfesori, hajvan e paska emnin dhe hajvan qenka me fërte!
Vajza u shtang nga fjalët e tua, po ti vazhdove: -I thuj atij porfesor Hajvanit, se un s’jam gjysmake që m’i paska dhanë gocës notë me gjysma. O t’mi nepte shtatë o t’mi nepte tetë (se ti Nana nuk thoshe më jep, po më nep…)
Vajza e shkretë kishte ulë kokën e s’fliste prej turpit, po ti i the: “Po ta la amanet amanet moj cucë, e amanetin s’e tret as dheu, pranaj të lutet Nana!”
Vajza vajti dhe ja tha profesorit llaf për llaf ashtu si e kishe porositur ti. E mori vesh gjithë shkolla dhe shpesh bëhej humor me shprehjet e tua.
Se ti Nana përdorje shumë shprehje të bukura e gjithë kuptim, saqë unë dhe sot përdor shumë “na ato llafet” që më duken vetëm të tuat, sikur t’i ke shpikë ti!
Ti Nana, kishe një dashuri mjaft të madhe për shkollën po ashtu edhe respekt për porfesorët, por ky porfesor (hajvani) të mërziti shumë. Kur na përcillje për në shkollë gjithmonë na thoje: “T’ja puthni pragun derës së shkollës, se dhe tani që jam plakë, kam dëshirë të mësoj të shkruaj e të lexoj!”
Më kujtohet Nana, një ditë erdhi te ne nënë Fadileja që ne të gjithë e thërrisnim Lele. Sa të hahej muhabeti me Lelenë. Ajo ishte nga Dera e shehelerëve, një grua e hajthme, por mjaft e bukur dhe e zgjuar. Ju llafosnit shpesh me Lelenë për hallet e shtëpisë, për fëmijët, për nipat e mbesat. Nënë Fadileja kishte hall se akoma nuk po vendoste të fejohej Izeti djali i saj. Edhe Izeti, Nana, ishte ashu “porfesor” si e thoje ti. Ku ta dinte ajo e shkreta që atë ditë ti ishe nxefë me porfesor Jovanin dhe ja nxorre inatin Lelesë. Ajo e shkreta nuk dinte çfarë të thoshte, si të të qetësonte, dëgjonte e dëgjonte dhe të thoshte:
-Të drejtë ke Maje motër, të drejtë ke, po hajt se kushedi si i kanë rregullat e tyre, mos ja vej re, se ne nuk kemi shkollë, nuk dimë nga këto punë. Ishte e urtë Leleja, kur fliste sikur të përkëdhelte.
-Dëgjo këtu moj Fadile, se mos ban dhe ai yti kshu si ky porfesor Hajvani me kalamajtë, se vallahi ja kam ba harram bukën.
Leleja për të ndërruar muhabetin të thotshte:
-Nuk e di Maje, moj motër, se çfarë nuse do më marrë Izeti, se djalin ti e njeh e kam shumë të mirë. Meriton një vajzë për së mbari. Ti e dëgjove sa e dëgjove, dhe në fund i the:
-Lele, i thuj t’martohet e t’bashkohet me shokët, se sa për atë se çfarë do marri ta them unë! Leleja hapi sytë, se kujtoi se mos ti dije ndonjë gja t’vërtetë.
-Pa hë motër Maje, m’thuaj, dhe po të ndiqte gjithë sy e veshë, se mos po i flisje për ndonjë vajzë bukuroshe.
