Tollovi arnautësh…
nga Paulin Paplekaj
Në shkrimin “Rrotull Shypnisë” botuar në gazetën “Hylli i Dritës” në vitin 1913, nga At Gjergj Fishta, shkruhej: “N’Shkodër punët si ‘i herë ‘i herë: rrena, pluhun e baltë, kual e katana, muzikë, peca… e …* “Rrnoftë Shypnia” sa të duesh; por punë pa të cillat s’ka si rron Shqypnia, pak e aspak…!”
Sot, mbas njëqind e dy viteve, prej kohës kur Gjergj Fishtës i dhimbte shpirti për, parazitizmin e shqiptarëve në qytetin e Shkodrës, “intelektualët”, politikajt shqiptarë, ne, mbarë populli, duhet të ndihen “Krenarë të patenduem”, që Fishta nuk është ma gjallë, madje edhe kockat ja kemi tret, e s’kemi frikë as prej varrit tij, drue se po na mallkon për krejt këtë batërdi.
Tirana vlon prej llumit. Qytetarë të dekun ore, kumarxhi të dëshpërum, pijanecë “vrasës hallesh” me gotë alkooli, shtëpiake të telenovelosura, intelektualë t’pagojë, drumëtar t’papunë e shpresë-vramë, rini e “tredhun” që e lëshojnë takatin në makiodo, a lang t’lanash, e gatitun ndër podrume te flliqta, politikaj rrenacakë, zullumqarë, kriminelë e taksidarë, drejtësi e vdekur dhe e varrosur ndër gjyqtarë, dhe që i çojnë meshë, apo i këndojnë ca predikues fetarë.
Dikund kërcet tritoli për larje hesapesh kriminale, diku tjetër në mënyrë po kaq kriminale me tritol shemben ndërtesa me leje e pa leje të qytetarëve. Rrugëve të qytetit, kalojnë kapardisur policë të armatosur gjer në dhëmbë, me armë, hekura, pinca, çekiçë e kallëp tritoli e gjithfarë pajimesh të tjera, të nevojshme për të shkatërruar pronën e fukarenjve.
Me banesa të shkatërruara, energji të ndërprerë, të mbushur me gjoba nga policë rrugorë, inspektore tatimorë, ndërtimorë, bashkiakë a kushdo tjetër funksionar administrate, qe din të përdorë kalemin; të proceduar penalisht, dikush në burg dikush arrest shtëpie; të papunë rrugëve, të kequshqyer, të zhytur në borxhe ndër të afërm a fajdexhinj për thesin e miellit, është ky mjerimi që vërejmë përditë ndër qytetarë.
Parlamenti i tre burrave dhe i njëqind e tridhjetë e shtatë “kartonëve”, çdo seancë jep komedi, unike në botë, “made in” Shqipëri. E nëse ndonjë Karton-deputet, guxon të mos rrijë në rresht, burgu, veçse burgu e pret. E ministra, prokuror e kryeparlamentarë, kapardisen bastardhueshëm si ngadhënjimtarë.
Prej “vathës” së opozitës, dëgjohet tek tuk ndonjë blegërimë. Kanë ngatërruar vathë, aty se kanë shtëpinë.
E bukura Karton-deputete biondinë, ka vendos të “zbardh” historinë. Pse jo me mendje diabolike, u shkërmoq ish të persekutuarve kauzën e tyre fisnike.
Një tjetër karton-deputete krekcare, bën propozime edhe ma gjeniale. Do thotë dikush, budallallëku s’ka brirë, kur opozitarja, propozon ligj kundër fjalës së lirë.
E këndej ka “torishta” e pushtetit, me kërcitje dhëmbësh, të gjithë i janë lëshuar një karton-deputetit. Sall se i shkreti, s’mund ta mbaj më gjithë atë mërzi, kur e kuptoi qe Rilindja ishte veçse demagogji. Prej droes se votuesit do i bëjnë gjëmën familjes së partisë, thotë se “vdiq”, veç ideja e kryetarit të qeverise. E që ta kemi të fortë partinë, po ja këndojmë Rilindjes nekrofilinë.
