back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Requiem për Poetin! nga Gjergj Hani

Gazeta

Gjergj Hani
Gjergj Hani

Requiem për Poetin!

nga Gjergj Hani

Nuk më kujtohet data!
Në burg nuk kishin rëndësi orët, ditët, muajt! Vetëm vitet kujtoheshin! Viti i arrestimit dhe ai i lirimit të mundshëm që mbetej gjithmonë diku larg!
Mbaj mend që ishte verë, dhe diçka më shumë se një vit më parë isha riarrestuar e ridënuar për herë të dytë me akuzën e Tradhëtisë ndaj Atdheut dhe Agjitacion e Propagandë. Me prisnin 11 vite të gjatë, dhe ngushëllimi i vetëm ishte mosha.
Sapo kisha mbushur të 18-at, dhe po të deshte i madhi Zot, rreth të tridhjetave mund të isha serish jashtë. Nuk e di se përse, por të burgosurit politikë nuk thoshin kurrë, në burg apo në liri, por brenda e jashtë! Asaj kohe nuk më kishte rënë në sy kjo gjë, por më pas, në vitet që erdhën, dhe në kujtimet që herë pas herë kërkojnë të drejtën e tyre për të mbijetuar, më kujtohesh se ne nuk thoshim i lirë, por jashtë! Dhe jo i burgosur, por brenda! Besoj se nuk duhen shumë mend për ta kuptuar se përse!
Më kujtohet se bënte shumë vapë, kur zbrita nga birucat e hetuesisë së Tiranës në kaushin e burgut. Një vit më parë kisha kaluar një hetuesi të vështirë në duart e  zv. Shefit të hetuesisë së rrethit Durrës, Agim Ferizit (sot nënkryetar i gjykatës së apelit Durrës) dhe gjashtë muaj më vonë isha marrë sërish nën hetim në Tiranë pasi kishin arrestuar xhaxhanë me akuzën e kontrabandës se floririt.
Hetuesit të Tiranës i mbaj mend vetëm mbiemrin, Mëlyshi, dhe një sy çakërr, që kur të drejtohesh të dukej sikur shikonte në tavan! E kisha kaluar edhe atë dallgë, dhe pas tre muajsh isha sërish në kaush të burgut, ku prisja transferimin me destinacion repartin e riedukimit 313 Qafë-Bar. Tuç… Pukë. Nga hetuesia dola me një dhimbje koke që së bashku me vapën, tymin e duhanit dhe dendësinë e të burgosurve të ngjeshur si sardelet në një dhomë me tre radhë krevatësh rifuxho, ma bënin të pamundur të më zinte gjumi. Kërkova një valium në infermieri, dhe infermieri më dha një kokërr të madhe me ngjyrë jeshile të errët dhe pak si të sheqerosur në shije, (të cilën ma kishin dhënë shpesh edhe në hetuesi) dhe më kërkoi ta pija në prezencë të tij! Të burgosurit nuk bënin pyetje! Nëse u kërkohej të bënin diçka, ose e bënin ose jo, por pa kërkuar shpjegime se përse! Edhe unë e piva pa thënë gjë, mjaft të flija. Më vonë dikush më tha se ato që kisha pirë për tre muaj rresht ishin kloropromazinë 100, një qetësues për të sëmurët psiqikë.
Nuk e njhja Havzi Nelën.
Deri atë ditë nuk kisha dëgjuar të flitej për të. Rreth orës katër pasdite, kur të burgosurit ordinerë më dënime të lehta ktheheshin nga puna në kompleksin e pishinave që po ndërtohej në Tiranë, ku punonin bashkë me shumë të burgosur politikë – ndonëse kontaktet mes tyre i kishin shumë të kufizuara – dikush në korridor hapi sportelin e vogël të derës sonë e thirri me sa kishte në kokë: “E varën edhe një tjetër nga ju, armiqtë e mutit!!”

Havzi Nela reciton...
Havzi Nela reciton…

Ai zë me kumbon akoma në vesh.
Kishte një të qeshur tallëse që shkonte mes cinizmit e gallatës! Më vonë, një i burgosur ordiner me të cilin kishim mundësi të flisnim në mëngjes kur ai lante korridorin e ne dilnim në ajrosje, na tha se kishte qenë njeri nga kapterrat e shoqërimit që na kish dhënë lajmin e kobshëm, duke u zgërdhirë vesh më vesh!
Aty për aty, askush nuk ja vuri veshin! Kishim shumë provokime të tilla, e nuk na bënin më përshtypje. Nuk e di se kur më zuri gjumi! Heshtja e natës thyhej nga gërrhimat e rënkimet e të burgosurve në gjumë. Diku, në të gdhire, një ulërimë e mprehtë, therëse shqeu vetëdijen time të përgjumur. U ngrita ndenjur pa e kuptuar se ç’po ndodhte. Flija në radhën e tretë të rifuxhos, ku më të vjetrit nuk arrin të ngjiteshin, ndaj flinin në rreshtin e parë apo të dytë. Ulërimat përzier me rënkime ngjethëse vinin nga diku poshtë, sikur dilnin nga dheu. Të burgosurit rreth tij mundoheshin ta zgjonin nga ajo ëndërr e ligë! Dikur u zgjua, u qetësua e sërish gjithçka heshti.
Të nesërmen më thanë se i burgosuri në fjalë ishte torturuar aq shumë, ngaqë nuk pranonte të dilte në punë, sa i kishin dëmtuar edhe organet gjenitale, e që atëhere nuk urinonte dot më në këmbë si të gjithë meshkujt. E kishin sjellë në kaush për ta transferuar në Burgun e Burrelit pasi nuk e kishin thyer dot, e nuk e kishin nxjerrë dot në punë.
Atë, që në fillim e kishim marrë për një provokacion të zakonshëm, pak ditë me vonë na e konfirmuan burime të ndryshme të “radio burgut”!
Është e çuditeshme se sa shpejt qarkullonin lajmet tragjike! Aty dëgjova për herë të parë për Havzi Nelën: E kishin ekzekutuar me varje në mes të qytetit. Ata që e kishin njohur tregonin për të, e përpiqeshin të hamendesonin se ç’kish bërë që ta varnin?! Dikush tha për poezitë që shkruante, por logjika nuk mund ta pranonte një arsye të tillë, e kërkonte motive të tjera, më të thella e të komplikuara! Si mund të varesh dikë për disa poezi?
Atëhere nuk e njhja Edvin Ramën. Për të jatin dija që ishte skulptor. Nuk njihja as Diana Çulin, as kisha lexuar ndonjë poezi të saj! As që më shkonte nëpër mend që ata kishin firmosur dënimin me vdekje të një mësuesi, poeti, NJERIU! Atëhere nuk mendoja se e keqja kish kaq rrënjë të thella, e një fytyrë aq banale e emra aq të zakonshëm si Kristaq, apo Diana! Atëhere mendoja se e keqja si ne përrallë rrinte e mbyllur në Shpellën e Bllokut, e mbahej në këmbe nga qentë e saj me uniformë jeshile e Kostume gri!
Por sot Nebil Çika ma kujtoi, e rashë në detin e trazuar të kujtimeve, ku u ngjallën zera, fytyra, kujtime, njerëz, vende e vite që banaliteti i së keqes universale përpiqet t’i fshijë me forcën e heshtjes!

(Marrë nga muri i Fb i Gjergj Hanit, 8 gusht 2015)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.