-Fisi jonë moj Fadile, nxjerrim grurë dhe marrim tepë!!! Ja qy ish llafi im! Kaq llafe kisha unë, tjerat gjeji vetë…
Unë që të dëgjova, fillova të qeshja me të madhe.T’u hodha ne qafë, t’i putha fort ato faqet e buta mëndafsh dhe të thashë:
-Po jo moj Nana, jo, se dhe ne si gjithë tjerët jemi, por të dukemi ty shumë të mirë se jemi të xhanit, kurse ata të tjerët janë e lara sahanit, ashtu si thua ti. Ti mezi më shkëpute nga qafa dhe më the:
-Këtu paske qen ti moj lanetja Nanës? Jo, jo Fadile, nuk i mçifem dot ksaj un, si majmune i kap muhabetet. Edhe kur duket se nuk e ka menjen hiç te ti, i ka shkrujt llafet e mia nji për nji te ajo koka vogël. Eh moj Fadile motër, ja po ta them tani me gjallje, që kjo imja dhe ai Izeti yt, kanë për t’na xjerrë m’gazetë. Maj men kto llafe, që po t’them sot, po s’qeshë gjallë, hajde e m’jep rafmet atje ke vorri po s’dulën llafet që t’kam than…
Të drejtë kishe pasë o Nana… Izeti dhe unë ju kemi xjerrë m’gazetë.
Nana, nuk e di nëse të ka ardhë për vizitë Leleja, se dhe ajo ka një vit që banon këtu tek ti…
Në shtëpinë tonë vinte shpesh dhe profesor Zef Gjeloshaj, bile ndonjëhere sillte me vete dhe vajzën e tij Blertën. Mua më donte fort profesor Zefi. Ju thoshte të gjithëve që unë kam dy vajza: se edhe mua më quante si vajzën e vet. Një herë të tregoi ty, se kur ai i torturonte ca nxënësit që nuk mësonin dhe ca më shumë ata që nuk bënin detyrat, e kishte gjetë halli me mua se unë filloja dhe qaja. Se ai Nana, çunat i kapte ke favoritat dhe i ngrinte peshë… Dhe ata që nuk kishin ba detyrat i dënonte me tridhjetë gjuajtje me vizore druri në dorë. Ju dhimbte shumë atyre t’shkretëve sa edhe qanin, se ishte içik katil ai. Unë nuk duroja dot o Nana, dhe më rridhnin lotët…
Të kujtohet nana kur erdhi Blerta e profesor Zefit për herë të parë te ne? U çmend nga lumturia kur pa ato kotelet e vogla që luanin nëpër oborr. Vraponte gjithë vrull, ndiqte macet, i merrte në duar, i përkëdhelte, i puthte. Profesor Zefi i llahtarisur i bërtiste së bijës.
-Blerta, mos i prek mor bab, se janë të pista, kanë sëmundje, laji duart shpejt!!!
Ti Nana, nuk duroje dot kur ju bërtisnin fëmijëve, ndaj u çove në këmbë dhe iu gërhushe Porfesor Zefit:
-Hajde porfesor hajde… Na kush pres unë të më mësojë kalamajt. Ti paske frikë na macet. Po si o porfesor, qenkan macet e pista, po gjuha maces ish melhem, njall ne plagët… po ku ka ma t’pastër se macja, as ka nevoj ta laj kush, ajo lahet vetë. E kështu ja more erzin profesor Zefit atë ditë… ama Blerta u lumturua që ti i dole krah e mbrojtje. Edhe ajo u bë si mbesë për ty, mbasi gjyshërit nga ana e babait ajo s’i kishte njohur kurrë.
Profesor Zefi kishte lindur në Trieshin shqiptar të Malit të Zi dhe pasi i ishin vrarë disa nga pjestarët e familjes qe arratisur nga Jugosllavia dhe erdhi në Shqipëri.
E mban mend Nana, kur vinte te ne dhe e mbështeste te gardhi atë biçikletën e tij tip Mifa, gjithmonë në timon kishte të ngarkuar me strajce, siç i thoshte ai trastës. Profesor Zefi ishte trupmadh, me atë kokën e rrumbullakët me flokë të rënë dhe të folurën karakteristike të krahinës së vet. Në shkollën tonë jepte gjuhën ruse. Ai ka punuar për shumë vite si mësues në shkollën tonë. Pas viteve ’90 ai banonte në Tiranë. Një ditë Nana, kishte ardhë te Albtelekomi, ku punoja unë dhe kishte bërë çorap dynjanë, o të më takonte o s’ka. Roja s’kishte dashur ta lejonte të ngjitej në zyrën time dhe i kishte thënë, prit se e lajmëroj unë dhe vjen ajo vetë këtu. Po profesor Zefi i kishte thënë:
-Jo ore jo… Do shkoj vetë lart se du ta shoh me sytë e mi, ku punon vajza ime. Roja qe ndjerë në faj se kishte menduar se ai ishte vërtet im atë dhe ai s’po e lejonte.
