Të rrëfesh përmes pasqyrave…
nga Hortensia Haxhiademi – Pëllumbi
në bashkëbisedim me Jozef Radin
Ky shkrim është nji përmbledhje bisede
e mjaft prej rrëfimeve të tim Eti – Emin Haxhiademi,
për të jatin e tij Et’hem Haxhiademin,
që ne nipat e tij s’arritëm ta njihnim,
por që prindët tanë gjithë jetën na folën për Të…
Ne e “njohëm” dhe deshëm Atë,
dhe në shtëpinë tonë krejt vepra e tij,
e përmbledhur quhej “Libri i Madh”.
Ajo ishte Bibla e Jetës sonë…
Duke kujtuar sot në kët ditë Babanë tim,
sjell edhe dashurinë time ndaj Babait të tij,
për gjithçka të bukur që Ai la ndër ne...
Hortensia Haxhiademi
E njoha Jozef Radin rishtazi e krejt rastësisht, duke lexuar studime të mbledhura nga ai për Tragjedianin e Madh Et’hem Haxhiademi e shumë të tjerë, në “sitin” e tij Radi&Radi.com
Deri athere kujtimet për mua, ishin thjesht… mall… portrete të varura në mure, libra të vyer, e tregime netësh dhuruar nga Im Atë… përzier me jehonë vargje të largëta…
Por Jozefi, (qesh), nuk është i kompromiseve!
Kush i njeh faqet e tij në Radi&Radi.com e kupton se ky hunter i copave të historisë, këndonjës i dritës e qëndisës i brengave, me at gegnishte aq të bukur!, ka nji qëllim: “…me u përpjekë me ba ç’ka asht e mundun që njerzit t’i njofin vlerat e rrënueme të këtij vendi, që do mbetet gjithsesi “i joni”, ta njofin at trashigimi të dhunueme, po të pavdekshme…”
E pranoj, ka raste që humb në shkrimet e tij, artin që brohoret, faktet historike apo qoftë kur dërgon një “New Year’s cheer”
Herë të tjera, veç një glimpsë e iki… kur lexoj lista të dhimbshme të Burrelit – ky burg, që ishte “Garnizoni i Kokave të Mëdha”, vendi që thuhej “Burrel – hyn e nuk del!”…
Jam e sigurt “The Site Keeper” i di aq mirë të dyja ndjenjat, por s’duket të ketë kaq rëndësi për të.
Ai është atje të mbledhë ato rrezet më të arta e nëmat më të thella, pjesë pas pjese, kujtim mbas kujtimi… Mozaiku më i ndritur e më i dhimbshëm.
Një drejtim kaq i thjeshte, por kaq i veçantë i atij “sitit” të tij… Që vazhdon e vazhdon… Pse paska patur kaq shpirtra pa prehje Atje Lart…
Ka sistemin e tij preciz: Foto, Foto, Histori, Vlerësim gjakftohtë, Data e Komente.