Por nuk dorëzohet Kryeministri erudit në fasadë-pikturë. Bërtet kërcënueshëm “gropa, gropa që vendin e ktheu në katrahurë”. E borxhet që merren për këtë qëllim, i ndajnë ndërmjet tyre ata që erdhën me ngadhënjim. Ani çka, në do falimentojmë si shtet apo do ua pinë gjakun fëmijëve tanë, “Hyp në kalë e lëshoja frejtë, se dikund të qet në breg ose të thyen qafën” është Drejtimi i duhur i kryekcyemit mendje shpëlarë. Ministër ekonomie u vendos një gjuhëtar; ministër i punës u caktua një i papunë “Halim Nolian” që din shkrim e këndim, por nuk i ka të certifikuara në arsim; ministër shëndetësie u caktua një trup hell e mendje fyell; ministër i brendshëm një jurist i paprovuar në profesionin, por ama politikisht i “zoti” për të broçkullitur dalldi, kur ia akuzonin për kontrabandë familjen e tij; brenda qeverisë, qeveri më vete, LSI.
E për drejtorët s’ja vlen të flasë kush me gojë. Kryeministri, u shpreh se e kanë lënë pa bojë.
Në Kosovë, punët edhe ma zi. Një mishellë e sllavo-otomanëve të ri. Një grusht vend e kanë nda në bajraqe pushteti, e shqiptarët prapë në eksod, a thua se mbi ta po sundon dovleti.
Nuk ka shqiptarë që nuk ndjen neveri, mjafto të kujtojë liderët në Maqedoni. Është pak të thuhet janë kaq të pafytyrë, pasi e meritojnë të quhen lavire. E dalin, takohen me plotninë e krenisë, a thua se janë liderët e krejt shqiptarisë.
Në këtë skenë të çatrafilshme të arnautëve shqiptar, ja mbërrin i madhërishmi Taip Erdogan. Ndoshta i ka vendos vetes si mision, të “Shtitëroj” liderët shqiptar.
Por, “Drapnit në thes i del maja përjashta” thotë populli, ndaj s’është për t’u çuditë që Tiranë, Prishtinë e Karadak, i shpalli prej Pezës Kalifat.
I “Madhërishmi”, u zotua që do bëjë gjithçka për të mbrojtur trashëgiminë kulturore.
Po çfarë trashëgimie kulturore ka lënë Perandoria Otomane për afro pesëqind vjet pushtim, përveç vesit të dembelizmit injektuar ndër shqiptarë?! Sa rrugë, sa hekurudha, sa ndërtime, a sa Xhami ka lënë të ndërtuara në këto troje?
Në emër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore (që në fakt është tentativë për përhapje sipas modelit Erdogan) diktatori i popullit turk dhe vasalët e tij ndër shqiptar po shkatërrojnë Trashëgiminë kulturore të Popullit tonë. Në atë kala, të Prezës, prej ku shqiptarët janë mbrojtur nga paraardhësit e Erdoganit, sot është ndërtuar një Xhami, që jo vetëm nuk është në harmoni me Kalanë e vjetër, por e ka mbuluar pamjen e saj. Në marrakotjen e tij, s’harroj të na jepte edhe porosi. Të mbyllen shkolla e të hapen xhami.
Ndoshta dikujt mund t’i duket çudi, që Kryeministri “de fakto” i Kosovës dhe ky “de jure” në Tiranë, ethshëm vendosën që Isa Boletinin ta sillnin në Shqipëri, pasi ndoshta Erdogan mund të ketë kërkuar eshtrat e tij.
Me përunjësi i lutem Zotit, që Erdogan të mos kërkojë eshtrat Gjergj Kastriotit.