back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Shpërthimi i ëndrrës tregim nga Monika Spahivogli

Gazeta

Monika Spahivogli
Monika Spahivogli

Shpërthimi i ëndrrës

tregim nga Monika Spahivogli

E ulur mbi një kolltuk, me gjunjët ngritur mbi ndenjëse dhe kokën varur, ajo qëndronte e heshtur, e vetme, e ngrirë. Vetëm diçka lëvizte ritmikisht në errësirë: një copëz vezullimi hënor që zbriste nga dritarja tek sytë dhe pastaj këputej poshtë ku varej si një rrip i ndritshëm në kurrizin e dorës.
E gjithë limfa e trupit të saj sikur pikonte jashtë me atë trishtim hënor. Edhe pak, fare pak limfë kish mbetur në atë trup eshtor, të rrudhur nga ankthet e mosshprehjes.
Përlotej për fatalitetin e të mosshprehurit edhe kësaj here kur kish dashur të nxirrte jashtë vrerin e një brenge që kurrë s’e rrëfeu, që ajo vetë e kish shkaktuar.

Të ëndërrosh përtej vjeshte...
Të ëndërrosh përtej vjeshte…

***
Atë mëngjes ndjeu se, për herë të parë pas kaq kohësh donte të shprehej diku, në një shpirt të njomë që ju duk thuajse binjak.
Ajo (vajza e bukur me sy të mëdhenj e të kristaltë) erdhi ta vizitonte pas aq vitesh me rradhë pa e parë. Ishte gjaku i saj, shembëlltyra e rinisë së saj të hershme, ringjallja e asaj bote thuaj të harruar ku çdo gjë shkëlqente.
Quhej Iris.
Ajo qe e vetmja që nuk i kërkoi asgjë. I dha dritë errësirës së dhomës së saj dhe i bëri të shpërgjumeshin sendet e vyera mbi rafte që thuajse u magjepsën nga ky zbulim i beftë… dhe ndodhi papritmas çudia e madhe: sytë e thatë e të errët, u njomën. Kodi i zemrave e dëshifroi heshtjen e trishtë dhe, ato u lidhën kaq shumë me njera tjetrën sa çdo gjë do të dukej e magjishme sikur… sikur… të mos ndodhte ajo “diçka” që do ta trondiste e do të ndryshonte shumë gjera.
Tek zhytej në magjinë e rrëfimeve të vajzës, tjetra ndjeu dëshirën e pazakontë të fliste.
Pikërisht atëhere kur pakëz heshtje u nder midis tyre, ajo u ngrit ngadalë, e drojtur dhe e mistershme, sikur të thyente një betim dhe u drejtua për tek kasaforta.
Vajza e ndjeu tensionin e saj dhe e ndoqi me sy atë lëvizje gungore që ishte gjallëruar fare papritur. Tjetra, hapi ngadalë kapakun e rëndë prej nga nxorri një kuti me ngjyra të zbehta mbi të dhe e vendosi në tavolinë.
Ishin një palë bojra uji të futura në tubeta. Ishin dymbëdhjetë.
Vajza u habit. Nuk ju kujtua t’i kishte thënë sa shumë ëndërronte të pikturonte. Me atë nxitimin e padjallëzuar të moshës, iu hodh në qafë dhe nuk dinte se si ta shprehte gëzimin që ajo, edhe kësaj herë, e kishte lexuar, e kishte kuptuar dhe ndjerë.
-Atëhere ti e dije…! Ti e paske ditur dhe i ke ruajtur për mua…? Vërtet e dije, më thuaj që e dije?
Vajza cicërinte e lumtur dhe nuk vinte re se si në çdo shprehje të dëshirës së saj të fshehur, fytyra e plakës tregonte shenja tmerri dhe në çdo zgjatje të duarve të saj, tjetra tkurrej e rrudhej duke futur brenda vehtes dhe mbrojtur kutinë e kartontë që ishte e saja, vetëm e saja…
Ku ta dinte vajza me sy të mëdhenj që u largua e përlotur dhe e fyer, se ajo kuti qe pasuria më e madhe e plakës… një përzierje ëndrrash të mbylluara në tubeta… ëndrrash rozë, ëndrrash të kaltërta e blu të mbyllura në ca tubeta që nuk arritën të hapen kurrë.