Bashkëpunimi ynë filloi me kërkesën e një fotoje të Dramaturgut të Madh, dhe pyetje pa fund për veprat e tij, kujtime familjare… e megjithëse ai s’e mori kurrë essenë që e pretendonte nga unë… ai u kthye në një mik të shtrenjtë & një korrespondencë që e mbaj në zemër…
Hortensia Haxhiademi, 11 qershor ’15
***
“Znj. Hortensia… kam ndaluar për më shumë se nji orë te faqja juaj e fb… dhe po lexoj me imtësi atë çka ju keni bërë për gjyshin tuaj të nderuar Et’hem Haxhiademi… Kam kërkuar për nji foto të tij “qiell e tokë” dhe nuk gjeta pothuaj asgjë… diçka gjeta në faqen tuaj…
Gjeta edhe mjaft material që unë me dëshirë do ta publikoj dhe do të përpiqem brenda asaj vogëlsisë sime të bëj ç’ka është e mundur që vepra dhe jeta e gjyshit tuaj të jetë sërish në komunikim me lexuesit…
Mora prej Jush poemën për Naim Frashërin dhe do ta paraqes së bashku me disa shënime mbi gjyshin tuaj, të cilat mund të jenë nji mënyrë për ta zgjeruar rrethin e njohjeve dhe vlerësimit për kët Tragjik të Madh të Letërsisë Shqipe…
Me mbetet t’ju falenderoj, që edhe pse vonë munda të gjej mjaft gjëra pozitive që sigurisht do të jenë edhe një kënaqësi për ju dhe familjen tuaj…
Ju uroj natën e mirë… “
Jozef Radi, maj ’15
***
“Eshtë pikturë, këtu në murin tim, në një dhe të largët… Mënyra ime t’i mbaj ata që më dhembin pranë. I kam hasur shkrimet tuaja shumë herë. Përdoreni me kënaqësi – I besoj penës suaj. Të hap albumet nesër e t’ju bëj scan një actual picture. Tune in – Skënderbeu is coming up. Unë po bëj të njejtën gjë, po e përdor këtë platformë të varfër (fb) ta lexoj Gjyshin digitalisht. Sa për biblioteka… shqiptarët një çikë të zënë me punë të tjera sot… Po ai ndodhet në tërë bibliotekat e botës – edhe këtu në US.
Vetëm një këshillë – Haxhiademi shkroi elbasanllisht, gegnisht. Ju lutem kujdes, dua të shkruhet siç ai shkroi. “Keep up the good work, one of the few worth reading…”
Hortensia Haxhiademi, maj ’15
***
Falemnderit për kërkesën e miqsisë… dhe të jeshë e sigurt se koha do ta dëshmojë kët gjë… Sa për gjuhën, unë jam respektues skrupoloz, e në mënyrë të veçantë përpjekjeve gjuhsore të viteve ’30, kur gjuha shqipe pat nji evolucion të jashtzakonshëm, falë edhe penave si Fishta, Koliqi, Haxhiademi, Poradeci, Shantoja, Kuteli e të tjerë…”
Gjithçka që ju dëshironi mbi jetën, veprën apo edhe kujtime tuaja që keni ruajtur për kët njeri të madh të kulturës shqiptare… do të respektohen me rigorozitetin që meriton vepra e Haxhiademit…”
Jozef Radi, maj ’15
***
Po të ishte Im Atë gjallë, s’do t‘ju duhesha unë… Po vetëm me Zotin e fatin s’hahesh dot!! Të shtatë tragjeditë, ose fragmente të tyre do paraqiten vazhdimisht këtu.
Së shpejti. Falemnderit
Hortensia Haxhiademi, maj ’15
***
Edhe unë gjithashtu… ishte kënaqësi e madhe e imja që munda të jem në kontakt me nji mbesën e tij…
Ju uroj gjithë të mirat…
Jozef Radi, maj ’15
***
Një fakt interesant, unë e le gjithmone të turbullt se ashtu dua… Gjyshi e ka varrin në qendër të varrezave të Elbasanit…
…Babi e xhaxhai, shkuan në fillimet e demokracisë, me harta dhe me njerëz, ta merrnin Gjyshin. Unë isha në Tiranë, studente e gazetarisë. Kur e pyes mamin “ç’u bë?” – ajo më tha mos i bjer në sy Tim Eti ca kohë, se është i trishtuar… Mbi varret e Tyre në Burrel… ishte ndërtuar një stadium. U preka shumë, po edhe u frymëzova, e shkrova tek studioja për provimet një shkrim të shkurtër, mbase pak naiv. Ia lashë mbi tavolinë kur isha për fundjavë Elbasan.
Herën tjetër kur u ktheva, Ai me dha një përqafim të fortë, e nuk folëm asnjëherë tjetër për ngjarjen, derisa vdiq…
Vemë lule gjithmonë, në varrin e tij… Atje në mes të varrezave të Elbasanit pranë një çesmeje që gurgullon.
