back to top
-2.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Skulptori Vladimir Caridha: Ja si e realizova skulpturën kushtuar të përndjekurve

Gazeta

Vladimir Caridha dhe vepra e tij
Vladimir Caridha dhe vepra e tij 

Skulptori Vladimir Caridha:

Ja si e realizova skulpturën kushtuar të përndjekurve!

Për “Telegraf” flet skulptori nga Elbasani,
Vladimir Caridha:
“Vepra rreth 3.5 metra e lartë dhe 2.80 e gjerë
është vendosur në qendër të qytetit”

Në sheshin kryesor të qytetit të Elbasanit, sapo është vendosur monumenti kushtuar të rënëve dhe të përndjekurve në Shqipëri, ky monument është vendosur në anën lindore përgjatë murit të Kalasë së qytetit të Elbasanit, aty ku janë vendosur të gjithë monumentet kushtuar figurave kombëtare të këtij qytetit. Vepra e skulptorit të njohur Vladimir Caridha që përfaqëson “Kryqëzimin e kokës” (një kokë nën hekura të shpërthyer nga mendimi), ajo është rreth 3.5 metra e lartë dhe 2.80 e gjerë. Një vepër kjo e sponsorizuar nga Bashkia e Elbasanit. Në intervistën e dhënë për gazetën “Telegraf”, skulptori Caridha sqaron të gjitha detajet lidhur me punimet e saj. Gjithashtu, ai flet dhe për realizimin e të gjithë veprave të tij, si dhe zanafillën e tij si skulptor.

Monumenti Antidiktaturë në Elbasan
Monumenti Antidiktaturë në Elbasan

Zoti Caridha ju sapo keni përfunduar veprën monumentale kushtuar persekutimit, a mundet të na thoni më shumë për lexuesit e gazetës për këtë vepër madhore. Sa kohë ju është dashur për të? Së pari, vepra është një tenderim i bashkisë, mbi dy vjet përpara në të cilën morën pjesë disa konkurrente. Në kompozimin tim vihen re dy elemente, individi dhe shteti. Individi është paraqitur me një kokë në profil me frymë monumentale e rëndë dhe e kaluar disi në një formë arkitektonike për të ndjerë qëndresë karshi elementit tjetër kangjellave, motivin e të cilave e kam marrë nga dritaret e kishës së Shën Mërisë në kala, ato janë një vepër artizanale mjaft e bukur dhe teknikisht shumë të vështira për t’u realizuar. Pas kangjellave unë kam parë portretin që ngjeshet aq shumë për të dalë nga to, e aq më shumë ato hyjnë në brendësi të kokës si dhunë e regjimeve diktatoriale, ato shpojnë dhunojnë vrasin. Pjesa e dytë e veprës monumentale është boshllëku që krijohet mes portretit. Vetëm në brendësi të portretit ka shpërthim, ka këputje kangjellash. Shpirtin e tij nuk e burgos, ai është i lirë në çfarëdo lloj kushtesh njeriu jeton me idealin e tij dhe me shpresën si e vetmja armë që vdes e fundit. Pra sakrifica fizike ndaj një ideali është shembulli më i mirë i njeriut martir. Vepra i kushtohet martirëve, ose çdo njeriu që merr përsipër të mbrojë një ide, e cila ka pasoja fizike edhe pse në turrën e druve: “e megjithatë bota rrotullohet…”. Punimi është i derdhur në beton, i cili është gdhendur e trajtuar së jashtmi.
Ju keni realizuar edhe vepra të tjera, a mund të na përshkruani disa prej këtyre punimeve? Kam realizuar skulpturën kushtuar arsimtarëve elbasanas, në këtë skulpturë mendimi im ka qenë i perceptuar për të gjithë ata arsimtarë që kanë punuar dhe dhënë kontributin si në qytet dhe në fshat. Jo vetëm ata që kanë dhënë mësim, por edhe ata që janë që kanë kontribuuar në mënyrë indirekte, sepse Elbasani duke patur këtë plejadë njerëzish, duke qenë si qendër e arsimit dhe duke patur të dyja dialektet e mëdha është bërë vetvetiu qendër e të folurit më letrare. Është zanafilla e kësaj pune aq më tepër është krijuar dhe shkolla Normale, ku ishte edhe 100-vjetori i kësaj shkolle. Ndërkohë që është edhe memoriali kushtuar gjenocidit të popullit çam, në skulpturën është shfaqur gjenocidi kulturor që është gjëja më e fuqishme, më e rëndë që mundet t’i ndodhi një populli. Bindjet fetare dhe shumë veprime të tjera kanë luftëra nga më të ndryshmet, por të shkulësh një popullsi është gjenocidi më i fuqishëm, sepse ke shkulur gjuhën, ke shkulur kulturën, ke shkulur zakonin, pra e ke eliminuar nga një territor.
Ndërkohë që keni trajtuar dhe figurën e Onufrit? Po ishte një realizim i imi në ekspozitën Kombëtare bashkë me “Dhaskal Todrin”. Është një portret, ku Onufri kishte një pjesë emocioni me paraqitjen e figurës. Pas një pune të gjatë çdo gjë u prit më së miri. Ideja dhe realizimi ishin të arrira… Pra figura e Onufrit, krishtërimi dhe piktura e tij janë të përbashkëta dhe nuk mundet t’i ndajë. Sot ajo ndodhet tek Shkolla e Muzikës e Pikturës në Elbasan, shkollë e cila mban emrin e Onufrit.
Ndërkohë që, në shtator të vitit të kaluar ju realizuar dhe bustin kushtuar mësuesit të popullit Sulejman Harri? Po, skulptura e parafundit ishte portreti i mësuesit të popullit Sulejman Harrit. I punuar i gjithi në mermerë, një vepër madhështore që u vendos në 10 shtator 2012 në shkollën 9-vjeçare më të njëjtin emër në Elbasan. Kjo skulpturë ishte punuar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

