back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Faik Konica – Aristokrat edhe kur shau… nga Arshi Pipa

Gazeta

Faik Konica (1875-1942)
Faik Konica (1875-1942) 

Faik Konica – Aristokrat edhe kur shau…

nga  Arshi Pipa

Faik Konica!
Kush nuk e njef? Emni i tij asht njeni prej ma të dashunvet. Po mbushet afër nji gjysëshekulli qysh kur ky emën tinglloi për herë të parë në veshët e Shqiptarvet. Vinte që larg, nga nji vënd i huej, dhe delte për me mprojtë të drejtat e Atdheut. “Albania” quhej ky zâ, dhe ishte, në shkretín e kulturës shqiptare, njimend nji “vox clamans in deserto”. Ç’atëherë nami i Konicës u-vendos në fronin ma të naltin e mendjes shqiptare. Dhe si hypi nji herë nuk luejti ma.
Gjatë gati nji gjysë shekulli fjala e tij erdhi nder veshët tonë, ndër mendjet tona, me intervale herë ma të shkurta herë ma të gjata. Jo e shumtë, jo e shpeshtë, ma fort e rrallë; rrallë e për mall. Dhe gjithherë e ndrrueshme, gjithherë e freskët. Dhe kur vinte, mbassi kishte shkapërcye kontinente e oqeane, kishte tinguj të nji mendësije së ndryshme, prendimore, ma të qartë, e qi ma se nji herë i u-dukshin të çuditshme botës së vjetër shqiptare. E sigurisht Konica qe mendja ma e ndrituna e gjithë historís sonë letrare. Noli punoi shumë ma tepër e ma me fryt. Por Konica qe për cilsín, për stilin. Të tjerë dhanë punën: ai dha tonin. Aristokrat i lindun. Sugjeroi, drejtoi, zakonisht i ndjekun me nderim. Por ndodhi shpesh qi nuk e kuptuen. Atëherë u-idhnue, talli ashpër, shau.
Aristokrat edhe kur shau, ashtu si vetëm ai dinte të shante! Po pse mos me i thanë qysh tash të metat e tija njerzore! Aj nuk qe shembull mase e drejtësije. Pasjoni e verboi shum herë. Kishte nji faj sidomos (faj tamam artistokrati!): nuk mund të shifte tjetër kend sipër vehtes, bile as pranë vehtes. Por në të vërtetën cili mund t’i afrohej? Çka tjerët kishin veç e veç e mangut, aj pat të gjitha së bashkut e në mënyrë të plotë. Kurgjâ s’i mungoi, nga kultura e madhe shkencore te ndjesíja e imtë artistike, nga magjija e rrallë e bisedimit te shëndeti e hijeshija fizike. I vetëdijshëm për epërsín e vet nuk duronte qi ndokush të mos i a njifte. Të kishte pasë rrufena, si Zeusi, do t’i kishte shigjetue ata qi nuk e adhurojshin. Pat fjalën: nuk u kursye me e përdorë, kur u inatos, si armë, ma keq se armë.
Mos të ngutemi me thanë se bani keq. Të kujtojmë pak se me ç’njerëz e me ç’koka pati punë. Ndërmjet “anadollakëvet” e “sharllatanëvet” aj ishte nji fenomen anakronik. Kuej me i folë për art, “anadollakut në mësallë”? Çdo njerí qi dinte me shkarravitë dy harfe shqip na mbahej për reformator gjuhe! E atëherë aj u idhnue e drodh kamxhikun e satirës.
Pamje njimend e kureshtme ishte kjo me pá “gentleman-in” ma të përsosun tue i u vërsulë me shamjet ma të ndyta kundërshtarit! Sed quod non facit indignatio?
Ishte nji shpirt i çuditshëm ky Faiku, privilegjet atij i u-dukshin të natyrshme! U a kishte zilí të tjerëve mallin për Shqipní! T’ishte e mundun, do të donte t’i shërbente asaj aj vetëm, si nji grueje së dashun! Dhe qe kështu ndonji herë i padrejtë, ashtu si mund të jetë aj qi ka zilín e dashunís.