-Në rregull – i kishte thënë më së fundi, – hajde se po të shoqëroj unë.
Ai hapi derën e zyrës ngadalë, zgjati kokën me dorën akoma tek doreza e derës, po nuk më foli. Dëgjova zhurmën e derës dhe ngrita sytë. Nana sa u emocionova, ai erdhi me vrap më mori në krahë, roja u habit shumë, po ashtu dhe shoqet e zyrës. Më përqafoi fort, fort si atëher kur isha fëmijë dhe më thoshte:
-Po ku je moj cjafire, që qenke kaq afër dhe e paske harru profesorin tat. Dolëm Nana, dhe pimë një kafe të dy bashkë… të kujtuam shumë edhe ty. Më kujtoi dhe at rrengun që të punoi kur erdhi me disa mësues të tjerë te shtëpia jonë. Të kujtohet Nana si të tha? Ky zotnia ktu, ndërkohë tregoi me gisht njërin nga profesorët, asht ai profesori i fizikës dhe priste gjithë kërshëri se çfarë do bëje ti. Por ti e pe me qetësi at burrin, tune kokën dhe the:
-Zotrote mase je mërzit se t’kam qujt hajvan, po vallahi ta kam than me fërte njat llaf. Djo nanën, e para punës ça ish ajo notë me gjysma gjysma dhe e dyta: pse ma prune mu provimin, pse di unë ta msoj cucën? Po të dija aq, s’ta bija ty m’shkollë, e msojam vet, bante dhe noj punë goca m’shpi. Unë ta kam pru ty ta msosh se pranaj ta jep qeverria rrogën. Kabimi ish joti, kshu që un s’kam asi faj!… Eh sa kanë qeshë ata moj Nana. Po në fakt, ai nuk ishte professor Jovani i fizikës, po profesori i fiskulturës Simoni.
Ty të erdhi içik inat që ta punuan ashu, po s’u zemërove!
Se m’u kujtu edhe nji gja tjetër Nana, nuk e di a të kujtohet ty.
Nji ditë im atë dhe yt bir Dulja, solli në shtëpinë tonë gjithë gocat e ansamblit. Erdhën të gjitha me radhë dhe të takuan ty atje në ballkon, te froni jot mbretnor që s’e shloje kurrë. Masnaj, u ulën rreth teje dhe po të pysnin për shumë gjëra. Ndërkohë ti i the tët biri: “Merri or çun gocat dhe shkoni anej na kopshti t’hani noj kokërr shegë a ftu…” – se ishte vjeshtë dhe pemët ishin plot. Shumica e vajzave u larguan, por nja tre a katër ndenjën aty dhe vazhduan muhabetin me ty. Se muhabetçie e madhe ke qen ti Nana, mjaltë i kishe ato t’bekura llafe. Ato jo pa qëllim po ngacmonin njërën nga vajzat. Ti e kuptove dhe i the:
-Po ç’keni moj që e trazoni gocën?
Ato aq deshën dhe të thanë:
-Pa hë, nënë Maja, si të duket kjo vajza të pëlqen?
-Kjo cuca ish aq e bukur sa duket sikur Zoti e ka barë me dorë t’vet. Vetëm kaq the dhe e mbylle gojën. Po ato shejtankat vazhduan të të ngacmonin. Diku tjetër e kishin hallin ato.
Po ja o nënë Maja, se kjo ka qef të martohet këtej nga anët tuaja. Se e bukur është vërtet ashtu si e the edhe ti. Si thua do i gjesh ndonjë djalë të bukur nga fisi juaj?
