back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Rrjedhin Lumenjtë… (Poemë ilire) – Mitrush Kuteli

Gazeta

Dhimitër Pasko në Pogradec (1907-1967)
Dhimitër Pasko në Pogradec (1907-1967)

Me 13 Shtator 1907,
u lind Mitrush Kuteli,
një prej shkrimtarëve ma të mëdhenj të letërsisë  shqipe…
Janë të rrallë ata shkrimtarë shqiptare
që kanë shkrue nji shqipe aq të pastër dhe aq të pasun sa Kuteli!
Aq sa mund të thuhet se ishte fat për kulturën shqipe
që pati nji autor si Kuteli,
që krijoi në gjuhën tonë duke na lanë si pasuni
nji letërsi të rrallë, përplot kulturë, dije…
Kjo poemë e tij të mahnit
me gjuhën, dijen dhe njohjen e thellë…

Kjo Poemë u shkrua vetëm tre muaj para vdekjes së autorit
duke mbetur nji testament dashurie ndaj vendit të vet…
ilir seci

Kuteli - Prozë dhe vargje të zgjedhura 3
Kuteli – Prozë dhe vargje të zgjedhura 3

Rrjedhin Lumenjtë…

(Poemë ilire)

Mitrush Kuteli – (Dhimitër Pasko)

Rrjedhin lumenjtë e gjerë ujëshumë
Ndër caqet e botës së lashtë ilire –
Së epërmes, së Mesmes dhe së Poshtmes:
Stërmadhi Danouv valëvezullonjës,
Që mban mbi faqe flluga peshërënda
Dhe zbret mes tokës së sheshtë panone,
Përbrenda së Epërmes Iliri,
Tek enden grigjet ndër dete kullotash,
Të dlira si era që rreh mbi rrafshina,
Fushori Drav dhe begatori Sav,
Që fill merr nga visi i fisit japod
Dhe sulet drejt Sirmit, drejt Singidunit,
Pa udhës njom trojet e buta breuke
Dhe fushta myze, skordeste, tribale
Drithëbegata, dhe thith në shtrat Eneun,
Urpanin dhe Bosonian ditione,
Përpin më poshtë Drinën degëshumë,
Qe lind nga plëngu i fisit dardan –
Nga zemra e së Mesmes Iliri,
Bashkë me Pingan dhe ujra të tjera;
Rrjedh Tici buçitës ndër krepa të fortë
Ndërmjet Liburnisë dhe Dalmatisë
Dhe kredhet detit përafër Skardonës.
Rrjedh malori Nor me gurra krypore,
Ujë i çmuar si pika e gjakut
– Shkas ndeshjesh të shumta ndër fiset delmere –
Dhe ruset ndër shkrepa, pa hidhet hovshëm
Në gjiun kundruall Korkyrës së Zezë.
Rrjedh Atesi i kthjellët, pjellë liqeri
Malesh të lartë, ushqyer gjithmonë:
Dimrit me borë dhe verës me akull.
Rrjedh Angri vraponjës, Brongu vërshonjës
Përafër kufive të Thrakës motër,
Rrem i të njëjtit trung të stërmoçëm,
Që lindi dhe rriti gjith bijtë e Ilirit.
Rrjedh vrullmadhi Drillon, pjellë Lyhnidës
Së kaltër të Enkelisë së bujshme
Përçan lugjet bregthepisur penestë,
Çik rrafshat dardane, krepat pirustë
Dhe vrundull turret në brigjet rudine,
Rrëzë kështjellës së lartë të Lysit
Dhe Skodrës kreshnike: karpa mbi karpa,
Bregut t’liqerit të bukur Labiat.