Faik Konica (1875-1942)
Faik Konica (1875-1942)

Njerí ekstremesh! Njerí pasjonesh të mëdhaja. Këndej nuk “begendiste”, andej nuk falte. E kështu shkroi e foli mbi art me delikatesën ma të madhe, me ndijimin ma të thellë. Por kur shau u mori uhá rrugaçavet fjalorin e tyne.
Nuk shkroi vepra të plota? A muejte me i shkrue nji njerí me kto huje? Ai nuk qe nji shkrimtar i profesjonit, i lidhun mbas tryeze; qe nji “shijues”. Kur shkroi, shkroi për andjen me shkrue. Estét. Aristokrat deri n’art. Ç’ishte për tê me mbledhë ndër disa volume ato qi shkroi gjatë jetës së vet? Jo, nuk e bani. Kjo nuk i ka hije zotnís së madh qi asht msue me hjedhë mendime e humor “par dessus le marché”! Të tjerë le t’i mbledhin, në daçin! Zotnija i madh shpenzon në të djathtë e në të majtë, falë e darovitë, nuk ep me fajde.
Nji herë vetëm mori mundimin me botue nji libër. Dhe ky libër qe nji përkëthim prrallash arabe nga “Njimij e nji netët”. Asht kjo mënyra e ndonji lordi anglez qi kujdeset për punë të botës dhe të vetat i len mbas dore.
Ç’ndryshim midis tij e Nolit! Noli punoi, me vullnet hekuri, gjithë jetën. Noli qe demokrati i madh i letërsís sonë. Krahazoni Nolin qi bahet prift për t’u shërbye bashkatdhetarvet të vet, me Konicën qi bahet ministër tue e kalue kohën ndër “soirées” diplomatike dhe ndër andjet e holla t’artit e të muzikës. Nji aristokrat i tillë a mund të pajtohet me nji demokrat si Nolin? E shkurtë qe prandej miqsija e tyne.
Pat thanë nji herë Wilde: “Kam vue të gjith genialitetin tim në jetën teme, por vetëm talentin tim në letërsín teme”. Kto fjalë i përshtaten mjaft Konicës.
Larg nesh mendimi me e krahazue jetën e tij me atë të “dandy-t” Wilde! Por kush mund të mohojë se luksi e fama atij nuk i pëlqejshin? Ata qi e-njoftën tregojnë se shijet e tija epikureane ishin fort të pasuna. Ishte nji burrë i pashëm, me nji shëndet për t’i pasë zilí. I pëlqente pra “jeta”, kuptohet. I pëlqente edhe me u-veshë mirë. Ndonjiherë ngjeshte edhe fustanellat e delte ashtu nëpër kremte e gostina, ose edhe nëpër “Hyde Park”.
Jemi të mendimit se personaliteti i shkrimtarit asht gjithmonë çelsi i artit të tij. Nuk arrijmë me kuptue se si arti e jeta mund të jenë te artisti dy anë të ndryshme, të kundravendosuna. Dhe në qofshin këto nji herë të vërteta te artisti i zakonshëm, qi e idealizon jetën e vet n’art, janë dhetë herë të vërteta te ata të rrallë qi, tue ndrrue mardhanien, e sjellin artin e tyne në jetë, tue e bâ jetën e tyne poezí, tue e artistizue Baudelaire! D’Annunzio! Konica u përngjet pak, për së largu.
Portreti fizik i Konicës, ashtu si e shikojmë në fotografín e tij tipike të riprodhueme shum herë, asht pasqyrë shum e qartë e karakteristikavet të tija shpirtnore. Na duket Konica këtu në moshë të pjekun, medje të shtyme, njerí qi ka jetue dhe qi din ç’asht jeta. Fëtyra e tij e mbushun, plot shëndet e gjak, rrëfen nji shpirt të knaqun nga vehtja. Vijat janë të hajthëta, me lakime elegante të nji fëtyre fisnike. Dhe në kët fëtyrë dy gjana bijnë në pah me nji herë: sytë e goja. Sytë kanë nji shkëlqim të jashtzakonshëm, nji shkëlqim të prehtë e të ftohtë, sy çeliku. Inteligjenca e madhe e Konicës vezullon çiltaz ndër kta sy. Por kur zbresim ma poshtë ndeshim dy buzë “fine”, jo të trasha jo të holla, të lakueme në nji mënyrë qi nuk mundesh me dallue me shpejt a asht gaz i ambël apo ironí. Por në se ke lexue ndonji shtyllë nga “Dr. Gjilpëra”, ose nga “Gaspariana”, nuk ke ma dyshim: ajo buzqeshje asht ironí! Gjithë ajo inteligjencë qi ndriçon nga sytë e Konicës vjen e del nëpër ato dy buzë të lakueme, natyrshëm, për tallje. Inteligjenca asht ba “humour”: ke njoftë njeriun.
Inteligjenca asht cilsija e madhe e Konicës. Ndër tjera rrethana, ndër tjera kushte shpirtnore do të kishte muejtë t’ushtrohej me fryt të ndryshëm. Edukata frenge, me traditën e saj të satirës, nga D’Aubigné te Voltaire, trajtoi Faikun pamfletar. Anglija, atdheu i humorit, i zhvilloi edhe ma tepër sensin e ironís. N’Amerikë mandej ato gjetën trollin e përshtatshëm për me u-ushtrue.
Pamfleti shkatrron, dhe ironija, vetëm, a mund të krijojë? Ironija asht nji “forma mentis”, asht trajtë, asht stil. Kur nuk asht e shoqnueme me fantazí krijuese ajo mbetë në planin e fragmentavet e të vijosjevet të shpejta, “essai” a përshtypje e rasës. Ironija pa peshën e landës asht fluturake: asht ndër hujet e erës qi e shëtitë për pak herë këndej herë andej.
Inteligjenca nuk krijon: ndritë, sqaron, e shum shum ndryshon: asht themelisht kritike. Konica pati të gjitha vetitë për me qenë nji “essayiste” i shquem: kulturën filologjike-estetike, shijën e artit, prehtësín e gjykimit. Ato prova qi kemi prej tij e dishmojnë qartaz këtê. Por aj kishte ma tepër se kaq: kishte ironín. E përdorun me masë e me takt ironija, kjo dhuratë hyjnorësh, mund të krijojë vepra madhështore kur asht e drejtueme nga nji qëllim serioz, nga nji dëshirë universale.

