Ky është gjenocid!
nga Nebil Çika
Rreth 7000 azilantë në muaj largohen mesatarisht nga Shqipëria, pra rreth 80.000 në vit, gati një qytet i madh në vit zhduket në një eksod të heshtur, i cili po e zbraz vendin me përmasat e një lufte. Ky eksod mund të trajtohet formalisht si emigracion, por në fakt është shumë më shumë se kaq.
Ky është një gjenocid!
Sot në botë akuzat më të rënda janë ato për gjenocid dhe spastrim etnik. Ne jemi dëshmitarë të dhjetra gjyqeve të Gjykatës së Hagës për krime lufte që kanë përfunduar me dënime të rënda, edhe pse fajtorët akuzohen për zhvendosjen ose largimin nga vendbanimet e tyre të shumë më pak personave sesa largohen sot për një vit, muaj apo ditë nga Shqipëria. Vendi po përballet me valën më të madhe të spastrimit etnik në kohë paqeje të ndodhur ndonjëherë në historinë tonë kombëtare. Por ky eksod, spastrim etnik apo gjenocid, kësaj here për fat të keq nuk bëhet apo shkaktohet nga të huajt, armiq të këtij vendi e kombi siç ka ndodhur deri tani në histori, por nga qeveria shqiptare, e cila po dëshmon se është armike më madhe se shumë nga pushtuesit që e kanë shkelur këtë vend në historinë tonë moderne.
Largime të tilla masive sigurisht që nuk janë rastësi. Ka një dorë, një plan apo projekt që po largon shqiptarët nga trojet e tyre në mënyrë kaq masive dhe të organizuar. Duket si një komplot ndërkombëtar që mundohet të godasë shqiptarët pikrisht në pikën më të fortë të tyre: shtimin natyral, një dhuratë nga Zoti, përparësia e vetme e jona kombëtare në rajon, e që na bën faktorin kryesor të tij.
Janë të gjitha provat që na bëjnë të besojmë se ikin për të mos u kthyer më. Shesin gjithshka, me shtëpi e prona, e nisen drejt Gjermanisë apo vendeve të tjera perëndimore, ku dikush i garanton mundësinë e azilit. Sigurisht që u premtohet një jetë më e mirë, atë që qeveria ua mohon këtu, por në fakt jo gjithnjë është kështu.
Ajo që bie në sy e që e bën të besueshëm dyshimin mbi një projekt të pastër gjenocidi dhe spastrimi etnik të hapësirave shqiptare është fakti që me gjithë reagimin e vendeve pritëse, si me deklaratat politike edhe me kthime të azilkërkuesve shqiptarë, eksodi vazhdon sikur nuk ka ndodhur asgjë. Qeveria, përgjegjesja kryesore për shumë arsye e këtij eksodi, jo vetëm që nuk po merr asnjë masë serioze për ndalimin e këtij gjenocidi të heshtur, por po e ndihmon atë me varfërinë, mungesën e demokracisë, dhe sidomos, mungesën e shpresës se ky vend mund të bëhet mirë një ditë.
Janë të gjitha dyshimet se qeveria në mos është autorja kryesore e këtij gjenocidi, është me apo pa dashje pjesë e një komploti të pastër antishqiptar ndoshta nga më të sofistikuarit, të ushtruar ndonjëherë ndaj kombit tonë. Ky eksod gjenocidist nisi së pari në Kosovë, por për fat u ndërpre shpejt. Kemi parë për dy apo tre muaj largime masive të shqiptarëve nga Kosova, gjë që nuk kishte ndodhur as në ditët më të vështira të robërisë serbe. Me sa duket në Kosovë hilja u kap shpejt, pasi pati edhe reagim të fortë të shoqërisë, por megjithatë eksodi i shqiptarëve nuk ndali. Ai u zhvendos në Shqipëri, ku si në shumicën e rasteve, e keqja merr përmasa të medha, pothuaj biblike, siç është sot ky eksod masiv. Por jo vetëm kaq . Edhe azilkërkuesit e tjerë nga rajoni, kryesisht nga Serbia e Maqedonia, janë në masë pjesë e popullsive shqiptare të këtyre shteteve, por nuk raportohen si shqiptarë, pasi në statistikat europiane merret si baze shtetësia e jo kombësia.
Me pak fjalë, jemi përballë një projekti apo komploti të madh e të qartë antishqiptar që po zbatohet fare hapur, e që sigurisht ka një koordinim e organizim të menduar e zbatur shumë mirë deri tani. Ky projekt gjenocidist po synon të godase apo të frenojë shqiptarët pikërisht tek rritja demografike, e cila i bën ata faktorët më të rëndësishëm perspektiv në rajon. Po largon ne një moment tejet delikat palcën e kombit, rininë por jo vetëm. Rrugës së largimit i janë drejtuar edhe një pjesë e kualifikur e shqiptarëve intelektualë, specialistë të fushave të ndryshme akademike, madje edhe gazetarë. Siç e dimë të gjithë, edhe vendet pritëse te azilantëve kanë lënë të kuptohet se ata kanë nevojë për njerëz të kualifikuar, që do të thotë trurin e kombit dhe shoqërisë sonë, duke e bërë këtëe projekt gjenocidist edhe më të dëmshëm për shqiptarët.