Plisi dhe simbolet ilire
Plisi dhe simbolet ilire

Rrjedh Aks shkumëbardhi, rrjedh Erizoni –
Bij binjakë të Paionisë së madhe,
Dhe Strymoni, që lag të njejtin truall
Të fisit paion, të moçëm sa toka,
Që luftë kish bërë, krahas me thrakët,
Qikonët dhe pellazgët larisianë
Dhe shumë popuj të tjerë vëllezër,
Në mugëtirat e kohës prrallore,
Në Ilionin e shenjtë dardan,
Kundër filive makute akeje,
Gjithmonë tinzare dhe besëpakë,
Vërvitur kobshëm me flluga të shumta –
Shtyrë nga cmiri, tërhequr nga preja.
Rrjedh Ardaksani albanoi, Genusi
Shkumbonjës i Kandavisë pyjore,
Rrëmbyeshëm çajnë shtigje ndër gëmbra
Dhe dynden e shtrihen në lyma të buta,
Ndër ishuj të veshur me drurë të gjelbër:
Parajsa për shpesët dhe kafshët e egra.
Rrjedh Ausa gjëmonjëse, Akeronti
Thesprot dhe i vrullti Thyam mollos,
Arakthi kasop, lumë i pagjumë,
Cak dhe prag i stërlashtë historie,
Që ndan Ilirinë e Poshtme, Epirin
Bujëmadh, nga larushitë helene
Gjakpërzjera me pinjojtë e Ilirit,
Shtrirë gjer poshtë Larisës pellazge,
Në zemrën e Heladës së moçme.
Rrjedhin e rrjedhin lumenjtë ujëshumë
Brenda suazës së botës ilire:
Së Epërmes, së Mesmes dhe së Poshtmes…
Pesë dete përpijnë lagen e tyre:
Ponti, Egjeu dhe Deti i Thrakës,
Joni shumv i qetv, vvllai i Adrias,
Ishuj shkëmbore, dhe vetë Adria,
Gji i stërmadh ilir kllaposur suazës
Tri brigjeshe të Ilirisë së madhe
Dhe hapur poshtë, mes Kerauneve
E dheut të tejshëm të Mesapisë,
Motër të Japygisë dhe Daunisë –
Me dhjetra e dhjetra fise ilire
Shtrirë në gjithë Saturnian e lashtë
Dhe tej e tutje në viset latine.
Lartohen hovshëm malet krenare
Drejt qiellit të lartë shumë të kaltër:
Alpet e Karnit me guna të bardha,
Okra japode, limer guximtarësh,
Karpat e Istrit, që zdrypin pingulthi
Në detin e thellë, tallazemadhin,
Që lag e përlag mbi njëmjë ishuj,
Shkëmboret liburnë, kreshtorët dalmatë
Me Adrian e brinjtë plot gjah të begatë,
Vargmalet autariate – çerdhe trimash
Të papërkulur, gjithmonë luftëtarë,
Karpat ardiane, brinjat labiate
Njomur të gjitha me gjak ngritësish krye,
Skard kryebardhi, që çjerr retë e qiejtë
Me krepat e zgripet – strofulla bore,
Kerauni i rreptë, tmerr për detarët,
Baloshët albanë, çerdhe shqiponjash,
Që shqyen e thyen skota të shumta
Të dyndura nga stërfundet e botës;
Tomorri thinjak, thurrak i Dymalit,
Shkarrzimet kandave varur mbi quka
Lugajash, varr për dyndësit e huaj
Dhe dasaretët plot tufa pëllejash,
Thatona e gungët përballë faltores
Se Thanës gjahtare, mbrojtëse grigjesh,
Së cilës ilirët i sillnin flira
Të majme, shuar me verë të fortë.
Lartohet Barni i Liqerit të Bardhë,
Që rusët tej, n’fushëtirën lynkeste,
Të njomur me gjakun e mbret Bardhylit,
Qymyrtarit të urtë, trualldashësit,
Në luftë me Emanthinë gjysmëilire.
Ngrihet Pangajoni, i pyllti Orbel
Paion, me vargje liqeresh të shumtë,
Renditur bukur: rruaza të kaltra,
Tek kishin banesat paionet e lashtë,
Tomari i shenjtë, që mban në prehër
Dodonën dimërmadhe, ku kish stisur
Selinë e tij të parë Zoti i Dushkut,
Zanafilltari i gjithë hyjnive,
Që ngritën dhe rritën pellazgët leshtorë.
Edhe në brigje lumenjsh dhe liqeresh
Ujëkulluar si vesa e vjeshtës,
Bregdetesh të kaltër, kullotëblerët,
Tek çel bajamja dhe rritet druri
I ullirit shumë paqedashës,
Në fusha të shtrira: grunare buke,
Në brinja diellore, që mbushin qypat,
Calikët dhe bulirat e bungta
Me verë të ëmbël, shumë të fortë,
Në lugje qarkuar me gjerdhe malesh,
Në kreshta krepash të hirtë, në pyje
Të dendur, të moçem sa moti vetë,
Thellë blerishtash kullotëmajme,
Ku rritet dhe shtohet gjeja e gjallë:
Delet leshbuta me shtat sa të viçit,
Që pjellin përmot binjakë, trinjakë,
Për gazin e hyjnive baritore!