Ti Nana i pe në sy nji nga nji gjitha vajzat, sikur deshe t’ju thoje: “Po pse mu m’gjetët të më vini në lojë?!” dhe ashtu butë butë, duke e përkëdhelur vajzën me sy, ju the:
-Nuk ka derë ktej na ne për kët gocë moj bijat e nanës… Dhe ato pa folur, por me sy u duk sikur po prisnin shpjegim për atë që the, po ti nuk fole ma. Ato vrapuan të bashkoheshin me shoqet dhe po i tregonin tët biri për lojën e tyre dhe bisedën që patën me ty. Pas pak, erdhi yt bir dhe të pyeti:
-Pse oj Nanë, s’paska derë këtej na ne për kët gocë? Ja për shembull, unë po t’isha beqar s’do i ndahesha derisa ta merrja, aq e bukur m’duket. Dhe ti ju përgjigje:
-Po ik moj nan mos m’lodh kokën ma, e di unë pse nuk ka derë këtu për të. Se ajo nuk ish na dora jonë! Im at vazhdoi të provokonte duke të thënë ajo ish e bardhë si akullore, e plot të tjera…
Nuk e di Nana, po si e kuptove ti xhanëm? E tmerrshme ke qenë, askush s’ta hidhte dot kollaj. Se ti Nana nuk e di se ç’kishe dhe ca shprehje. Mbaj mend kur na thoshe:
-Hapni sytë ju mooooj, se mo zini serda me nonji kaurr!! Dhe unë direkt të pyesja:
-Uuuu Nana, po pse çunat nuk i porosit ti se mos bien në sevda me ndonjë kaurre, po vetëm ne gocat. E di si më thoshe ti?!
-Djo Nanën ktu ti moj lanete. Çunat le të marrin kaurre, se t’marrësh ish sevap, t’japësh ish mëkat. Ehuuu, ku i merrja vesh unë ato llafet e tua atëher? Epo – të thosha unë – në Stan, te fshati ngjitë me ne, kishin ba krushqi të tilla… dhe ti menjëherë më përgjigjeshe.
Epooo fshat e zanat, shpi e tabijat…! Unë kam tabijatet e mija, nuk më hyjnë në qese ato të botës. Se ashtu e amël e amël ti Nana ke qenë dhe ca e pushtetshme…
Hë tani, mos u zemëro që ti kujtova të gjitha këto. Epo në fund të fundit ti vetë i ke pas thënë Lelese që Izeti dhe unë do ju xirrnim m’gazetë.
E pra Nana e bëra vetëm që t’i jap rafmet llafit tat.
Hë, do më qortosh ime edhe për kët?
Po unë e di që ti nuk zemërohesh kurrë me mua, e di që ke aq shumë mall për të gjithë e për gjithçka.
Sonte nuk po të lodh ma. Po mos ki merak se do vi prap e do të shkruaj dhe lexoj gjithë jetën tat ene timen, se e di që dhe ty të pëlqen shumë.
Natën e mirë e amla Nana ime!
Mo u mërzit, se do vi prap te ti…
Kjo është pjesa e dytë e një rrëfimi të veçantë ku nji mbese paraqet gjyshen e saj të dashur… Nji rrëfim që të emocionon thellësisht. Lola Shehi përmes këtij rrëfimi të sinqertë e sjell të gjallë gjyshen e saj përmes ngjyrash të pazakonta. Ajo jo vetëm e ka gdhendur në mermer portretin e gjyshes së saj, po edhe ambjentin përreth, edhe personazhet e tjera, e në veçanti dialektin e saj aq magjik, (i cili më ka shtyrë t’i futem nji gërmimi jo të lehtë), pa harruar këtu as filozofinë e nji brezi që s’është më, as humorin aq delikat, as edhe atë mirësi që arriti t’i mbijetojë së keqes…
Përgëzimet e mia më të sinqerta Lola Shehi – Cela