back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 24 Nëntor, 2024

Mirash Ivanaj (1891-1953)- Një ikonë e Arsimit Kombëtar nga Klodi Stralla

Gazeta

Mirash Ivanaj (1891-1953)
Mirash Ivanaj (1891-1953)

Mirash Ivanaj (1891-1953)

Një ikonë e Arsimit Kombëtar

nga Klodi Stralla

Në përvjetorin e 62 të vdekjes.

…Shkolla jonë duhet të japë edukatë qytetare e laike,
sepse qëllimi i shkollës është të formojë qytetarë të lirë,
me edukatë dhe formim shkencor e teknik bashkëkohor…”
Mirash Ivanaj

Ky fragment është shkëputur nga fjala e mbajtur prej tij, si Ministër i Arsimit Kombëtar, në Parlamentin shqiptar, me 10 prill 1933, gjatë punimeve për reformën arsimore.
Por, kush ishte Mirash Ivanaj?
U lind në Podgoricë të Malit të Zi me 12 mars të vitit 1891, nga prindër shqiptarë, nga Trieshi. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Serbi, kurse të lartën në Romë, ku u diplomua në dy degë: letërsi-filozofi dhe jurisprudencë (mbante gradën Doktor i shkencave juridike). Në 1923, kthehet në atdhe dhe drejton për 3 vite rradhazi Gjimnazin Shtetëror të Shkodrës, ku themeloi edhe Gazetën e njohur “Republika”. Puna e tij si mësimdhënës me vizion perëndimor, me ideal atdhetar dhe laik, nuk i shpëtoj vëmendjes së Mbretit Zog, i cili në vitin 1933 e emëroi në krye si Ministër të Arësimit Kombëtar. Me emrin e tij lidhet ajo që njihet si “Reforma Ivanaj”, që ofronte një aresim me prirje perëndimore dhe frymë kombëtare. Vizioni i tij për sistemin arsimor ishte përpjekja për ndërtimin e shkollës kombëtare, si përçuese e ndërgjegjes kombëtare dhe e kosolidimit të unitetit kombëtar, pavarësisht nga përkatësia fetare. Sipas Mirash Ivanajt, krijimi dhe afirmimi i shkollës kombëtare shqiptare duhet të ish jo vetëm shqip nga gjuha, por edhe iluministe nga përmbajtja, jo vetëm laike por edhe masive, ajo duhej të ishte e përbashkët për të pasurin dhe të varfërin, për myslimanët dhe të krishterë, për djemtë dhe vajzat… një shkollë ku të arsimoheshin e edukohshin qytetarë të ndërgjegjshëm, jo vetëm të ditur, por edhe atdhetarë. Kjo ka qenë një platformë arsimore dritëdhënëse për kombin shqiptar.
Ai vinte në dyshim çdo mision të të huajve në sektorin e arsimit. Besonte se, edhe sikur të vinin këtu me qëllime bamirëse, ata nuk e njihnin realitetin e vendit tonë. “Problemi i edukimit moral, patriotik e shoqëror – thoshte Ivanaj, – ishte shumë më i rëndësishëm se ai “diturak në Shqipëri”.
Në prill 1933, Parlamenti i Shqipërisë i ndryshoj nenet 206-207 të Statutit (Kushtetutes) që lejonin çeljen e shkollave private. Në Nenin 206 u përcaktua: “Mësimi dhe edukimi i shtetasve shqiptarë janë një e drejtë e shtetit. Jepen vetëm ndër shkolla dhe institucione shtetërore shkollash të ndryshme si mbas ligjit. Shkollat private, çdo kategorie qofshin, që kanë veprua deri sot, mbyllen. Në nenin 207 thuhet: “Shkollat fetare për përgatitjen e klerit, të mbajtura prej Komuniteteve fetare shqiptare, janë të lira dhe rregullohen me ligj…”

Në qendër Mirash Ivanaj e Kolonel Aqif Përmeti (arkivi Ivanaj)
Në qendër Mirash Ivanaj e Kolonel Aqif Përmeti (arkivi Ivanaj)