Faik Konica (1875-1942)
Faik Konica (1875-1942)

Ndonji herë Konica ja arrijti ktij ideali. Përshkrimet e tija te “Shqipërija si m’u duk” mbi ata “memurë” anadollakë e mbi ata tjerët, paljaço të qytetnimit europjan, “robotë” e “levantinë”, janë të nji humori të shëndoshtë: dhe kjo, pse Faiku frymëzohej jo ma nga marazet e ngushta vehtjake por nga nji ideal kombëtar. Por shpesh zotnuen te aj edhe inatet politike, pasjonet e pezmatueme. Dhe ironija, u-bâ atëherë sarkazëm, dhe sakazëm vehtjak.
Por gjindej, te Konica, edhe nji mall i fortë për bukurín e pastër. Aj, shijues aq i hollë i muzikës dhe i artit, përpara disa sqenave natyrore ngashërehej. Ose kur vinte “dita e verës” dhe mendimi i fluturonte te kohnat e bardha pagane, ose kur shkonte “anës liqenit”. Shpesh ishte malli i atdheut. Herë tjera ishin kujtimi i kohnavet të fëminís kur i rrëfejshin përralla si “e bija e mbretit dhe trandafijtë”, ose ato qi tregohen “në hijen e hurmave”. Ky tel minor i Faikut tinglloi ma rrallë e “in sordina”. Zakonisht e mbyti tingulli i ashpër e larkjehues i satirës. Por kur tinglloi qe plot magjí. Piktura ma të përsosuna, ndjenja ma t’imta nuk ka përshkrue deri sot penda shqiptare. Qe nji shembull:
“Nata po afërohet. Drita e ditës tretet dalë nga dalë; e, mbi tjegullat e shtëpive, mbi drrasat e rrugëve, mbi fletët e pemëve, mbi trupat e epëta të çupave që shkojnë, një ngjyrë manushaqeje – një ngjyrë gushë pëllumbi, si thonë në ca male t’ona, – shtrihet, e i mpështjell. Mbasandaj, pakë nga pakë, manushqet çfletohen. Hijet bëhen më të dëndura, më të zeza. Njëri mbas tjatërit, yjtë çpojnë qiellin, e pikëlojnë dritë. Nata u afërua. Nata erdhi”. (“Albania” v.II. n.6, fq.92)
Por Konica nuk u kujdes me i lanë të shkrueme të gjitha përshtypjet e veta. Ndoshta prej përtacije? Shënojmë se veprën e tij të madhe, koleksjonin dymbëdhjetë vjeçar t’”Albania-s” (1897-1909), e bani sa qe i rí, në hovin e atij entuzjazmi djaloshar qi krijon zakonisht gjanat e reja, e ndonji herë të mëdhaja. Sigurisht i nji tjetër kalibri ishte vullneti i Nolit, qi punoi pa u-lodhë, vazhdimisht. Konica përkundrazi e ndali hovin mbas botimit t’”Albania-s”. Çka shkroi prej këndej deri sa vdiq, gjatë nji periudhe gati tri herë ma të madhe se ajo e “Albania-s”, asht relativisht e paktë në krahazim me punën qi derdhi te rivista. Ishte orvatë me ngulm ndërmjet sa vështirsísh për të mbajtun rivistën. Kur i erdh fama e bashkë me tê edhe mirëqenja ekonomike e rahatíja, u-duk shpirti i tij prej aristokrati qi e ban letersín për qejf, kur nuk e ban për huj.
Në të vërtetën kjo pat qenë ma vonë, kur Konica, mbas nji periudhe gjithaq të gjatë sa ajo e “Albania-s” (1909-1921), u-vendos n’Amerikë për mos me luejtë ma, përveç nji vizite së shkurtë qi i bani Shqipnís në 1929. Kjo periudhë e dytë asht periudha politike e Konicës, sa e frytshme për rilindjen tonë kombëtare, aq e vorfën në prodhimin e tij letrar. Mbas këndej Konica qe i lirë e muejti me bâ jetën qi deshti. I njohun si përfaqësuesi i gjithë shqiptarvet t’Amerikës, ma parë prej Qeverís së përkohëshme e ma vonë prej Monarkís, aj kishte tash kohë e mundësí për me punue me ngê në fushën e letravet. Gjatë ksaj kohe, dyfish ma të madhe se ajo e periudhavet të para (1921-1943), Konica, do të kishte muejtë të prodhonte shum ma tepër se shtyllat e “Dr. Gjilpërës”, reportazhin e “Shqipëria si m’u duk” dhe përkëthimin e prrallavet arabe.
