back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Foleja e Grenxave dhe Kushtrimi i të Parëve nga Gjergj Hani

Gazeta

Gjergj Hani
Gjergj Hani

Foleja e Grenxave

dhe Kushtrimi i të Parëve

nga Gjergj Hani

Mjaftoi një video, që portali “Syri.net” solli në kujtesën e çalë të shqiptarëve demokratë, për t’i dhënë jetë folesë së topitur të grenxave! Të eksituara u lëshuan në një vorbull të zhurmëshme komentesh virtuale, ku krahu “Jakobin”, që zgjohet me të rrallë, kërkon të rrokullisen koka, – e krahu “Zhirondin” mundohet të ulë gjakrat duke “injektuar” doza të mëdha arsyetimesh pak a shumë logjike, por të shkëputura nga konteksti që u dha jetë e për rrjedhojë të cunguara!
E përbashkëta e vetme mes tyre është shpallja e sentencave të formës së prerë, pa kurrfarë analize e gjykimi objektiv! Gjë që do të mundësojë harrimin e shpejtë (në mos ka ndodhur) të këtyre pasioneve beharishte. Emocionet shuhen shpejt. E kur nuk shoqërohen nga pyetje e përgjigje racionale, janë të destinuara të topiten deri sa një tjetër “shejtan” t’i ngacmojë sërish! Do ta kuptoja vërtet “indinjatën” e folëse së grenxave, nëse “Syri.net” do të kishte sjellë në vëmendjen e demokratëve në letarg një të re të panjohur më parë. Atëhere do të kishte qenë scoop gazetaresk, që do të sillte një fragment të panjohur nga e shkuara e deputetit Ristani, që njëkohësisht është edhe numuri dy i PD. Por kështu nuk është! Tashmë i përket së shkuarës e kronologjisë së fakteve të ndodhura, që Ristani ka mbrojtur në cilësinë e avokatit të birin e Enver Hoxhës dhe familjen e tij.
Deri këtu asgjë të keqe! Në demokraci, çdokush e ka të sanksionuar me ligj të drejtën e mbrojtjes përpara ligjit. Natyrisht që i pandehuri që akuzohet për një vepër penale ku rrezikon lirinë e tij, ka të drejtë të zgjedhë avokatin që dëshiron e ja lejon xhepi, duke u nisur nga një sërë vlerësimesh që i bën figurës së mbrojtësit, siç janë ato të aftësive të tij juridike, eksperiencave në këtë fushë, bilanceve të arrira në profesionin e tij, e mbi të gjitha, besimit që ka tek ky njeri të cilit i beson fatin e të ardhmen e tij e të familjes së tij. Nuk besoj se Hoxha, apo kush për të, ka zgjedhur të parin avokat që ka hasur në rrugë. Ndoshta në vlerësimin e disa figurave të barazvlefshme në aftësi, zgjedhja e Ristanit mund të ketë qenë e rastësishme! Ndoshta rastësia solli që nipi i fotografit të Enver Hoxhës të bëhej avokat, e kjo ka ndikuar tek klienti Ilir Hoxha për të krijuar klimën e besimit mes tij e avokatit Ristani! Ndoshta! Dhe unë, nuk do t’i kisha ngritur këto hipoteza në rast se Ristani do të kish vazhduar të bënte avokatin e suksesshëm! Por për arësye që vetëm ai i di, Ristani vendosi ta lerë avokatinë, e t’i hyjë karrierës politike, duke ngjitur rrufeshëm shkallët e pushtetit, deri sa arriti të bëhej numuri dy i partisë që kishte marrë përsipër të çrrënjoste komunizmin e ta tragetonte Shqipërinë e shqiptarët drejt një demokracie të plotë.

Arben Ristani...
Arben Ristani…

E mua llogaritë në këtë pikë më ngatërrohen, e nuk më dalin më! A thua ka qënë rastësia ajo që e bëri Hoxhën të preferonte Ristanin? A thua të mos këtë ndikuar fakti që gjyshi i avokatit kishtë qenë fotografi i oborrit të Hoxhës? A thua të gjitha këto të kenë qenë rastësi, e të mos kenë ndikuar në karrierën e beftë të Ristanit? A thua egziston rastësia e ndërthurjeve të fateve njerëzore në një vend me përmasat e Shqipërisë e me peshën e emrit të Hoxhës? A thua që të gjitha këo të jenë fryt i rastësisë?
Personalisht quaj rastësi kur dikush del nga shtëpia e gjen në rrugë një 100 leksh, apo kur dikush në parkim e sipër të mballos makinën. Këto janë rastësi e studiohen nga probabiliteti! Por në politikë dihet që të tilla nuk ka, e sidomos kur “rastësitë” janë më shumë se një! Dikush nga foleja e grenxave përpiqet të bëjë fajtor këdo që ngre dyshime e përpiqet të arsyetojë; duke lëshuar pyetje në formë akuzë të tipit: Përse merreni me PD e nuk merreni me PS?! E para, sepse PS nuk është shtëpia ime politike. E dyta, sepse nuk mund te merrem me shtëpinë e tjetrit, kur shtëpisë sime i është shuar zjarri në vatër, e po i bie çatia brenda. E së treti, bëj aq sa mundem, që zgjimet në PD të mos jenë ato të folesë së grenxave, dhe dihet se ato venë qerren përpara buajve! Dhe e fundit, sepse dua që demokratët e fjetur të kuptojnë se Ristani nuk është shkaku, por pasoja! Dua t’u kujtoj atyre e vehtes, që nuk na takon të bëjme të indinjuarin për “shkëlqimin” e avokatit të Hoxhës, kur ne 2009, zhdoganuam si pa të keq faqen më të turpshme në historinë e PD, – që është nga pak edhe historia jonë – atë të aleancës me LSI-në! Askush nga ne që “indinjohemi” për avokatin, nuk tha një gjysëm fjalë për një aleancë ndaj së cilës duhej të ishim ngritur të gjithë e të thoshim: Kjo nuk bëhet!
Historia e kombeve, njeh raste të tilla aleancash që janë quajtur aleanca të bashkimit kombëtar, e janë kristalizuar si domosdoshmëri historike përballë një rreziku që kërcënonte integritetin e këtyre kombeve! Po në rastin tonë, çfarë e kërcenonte Shqipërinë në 2009, sa të përligjte këtë aleancë qeverisjeje, sa imorale e po aq të pa principtë?! Cili ishte rreziku, përpos atij të humbjes së karrikeve, që qoftë në një demokraci primitive si kjo e jona, duhet konsideruar si një dialektike normale?! E pra; atëhere foleja e grenxave nuk u indinjua as në thonjëza, as shtroi pyetje, e as kërkoi përgjigje! Përkundrazi, festoi e “përgjumur” nga tymi i konfirmimit të karrikeve, duke refuzuar të parashihte shkaqet që rrjedhimisht do të sillnin këto pasoja, përfshi edhe rastin e avokatit të Hoxhës! Ne themi se kemi dalë nga “pylli i errët” i të shkuarës, dhe jemi aq të bindur për këtë sa nuk dëgjojmë ulurimat që vijnë prej tij, si një mallkim që do të na ndjekë gjatë. E këto nuk janë tjetër veç thirrjet, kushtrimet e të parëve që i kthen ata në jetë, përmes zgjimit të instikteve ancestrale në pjellën e tyre që lanë pas e sot jeton mes nesh, duke na kthyer në një fole grenxash!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.