back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Tre vëllaznit Gàzulli nën rrasën e randë të harresës… nga Daniel Gàzulli

Gazeta

Daniel Gazulli (1944-2012)
Daniel Gazulli (1944-2012)

Tre vëllaznit Gàzulli nën rrasën e randë të harresës…

nga Daniel Gàzulli

“…fatzeza moj Shqipni
– po ishte faj me të dashtë ty!”
Gjergj Fishta në vdekje të Avni Rustemit

Nxitje për këte shkrim u banë komentet dashamire për studimin tim të shkurtë “Gjon Gàzulli, astronom dhe diplomat i shek. XV”.
Me këte rast due t’i falnderoj të gjithë për fjalët e ngrohta.
Por çka më shtyni ma shumë me shtri këto radhë, asht një shënim i Prend Buzhalës, se “Kombet tjera, po të kishin figura të tilla, do t’i pagëzonin menjëherë universitetet e veta me emra të tillë!”
Në Prishtinë, në mos tjetër, ka një shkollë të mesme që mban emnin e Gjon Gàzullit. Në Lezhë, ku jetoj unë, emnin e tij, as të atyne për të cilët do të shkruej ma poshtë, nuk e ka asnjë shkollë fillore, as një rrugë, asnjë shesh.
Do të përpiqem me i dhanë përgjigje një pyetjeje që lind vetiu: Përse shpërfillet astronomi e diplomati Gjon Gàzulli, ndërsa nga një anketë e vitit 2000, rezultoi se konsiderohet shkencëtari ma i madh shqiptar i të gjitha kohnave? Përse shpërfillet Dom Gjon Gàzulli, deputeti Nolist, varë në Fushën e Druve në Shkodër me 5 Mars 1927? Përse asht lanë gati në harresë gjuhëtari Dom Nikollë Gàzulli, vra pa gjyq me 2 shkurt 1946, përjashtue dashamirësisë së zonjes Brikena Çabej, bijës të të madhit Eqrem Çabej, që me shpenzimet e saj ribotoi Fjalorin e Gàzullit? Mos vallë vazhdon të jetë në listën e “Anmiqëve të Popullit”? Përse askush nuk kujtohet se sekretar i Shoqnisë “Bashkimi” të Avni Rustemit ka qenë Stefan Gàzulli, profesor në Universitetin “La Sapienza” të Romës deri më 1961?
E ndjejë për detyrë morale të baj një parantezë.
Edhe pse nën diktaturën ma të egër që ka njohë Europa, Profesor Eqrem Çabej nuk pranoi ta botonte vëllimin e parë të Studimeve Etimologjike pse i kërkuen të hiqte emnin e Dom Nikollë Gàzullit. Kështu, për çudinë e shqiptarëve, u botue vëllimi i dytë para të parit.
Atëherë. Po tashti? Ç’diktaturë i pengon të kujtohen vëllaznit Gàzulli?

Gjon Gazulli i Madh - Astronomi
Gjon Gazulli i Madh – Astronomi

***
Ka qenë traditë në familjen Gàzulli që të paktën një prej djelmëve të ndiqte studimet jashtë shteti. Nuk po zgjatem e të rrjeshtoj se si nga shek, XV Gjon Gàzulli i Madh, astronomi, Pal Gàzulli, ambasador i Kastriotit pranë Republikëse së Raguzës në vitet 1452-1459 dhe Rektor i Shkollave të asaj Republike; Doktori i Filozofisë Imzot Ndue Gàzulli, Arqipeshkëv i Shkupit (1702-1753), Abati i Mirdtës Ndre Gazulli (shek XVII), Andrea Gàzulli, komandant i Forcave të Veriut pranë Ali Pashë Tepelenës, deri me sulmin e tij barbar mbi Kardhiq, e kështu me radhë, deri në ardhjen në pushtet të komunistave, ka pasë gjithmonë një pinjoll të familjes që do të shkonte për studime në Universitetet e Europës. Po kësaj radhe, pra në fillim të shekullit XX, ishin tre vëllazën njëherësh, Gjon Gazulli (1893-1927), Nikoll Gazulli (1895-1946) dhe Stefan Gazulli (1896-1964), që vijuen studimet jashtë shteti.