Shkaqet duhen kërkue jo aq te ambienti i rafinuem diplomatik ku shpirti prej natyre përtac i Konicës nuk gjeti nxitje për punë (ka pasë edhe tjerë diplomatë qi kan dijtë me përfitue nga rahatija e jetës diplomatike në dobí të poezís), se sa te vetë struktura etike e Konicës. Kjo strukturë ishte e tillë sa nuk mund të prodhonte vepra të plota. Konica ishte nji estet, dhe cili estet nuk asht i lidhun ngusht me ego-n e vet? I munguen Faikut ato ideale qi e derdhin njerín në nji humanitet ma të gjanë se bota e vetvehtes. Nuk gjejmë në tê hove dëshirash altruiste, zell apostulli. Konica rroi e vdiq i pamartuem, nuk e njofti pra familjen si vlerë etike. Popullin aj s’e ndjeu afër tue qenë aristokrat. Fén e injoroi. Ndër idealet etike qi mund t’i epshin landë krijimit të Faikut, vetëm nji ngelte, atdheu. Atdheut aj i shërbeu si ma i madhi bir i tij. Vepra e tij atdhetare imponon nderim. Por tue lanë mënjanë shërbimet diplomatike qi s’kan të bajnë me poezí, puna atdhetare e Faikut qindron ma tepër te kritika e anës së dobët se sa te lavdimi i anës së mirë të shqiptarit. Vuni në dukje të metat pa çmue virtytet t’ona. Dhe kjo, kujtojmë, rrodhi prej se Faiku u-shmang nga tradita. I dalun jashtë vendit qysh heret, i edukuem me kulturë prendimore, aj qe i pari njerí modern i vërtetë ndër shqiptarë. Kjo mendësi moderne, qi i dha prehtësí e guxim me vue në satirë mbeturinat anadollake arnautishte, e largoi Konicën nga kuptimi i atyne rrajëvet të forta e të shndoshta qi qenë gjallnija e Shqiptarit gjatë shekujvet. Shembull domethanës në kët pikpamje: moskuptimi i tij rreth Naimit.
Kto vlera etike, familja, tradita, humaniteti, feja, janë ato qi i japin ushqim poezís së madhe. Dhe kto Konica nuk i pat fort të zhvillueme. Por për me qenë poet mjafton shpesh herë me i besue Artit, tue ja dhurue jetën kultit të tij. Kështu arti fiton humanitet dhe, nga nji luks shndrrohet në nji nevojë, nga nji punë qejfi bahet vlerë etike e epërme. Konica nuk ja flijoi jetën e vet poezís. Aj bani të kundërtën: ja flijoi jetës poezín e vet. Arti ishte i vetmi shkamb ku do të mund të ngulej. Aj nuk e mori serjozisht, nuk u-pengue mbas tij. E bani “me shaka”, kur iu tek. T’i kishte besue artit do të kishte qenë Heine i letersís sonë. Kurgjâ sa “Shqipëria si m’u duk” nuk përgjasohet me “Reisebilder”.
Ky qe Konica dhe kjo vepra e tij. Rrallë herë shprehja e famshme: “Le style c’est l’homme”, gjen nji trupzim ma të përshtatshëm se te Konica. Pse aj qe i tani stil. Njofti të gjitha të mshehtat e stilit, të gjitha kthesat. Stili i tij qe në thelb satirik. Të tama gamat e satirës ai provoi, prej ironís ma s’ambël deri në sarkazëm, prej humorit deri në pamflet. Por qe edhe i kthiellët e i ambël, kur deshti.
Ndikimi i tij mbi letrat shqipe qe i madh e i vijueshëm në kët vështrim. Proza toske i detyrohet Konicës. Të gjithë shkrimtarët toskë morën mësim prej tij. Prandej sot proza toske asht e njitrajtëshme, ndërsa gegnishtja nuk asht kristalizue ende pse nuk ka gjetë nji mjeshtër stili njisoj të madh sa Konicën.
E jo vetëm stilin e shkrimit mësoi Konica, por edhe vetë gjuhën. Kultura e tij filologjike, me baza të gjana shkencore, u shoqnue me shijën e tij në të folun dhe të dyja bashkë përftuen at gjuhë të pastër qi sot rrjedh aq bukur ndër shkrimtarët toskë ma të mirë.