Anije Ilire
Anije Ilire

Në gjithë skajet e vendit të lumur,
Anembanë kumbonte një e folme
E vetme: ilirishtja e strallët –
Vigme barinjsh dhe kushtrim luftëtaresh,
Farkuar në kudhra mijëvjeçarësh,
Me zjarr shkrepëtimë dhe gjëmë gjëmimi,
Ndër shkulme detesh, zhaurima pyjesh,
Në luftra të rrepta shekullore
Dhe stina qetësie kaltëroshe,
Ku bari lidh mugull dhe pema – gonxhe
Dhe ngjizen fëmijët: hoj dashurie…
Gjuhë e fortë, vlugmadhe, e ëmbël,
E mbrujtur para se të ishin mbrujtur
Tufët e hyjnive të lashtësive.
Pa burrat e dheut e donin mbi jetën
Lirinë e shenjtë, të trashëguar
Nga motet e mugët dhe mbrojtur me kokën,
Njerëz të fismë: të drejtë, mikpritës,
Bujarë në shpirt, bestarë në fjalë,
Që bukën e ndanin me lutësoret,
Kur vinin kërkonin strehë dhe ndihmë
– Nga Kadmi i Tebës dhe Harmonia,
Dëbuar nga helenët gërnjetarë,
Dhe gjer te Themistokliu pendestari,
Gjumuar nga urrejtja athinjote,
Që vajti u struk te vatra armike,
Te mbreti ilir, që kish fyer përfyer,
Ku falje gjeti dhe krahë për mbroje. –
Burra të fortë si qari i kulmit,
Gjithnjë sypatrembur përballë valomash.
Rëmbyeshëm vërshonin enkelenjtë,
Shpatëtarë, fort të rregjur ndër luftra:
Përmes Heladës, gjer brenda në Delfi,
Matanë Kadmejës, mburojeartës,
Dhe hidhnin sheshit vrullshëm valle shpatash
Kundruall faltores të Zot Apollonit,
Hyut flokëartë dhe dritëpërndarës,
Në sytë e të mënçurve shortarë
Të shtangur vendit, ndaj shihnin përpara
Kaq burrëri, bukuri, fismëri.
Pa detet përshkonin liburnët e shkathët
Të nisur nga vendlindja, nga Korkyra,
Ishull i blerët në Jonin e kaltër,
Ku ende s’kish shkelur këmbë heleni –
Dhe zbrisnin tej Moresë, tutje Kretës,
Me lundra të shpejta mbi dallgët thinjake.
Ardianët trima, krenarë, gjakndezur
S’i druheshin shkulmit, njeriut dhe Zotit,
Sepse dhe Zotit të qiellit i hidhnin,
Pa frikë, shigjetën e kuqe të mbathur
Me thumba kokalle largdepërtonjës.
Në male dhe pyje burrat gjahtarë
Gjahun gjumonin me heshta të gjata
Dhe zjarre ndiznin përafër burimesh,
Ku piqnin dhe hanin kaprojtë e shijshëm.
Qetas shtegtonin dalmatët, daorsët
Dhe fise të tjera trime delmere
Me mandrat, bregdeteve, në vërri.
Djathë të lyrshëm parthinët gatonin,
Që shumë e çmonte gjithë bota e lashtë;
Verë mjalti ndërtonin taulantët,
Që mikut ja shtronin kur vinte të bujtë,
Begatshëm rronin të bijtë e Dardanit,
Që dheun lëronin dhe gjedhët shumonin
Në plëngun e tyre të gjërë shumë.
Xehtarët pirustë farkonin shpata,
Drapinj për të korrat, kosa për barin.