Në njëfarë mënyre ne shkruajmë njëlloj. Shumë dhimbje, që s’përputhet shumë me Tiranën “e civilizuar & optimiste”
Unë kur shkoj Elbasan, shkoj veç për varret
(shhhhëëët, Mami do më qortojë po ta dijë që jam ngritur që në mëngjes e flas për gjëra të tilla… s’i pëlqen shumë Asaj, kjo anë imja)
Hortensia Haxhiademi, maj ’15
***
Hera e parë që e lexova RadiandRadin ishte shkrimi për përurimin e Minervës. Nuk i kushtova shumë vëmendje… mbasi në ato momente doja të dërgoja një mesazh te Minerva – sa kisha lexuar intervistën e Visar Zhitit, për “Lajmëtarët e Europës”. Përshtypja ime atëhere… për median shqiptare… Hmmmm, më mirë mos e them… Po papritmas duke lexuar Minervën. Më ngjalli interes.
Kështu që e shkrova, atje, s’e dija në mailbox të kujt po shkonte. Mora përgjigje nga Nebil Cika, shumë i përzemërt e i dobishëm…
Gjyshi shkroi “Aleksandrin” në Lushnjen tuaj, kur ishte me punë atje. Babi e ka vendlindjen në Gjirokastër, kur familja ishte atje në ’35
Nana ime, ishte 33 vjeçe në 46-ën. Bijë e Sejdinëve, një nga familjet më të mëdha të Elbasanit gjithashtu. Punoi në kanale për ca kohë…!! Ngeli vetëm, me katër fëmijë të vegjël – daj Homeri ishte bebe – i sapolindur. Pasuria, shtëpitë, biblioteka e gjyshit, siguria e dlirësia e jetës, ikën – poof, brenda natës.
I shkonin gjyshit përherë ne burg, e mbanin mirë, siç ishte mësuar, ia lehtësonin pak ferrin… me atë që u lejohej. I shkonte sidomos me babin e hallën, se ata ishin më të mëdhenjtë, në atë fillim edhe ata ishin fëmijë akoma.
Kur erdhëm ne fëmijët e fëmijëve në jetë, nga vitet ’70 – brengat e trishtimet ishin futur në sirtare… T’ju them të drejten unë dhe im vëlla e dy kushërinjtë, nuk e ndjemë shumë atë realitet. Ata na mbrojtën sa mundën, mendoj.
Im atë, më fliste për të kaluaren, atë të artën e të zezën, gjithmonë me një buzëqeshje të menduar.
Kur më doli shkolla mua, lufta e klasave ishe dobësuar, pak vite para demokracisë. Për Gjeologji!! Unë u mërzita. Im atë më tha: “Hortenca, mos u mërzit, mund të ishte dhe më keq… Babi s’ka fjetur 17 vjet, se më brente mos po të mundoja kot.” Kështu që Hortensia nga Elbasani filloi Gjeologji!! edhe pedagogët çuditeshin kur më shihnin në atë degë.. Më pëlqente ndërtesa veç – arkitekturë e përsosur.
Tre vjet më vonë – demokracia… fillova Gazetari, dhe i bëra të dyja njëherësh… Im Atë kish pasur të drejtë…
Ishte interesante të rriteshe në familjen e Haxhiademëve. Seriozë dhe të pafalshëm, po me shpirt aq të pasur.
Unë, po ta përsërisja prapë, s’do e doja ndryshe…
Kur vdiq Nana ime, në 84-ën, unë isha e vogël ende, po kjo më kujtohet: njerëzit e quanin Nënë Heroinë.
Hortensia Haxhiademi, maj ’15
***
“Skënderbeu” do të jetë gati pas disa ditësh. Zgjidhja Juaj: fb i imi o faqet e tua… Personalisht unë do preferoja këtë të fundit: më klass, patjetër më shumë nota muzikore e siguri.