Vladimir Caridha
Vladimir Caridha

Kush është Vladimir Caridha

-Vladimir Caridha është diplomuar në vitin 1983 për skulpturë qeramikë.
-Pedagog në Liceun Artistik “Onufri”, Elbasan.
-Pjesëmarrës në disa nga ekspozita lokale e kombëtare.

Disa nga punimet e skulptorit
-Onufri 1988, Dhaskal Todri, Monumenti klithma 2007, Monumenti i Skënderbeut Kosovë 1993, Monumenti i Arsimit Elbasan 2009.
-Portret i “Mësuesit të Popullit” Sulejman Harri shtator 2012 Elbasan.
-Monumenti kushtuar martirëve, gusht 2013

Qyteti i Elbasanit
Qyteti i Elbasanit

Regjisorja Fiorela Mirdita: “Realizim i mrekullueshëm”
“Skulptura përfaqëson një qenie që mban peshën e një historie të tërë, plagët e vjetra të së shkuarës në një sistem shtypës e ndrydhës siç qe komunizmi, dhimbjet e reja dhe ndryshimet që e trazuan dhe e përmbysën qenien nga themelet gjatë periudhës së tranzicionit dhe në një dimension të tretë ishte edhe njeriu bashkëkohor që vazhdon jetën. Ndërsa fytyra tjetër, ajo e vogla e fshehura dhe e pazhvilluara më intrigoi së tepërmi. Ndoshta ajo ishte fytyra e vërtetë që nuk mundi dot të shfaqej kurrë prej censurës dhe ndrydhjes. Komplimente skulptorit, një realizim i mrekullueshëm!

Prefekti Shefqet Deliallisi: “Mund të burgosësh trupin, por jo idetë”
“Kjo vepër në qendër të Elbasanit, është ngritur në nderim të Martireve që u persekutuan nga regjimi komunist. Atyre që u pushkatuan, burgosën dhe internuan si kundërshtarë të komunizmit. Elbasani është i pari qytet në Shqipëri që përjetëson veprën e tyre. Kjo tregon vlerat qytetare të këtij qyteti, traditën e tij si djep i arsimit kombëtar…. Vepra është e skulptorit të talentuar Vladimir Caridha. Nëse e shihni me kujdes veprën e skulptorit Vladimir Caridha, shikoni që hekurat e qelisë janë shpërthyer. Ato e kanë të pamundur të mbajnë të burgosura Idetë”.

Inxhinieri Besnik Kulla: “Mirënjohje pa kufi autorit!”
“Tani është i dukshëm, i prekshëm synimi i autoritetit lokal, përmendja e vlerave historiko-patriotike të qytetit tonë. Në kolanën dekorative që hijeshon muret shumë shekullore të kalasë u vendos një brilant simbol i Martirëve të përjetësuar nga artisti skulptor i veprave më të fuqishme të trevës sonë e më gjerë. Konceptimi ideor, stili modern, realizimi novator që janë ndërthurur, i shton hijeshi edhe transmetimi i mesazhit të përvuajtshëm. Qytetaria e Elbasanit i mbetet mirënjohës autorit. Mirënjohje pa kufi skulptorit”.
16 shtator 2013
http://telegraf.al/kulture/vladimir-caridha

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.