Dhe gratë leshin e butë tirrnin,
Ndaj vinin në krua me shtamba mbi krye.
Pa anë e mbanë, në troj të bekuar,
Qeshte jeta, lulëzonin qytete:
Tergesta e bujëshme bregdetare,
Metuli japod, dhe Vendi, Blandona,
Salona e bukur, Sirmi murelarti,
Mbi Dravin e gjerë të fisit skordest,
Narona ardiane, Epidauri,
Demastioni dardan, Skodra labiate,
Stybera e gurtë kodrore paione,
Dyraki, Dymali, Billis, Buthroti,
Amanthia e madhe – vatër drite,
Enkelana e bardhë – qendër trimash,
Lyhnida e kreptë, varur mbi valë
Dhe shumë qindra qytete me emër,
Që sot nuk janë, por ishin qëmoti…
Pa hanin të gjithë bukën e tyre
Dhe zbraznin gëzueshëm brirët e verës.
Pa këngën nga jeta kurrë s’e ndanin
Dhe hidhnin bashkë valle trimërie –
Me shpatë në dorë, gjithnjë të gatishëm.
Të hijëshme ishin vashat e reja
Dhe nuset – zana, bija bukurie:
Gjahtare mali, baresha, bujkesha,
Zejtare të zellshme, fëmijëshumë…
Dhe moti kur vrenjtej – rrëmbenin heshtat
Dhe hidheshin vrundull, krahas me burrat,
Në logun e luftës, kundër armikut:
Për mbrojtjen e vatrës dhe gjithë vëndit.
Dhe kur këtej u turr ulkonja e Romës,
E etur stëretur për gjak dhe për pre –
Shekuj dhe shekuj gjëmuan mallet,
Lugjet dhe brigjet nga rropama ndeshjesh
Të rrepta: për mbrojtje e jetë të lirë!
Pa bashkë me burrat, si zhgaba mali,
Luftuan nuset dhe vajzat e njoma,
Që fli burrnisht e bënë të ritë e tyre
Në lterin e lirisë së ëmbël shumë –
Nga Vendi i Epërmë, nga Panonia,
Te Vendi i Poshtëm, te Paionia,
Dhe brenda Epirit, djep burrash të ndjerë.
Pa malet dhe fushat ilire u lkuqën
Me çurkë gjaku të pastër, të dlirët
Trimash, që emrin dhe kockat bashkuan
Për jetë e mot me dheun bukëdhënës;
Gjak dalmat, dardan, ardian, breuk
Dhe gjak farkëtarësh pirustë, desidiatë,
Gjak dlmerësh parthinë dhe kandavë,
Gjak dokleat, autariat dhe alban
Dhe shumë gjak kaon, mollos, thesprot
Dhe fisesh të tjerë të dheut t’Ilirisë:
Një fare dhe gjuhë, por – vaj! – të ndarë,
Pa besëlidhje armësh… Pëllëmbë e hapur,
Që grusht nuk u bë për të goditur rëndë
Armikun që turrej të zgrapë plëngun…
Dhe gjakatarët legjone romane
– Skota të larme të shkulura vatrash
Dhe shtyrë nga krerët me shufrën e dhunës –
Goditen veças njerin pas tjetrit
Shtetet e vegjël dhe fiset ilirie
Që jetë bënin më vete, pavarur,
Vendin shkretuan me hekur dhe zjarr
Në luftra t’ashpra, që zgjaten shekuj,
Dhe s’lanë gur mbi gur prapa tyre,
Por veç gërmadha dhe varre panumur –
Të vetat dhe të mbrojtësve të vendit.