Ligji u dekretua nga Mbreti më 22 prill dhe u zbatua me 25 prill 1933. Në fund të prillit 1933, “Reforma Ivanaj” u vu në zbatim me mbylljen e të gjitha shkollave private, sikurse ishin: shkolla private jofetare 21, shkolla klerikale myslimane 14, shkolla klerikale katolike 17, shkolla klerikale ortodokse 4, shkolla të huaja për shqiptarë 19, shkolla private të minioritetit grek 10. Gjithsejit 85 shkolla. Duhet theksuar se me zbatimin e reformës arsimore, kryesisht u mbyllën shkollat private të drejtuara dhe të financuara nga tri qendra të jashtme, nga tri kultura të ndryshme, nga tri shtete “mike” të asaj kohe të Shqipërisë: Greqisë, Turqisë dhe Italisë. Shkollat e huaja shikoheshin si përçues të influencave të jashtme dhe një rrezik për unitetin kombëtar. Në shtypin e vendit dhe në qarqet e diasporës shqiptare ngrihej zëri kundër një gjendjeje të tillë dhe kërkohej një shkollë më e organizuar dhe e drejtuar nga shteti. Shkolla e shtetit duhej të ishte e vetmja vatër e formimit të njëtrajtshëm kombëtar të brezave të ri.
Me pushtimin italian të 7 prillit 1939, ai largohet nga vendi, ku tragjikisht u kthye në tetor 1945, i thirrur nga miku i tij, deputeti Gjergj Kokoshi, Ministri i parë i Arsimit në qeverinë e pasluftës. Me dënimin e Kokoshit (me Grupin e Deputetëve) më 1947, arrestohet dhe dënohet me 7 vjet burg edhe Ivanaj. Në seancën gjyqësore, i paqartë për shkakun e dënimit, Ai e pyet kryesuesin e seancës: -Po për ç’ka jam dënue zotni?… “Ke ardhur me ide që të bësh propagandë në Shqipëri!” – e sqaroi gjyqtari. E Mirashi ja priti: – Po a ka ligj në botë që të dënojë mendimin? (Në botë mbase jo, po në Shqipëri ka pasur një ligj të tillë për 45 vjet !)
Mirash Ivanaj, vdiq me 22 shtator 1953, në Spitalin e Tiranës, mbas një operacioni të thjeshtë, 12 ditë para se të lirohej. Eshte përfolur që kjo vdekje e papritur ishte porositur prej vetë diktatorit si hakmarrje primitive e tij për ndërprerjen e bursës që i bëri atij Ministria e Arsimit gjatë studimeve në Francë (Studime që ai as i filloi e as i mbaroi ndonjëherë!)

Mirash Ivanaj - Ministër i Arsimit - në qendër Kryeministri Pandeli Evangjeli
Mirash Ivanaj – Ministër i Arsimit – në qendër Kryeministri Pandeli Evangjeli (arkivi Ivanaj)

Ai ka lënë një vëllim me poezi, “Epopeja e Njeriut” – ku janë dhe poezitë e të vëllait, që dr. Lazër Radi e ka përkthyer nga serbishtja. Më 1995 u hap “Martin and Mirash Ivanaj Foundation”, krijuar nga mbesa, Drita Ivanaj e bija e Martinit, për të stimuluar studentet shqiptare. Eshtë mbajtës i disa titujve madhorë si “Kumandar i urdhërit të Skëndërbeut (i akorduar nga Mbreti Zog), “Martir i Demokracisë” dhe “Mësues i Popullit” akorduar nga Presidenti Berisha dhe “Nder i Kombit” akorduar nga Presidenti Moisiu.
Reformën arsimore aq të përfolur sot, mund ta udheheqin vetëm njerëz të tillë si Mirash Ivanaj, të cilët nuk na mungojnë, ndonse nuk i dëshërojmë t’i kemi në drejtim e punëve.
PS. Në foto, në të djathtë Mirash Ivanaj (Ministër i Arsimit), në qendër Kryeministri Pandeli Evangjeli, gjatë një vizitë në një shkollë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.