Situata bëhet më serioze përballë heshtjes apo edhe bashkëpunimit në këtë projekt të qeverisë e shtetit shqiptar. Përmenda më lart që qeveria është bashkautore në mos autore e këtij gjenocidi të pashembullt. Shumica e njerzve që largohen janë të pashpresë për shkaqe nga më të ndryshmet. Këta njerëz janë edhe preja më e mundëshme e projektit të gjenocidit, pasi në kërkim të mbijetesës pranojnë çdo lloj oferte apo zgjidhje që u ofrohet, qoftë edhe si aventurë. Qeveria mund të ketë interesa politike në këtë projekt apo komplot, pasi shumica e atyre që ikin duke braktisur gjithçka janë kundërshtarë potencialë politikë të sajë, apo në rastin më të keq, votues kundër.
Kaq mjafton për ta parë qeverinë si palë apo pjesë e këtij projekti. Por edhe sikur ta zemë se qeveria nuk ka gisht drejpërdrejt, ajo është përgjegjese për zhvillimin nën hundën e sajë të këtij projekti gjenocidist. Mbrojtja e interesave kombëtare është një nga detyrat parësore të saj. Përgjegjësi kanë edhe institucionet e tjera politike e shtetërore, shërbimet sekrete, policia, prokuroria, gjykatat e deri te Presidenti i Republikës. Trajtimi i këtij fenomeni si diçka normale për shkaqe thjesht ekonomik, pa llogaritur pasojat antikombëtare e gjeopolitike të tij, është sigurisht një gabim i madh dhe përgjegjësi e rëndë jo vetëm morale.
E njejta gjë mund të thuhet edhe për opoziten e cila e ka për detyrë të informojë publikun për çfarë po ndodh. Nuk besoj se nuk e kuptojnë se bëhet fjalë për një projekt antikombëtar, se kjo do të ishte një edhe më e rëndë, por trajtimi si një fenomen ordiner i lidhur vetëm me varfërinë e shkaktuar nga qeveria apo trafiqet e mashtrimet, është i pamjaftueshëm e gjysmak.
Trajtimi i këtij fenomeni si një problem ordiner, ekomomik apo edhe më keq, si një gjë e mirë që i vjen vendit nga largimi i këtyre mijra njerzëve, apo punësimi i tyre në Gjermani, besoj se është pjesë e rëndësishme e këtij problemi që nuk çon në zgjidhje, por përkundrazi. Ndoshta situata kërkon edhe ndryshime apo përshtatje në ligje. Kam idenë se akuzat qoftë ato politike, mediatike por edhe ato ligjore, duhet të jenë të formuluara vetëm në një këndvështrim, gjenocid e spastrim etnik, si vepër penale e tradhëti ndaj atdheut për autorët e tyre, nga qeveria e deri tek trafikantët e rëndomtë apo agjensitë e individët që organizojnë eksodin masiv. Në kushtet që jemi, besoj se opozita, media, bota akademike, etj., kanë detyrimin ta trajtojnë drejt këtë problem duke e filluar së pari me qeverinë. Nuk ka më nevojë të përpiqemi e zbulojmë apo të kuptojmë atë që po ndodh. Realiteti është aq i qartë dhe dëmi aq i madh, sa nuk kemi shumë kohë në dispozicion për të reaguar drejt e shpejt.
Sigurisht që pjesa e luanit në këtë reagim, nëse do të kemi një të tillë, i takon opozitës. Ajo duhet ta nisi këtë duke ndryshuar akuzat për qeverinë nga ato për korrupsion e paaftësi, në gjenocid e tradhëti kombëtare, në një proces sqarimi publik, por edhe duke i shpjeguar situatën faktorit ndërkombëtar dhe aleatëve tanë strategjikë.
Ekuilibrat gjeopolitikë dhe statuskoja në rajon nuk mund të sigurohet duke pakësuar apo shfarosur shqiptarët, një teori e praktikë e hershme e fqinjevë tanë armiqësore, por që nuk ka funksionuar edhe kur shqiptarët kanë qenë më pak dhe më të dobët. Stabiliteti gjeopolitik, liria dhe demokracia, garantohen vetëm kur respektohen të drejtat e shqiptarëve dhe të të tjerëve në rajon e më gjerë. Kjo u duhet thënë të gjithë atyre që nuk e kuptojnë apo që edhe qëndrojnë pas këtij gjenocidi. Brenda dhe jashtë Shqipërisë, në çdo mënyrë e me çdo mjet.
(Marrë nga gazeta Minerva Online)