Në një mënyre a tjetër do dalë, i plotë, i pacopëtuar.
Eshtë tragjedi me 5 akte, 5 skena akti (ai përdori modelin Shekspirian. Po u nda… S’ka kuptim!)
Më ktheni përgjigje ç’mendoni”
Hortensia Haxhiademi, may ’15
***
Mua më ke në dispozicion për gjithçka që ka lidhje me Haxhiademin… Do të doja nji shënim prej teje… Ti je gazetare, dhe mundesh të paraqesësh nji përcjellje të krejt veprës së Haxhiademit përmes shënimeve të tua, me informacione që mund të paraqesin interes edhe për lexuesit dhe për studiuesit…
Unë e shof kështu… nuk di ti si e mendon kët gjë…”
Jozef Radi, maj ’15
***
Unë jam pas skene…
Kurrë s’shkruaj dot ashtu si ju të dy…
Unë jam daktilografistja…
Hortensia Haxhiademi, maj ’15
***
Ah sa do e dëshiroja nji esse prej teje, ku ti të flisje për nji gjë të munguar, po që gjithnji ka qenë prezente tek jeta jote… Fantastike…
Jozef Radi, maj ’15
***
Unë s’shkruaj mirë nën diktat…
Shkruaj vetëm kur e mendoj unë…
Hortensia Haxhiademi, maj ’15
***
As unë dëshiroj t’Ju diktoj… Thjesht po ju jap nji ide, që ti e ke brenda vetes… Vetëm si shtysë…
Kujtimet janë kapitali më i çmuar që ka njeriu… mjaft ta ndjesh që duhet t’i nxjerrësh me kujdes… është si ai filli i dalë i një trikoje, mjafton ta tërheqësh pak dhe e shprish krejt trikon…
Jozef Radi, maj ’15
***
Mendoj se me pak fjalë e shumë vepra & mendime atë po bëj… Po jo vetëm për Gjyshin, po edhe për Babin tim…
Unë… kam frikë ta shkruaj atë essenë tënde… Se i dua aq shumë. As unë s’ndjehem mjaft. Copëza të shkëputura mbase…
Lexova diku: “…S’asht e thjeshtë t’i jetosh malet…”
Po ti ama, ja pse duhesh ti…
Hortensia Haxhiademi, maj ’15
***
Po Shpirtrat e Lirë nuk kanë frikë… Përndryshe nuk janë të tillë… Unë gjithnji mendoj se ti si mbesë e Haxhiademit duhet të shfaqesh ashtu…
…………..
Hortensia, të jem i sinqertë, unë kam ndjekur vetëm Et’hemin… dhe u përpoqa të krijoj nji ide mbi kët Njeri përmes teje…
Tani simbas meje Ju dhe Babai Juaj jeni bashkë… Pse të mos e shfaqeni bashkë!?
Jozef Radi, maj ’15
***
Skënderbeu, siç të thashë, 5 akte. I gjatë… Do jetë mjaft vetë. Vetëm dikush me një penë e shpirt si yti dhe me kujtime si timet… mund të shkruajë diçka për të. Atyre iu morën shumë gjëra, po asnjë s’ia grabiti dot dinjitetin, askush s’mundi.
Unë vetëm kujtoj… tim Atë… e Ai gjithmonë kujtonte të Tijin me një buzëqeshje fisnike, kujtime me atë “Lyrën” e tij sa të dhimbshme aq të amël. Ai më la paqe…
Qëllimi im është të lexohet. Derisa ta ribotoj. S’ka të bëjë me mua – ka të bëjë me Të. Vepra e Poetit… duhet të lexohet. Eshtë aq e thjeshtë. Por nëse të duhem unë… Unë besoj se të kam çuar mjaft material, më shumë se dhe Nënës sime. Ti je i zoti, mjaft t’i ndërthurësh gjëkundi, pa e hequr vëmendjen nga Ai!
