It’s a Wonderful Life
nga Edi Muka
…një raft i vjetër nga ato të “kohës së Enverit” plot me kavanozë të mbushur me hi dhe bishta cigaresh….
Ky nuk është titulli i filmit Hollivudian të regjizorit amerikan Frank Capra. Është veç titulli i një ekspozite, ose më saktë i një instalacioni që i jep emrin dhe vetë ekspozitës personale të Lume Blloshmit. Një monument skulpturor ndërveprues, një lloj Readymade-i i krijuar jo shumë nga artistja sesa nga vetë njerëzit, ose më saktë nga rendja e çmendur drejt konsumit dhe pasiviteti social i shoqërisë shqiptare, tipare themelore të epokës liberale në të cilën po kalon vendi.
Një ndjenjë e përzishme të kaplon teksa përballesh me këtë objekt paradoksal – në fillim habia nga këmbëngulja me të cilën artistja ka mbledhur për muaj të tërë mbetjet e cigareve nga baret e lagjes, më pas gërdia që të ngjall përmbajtja e dukshme e kavanozëve, që ka diçka nga vdekja dhe kalbja – jo ajo fizike, por vdekja e kohës dhe e mundësive për të egzistuar përmes pjesëmarrjes. Një ndjesi shkatërrimi ose transformimi që do ta hasim në një formë tjetër më tej…
…më tutje, një seri e gjatë miniaturash, nëpër te cilat, si në një film të shkurtër por të ngjeshur, të kalon parasyve pasqyra e jetës politike dhe artistike të Tiranës: “It’s a men’s world” – “është një botë burrash!”
Titulli i këngës/ himn të James Brown, teksti i së cilës u cilësua si “shovinist në përmasa biblike” nga revista e muzikës “Rolling Stone”, duket se është i përsosur për serinë e miniaturave. Megjithëse në dukje e çuditëshme, përqasja Hollivudiane në titujt e serive të Blloshmit nuk është aspak aq e rastësishme sa duket. Me sa duket, Lume Blloshmit ka për zemër të provojë një qasje “emërdhënëse”, një akt Dyshampian që sjell një dimension të ri në punën e saj. Duke mos e tradhëtuar origjinën e saj si piktore, artistja përpiqet ta pasurojë praktikën e saj përmes marrjes së subjekteve nga jeta e përditshme, të përzgjedhura përmes vëzhgimit të pastër instiktiv. Duke përdorur satirën dhe “emërdhënien”, Lume Blloshmi ndërton një univers të vogël, në të cilin, nëse shofim me kujdes, vërejmë që ka atë vetë në qendër, dhe personazhet e saj sillen rrotull si planete të veckël e të ndërvarur.
Në “Është një botë burrash”, Lume Blloshmi është pothuajse e vetmja grua që shfaqet atje, në imazhin e Shivës, zotit (burrë) hindu, të njohur ndryshe edhe si “shkatërruesi. Dhe transformuesi: Në këtë univers të vogël të sajin, ajo nuk ka frikë nga trajtimi i hapur i “seicilit sipas asaj që meriton”, duke zbuluar dhe përshkruar me humor fytyrat e fshehta të seicilit prej personazheve, të gjithë figura publike tepër të njohura për shikuesin e thjeshtë. Ajo zgjedh miniaturën me qëllim që t’i japë të gjithë serisë një ndjenjë intime, plot me humor dhe qesëndi.
Parada e burrave (përfshirë dhe autorin e këtyre rreshtave), na kujton ç’ekuilibrin në marrëdhëniet gjinore në Shqipëri. Ku modernizimi kuptohet thjesht si mejkap të rënduar dhe veshje të ngushta të shkurtra, ndërsa zgjuarësia dhe mençuria duhet patjetër të kenë diçka kritikë e mprehtë ndaj moralitetit, dhe një sugjerim që morali dhe nderi nuk gjenden në gjysmën e poshtëme të trupit, por përcaktohen nga sjellja dhe veprimet e individëve si qenie shoqërore.
…një numër fotografish me qenie të çuditëshme që duken sikur kanë dalë nga “Poema e Mjerimit” e Migjenit. Mbi fotografi, të ngjitura imazhe të vogla fragmentesh të marra nga piktura me skena biblike të mjeshtërve të mëdhenj: “Lume Blloshmi and the Masters”; “Lume Blloshmi dhe Mjeshtërit”…
Në serinë e saj më të re, “Lume Blloshmi dhe Mjeshtërit”, artistja e shtrin analizën e saj përtej realitetit shqiptar, në vetë historinë e artit. Teksa shkrep fotografitë e saj të lëkurave të portokallit të prerë si njerëz, ajo lë rastësinë të vendosë rezultatin, dhe më pas përpiqet të gjejë një llogjikë. Pasi fotografon grumbuj lëkurash portokalli, që ngjajne si grumbuj njerëzish të vegjël, çuditërisht të ngjashme me skena të njohura biblike, Lume Blloshmi fillon të kërkojë “kopjet” e tyre në historinë e artit. Ajo gjen një numër fragmente pikturash nga mjeshtrat e mëdhenj, që i ngjajnë aq shumë fotove të saj me njerëz të vegjël prej lëkura portokajsh (ose anasjelltas).
Të gjithë mjeshtrat janë padyshim, gjithashtu Meshkuj!
Ajo vendos të çiftëzojë gjetjet: nga një anë fotot e saj të formëzuara nga rastësia, në anën tjetër, imazhet e pikturave të Mjeshtrave – duke realizuar kështu një lloj “kritike të historisë”. Sërish shikuesi ftohet t’i kushtojë vëmendje aktit “emërdhënës”: Lume Blloshmi ruan titullin original të veprës, por i transformon ato duke futur vetvehten dhe duke marrë mbi vete të drejta të njejta autorësie me Mjeshtrit. Në këtë mënyrë, ajo ia nënshtron riprodhimet e veprave të Mjeshtrave universit të saj, ku ajo mbetet epiqendra – zoti Shiva, shkatërruesi dhe transformuesi.
Por vëmendje!!!
Në këtë akt të ri emërdhënës, nuk ka asnjë tendencë për të zhvlerësuar rëndësinë e veprave të mjeshtrave, dhe as ndonjë manifest antimashkull, por një sugjerim që historia jonë e afërt dhe e largët mund të ketë edhe lexime të tjera përvec atij të njëtrajtëshmit, drejtëvizorit, që kemi pranuar pa shumë hetim dhe hulumtim.