Gjon Gazulli i varur (1893-1927)
Gjon Gazulli i varur (1893-1927)

Dom Gjon Gàzulli (1893-1927)

Gjoni, ashtu si edhe Nikolla e Stefani, leu në Dajç të Sapës (Zadrimë) me 26 Mars 1893. Mësimet e para i bani në shkollën e fshatit, që e kishte çelë Dom Ndre Mjeda.
Si vijoi të mesmën në Shkodër, studimet e matejshme i ndoq në Itali dhe Austri, ku ishte dhe vëllaj tjetër, Nikolla.
Ai u shugurue meshtar me 4 Gusht 1919. Mbas një shërbimi të shkurtë në Gjadër të Lezhës, e çuen në Qelëz të Pukës e ma vonë në Koman.
Dom Gjoni ishte angazhue në jetën e problemet e vendit qysh kur ndiqte studimet në Romë, aq sa arbëreshi Agostino Ribecco, e cilëson më 1919 “Atdhetari i madh Gjon Gàzulli”.
Por për të qenë sa ma të kursyem në këte shkrim, po rendoj vetëm pikat kryesore të jetës së tij të shkurtë.
Tue pa trazimet e Atdheut, ai u angazhue përkrah Luigj Gurakuqit, Avni Rrustemit, Fan Nolit, Bajram Currit, Gjergj Fishtës, Hasan Prishtinës, në atë krah që asht quejtë në histori “opozita”, pse i ishte kundërvu “popullores” së Ahmet Zogut, dhe në zgjedhjet politike të vitit 1923, Dom Gjoni u zgjodh deputet.
Ndërkohë, tue qenë meshtar në Qelëz, kreu atë akt që për kohën ishte një veprim revolucionar i pashembullt: Hapi në qelë (shtëpinë ku banonte vetë) shkollën e parë mikse në botë. Po po, në botë. Asht diçka e vështirë për brezin e ri me kuptue disa gjana, por edhe në Europën e përparueme shkollat mikse (djelm e vajza bashkë) janë çelë për herë të parë mbas Luftës së Dytë Botnore, në Francë më 1948, kurse në Itali katër vjet ma vonë, më 1952. Kurse ai, prift, hapi në qelë  shkollë mikse me djelm e vajza bashkë, të krishtenë e muslimanë bashkë. Ja përse thash se ai ishte një revolucionar i vërtetë, në kuptimin ma të mirë, të saktë e ma modern të vetë konceptit të vërtetë të fjalës  “revolucionar”.
Jo rastësisht një ndër votuesit e tij kryesorë, pse zgjedhjet në atë kohë baheshin me përfaqësi, ka qenë Myftiu i Hasit. Kur Musa Juka iu drejtue Myftiut: “Po ti, si nuk pate turp që votove për priftin?!”, Myftiu, pa prishë terezinë, iu gjegj i qetë: “Nuk votova për priftin, po për atë që po na mëson përditë çka do me thanë Shqipni, çka do me thanë Atdhe”.
Në një fletore kujtimesh me titull të përgjithëshëm që pat lanë, “Njizet fytyrat ma në shej të kohës teme” (Njëzet figurat ma të shqueme të kohës time), trembëdhjetë ishin muslimanë: Bajram Curri, Hasan Pristina, Avni Rustemi etj; e ai vetë ishte prift, po prift Shqiptar, me të gjitha shkrojat të mëdhaja.
Dom Gjoni nuk u largue kur në Shqipni u rikthye Zogu me hordhitë serbe e bjellgardistët e Wrangelit. Nuk iku as atëherë kur Zogu i vrau miqtë e tij ma të mirë, Luigj Gurakuqin e Bajram Currin.
Në tetor 1945, Eduard Kardeli, numri dy i Beogradit, porosiste Enver Hoxhën: Nëse do të mbajsh pushtetin, në radhë të parë duhet të zhdukish klerin katolik, dhe Enver Hoxha ashtu bani. Të njejtën porosi i pat dhanë edhe Pashiqi Ahmet Zogut e ky u lëshue mbi Mirditë, Zadrimë, Pukë e Dukagjin ma keq se serbi mbi Drenicë. Natyrisht, meshtari e deputeti Dom Gjon Gàzulli, që ndërkohë ishte transferue në Koman, nuk mund të bante sehir: ai iu gjet pranë popullit të Tij dhe për këte Ahmet Zogu e arrestoi me 26 Nandor 1926, e mbas një gjyqi farsë, e dënoi me vdekje, tue e egzekutue në litar me 5 Mars 1927. Katër orë mbas varjes, Zogu, kjo mbeturinë atavike e me djallëzi orientale, dërgoi një telegram ku gjoja i falte jetën. Nuk kanë qenë të pakta veprat e shëmtueme të Zogut: mjaft të kujtojmë vrasjet e Luigj Gurakuqit, Bajram Currit e Hasan Prishtinës, por varja e Dom Gjon Gàzullit asht pa dyshim një ndër aktet ma të shëmtueme të tij, që e ndoq si hije ndëshkimi, kudo që mërgoi.
Po Dom Gjoni jeton. Kushdo që shkon në Vorrezat Katolike të Shkodrës, në Rrëmaji, mund ta vërejë se ai rron. Ka plot 80 vjet që besimtarë e jo besimtarë, të krishtenë e muslimanë, ndalen tek ai vorr, ndezin një qiri, lanë një tufë lule apo lëmoshë për të vorfnit. Vorri i Dom Gjonit, i thonë thjeshtë shkodranët, ndoshta edhe pa dijtë shumëçka për Te, por tashma me një bindje të trashëgueme nga brezi në brez se Ai asht Shejt, për çka ka çelë procedurat e shejtnimit të Tij kohët e fundit edhe Vatikani.