Hortensia Haxhiademi, maj ’15
***
Sa për essenë… le të bahet vullneti yt, po unë do të mbetem gjithnji nxitës, edhe pse refuzimi yt mbetet konstant…
Më vjen mirë, që edhe pse vonë u njoftëm, na duhet me u përpjekë me ba ç’ka asht e mundun me i nxjerrë në pah vlerat e rrënueme të atij vendi, që do mbetet gjithsesi “i joni”, dhe brezat ta njofin si duhet at trashigimi të dhunueme, po të pavdekshme të paraardhësve të tyne…”
Jozef Radi, maj ’15
***
Trishtim…
Dear Josef
Incidentally, kjo vala ime, të flas për të kaluarën, më kushtoi ca kujtime të fëmijërisë. Po Jozef, edhe kujtimet, nga ato më të dlirat – gënjejnë ndonjëherë.
Rastësisht ti – pa e ditur, more pjesë në atë ndodhi. Ishte ato 2-3 ditë para se të flisnim për Haxhiademin. Mos u shqetëso, ti po bëje atë që bën aq bukur, nuk po të bën njeri fajtor; ti vazhdo me atë muzën tënde, me kuriozitetin për më shumë…
E mira të rriteshe e bija, e e mbesa e tyre, ishte se ti mund të ruaje kujtime të veçanta, të njihje njerëz që të kanë lënë mbresa, njerëz të njerëzve që të kanë lënë mbresa…
E keqja e të ikurës larg, e arritjes së “pjekurisë” në një vend krejt tjetër (love this country – as you said: free thinking), është se ato kujtime janë të athershme, më të dlirat, të para me sytë e një fëmije… Këta njerëz gjithashtu, të mbajnë mend ashtu të vogël e bullafiqe, kaq të sjellshme – ajo mësohej që në djep, – e ma kujtojnë edhe tani ndonjëherë miqtë…
Ata çuditen që mund të mos jesh dakort me ta, e edhe pse me kulturë u përgjigjesh – (gjithmonë ajo kultura në mes), edhe kur do të thërrasësh e t’i bërtasësh, s’shpëton dot nga ca gjëra “të mira”
E di që të kam humbur fare ndërkohë… Unë tentoj të devijoj nga tema shpesh, duhet ta kesh vënë re – prandaj edhe ajo esse-ja, s’ishte ide e mirë. Për atë duhet strukturë, precision, kujdes i madh!!
E shkruara ime nuk është për Haxhiademin. Unë jam “the wanderer”, as vetë s’e di për çfarë filloj e për çfarë mbaroj. E bëra më shumë dëshirë shkollën e dytë, të gazetarisë. Isha studente shumë e mirë. Mbase ishte mllef, mbase pak ai nervi i të shkruarit. Po megjithëse e desha, jam OK që s’e përdora , tamam ashtu…, sepse ika. Zgjodha diçka më pa demands, të jem pranë fëmijës, ta rris me vlera.
Shkolla, – thosh Im Atë – është e domosdoshme… ku reflektohet, se çfarë do që të bësh në jetë…
Unë e di tashmë më mirë se askush që s’do kisha bërë kurrë një gazetare të mirë! Shumë zemër, pak gjakftohtësi!
Unë i shkruaj gjërat në moment, ose në mes të natës – nuk u përshtatem dot formateve edhe pse mundohem t’i respektoj!
