Shkodra… edhe pa artistin Tonin Tërshana
nga Fritz Radovani
Tonin Tërshana (1 qershor 1949 – 22 shtator 2015)
“Tonin Tershana e ka zanin instrument…”
Pjetër Gaci
Tonin Tërshana, asht lé në Shkodër me 1 Qershor 1949, nga nji familje me tradita qytetare. Banonte në rrugën Lekaj, vazhdimsi e rrugës Luigj Gurakuqi. Gjendja ekonomike e familjes së tij ishte si ajo e shumicës së banorëve shkodranë pa asnji perkrahje.
Ishte krejt i ri, për mos me thanë fëmijë, kur me dy o tre shokë të vet vinte në orët e mbrambjes përballë dritareve të shtëpisë sime, hypnin mbi prakun e nji dritares së shtëpisë së Loro Boriçit, dhe me nji za të ambël fillonte me këndue kangë shkodrane me të cilat joshte vajzat e reja të atyne shtëpijave përreth, që besoj se nuk e kanë harrue kurrë!
Mbi prakun e asaj skene të vogël të asaj shtëpije filloi me lëshue trup nji djalë për të cilin, tue fillue nga Nana ime e me rradhë, në mëngjes, përshëndetnin me knaqësi të gjitha gratë e asaj lagje, kur rreshtoheshin në rradhat e qumështit, Nanën e Toninit, për ato kangë aq të bukra që i ndigjonin me aq mall, e u sillnin kujtime të sa viteve të shkueme.
Kujtoj të gjitha shtëpijat me grila të afrueme, mbas të cilave, kur Tonini mbaronte me këndue, ndizeshin dritat për me i urue djaloshit të ri të lagjes sonë gjumë t’ambël… Djelmtë iknin të qetë dhe tue vazhdue kangën e tyne nënza… Nuk vonoi dhe nji tjetër moshatar i Toninit filloi me e shoqnue me kitarrë…
Tonin Tershana asht ndër të parët kangtarë që ka përjetsue në qytetin e vjetër të Shkodrës kangën e paharrueshme të kompozitorit Gac Çuni, “Kaçurrelat e tua”, nji nder kryeveprat e muzikës së lehtë, që kompozitori i saj nuk e ka ndigjue kurrë të shoqnueme me vegla nga rinia shkodrane, mbasi Gaci vdiq në burg në moshë të re… Tonini me at za aq të bukur filloi me u njoftë edhe nga rrethet e muzikantëve të njoftun, tue fillue nga i Madhi Prenkë Jakova, Leonard Deda, Pjetër Gaci, Gjon Kapidani, Mark Kaftalli, Luan Zhegu etj., që edhe pse ishte fëmijë, Tonini premtonte shumë me zanin e Tij.
Komshija i mirë të shpëton jetën!
Dy djelmoça moshatarë të Toninit, komshi të Tij, Paçi e Ndoc Martini ishin shoqnuesit e parë me kitarrën e tyne, që e bane të njoftun nga artistët e mëdhej dhe mbarë Shkodra, artistin e ri Tonin Tërshana…
Lulishta e bukur e Turizmit Shkodrës filloi të mbushej plot me simpatizantë të nji kangtari që shpejtë do të bante emën, dhe do të lente gjurmë si artist i vërtetë dhe kangtar i paharrueshëm edhe ndër Festivalet kombtare të kangës Shqiptare.
Për herë të parë në Tiranë filloi me këndue tek Lulishta e Sahatit, ku pat rasë me u njoh me Ferdinand Dedën dhe me u miqsue me Tonin Harapin, të cilët e ndihmuene pa kursim si artist dhe shkodran, zani i të cilit premtonte shumë…
Ai mori pjesë në Festivalin e katërt të kangës, në vitin 1965 dhe fitoi çmimin e parë me kangën e kompozitorit Tonin Harapi, me tekst të Mark Gurakuqit: “Të dua o det!”
Tonin Tërshana mori pjesë në njizet Festivale të kangës dhe fitoi katër herë çmimin e parë, tue mbetë ndër kangtarët e paharrueshëm të artit Shqiptar.
Nji ndër kompozitorët e preferuem të artistit Tonin Tërshana asht kenë edhe kompozitori Pjetër Gaci, me kangën e të cilit “Kur vjen pranvera”, në Festivalin e 11 të Kangës, fitoi çmimin e parë. Po me kangën e Pjetër Gacit “Kthjelltësi, lumturi!”, në vitin 1985, Tonin Tërshana mori prap çmimin e parë… ‘Lumturia nuk dhurohet’ (teksti Zef Pali, muzika Mark Kaftalli).
***
Shpesh përsëriste ndër biseda: “U bana burrë parakohe!…” dhe qeshej me zemër! Për natyrë ishte i çiltër, i dashtun dhe mirënjoftës ndaj të gjithë Atyne që e kishin ndihmue me u shkëputë nga gjendja e vështirë ekonomike për me ndjekë artin.
Pak muej përpara u lidhëm me internet… Tonini ishte edhe sot Ai djali i ri që nji gjysë shekulli ma parë këndonte i ulun në prakun e çimentos së shtëpisë së vjeter të Loro Boriçit… në rrugen Ludovik Saraçi (dikur Badra), në Shkodrën tonë… E ngacmova se ishte zbardhë…(bana sikur nuk e shoh veten)… U qeshëm…
U qeshëm… pa u kujtue fare se me 22 Shtator 2015, Tonin Tershana ndrroi jetë!
Artistët e Mëdhej në Shkoder, dij se mbesin të Pavdekshëm…
Këta pak rreshta në shenjë kujtimi sot, kur Shkodra mbet edhe pa Toninin…
Po, Asht Kanga e ambël e zanit të Tij, që do të këndohet ndër Gurt’ e Rozafës!..
Melbourne, 23 Shtator 2015.