back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Pesë Poezi nga Edgar Allan Poe Përktheu – Jozef Radi

Gazeta

Poeti Edgar Allan Poe (1809-1849)
Poeti Edgar Allan Poe (1809-1849) 

Pesë Poezi

nga Edgar Allan Poe

Përktheu – Jozef Radi

Këto janë pak poezi (veç pesë) ndër ma të bukurat e poetit amerikan Edgar Allan Poe, shkrimtar i makthit dhe i tmerrit, i cili jetoi i rrethuar nga gra që vërtet e argëtuan shumë, po njiherit i shkaktuen edhe trishtime të stuhishme. Asht e vërtetë se mjaft prej poezive u janë kushtue grave të ndryshme me emna, si fjala vjen Elena, Leonora, Irene, Paeau, por ajo çka e magjepsi mbi të gjitha Poe-në qe Sarah Elmira Royster, me të cilën ai u dashurua marrëzisht… j.r.
10 shtator 2015

Te varri i Edgar Allan Poe-se
Te varri i Edgar Allan Poe-se

Pesë Poezi nga Edgar Allan Poe

Alone

Qysh prej fëminie kurrë s’kam qenë
i ngjashëm me tjerë, e asgja s’e kam pa
njashtu si tjerët e shifnin, dhe as e kuptoja
pse pasioni im dalë prej nji burimi t’përbashkët,
prej të njejtit krue s’e trajtoi edhe dhimbjen time
me po të njejtat ngjyra, e ndoshta s’mundi
me ia zgjue zemrës sime gëzimin?
Gjithçka kam dashtë, vetëm e kam dashtë,
si njat herë n’fëmini, n’agim të dritës.
N’ato të përditshme t’stuhishme, nga e thella
e çdo të mire dhe çdo të keqeje tërhjekë
prej nji misteri që ende më shtrëngon,
prej prronit e prej burimit,
prej teposhtës së përflakun t’malit,
prej diellit që m’sillej e përsillej rrethas
n’at vjeshtë me ar stolisë,
e prej vetëtimave të qiellit
që n’fluturim m’shkonin sa para mbrapa,
e prej gjëmimeve edhe stuhisë,
apo prej njasaj reje, (e kaltërt
mbet pjesa tjetër e qiellit) që si demon
u shëndrrue në sytë e mi.

Anderr...
Anderr…

Tokë zanash

Lugina t’mjegullta, lumenj t’zymtë
e pyje që aq shumë u ngjajnë reve:
mandej gjithçka e mbulueme lotsh
sa askush s’mundet me i dallue format.
Hana të mëdha lindin e perëndojnë
përherë, përherë, përherë…
e çdo çast
në natën e trazueme, t’nji vendi që
shndrrohet papra.
Dhe kështu
shuhet drita e yjve
n’psherëtima ftyrash të zbehta.
mandej shfaqet mesnata me kuadrin e hanës
njena ma delikate se tjerat
(Nji dikush mbas provash të shumta
vlerëson at ma t’mirën)
rrëzohet teposhtë,
e gjithnji poshtë e ma poshtë,
derisa qendra e saj
mbështetet mbi majë
t’nji mali, si nji kunorë,
ndërsa ajo hapsinë e pakufi,
e ngjashme me nji sixhade,
lshohet pa u ndje mbi kështjella
e mbi fshatra (ngado që ata shfaqen)
dhe zgjanohen ndër pyje t’çuditshme,
mbi krahë fantazmash, mbi det,
e mbi gjithçka që flen, dhe nji labirinth
i pafundmë drite i mbulon krejt.
Atherë shkohet thellë e ma thellë! –
e pasioni i gjumit futet në gjithçka.
Në t’bardhën e dritës, n’orën e zgjimit,
dhe vela e hanës tendoset e tana
përgjat qiellit në stuhi dhe,
njashtu si shumë gjana,
ajo i ngjan nji albatrosi t’verdhemtë.
Po tash hana s’asht ma e njejta:
e s’duket aspak si nji tendë e shthurun.
Pak nga pak pluhuni e saj i brishtë
ka me u shkri në shi: dhe fluturat
me ankth ngjiten prej tokës
n’kërkim t’qiellit dhe vrik zbresin poshtë
(Eh, krijesa t’pakënaquna!) e veç nji pikëz
sjellin ndër flatra drithnuese.

Muzike e perflakun
Muzike e perflakun

Kangë

T’pashë në ditë të dasmës tande
nji kuqlim i ndezun t’kish përfshi të tanën,
eh sa lumtunia t’vezullonte përqark
e krejt bota shfaqej si dashni para teje.

Dhe shkreptima digjej n’sytë e tu
(Ndoshta edhe ajo ishte e gjitha imja),
qyshse njajo Bukuri aq e përsosun
i shfaqej përplot dhimbje shikimit tim.

Ishte njaj kuqlim, mendoj, shfaqje vajznie –
aq lehtë binte n’sy se ishte i tillë.
Po njat zjarr krenar, ajo shkreptimë
ah – mjerisht – n’gjoks të tjetër kujt e ndezi

Pse t’pashë në ditë të dasmës tande,
befas ndjeva at kuqlimin tand të ndezun,
eh sa lumtunia t’vezullonte përqark
dhe bota krejt si dashni shfaqej para teje.

Portret gruaje
Portret gruaje

Elenë

Bukuria jote Elenë asht për mue
Si njato drrasat e Nikeas së dikurshme
që t’përkunduna lehtë prej nji deti erëmirë
e shtyjnë lundërtarin e lodhun e t’mërzitun
drejt bregjeve t’vendlindjes.
Ndër dete të dëshprueme rreshkun n’gabime,
flokët e tu të zymbyltë, ftyra jot’e pastër,
hiret e tua prej Najade m’kanë kthye
mbas te lavdia e dikurshme e Greqisë
dhe madhështia e Romës.
Dhe ja! N’nji nikie ti shndrit aq bukur
e krejt si nji statujë m’je shfaqë
me llampën e Agatas ndër duer!
Eh, ti Psyke, e zbritun prej njatyne vendesh
që quhen Tokë e Shenjtë…

A…

Hiç s’më bahet vonë n’se fati jem toksor
krejt pak ka prej tokës vetë,
n’se krejt vitet e dashnisë i kam humbë tashma
në nji çast të vetëm paknaqësie.
S’më dhemb fare n’se tjerë të dëshpëruem
për mu, shpirtja ime, ndjehen ma të lumtun,
po n’se ti vuan për kët fatin tim,
m’shtyn me hikë gjithnji e ma larg teje.

Jozef Radi – Shtator 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.