Hortensia Haxhiademi, maj ’15
***
Tashti sa e mbarova së lexuari qetësisht gjithë mesazhin tuaj… aq sa ishte fillimi i bukur, aq u ndjeva trishtë kur e mbylla… Për fat të keq kjo botë është e tillë… Zotësi është të rrish në telin e funambolos, pa rënë poshtë… Kam mëse dy vjet e gjysëm që jam në nji komunikim të vazhdueshëm me mjaft njerëz, me të gjithë llojet dhe me beso kjo mbetetë nji nga leksionet më të mëdha të jetës sime… t’i imponohesh tjetrit me shkrimet që ti bën apo ti përzgjedh… dhe të mos e lejosh të jetë fyes, nuk është e lehtë …
Gjithsesi “ma guarda e passa…” thotë Dantja, unë nuk mundem të them më shumë… Ti je mjaft e kulturuar, sa t’i kuptosh e t’i shpërfillësh “hijet”… Ato do të jenë gjithmonë, Hortensia…
Jozef Radi, maj ’15
***
Ok, Josef,
Do i kthehem të kopjuarit të gjërave të bukura tani… E mban mend paktin tonë – s’ka ndyshuar (asnjëherë s’e kam harruar!)
Kohët e fundit iu ktheva prap, vetëm sa ta rilexoja, e më lindi ky shqetësim i madh, fakti që nuk janë atje për ku ishin shkruar… Në dorën e në sytë e atij lexuesit të panjohur… të këtyre viteve e të sotmit.
E kam lexuar më parë, kur isha ende e vogël. Doja ta “shijoja” plotësisht, si thua ti… nga ai Libri i Madh, te biblioteka e familjes, kështu e quanim, kur ishim fëmijë.
Për sytë e Mij, është e padiskutuar vlera e tyre. Lexuesit e viteve ’30 e dinin, studiuesit e sotëm bëjnë lavde. Jam mëse e sigurt se ai që i shkroi i dinte…
Veç është ajo që ju shkrova një herë Josef – vepra e Poetit, duhet të lexohet! Kaq e thjeshtë… Arsyeja e vetme që është… Kështu që po mendoja – ide, si ta ribotoj. J’ua përmenda edhe juve atë mbremje të parë që folëm për të.
Por tani, më pëlqen mjaft ky plani i dytë… Jo shtypshkronja e njerëz të panjohur tani për tani…
Veç unë e Lyra e tij, e rikopjuar me dorën time…
Do ju vijnë e-maile me veprën e tij herë pas here… Ndërkohë mendo një platformë sa më të denjë t’i vendosim – bëj atë që bën aq mirë…
Deri athere… Po të dërgoj këtë të fundit. Se t’a premtova një të mirë… Nuk jam e sigurt në është ç’kërkoje… Po është ajo më e qarta, më e kthjellta në mendjen time…
Nëse kërkon kujtimet e mia… duhet të jenë mjaft…
Ditë të mbarë
Hortensia Haxhiademi, Maj ’15
***
Dear Josef,
Buzëqesh kur lexoj letrën tënde, ëndjen për shënimet e mija, (prej teje… vlerësim i vyer… vërtet), këmbënguljen e nxitjen tuaj të shkruaj më shumë…
Por Josef, kujtimet e mija… Ju kanë ardhur pjesë pjesë, në një kohë kaq të shkurtë… më të shtrenjtat, nga ato që i bisedoja në netë të largëta… veç me tim Atë…
Ju më pyetët njëherë… ç’ndjenja jetojnë në mua ende për të!? ç’kujtime?… për këtë Gjysh të Madh Timin…, a më mungon…?
Do ishte shumë e veçantë ta kisha në jetën time – imagine that! Por unë nuk bëj fajtor asnjë për fëmijërinë time; si ju thashë, ishte më e mirë se e shumë fëmijëve atje. Ata na mbrojtën… Ato që vlerësoja që e vogël – unë i pata.
Ishte kaq e veçantë të rriteshe me ta. E kisha tre gjyshër të tjerë, të mrekullueshëm.
Ty nuk mund të të mungojë tmerrsisht ajo që s’ke njohur… Po të dhemb, e të dhemb shumë ajo që di.