Kaseta e tubetave me ngjyrave
Kaseta e tubetave me ngjyrave

***
Ato ëndrra nisën gjysëm shekulli më parë kur një fëmijë qëndronte e heshtur para vitrinës së një dyqani ku ishin ekspozuar një palë bojra uji nga ato me kutiza të rrumbullakta dhe një penel i thjeshtë.
Fëmija ngjeshte hundën në xhamin e stërmadh dhe ëndërronte.
Çdo ditë ndodhte e njëjta gjë. Çdo ditë një pikturë merrte përmasa në trurin fëminor. Çdo ditë (dhe ditët ishin pafund) ëndrrat e vajzës kërkonin kryeveprat, ato kryevepra që nuk u materializuan kurrë.
Perfeksionohej vazhdueshëm ndjesia e të pikturuarit që thuajse u bë e prekshme. Peneli zhdërvjelltësohej e ngjyrat përziheshin duke krijuar nuanca të mrekullueshme. Kjo do të vazhdonte pafund mbase sikur, një ditë dimri, pas xhamit të stërmadh, një tjetër objekt të mos zëvëndësonte atë kuti aq të dashur…
Askush nuk e kuptoi kurrë se ç’ndjeu fëmija e gjorë në atë ndarje të dhimbshme.
Ajo dhimbja vazhdoi me vite. Zmadhohej e zvogëlohej brenda zemrës së njomë. Rritej bashke me të, fashitej përkohësisht por, kurrë nuk humbiste. Herë bëhej me kreshta e gërvishte nga brenda si mos më keq, herë e grryente. Gati materiale dhe trepërmasash si kryeveprat e saj të pa ekspozuara.
Dëshirat e saj, nuk e panë më dritën e diellit qysh nga ajo ditë. Një portë e hekurt u vendos atëhere midis shprehjes dhe mosshprehjes. Askush nuk e dalloi ndryshimin e saj. Askush nuk e lexoi më dot.
U desh të kërkonte për shumë kohë bojrat e ëndërruara ndërkohë që rritej duke ndjerë humbjen graduale, zbehjen e “pikturave” të veta.
Atë ditë që gjeti dhe mundi të blinte bojra (të parat bojra të vërteta në jetën e saj) ishte tridhjetë vjeçe. Bleu më të mirat dhe më të shtrenjtat që mund të bliheshin dhe u mbyll me to për orë e orë të tëra në dhomë… por, as atë ditë e askurrë, nuk mundi të hapte një tubet të vetëm. Endrra e saj ishte kthyer tashmë në Kult dhe, objektet e këtij kulti ishin të paprekshme.

Dehje ngjyrash...
Dehje ngjyrash…

***
Atë ditë, tek qante heshtazi në vetmi, ndjeu t’i kërciste diçka brenda vehtes. Ishte një si gërvimë e ndryshkur që i sillte megjithatë kënaqësi.
Dëshiroi të hapte dritaren.
Ishte gdhirë dhe një diell i ndritshëm përfshinte çdo gje. U çudit kaq shumë kur drita depërtoi në dhomë dhe i përfshiu të gjitha objektet. Kishte kaq shumë objekte nëpër rafte që, sikur lëvizën të gjallëruara rishtaz.
Ishin relike nga jeta, të cilat i kishte mbledhur thuajse pa mendje, thuajse pa ndjerë asgjë.
Dukeshin sikur kërcenin të hazdisura, me një gëzim të çuditshëm para syve të saj. Paskeshin qenë aq shumë! Kaq shumë bukuri kishte aty sa u habit edhe ajo. Shpirti i saj pa kuptuar i paskesh patur shumë ëndrra që ajo i kish lënë të përhumbura, në harresë, larg dritës së diellit, pas portës së madhe të hekurt… tashmë e hapur.
Dera e hapur e kasafortës linte të dukeshin përgjysëm bojrat e vjetra. Atëhere e kapi një gaz i marrë. Qeshte dhe qante.
Një dëshirë e çuditshme e drejtoi tek ato.
I mori në duar me kujdes. I ledhatoi ngadalë tubet për tubet, ashtu sië kish bërë rëndom. U mrekullua përsëri me lëndën e butë që mbushte brendinë dhe… ashtu papritmas ngriti kokën nga dielli dhe ndjeu keqardhje. Atëhere filloi t’i hapte vrulltaz.
Lënda, ende e butë shpërthente: herë rozë, herë e kaltër, herë blu… dhe përplasej mbi murin e bardhë dhe linte gjurmë të mrekullueshme.
Filloi t’i përziente ngjyrat vrullshëm, herë me gishtërinj, herë me pëllëmbë deri në një fund… deri në fundin e tyre!
E ulur më në fund, ajo nisi të vëzhgonte murin që s’ishte më i bardhë dhe ishte e lumtur si kurrë ndonjëherë.
Gjithë kryeveprat e fëmijërisë së saj ishin aty, mbi atë mur. Të zhburgosura… e më në fund të shprehura.
Ajo përjetoi kështu dehjen më të ëmbël që dikush kishte ndjerë: dehjen e të shprehurit pas një heshtje të gjate.
Botuar më dhjetor 1995
Marrë nga Muri i fb i Monika Spahivoglit 31 korrik 2011

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.