Varri i Gjon Gazulli - Rrmaj Shkoder
Varri i Gjon Gazulli – Rrmaj Shkoder

Nuk e di nëse ishte shejt apo jo. Di po, që Ai ishte atdhetar, aq sa në gjyq pat lanë ate thanjen e tij lapidare: “I vetmi faj që i njoh vetes, asht se e kam dashtë Atdheun deri në flijim për të”.
Pat shkrue më 1942 At Gjon Shllaku për Bajram Currin, Luigj Gurakuqin dhe Dom Gjon Gàzullin: “Fatosa të vramë dy herë, një herë kur i mbyten, dhe një herë kur i lanë në harresë”.
Tue parafrazue thanjen e At Shllakut, ashtu siedhe për At Anton Harapin, mund të them tashma për Dom Gjon Gàzullin: I vramë tri herë: Një herë kur e mbytën e dy herë me harresë.

Martiret Gjon e Nikoll Gazullori
Martiret Gjon e Nikoll Gazullori

Gjuhëtari Dom Nikollë Gazulli

Nikolla ishte dy vjet ma i vogël se Gjoni, po studimet i vijuen njëherësh e bashkë, pse atëherë u çel shkolla në Dajç, më 1902. Mbas së mesmes në Shkodër, ai i vijoj studimet në Grac e Insbruk të Austrisë, ku kreu si teologjinë, ashtu edhe gjuhësi, tue pasë për udhëheqës albanologun e shquem Norbert Jokl, me të cilin i ruejti lidhjet gjithë jetën.
Si u kthye në Atdhe, meshtar në Malësitë i Veriut, në Rjoll e në Shkrel, iu përkushtue me mish e me shpirt mbledhjes së fjalëve të rralla, toponomastikës, onomastikës, e deri studimeve etnografike, historike e gjeografike.
Më 1926, u arrestue edhe Dom Nikolla, bashkë me të vëllanë Gjonin, me dom Lekë Dredhën e dom Loro Cakën. E dënuen me 101 vjet burg. Me ndërhymjen e shumë figurave të shqueme, prej Norbert Joklit tek Viktor Eftimiu, prej Asdrenit te Fishta, mbas katër vjetësh e liruen nga burgu i Gjirokastrës.
Ai ishte dijetar i mirëfilltë e shumëplanësh. Zotnonte gjermanisht, italisht, latinisht, greqishten e vjetër, frangishten dhe sllavishten.
Porsi bleta mbledh nektarin e luleve, Ai mblodhi prej popollit të maleve tona mija fjalë të rralla, shprehje frazologjike, onomastikë e toponomastikë, gojëdhana e fakte historike, mitologji, materiale etnologjike e deri harta të vjetra mbi të cilat bani analizza që edhe sot e kësaj dite i kanë të pakta shoqet nga ana shkencore.
Sa qe gjallë, Ai botoi dy vepra, “Fjalorth i Ri”, 1942, si vëllim i XI i Visareve të Kombit, dhe “Fjalori toponomastik”, pjesë pjesë, në revistën “Hylli i Dritës” në vitet 1939-1943.  Ishin këto vepra themel në fushën e leksikografisë krahinore dhe onomastikës.
Ajo që dallon këto dy vepra, shumë të vlefshme për kulturën kombëtare, asht niveli i naltë shkencor, ku duket dora e një dijetari të mirfilltë, metodologjia e hartimit, objektiviteti i landës gjuhësore, ekuilibri në përzgjedhje, dhe sidomos shpjegimi analitik i landës.
Fjalorthi ngërthen mbi 5.000 fjalë të rralla të shtrime në 524 faqe. Çdo za asht shoqnue me shpjegim kuptimor, sinonimor – kur ka qenë rasti – etimologjik, e krahasue jo rrallë edhe me përkatëset në gjuhë të tjera, sidomos në gjermanisht e italisht.
Një vend të randësishëm zanë njësitë frazologjike dhe fjalët e përbame (kompozitat) me shpjegime nga ma të hollësishmet. Veçanarisht me vlerë janë shpjegimet për lëvizjen kuptimore të fjalëve në rrjedhë të shekujve.
“Fjalori toponomastik” asht vepra e parë e këtij lloji në gjuhën shqipe, çka e ban Gàzullin themelues të leksikografisë onomastike. Në këte vepër trajtohen edhe shumë probleme historike, gjeografike, etnografike, deri tek emnat e hyjnive ilire e trake, etj.
E gjithë kjo punë e Tij, e gjithë ndihmesa e Tij në lamë të kulturës shqipatre, u mohue e u la në harresë për 50 vjet. Arsyeja ishte vetëm një: Dom Nikollë Gàzulli nuk zmbrapsej para thirrjes së Atdheut me mbrojtë lirinë dhe dinjitetin e kombit prej aneksimit fashist apo atij sllavo komunist të Beogradit.
Me 9 Prill 1939, Ditën e Pashkëve, në Kishë të Rrjollit, gjatë predikimit, ai iu drejtue besimtarëve: “Mos i lëshoni armët! Këta (pushtuesit italianë-shënim i imi, DG), skotë e mbrapshtë si janë, duen me na shkombëtarizue! Prandaj, si dikur bijtë e Kastriotit, t’i bajmë ballë pushtimit fashist!”
Të njejtat fjalë Dom Nikollë Gàzulli ua tha edhe malësorëve të Shkrelit më 1945, kur Shqipnia faktikisht ishte kthye në një republikë të shtatë jugosllave: “Lirinë e fitueme me gjak, këta duen me e lëshue  pa gjak në dorë të shkjaut në emën të idelogjisë së tyne çnjerëzore komuniste! Pra, o burra, armët për syni!”
E vranë me 2 shkurt 1946. E mohuen për gjysë shekulli.
Vite ma parë, studiuesja Ledi Shamku shkruente për te: “Nikollë Gàzulli është një yll që ndriçon fort në hyjtufëzën e kulturës shqiptare në përgjithësi e asaj veriake në veçanti. Ka shumë që e kanë përdorë dritën gazullore, porse pa e emërtuar kurrë yllin nga buronte kjo dritë”.
Evidentova një pjesë të frazës së Shamkut pse ato fjalë shpjegojnë qartë shfrytëzimin e paprinciptë e të pamoral të Gazullit nga ata që ma vonë, me punimet e Tij e të At Justin Rrotës, do të baheshin profesorë e deri akademikë. Fjalët e masipërme nuk mund të thuhen vetëm për dy burra: Profesor Eqrem Çabejn, që nuk pranoi ta mohonte kurrë, dhe Profesor Selman Rizën…
Gjuhëtari e atdhetari Dom Nikollë Gàzulli, ashtu si i madhi Gjergj Fishta, ashtu si edhe vigani legjendar Dedë Gjo’ Luli, edhe sot e kësaj dite asht pa vorr.

Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)
Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)

Demokrati Stefan Gàzulli

I treti i vëllazënve, Shtjefni, apo si asht në dokumenta, Stefani, vijoi studimet në Romë për letërsi të lashtë.
Herët ai u kthye në Atdhe e u përfshi në lëvizjen rinore të Avni Rrustemit, në Shoqninë “Bashkimi”, e qé sekretar i saj (Kryetar ishte Avni Rrustemi).
Mbas vrasjes së Avniut, e sidomos mbas arrestimit të të dy vëllazënve, Gjonit e Nikollës, u detyrue të arratisej.
Qé profesor po në atë Universitet ku kishte krye studimet, në “La Sapienza” të Romës, deri më 1961, kur u kthye që t’i preheshin eshtnat në Atdhe.
Më 1964, ai nuk vdiq, po plasi.
Natyra e tij rebele nuk mund ta duronte dhunën e kohës e sidomos atë tufë injorantësh që sundonin Shkodrën e Shqipninë mbarë.

***

Të vramë fizikisht e me harresë. 
Përse?
Sepse në Shqipni asht politika ajo që përcakton edhe vlerën e figurave historike. E, po qenë nga Veriu, veçanarisht priftën katolikë, bahet gjithçka me i lanë në hije. Një gja të tillë në vitet ’40-’50, ua kërkonin edhe Beogradi e Moska. Po sot?
Në pushtet janë po ata që i varën apo i pushkatuen, ose bijtë e tyne, nipat.
Vëllaznit Gàzulli, në mos nuk asht e mundun të rivriten fizikisht, se u bajnë hije disave, të paktën rivriten me harresë.
Po populli nuk harron.
Një ditë historia do të jetë ma bujare edhe me Ata, ndonse nuk u flijuen për shpërblim, po pse e ndjenin për detyrë që për Atdhe e Fe, edhe me dhanë jetën asht përsëri pak. Gjithmonë duhet ba edhe diçka ma shumë.
E ata banë jo pak për Atdhe.
Përsëri, detyrën banë.
E si shpërblim, ende sot e kësaj dite, mbi Ta randon rrasa e randë e harresës.
Nëse, tue mbyllë këto radhë, më shpëtojnë dy pika lot, ju do të më falni.
http://rrezore.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.