Gjaku, është shumë i rëndësishëm për mua… Unë i bëj veç fajtorë për jetën e tij!!! Të fajshmit e të pafajshmit.
Veçanërisht këto ditë… kam shumë ndjenja, ashtu palosur mbi njëra tjetrën, që më mbajnë zgjuar netëve… E shumë kujtime…
Veç kujtimet e mija dear Josef, vijnë nga sytë e një tjetri me sytë e mij… Janë aq të ámla… por aq të vagta. Nga sytë e dikujt që m’i këndoi si ninulla netëve… e unë do dëshiroja veç të kisha qenë pak më e rritur… e t’ia dëgjoja melodinë aq ëmbël athere… si tani.
Kam folur shumë me ty këto javë, ai filli i kujtimeve u shpështoll më gjatë këtë prag Qershori… Falemnderit që ishe atje tek kujtoja…
Miniesse-ja që vijon është më e sakta e kujtimeve të mia… është më e sakta që di… (ika Josef… hera e parë që u përlota tek të shkruaj)…
Pjesa ime e preferuar… (nga tëra që ju kam çuar)
“…Ky do të jetë veç Gëzim…”
Më thuaj Josef, në ato studimet e tua, në kërkim të asaj fotos së famshme, a ta ka zanë syri gjëkundi që Gjyshi i binte violinës? Po, me ç’më kanë treguar i binte bukur shumë. Një nga gjërat e pakta, që të tijtë fshehën e ruajtën si të shtrenjtë qe violina. E kanë çunat e xhaxhait tani, se mbaruan të dy për muzikë.
Qesh… edhe pse më pëlqen të mendoj që kam duar pianisteje, nuk trashëgova asgjë në atë drejtim… Eshtë e çuditshme DNA. Ne të tërë kemi pak nga Ai…
Mandi mori tiparet e fytyrës (i pari, dhe i preferuari i tërë Haxhiademësve. Ata e rritën, Mami s’e kapte dot me dorë. E vetmja arsye që nuk mori emrin e tij: Ishte gëzimi i parë pas kaq trishtimeve – e Nana e ndali Babin. Fjalët e sakta ishin “ky do jetë vetëm gëzim…”) (I mban mend ato “brengat në sirtare…?” A është ndonjë çudi e madhe që unë i dua aq shumë…)
Keti, Genti & Eti – muzikën;
Eti madje dhe emrin e ndritur
e unë, Goca e Babit – mora… pak nga shpirti i tij, besoj, nga librat, sensi i familjes, gjakut. Unë mbase mora pak nga ai shpirti i lirë, që fluturon edhe kur do ta ndalësh, e që i jeton dramat pak më thellë – edhe kur është i lumtur!
Personalisht, mendoj që jam më e fituara! Pak nga Pena, po edhe nga ajo Lira…
Sa për ty miku Im, meqë paske pasë interes për Haxhiademin, rasti… vetëm rasti të solli në kontakt me Haxhiademin e duhur (mbas tim Eti…) Vetëm unë e le gjumin për meloditë e largshme…Dhe më vjen mirë kur buzëqeshin, po më vjen më mirë kur buzëqeshin Ata Lart…
Kur vjen fundi, edhe pse s’e di a e bëmë krenar… Ja ç’ishte ideja e tërë e Haxhiademit: Familja, Vlerat, Zemra… Kombi & Idealet… Ne që na lanë pas, që i kujtojnë dhe e duam. Që e kuptojmë më fort se çdo lexues tjetër, se na thërret gjaku.
Ti këmbëngule të dëgjoje ç’ndjeja e ç’kujtoja unë për Të. Unë mbase s’kam kujtime të drejtpërdrejta… Unë t’i solla sot përmes rrëfimeve të tim Eti, edhe Ai është atje Lart… Sot në ditën e ikjes së tij gjithë kujtimet dhe mbresat që kisha… ti çova…”
Hortensia Haxhiademi, qershor ’15