Monedha Ilire
Monedha Ilire

Po rishtas dhe rishtas mbi grumbuj kokallash,
Mbi hi dhe gërmadha tek rritej shpendra,
Më këmbe brofën brezat e reja,
Që zgjedhën s’e donin, por vetëm lirinë.
Pa mote rrebeshesh dhe ngritjesh krye
Shënuan parreshtur hapin e kohës –
Në gjithë botën e gjerë ilire,
Me krisma t’hovëshme shpate, sëpate,
Në dritë dielli, në terre netësh
Në prita të forta ngrehur në rruge,
Poshtë – lugajash, dhe sipër – qafmalesh,
Në vahe lumenjsh, në brigje liqerësh,
Që tundën thellë themelet e dhunës,
Dhe gjakatarëve datën u kallën,
Ndër lëmë i ngjeshën – rrethuar me ledhe
Dhe ndër fortesa me roje nën armë,
Pa lart, në malet, vazhdoi të rrahë
Flladi i kuq i lirisë së ëmbël,
Që dot nuk e ndalnin legjonet e Romës.
Me tej, kur cofi ulkonja romane,
U derdhën shvalina bijsh shktretëtirash,
Të dalë nga fundra gufash dhe honesh,
Me urë në dorë, me thikë ndër dhëmbë…
Rrugaja heshtash muzgëtuan qiejt,
Orteqe zjarri vrundull përflakën
Dheun e bukur të bijve t’Ilirit:
Rrënime, rrëmbime, varrime së gjalli
Fëmijësh të mitur… Suvala gjaku
Shënuan tragat e dyndjes barbare
Së parë, së dytë, së pestë, së shtatë.
Dhe prapë e prapë, në luftra të reja
Brofën trimat dhe hodhën hordhitë
-Njerën pas tjetrës – tej Dravit, tej Savit
Dhe brenda në amën e lumit të gjerë,
Stërmadhit Danouv valëvezullonjës…
Por lukunitë nuk kishin të sosur,
Se pas një skotë – një tjetër vërshonte
Nga fundra gufash dhe stërfundra honesh,
Me urë në dorë e thikë ndër dhëmbë,
Që kishin banesa tenda lëkurësh.
…Dhe shumë, më shumë u ndrydhën caqet
E zotërve të qëmoçëm të dheut –
Nga llavat e dyndura së jashtmi,
Por malet ilire shekuj qëndruan
Të pastër, pa gjurmë këmbë armiku,
Sepse atje me ngulm vazhdonte lufta.
Hej, histori! Ti, histori e lashtë
E botës ilire së perënduar,
Përse më bren e bluan kaq dhimbshëm –
Në orët e vogla të natës së bardhë?
… … … … … … … … … …
Rrjedhin lumenjtë e gjerë ujëshumë
Në caqet e botës së moçme ilire,
Por s’janë më ilirë, ndonëse mbajnë
Emrat e moçmë, përpara vërshimesh.
Lartohen hovshëm malet krenare,
Shtrihen rrafshinat dhe fushat e gjera –
Përmbytur nga popuj të huaj, të dyndur
Nga skajat e dheut të largët shumë,
Që shkelin murranat tek zbardhin ende
Togje kokallash dhe eshtrash ilire,
Zotërve të parë të gjithë vendit.
Por, hej! Mes rrebeshesh dhe shëmbëlltyrash,
Që fshin e zhdukën faqes së tokës
Shtete dhe fise të shumta ilire,
Qëndroi i pamposhtur biri m’i vogël
I Ilirit të lashtë, trimi Arbër
Që mblodhi rreth tij dhe ngriti në luftë
Thërmia dhe grimca fisesh vëllezër
Në këndin malor t’ Ilirisë së Poshtme
Buzë Jonit të kaltër dhe të Adrias
Valëdendur: malësorë dardanë,
Labeatë dhe pirustë vishkullare,
Bregdetas kaonë gunëdhirtë,
Atintanë, eordenj, dasharetë…-
Dhe bashkë u bënë një grusht i shtrënguar
Ballë u bënë armiqve, stuhive,
Dyndësve varre u dhanë, për shpagë,
Mbajtën plengun, fisin, gjuhën e moçme –
Arbërishten – pinjolle t’ilirishtes,
Lart e lart ngritën trashëgimin arbër
N’Ilirinë e Vogël…
Mbani, burra,
Me dorë të fortë flamurin e Arbërit
Të skuqur me gjak ndër luftra të rrepta.
19 Janar 1967

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.