Profesor Arshi Pipa (1920-1997)
Profesor Arshi Pipa (1920-1997)

Stili n’art asht gjaja kryesore. Nuk ka letërsí të vërtetë pa stil. Me pasë mësue mjetin e mënyrat e shprehjes: ky asht lavdi i pavdarshëm i Faik Konicës.
Asht lehtë me kritikue tue gjetë të meta e gabime. Por cili, sa do i madh qoftë, nuk i ka? Të mdhajvet t’u harrojmë mungesat dhe t’u çmojmë virtytet. Të mos kërkojmë ndër ta ma tepër se ç’na kanë dhanë. Qenë prisa, qenë pionierë ndër shtigje të parrahuna, ndër pyje të ngatrrueme. Sot na ecim pa vështirsí sheshit, harrojmë shpejt se ktê e kemi nga mundi i tyne. Të falenderojmë pra shkrimtarin për sa na ka dhanë dhe të përkulemi me respekt përpara fëtyrës së ma të madhit stilist shqiptar, Faik Konicës.
Na duket, ndërmjet atyne dy polevet të kombit qi janë gega e toska, se i pari përban ma tepër landën, brumin e shqiptarit dhe i dyti, trajtën, frymën. Dhe në se gjejmë ma të madhin përfaqsues të gegnís te Fishta, ndeshim kulmin e faqes tjetër jo te Naimi, jo te Noli, por te Konica.
Marre nga Gazeta Shqiptare 17.08.2008

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.