back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kur Pikllon shpirti… nga Marsida T. Najdeni

Gazeta

Bedri Alimehmeti - Tirana e Pergjakur
Bedri Alimehmeti – Tirana e Pergjakur

Kur Pikllon shpirti…

nga Marsida T. Najdeni

Para disa muajsh miku im i mirë, studiuesi Gazmend Bakiu, më dërgoi një libër me një titull dridhërues. “Tirana e përgjakur” me autor të nderumin z. Bedri Alimehmeti. E mora në dorë, u stepa, pak prej titullit e pak prej fotos në kopertinë. Teksa shihja atë kopertinë me Tiranën e vjetër, ku paraqitet rruga 28 Nandori, e vetmja rrugë që kërrkush s’ka pas forcë ma ja ngacmu emrin, pash dyqanin e gjyshit, stërgjyshit, e të tjerëve para tyre. Kuptova se thellë diku në shpirt po pikëlloja prej dhimbjes. E ula librin mbi tavolinë dhe e çova tutje nga frika sepse e dija ç’mbante brenda. “Çudia modhe” – thashë me vete, – “thirri menies se as ke jetu m’at vakt.”
Ndjeva mall për një qytet që nuk është më. Ndjeva mall për ata njerëz humanë që nuk janë më. Ndjeva mall për një fëmijëri timen aq të pastër rritur mes një dashurie t’pa masë. Ku shkuan vallë vlerat njerëzore? I vranë! I burgosën! I vodhën! Ku shkuan të qeshurat e fëmive të rrugicave karakteristike? I larguan! I stepën! I zhgënjyen! Ku shkuan kopshtet e puset? I zhvlerësuan! I harruan! I tjetërsuan! Ku janë vilat evropiane me kangjella? I prishën! I shkërmoqën! I gllabëruan! “Ah, Tirona zemërmodhja…” – psherëtiva prej shpirtit.

Tironsja Nevrez Këlliçi me bashkshortin e pushkatuar, dibranin Akil Sakiqi më 1937.
Tironsja Nevrez Këlliçi me bashkshortin e pushkatuar, dibranin Akil Sakiqi më 1937.

Kaluan disa javë dhe libri më shihte drejt e në sy. Sikur po çirrej ta merrja ndër duar dhe ta shfletoja. Historia po nuk u tregua siç ka ndodhur vjen e të ndodh përsita (përsëri). E shfletova shpejt, duke ndjekur fotografitë dhe shkrimet nën to. Pamje që të çojnë larg, në një botë sikur duket se vjen nga një planet tjetër. Sa mirë do t’ishte të egzistonte një univers paralel ku ata njerëz të ishin duke jetuar ende të lumtur. Ndoqa këshillën e shumë miqve të mi. U përpoqa mos ta mendoja më as librin, as Tiranën… asgjë! Kështu kaluan disa javë të tjera. Por, populli jonë ka shumë shprehje të bukura, një ndër to “gjuha shkon ku dhemb dhëmbi.” E lexova librin për disa orë, pa pushim, pa lëviz. Jam rritur me ato histori që lexova. E dija se ç’prisja para se ta lexoja. Ama z. Alimehmeti thjesht ka fuqinë me atë shqipen e tij babaxhane me ta pikëllu shpirtin edhe më shumë. Në farefisninë time ato histori i kemi trashëguar gojë mbas goje, duke dasht me i mbajt ata njerëz gjallë me tregimet. Tironsa, dibranë, çamë, shkodranë e plot të tjerë nga gjithë trevat shqiptare mbledh në zemër t’Shqipnisë për t’ja dediku veten atdheut. Njerëz nga dyer të fisme, nga dyer bujare, dyer me tradita e me taban. Njerëz që shoqërisë shqiptare sot më shumë se kurrë i mungojnë së tepërmi.Në faqen 89-të më ndali zemra…

Shkrimtari, tironasi i urtë, Mustafa Greblleshi
Shkrimtari, tironasi i urtë, Mustafa Greblleshi

“Qetësi” – poezi nga Mustafa Greblleshi

Të kam ardhur, o baba tinës rojeve
Kësaj nate në varr.
Se kam zjarr e kam mall të të pyes
Në u shkërmoqe e u trete.
Pabesisht ty me plumb të rrëzoi
Qeni i zi gjakatar.
Dhe pa varr, pa emër
Midis kombit që e deshe
Aq shumë ti mbete.
Po më fal, o baba, se të flas e të thërras
Në univers pa e ditur ku je ti.
Më ke lënë, siç e di, fillikat.
Pa atdhe e pa gëzim.
Fli i qetë, o baba. Qetësi.
Se drejt teje si erë po vij
Të të sjell si gur varri,
Trupin tim të gjymtuar edhe shpirtin tim.
(Burgu i Tiranës qelia 79, viti 1948) 

Sadete Lleshi - 1937, babanë Muharremin ia pushkatuan, edhe vëllanë. Nëna e autorit të “Tirana e përgjakur” z. Alimehmeti
Sadete Lleshi – 1937, babanë Muharremin ia pushkatuan, edhe vëllanë. Nëna e autorit të “Tirana e përgjakur” z. Alimehmeti

Çfarë trishtimi. Breza të shkuar dëm nga babzia për pushtet të disa luftëtarve analfabetë. Autori i ndër të parëve roman dashurie në letërsinë shqiptare si “Gremina e dashunisë” ishte katandisur burgjeve dhe mëpastaj bojaxhi. Si zhduket drejtësia në skutat më të errëta të njerëzimit. Sa dhimbje ka në rreshtat e kësaj poezie. Një ujvarë ndjenjash që të përfshijnë në çdo gërmë. Një poezi e cila është tablloja e jetës së shkrimtarit, një tabllo pikturuar me fjalë. Në birucën e tij, izoluar nga e gjithë bota dhe i zhveshur nga atdheu që meritonte, i ndjeri Mustafa kërkon ngushëllim tek babai i vdekur. Është i sigurtë se vdekjen e ka pranë, i vetmi “ngazëllim” është t’i shkoi pranë babait. Në vend ta donin këtë shkrimtar të shkëlqyer, ju sygjeroj ta kërkoni në librari, e tutën duke e torturuar. Edhe pse doli nga ajo birucë, shpirti i tij kishte vdekur e mbetur varur në ftohtësinë e mureve larë me gjak, lot e lutje. Mure që po t’i pyesje kushedi do betoheshin se ka një ferr dhe një parajsë. Jetoi dhe disa vite të tjera si bojaxhi. U përpoq shumë t’i krijonin hapësira për botim. Vuajti, por dashuria për atdheun kurrë si shterroi.

Dylbere Liku - 1933, ditën e dasmës. Bashkshortin Muharrem Liku, ia pushkatuan
Dylbere Liku – 1933, ditën e dasmës. Bashkshortin Muharrem Liku, ia pushkatuan

Librin sot e mbarova së lexuari për së dyti herë. Ia kisha huazuar një mikut tim të moçem 67-të vjeçar prej Mitrovice. Ai donte shumë ta njihte autorin e një prej romaneve më të lexuar dikur në Kosovë. Kur ma ktheu librin “Tirana e përgjakur” dhe mbasi kishte njohur nga afër jetën e një prej shkrimtarëve të tij të preferum më tha se s’kishte fjet dot na dy netë. Mendova me veten “ky pa bo gjo e s’e paska zon gjumi, ata horra vrastarë jo që gjumin e boshin top, por jetun dhe si krajla në Bllok.”
Velkome tu Albania.

16 qershor 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.